Bob Dylan: Vdekja, e vërteta e vetme

Nëse mendoni se do lexoni ndonjë opinion në lidhje me ndonjë dhënie çmimi, atëherë gaboheni rëndë. Të vetmen gjë që do gjeni këtu, është Vdekja.

‘Not dark yet’ apo, “Nuk është errësuar ende”, është njëra nga shumë poezitë(këngët) e Bob Dylan-it. Më shumë se një poezi ajo paraqet krejt përpjekjet e kota të njeriut për ti dhënë kuptim jetës përballë vdekjes. A do ishim kaq fallc nëse do ishim të përjetshëm?

Qysh në fillim të poezisë, Bob Dylan godet:

‘Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër 

Vdekja nuk ka trokitur ende por është në rrugë e sipër. Në fakt, vdekja gjithmonë është në rrugë e sipër, ajo vazhdimisht është duke ardhur por asnjëherë nuk vjen. Ose së paku, ne nuk e kuptojmë edhe kur vie (nëse vie). Injoranca jonë mbi vdekjen, na vë përballë dy ndjesive: tmerrit (nga hici) dhe shpresës (për përjetësi). Më tmerrues ende, është fakti që për këtë shpresë, të gjithë e dimë se është e “pa shpresë”, por prapë vazhdojmë. Njeriu e gënjen veten duke u gënjyer. Ai e di këtë gënjeshtër të dyfishtë por nuk mund të largohet nga loja. Loja paraqet mundesinë e tij për të harruar vdekjen. Të gjitha përpjekjet e njeriut janë drejt lumturisë, por papritur shfaqet vdekja-kjo zonjë e paftuar. Rjedhimisht të gjitha përpjekjet kthehen në përpjekje për të gënjyer veten në përballjen me fundin.

Për të qenë më korrekt me gjuhën, njeriun nuk e mundon vdekja, por “idea e vdekjes” Idea e vdekjes na tmerron sepse na kujton sa pak kohë kemi. Idea e vdekjes na bën të mendojmë se kurrë nuk do ti arrijmë të gjitha. Pse, a mund të arrihen të gjitha?

“Not dark yet”, është poezi “pesimiste” dhe e “errët” por e sinqertë në thelb. Nga këndvështrimi ekzistencialist, kjo poezi mund të ishte, “poezi e absurdit”. Në paraqitjen e këtij absurdi apo pa-kuptimësie të jetës në raport me vdekjen, Dylan është shumë i pamëshirshëm dhe i ashpër. Në vazhdim ai shkruan:

‘Humanizmi më ka humbur thuajse,
 Pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja’

Humbja e humanizmit ndodh pas ballafaqimit të njeriut me botën. Ndonëse jeta mund të duket e bukur, në esencë është një dhembje e pafundme, është një skëterrë. Sipas Schopenhauer, bota apo jeta, është e zymtë dhe e errët sepse udhëhiqet nga vullneti i cili është i verbër dhe i cili nuk ka qëllime madhore. I vetmi qëllim i vullnetit është që “të jetë”. Lumturia sipas Schopenhauerit mund të arrihet duke e shuar vullnetin dhe shmangur vuajtjet. Por përderisa jemi, vuajtja është domosdoshmëri.

‘Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detërat.
Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra.
Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut.
Barra tanimë është bërë e papërballueshme,
Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër.’

Çdo varg i poezisë sa shkon e bëhet më i errët. Në vazhdim Dylan thotë: ndonëse dallgët e jetës më kanë përplasur në shkëmbinjtë më të thepisur, ndonëse kam shkuar deri në fund të botës për të gjetur kuptimin dhe humanizmin, në fund, prapë se prapë kam hasur vetëm gënjeshtra dhe intriga. Kam takuar ziliqarë e grabitqarë. Bota është e ligë dhe e zezë.

Pasi humba shpresën në botën, e kërkova të vërtetën në sytë e njeriut. Ajo që pashë ishte edhe më e pamëshirshme, goditja e saj ishte përfundimtare, ishte goditja ndaj vetes. Sytë e njeriut janë bosh-pa kuptim. Ato nuk më thonë asgjë, prandaj nuk më mbetet tjetër vetëm të pres vdekjen, duke shpresuar që të vonojë sa më shumë.

Në fund të poezisë vie kulmi. Pas reflektimit mbi botën dhe pas vetëdijesimit se bota është e verbër dhe e shurdhërt, pasi e kuptojmë se bota nuk na flet, se ajo është vetëm një shkëmb i ftohtë, pasi kuptojmë që nuk mund të gjejmë përgjigje as tek tjetri, më në fund i kthehemi vetes. Kthimi drejt vetes është pamundësia jonë për të kuptuar botën. Në botën jashtë nesh, nuk bëjnë pjesë vetëm objektet pa vetëdije, por edhe njeriu. Quhet njeri vetem sepse ka vetëdije përkundër gurit. Quhet njeri sepse kështu ka vendosur ta quaj veten. Kur i kthehemi vetes mund të reflektojmë. Ky reflektim fillon me një konstatim që të kall datën:

“Une kam lindur dhe do vdes pa dëshirën time”

Kjo paraqet një nga të vërtetat më të dhimbshme të njeriut. Nga kjo e vërtetë fillon jo-liria. E si mund të jem i lirë, kur nuk jam pyetur nëse dua të vi në jetë? Askush nuk më ka pyetur nëse dua të jem pjesë e një bote plotë me sëmundje, plot me frikëra dhe pasiguri. Frika nuk vjen nga jashtë, por nga brendia ime. Frika ime jam unë, frika është mosnjohja e vetes.

Si mund të jem i lirë kur askush nuk më ka pyetur nëse dua ta pasuroj botën me dhimbje. Lindja ime ka ardhur përmes vuajtjeve. Të ekzistuarit tim do të shkaktojë vuajtje. Prania ime prodhon vuajtje. Dikush do pikëllohet edhe për largimin tim. Ai largim paraqet ligësinë time ndaj tjetrit, ligësi e cila është vetëm pjesë e ligësisë së madhe, asaj të ekzistencës së jetës. Kam nevojë të vegjetoj.

Përveç që nuk më kanë pyetur nëse dua të vi në jetë, askush nuk më pyet nëse dua të vdes. Askush nuk më pyet nëse kam frikë nga terri i nëntokës; askush nuk pyet nëse kam frikë nga mungesa e ajrit; askush nuk pyet nëse kam frikë nga krimbat; prandaj jeta është vuajtje dhe bota një skëterrë.

‘Më bëhet sikur po lëviz por prapë qëndroj në vendnumëro’

Ka raste kur angazhohem, kur përpëlitem, kur më duket sikur kam arritur ca synime. Por vetëm po gënjej veten. A mund ti japim kuptim një gjëje e cila është e destinuar të shuhet? Rrugëtimit tashmë po i vie fundi. Po largohem nga ajo që quhet “jetë”. Pyetja ende vlen: A kishte kuptim gjithë kjo? Përgjigja nuk vonon dhe është e ftohtë si mermeri dhe e heshtur si varri:

‘Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu’

Këtu është kulmi i dhimbjes. Bota nuk ka qëllim; jeta nuk ka qëllim; absurdi paraqet njohjen e pa-kuptimshmërisë së botës; kur kuptimi i vetëm i gjithe ekzistencës ështe vetëm të vetëdisuarit mbi ekzistencën si diçka e ligë, ky është fundi i mundësive të mia. Vdekja paraqet kufirin tim.

‘Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit,
 Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër’

Kryevepra e kësaj poezie qëndron në vargun e parafundit. Në përballjen përfundimtare, aty në shtratin e vdekjes, nuk bën punë më as Zoti. Ai paraqet vetëm një qiell të zymtë me ca re kaotike. Ironia e Dylan-it është therrëse. Ai thotë se në fund të gjithë do jemi vetëm me veten. Do jemi përballë jetës tonë; do përjetojë momentet më intime që mund ti ketë njeriu: të jetoj vdekjen e tij. Vdekja është momenti më personal dhe i vetmi moment sinqeriteti i kristaltë me veten. Vetëm përballë vdekjes ne bëhemi të sinqertë. Kemi frikë nga të tjerët. Nga sytë e tyre. Vetëm përballë vdekjes ambiciet mjegullohen dhe të gjithë do përfundojmë si Ivan Ilichë. (L.Tolsoti-Vdekja e Ivan Ilichit)

Epilog: Vdekja, e vërteta e vetme

Çfarë kuptimi ka jeta, kur e dimë që do vdesim? Çfarë kuptimi kanë përpjekjet tona kur në fund do mbesim vetëm në varr? Çfarë kuptimi kanë gjithë arsyetimet ndaj të tjerëve, kur në fund do ti arsyetohemi vetem vetes dhe territ? Dikush edhe mund të thotë:
“Së paku do hysh ne histori”.

Me të vertete? Po a nuk e di që edhe historia do vdes? A nuk e di se gjithçka do kthehet në pluhur? Çdo vetëdije njerëzore do mbetet vetëm një grusht pluhuri? Historia është vetëm mjet për të arsyetuar ekzistencën dhe për të luftuar absurdin e jetës. A ka kafsha histori? Po. Vetëm historinë tonë për të. Edhe ne një ditë do të përfundojmë histori për dikë tjetër.

Atëherë cili është qellimi jonë këtu? Ne jemi këtu vetëm si kalimtarë, si produkt i egos. Kjo është kuptimi i pakuptimtë i ekzistencës. Këtë e thotë edhe Dylan. E kush do ja lexoj Bob Dylan-it tekstet pas 1 milion vjetesh? Me falni, a keni menduar ndonjëherë si do jetë bota pas 1 milion vjetesh? Dyshoj. Nëse vetëm pak do mendonit, do bëhej edhe pyetja tjetër, po pas 1 miliardë vjetësh??? Më mirë të mos mendoj, kushedi se ku do shkoj me pyetje.

Mungesa e pyetjeve është largim nga përballja me të vërtetat. Mungesa e pyetjeve paraqet frikën e njeriut nga vetja. Mallkuar qoftë dita kur lindi pyetja; mallkuar qoftë Filozofia, ky makth i pafundëm… Më mirë të jem kafshë, pa pyetje, pa ankth, pa ekzistencë.

Por kot e keni, sepse ju tashmë keni lindur, apo më mirë, Ju kanë lindur (pa ju pyetur). Dhe ju të gjithë do vdisni. Sado që mundoheni të mos pajtoheni me ato që thashë, prape ju siguroj që do vdisni. Do vuani, do klithni, do tmerroheni, do përpëliteni, dhe në fund prapë nuk i ikni vdekjes.

I cmendur?? Ndoshta edhe jam! Por një gjë ju siguroj, edhe çmenduria ime do harrohet një ditë (nëse do ekzistojnë ditët). Të gjithë të çmendurit që kane jetuar ndonjëherë do shuhen. Më falni, a njihni ndonjë të çmendur që ka jetuar para 1000 vjetesh? Po para 2000 vjetesh?? Kështu edhe une do ngjas pas 1000 vjetësh. Nuk më plas fare se si do kujtohem. Madje ekziston edhe një mundësi tjetër:  koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh mund të ndryshojë. Ndoshta nuk do jetë më “çmenduri” por “mençuri” ahahahahah vërtetë mendoni se çaj kokën se si do jetë koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh?

Për fund po ju lus vetëm një gjë: nëse po gënjej, ju lutem ma tregoni mua dhe Botës të vërtetën! Por nëse nuk mundeni dhe nëse nuk dini ndonjë të vërtetë tjetër përveç vdekjes, ju lus të heshtni përgjithmonë.

Shkruajti: Ardian Batusha /KultPlus,.com

“Sara”

Nga: Bob Dylan
Përktheu: Rrona Jaka

Me shpinë mbi rërë, me shikim kah qielli pa skaje
Kur fëmijët luanin në breg
Ti më erdhe nga mbrapa, dhe të pashë që po m’ikje
Ti më rri afër, ende mund të t’prek
Sara, Sara
Çfarëdo që të bëri të duash të ndryshohesh
Sara, Sara
Shumë e lehtë për t’u parë, e vështir të kuptohesh
Ende kujtoj fëmijët që luajnë me rërë plazhi
Vrapojnë te uji t’i mbushin kovat lodër
Dhe guacat e mbledhura nga duart u shkasin
Teksa ndiqnin njeri-tjetrin mbi të lartën kodër
Sara, Sara
Virgjëreshë e ëmbël engjëllore, dashuria ime e jetës
Sara, Sara
Xhevahir rrezatues, grua imagjinare e të pavërtetës
Flemë në pyll, afër zjarrit si n’andrralla
Pimë rum të bardh kudo që gjejmë bar
Luanim janine dhe dëgjonim përralla
Ti në tregje në Savana la Mar
Sara, Sara
Është kaq e qartë, s’e harroj asnjëherë
Sara, Sara
Dashurisë për ty s’i pendohem ndonjëherë
Ende u dëgjoj zhurmën kambanave Metodike
Do të gjej shërim dhe kur të kem përfunduar
Do të të pres pa gjumë në hotelet më klasike
Duke shkruar “zonja sy trishtuar” që ta kam dedikuar
Sara, Sara
Kudo që do shkojmë, s’do jemi kurrë të ndarë
Sara, Sara
Zonjëzë bukuroshe, nga zemra e pa shkarë
Si të takova? S’më kujtohet prore
Një stuhi tropikale të solli tek unë
Më erdhe në dimër me shkëlqim dëbore
Apo si në Lily Pound ku bëhet ngrohtë shumë
Sara, Sara
Skorpion Sfinks me veshje tradicionale
Sara, Sara

Duhet të më falësh se jam pavlerë fare
Tash plazhi është shkretuar, ka veç leshterik
Ashkla anijeje gjenden në bregore
Ti gjithmonë përgjigjesh kur kisha nevojë për një mik
Me çelës e me hartë te vetja m’afroje
Sara, Sara
Nimfë magjepsëse me hark e shigjetë
Sara, Sara
Kurrë mos më braktis, mos më lër të qetë.


/KultPlus/

Që të ndjesh dashurinë time

Bob Dylan

Kur shiu tërsëllin në fytyrën tënde,
Dhe e gjithë bota të është qepur pas,
Mund të të ofroj një përqafim të ngrohtë
Që të ndjesh dashurinë time.

Kur shfaqen hijet e mbrëmjes dhe yjet
E kur askënd nuk ke të të fshije lotët,
Mund të të shtrëngoj për një milion vjet
Që të ndjesh dashurinë time.

E di që mendjen nuk e ke mbledhur ende
Por unë kurrë nuk do të të bëja keq,
Këtë e kam ditur qysh prej çastit që u takuam
Dhe në mendjen time s’ka asnjë dyshim, vendin ku e ke.

Do të vuaja urie, në blu dhe në zi do të nxihesha,
Do të zvarritesha për ty, përgjatë rrugës,
Nuk ka asgjë të cilën nuk do ta bëja për ty,
Që të ndjesh dashurinë time.

Stuhitë po trufullojnë mbi detin zemërak,
Dhe mbi rrugën e pendesës,
Erërat e ndryshimit po fryjnë të egra dhe të lira,
Dhe ti ende nuk ke parë askënd si unë, kurrë!

Mund të të beja të lumtur, ëndrrat t’i përmbushja,
Nuk ka asgjë për ty që s’do ta beja.
Për ty do të shkoja deri në fund të botës,
Që të ndjesh dashurinë time.

Përktheu Edvin Shvarc

Varg ëndrrash

Poezi nga Bob Dylan, përktheu Edvin Shvarc.

Po mendoja për një varg ëndrrash
ku asgjë nuk del në sipërfaqe,
çdo gjë rri poshtë aty ku plagë ka marrë
dhe ndalet përfundimisht.
Nuk po e vrisja mendjen për ndonjë gjë të veçantë
porsi në një ëndërr, kur dikush zgjohet dhe ulërin.
Asgjë edhe aq e veçantë,
thjesht po mendoja për një varg ëndrrash.

Bob Dylan kthen këngën klasike në himn të dashurisë homoseksuale (VIDEO)

Ai ka kompozuar këngën e vitit 1929 ”She’s Funny That Way” pjesë të shkëputura nga Great American Songbook.
https://www.youtube.com/watch?v=uGHDjtRfBZk
Megjithatë një këngë të tillë klasike ai tashmë e ka rikthyer në këngë dedikuar homoseksualëve pasi e ka qujatur, ”He’s Funny That Way”, njofton Klan Kosova.
Projekti i tij pritet të lansohet më 6 prill, ku pjesë e saj janë edhe Kesha, St.Vincent dhe muzkantë të tjerë të njohur të pop hiteve muzikore që i dedikohen martesës të së njëjtës gjini.

“Nëse shikoni historinë e muzikës pop, këngët e dashurisë kanë ardhur kryesisht nga një perspektivë heteroseksuale”, tha Tom Murphy, bashkë-producent i “Univerasal Love”./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=xVKqq4EO5TU

Porsi një gur që ka marrë tatëpjetën

KultPlus ju sjellë një poezi nga Bob Dylan të përkthyer nga Edvin Shvarc.

Njëherë e një kohë aq bukur visheshe
nga një kacidhe lypsave u hidhje kur kaluar ishe, apo jo?
Njerëzit të paralajmëronin: “Kujdes kukull se qafën do thyesh”!
Kurse ti mendoje se ata po talleshin
dhe së qeshurës ia plasje
me të gjithë ata që pranë i qasje,
por tani s’flet më me zë aq të lartë.
Tani nuk ngjan edhe aq krenare
kur për vaktin tjetër të duhet të rropatesh.
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur je pa një strehë mbi krye?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Vërtet ke shkuar në shkollën më të mirë, zonjushë vetmitare,
por e di fort mirë që vetëm deheshe në të
dhe askush s’të mësoi se si t’ia dilje mbanë në rrugë,
ndërsa tani po zbulon që duhet të mësohesh me këtë gjë.
Pate thënë dikur që kurrë nuk do të bëje kompromis
me endacakun misterioz, por tani po e kupton
që ai nuk po të shet dëngla
teksa e vështron drejt e në boshllëkun e syve të tij
dhe i kërkon të bëni një pazar?
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
S’e ktheve kokën kurrë të shihje mrroljet e xhonglerëve dhe karagjozëve
kur mblidheshin të tërë për të të zbavitur me numra.
Asnjëherë s’e more vesh që nuk ia vlen,
nuk duhet t’i lësh të tjerët të bëjnë qejf me ty.
Dikur bridhje mbi kalin e kromuar me diplomatin tënd,
të cilit i varej në sup një mace siameze,
por sa idhët të vjen kur zbulon
se ai s’qe aty kur duhej vërtetë të ishte
pasi prej teje mori çdo gjë që mundi të vidhte!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Princesha në prag të derës dhe gjithë njerëzit e bukur
po pinë duke menduar se të tëra i kanë të shtruara
po shkëmbejnë lloj-lloj dhuratash e gjërash të çmuara,
por moj kukull, më mirë peng lëre unazën me diamant!
Dikur nga mahnitja pa frymë të linte
Napoleoni me rrecka dhe gjuha që përdorte.
Pse s’shkon tek ai tani, po të thërret, s’mund t’ia prishësh dot
tani që nuk ke asgjë, askurrfarë gjëje për të humbur?
Tashmë je e padukshme, nuk ke më sekrete për të ruajtur!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?/KultPlus.com

Kitara e Bob Dylan është shitur me çmim marramendës (FOTO)

Kitara e këngëtarit Bob Dylan, njëherit edhe nobelist i letërsisë është shitur nëpërmjet një ankandi, shkruan KultPlus.

Këtë kitarë këngëtari i famshëm e ka përdorë në koncertet e viteve të 70-ta dhe është shitur në një shumë prej 400 mijë dollarëve.

Ankandi është mbajtur në Dallas dhe blerësi i kësaj kitare ka dashur që të mbetet anonim, edhe pse i ka numëruar 396.500 dollarë për këtë instrument./KultPlus.com