Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit 2023”, e cila u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë.
Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se kryeministri Kurti duke folur për veprën e Pjetër Bogdanit, tha se në vitin 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.
Kryeministri Kurti vlerësoi se vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, nga Gjon Nikoll Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.
“Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike”, tha kryeministri Kurti.
Në përfundim, kryeministri uroi të pranishmit në Ditët e Bogdanit, për shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës./rtk/KultPlus.com