Protestohet në Prishtinë për 1 Majin: Ëndrra për shoqëri revolucionare është ende gjallë

Fotot: Lum Hajrullahu

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Për të shënuar këtë ditë, sot në mbarë botën janë mbajtur protesta, një e tillë është mbajtur edhe në Prishtinë.

Blloku anti-kapitalist, asamble e përkohshme organizative e protestave të 1 Majit, edhe sot kishte mbledhur organizata dhe individë të spektrit të gjerë anti-kapitalist për të protestuar, si: Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Komuna – Qendra Sociale, Lëvizja Feministe Studentore dhe Social Space for Deconstruction.

Në këtë protestë u bë thirrje që të kundërshtohet shtypja e klasës punëtore. Sipas tyre, pothuajse secili nga ne është i poshtëruar dhe ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili
na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën sunduese.

KultPlus ju sjell deklaratën e plotë të Bllokut anti-kapitalist.

Shoqe e shokë, punëtorë e punëtore, studentë e studente, të papunë e të
papuna. Jemi mbledhë këtu për ta kundërshtu shtypjen e klasës punëtore,
që na kapë 99% prej neve. Sot është 137 vjetori i protestave të para të
ditura të klasës punëtore që  refuzuan të punojnë më shumë se 8 orë në
ditë. E sot 137 vite pas, ne kumtojmë që për shumicën prej nesh, kjo
thirrje ka ndryshuar fare pak.

Secili nga ne, jemi më se të vetëdijshëm për nënçmimin e përditshëm që
përjetojmë duke kaluar një jetë të tërë të tjetërsuar nga vetëvetja,
familja dhe shoqëria. Ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili
na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën
sunduese. Puna jashtë orarit, puna pa kontrata, rroga minimale 170 euro,
vendet e pasigurta të punës, vdekjet, abuzimet, krimet seksuale nuk janë
simptoma të një sistemi të keqmenaxhuar. Përkundrazi, janë pjesë të një
sistemi të mirëdizajnuar i cili mbahet e rritet përmes pabarazisë,
shtypjes dhe dhunës ndaj klasës punëtore. 110 vdekje dhe qindra lëndime
në vendin e punës, nuk janë thjesht aksidente, ato janë vrasje. 80
përqind e grave jashtë tregut të punës nuk është thjeshtë papunësi,
është pasqyrë e shtypjes sistematike ndaj grave përmes ndarjes gjinore
të punës që feminizon dhe devalvon punën e kujdesit dhe riprodhimit
shoqëror, për të përfituar prej saj pa ndonjë kompensim. Përjashtimi
sistematik i grupeve të racializuara rome, egjiptiane e ashkalike dhe
heteroseksizmi i normalizuar tregon dhunshëm që ky sistem kapitalist e
patriarkal mbijeton veç përmes dhunës. 

Pushtetarët, si ata social-demkorat të tanishëm, po ashtu edhe pushtetet
e kaluara të djathta, së bashku me oligarkët ekonomik, tentojnë të na
reduktojnë në votues  e konsumator, pra në individë pa pushtet, që
jetojmë në qytete të zotuara nga oligarkët mafioz, ku vlera jonë matet
me sasinë që e prodhojmë dhe sasinë e gjërave që blejmë.

Mirëpo ata nuk kanë guxim të na quajnë klasë, se klasa nënkupton që ne
ndajmë një realitet të përbashkët; ne punëtoret e punëtorët na
përbashkon shtypja që e përjetojmë, përderisa pushtetarët i përbashkon
eksploatimi që e bëjnë. E mbi të gjitha se ata janë të vetëdijshëm që
nëse ne organizohemi, mund t’i këpusim zinxhirët e shtypjes e ta
përmbysim këtë rend shtypës.

Prandaj ne të mbledhurit sot këtu, pjesë të klasës punëtore, para së
gjithash i flasim klasës punëtore dhe nuk tentojmë të hyjmë në dialog me
strukturat e tanishme. Ne jemi këtu për të kumtuar se ëndrra për
shoqëri revolucionare është ende gjallë. Ne jemi këtu për t’i bërë
thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve
të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e
pastrimit, studente/ë e pensioniste/ë, të bashkohemi në solidaritet e të
organizohemi në rezistencë të pëbashkët kundër sistemit shtypës e
eksploatues kapitalist; drejt çlirimit dhe drejt një shoqërie të lirë e
të barabartë! / KultPlus.com