Shpaloset ekspozita “Homazh nanës”, piktori Agron Bytyçi: Ne jemi të vegjël për të madhen Nënë Tereza

Gjithsej 13 piktura origjinale të Shën Nënë Terezës nga pena e piktorit të njohur Agron Bytyçi janë shpalosur sonte me rastin e hapjes së ekspozitës personale që vjen nën emërtimin “Homazh nanës”. Të pikturuara enkas për 25 vjetorin e kalimit të saj në amshim, ato vijnë në një dimension më unik. Kësaj here, fytyra e saj e ëmbël, vihet në fokus, teksa sytë e saj portretizojnë gjithë dashuri e vuajtje, shkruan KultPlus.

Qendra “BogdaniPolis” fiks në orën 19:00 ka mirëpritur një numër të lartë të artdashësve që me të vërtetë janë thelluar përbrenda secilës vepër të pranishme. Nga piktura në pikturë, këmbët e tyre bënin ecejake të ngadalshme por të duhura, në atë mënyrë që fokusi t’i dhurohej vetëm artit pamor.

Figura e Shën Nënë Terezës nuk kishte se si të nderohej më tepër, pos nga ngjyrat e ndezura të së kaltrës e bardhës. Herë në mendime, herë duke shikuar lart, por në të shumtën e rasteve, Nëna Terezë na shfaqet e buzëqeshur, ashtu siç ishte edhe përherë. Buzëqeshja e saj që për shumë kë ka bërë dritë, dhe ende sot vazhdon të jetë simbol i paqes, mëshirës dhe dashurisë.

Disa nga këto piktura janë akoma në shitje dhe mjetet e mbledhura nga shitja kanë një përfundim humanitar. Ndërsa, disa nga to veçse qenë shitur akoma pa u bërë hapja e ekspozitës. Po ashtu, me hapjen e kësaj ekspozite janë mbyllur të gjitha aktivitet kulturore të vitit jubilar kushtuar Nënës Terezë për katedralen në Prishtinë.

Fillimisht, hapjen e kësaj ekspozite e bëri kuratori Naser Shatrolli i cili thotë se artisti Agron Bytyçi e ka të konceptuar lirinë brenda kufijve të arsyes së tij.

“Është një emocion i veçantë për mua në këtë rast për arsye se vetë fakti që është një ambient shumë unik ky këtu ku sot po hapen perdet e kësaj ekspozite universale të Nënë Terezës dhe një piktorit që vërtetë është i përmasave të këtilla si krijues artistik. Një piktor që nuk eksploron në rajonet e thella dhe të errëta të ndjeshmërive shpirtërore dhe që nuk është në harmoni me boshtin e tik-takeve të zemrës, ai nuk do të jetë në gjendje që të krijojë çudira në artin pamor. Ekspozita është e hapur në ambientet e Katedrales së qytetit të Prishtinës në muajt e dritave të vitit 2022 – aty ku frymon aromë biblizmi, ku merr shtrirje të çlirë arti, ashtu siç frymon jehu poetikës së Bytyçit. Madje, thellësia e mureve të Katedrales e bën më atraktive ekspozitën për publikun, është dhe jehona e kambanës me tingujt lirik të saj, ndërsa, gozhdimin e 13 – të portreteve të “Nënës Terezë” në muret e Katedrales, mbase, me këtë gjest, autori na dëfton për ndjeshmëritë e profilit të tij krijues; i përkushtuar ndaj natyrës së tematikës së zgjedhur, ndaj karakterit biblik të personazhit, dhe ndaj normave artistike në relacion me karakterin e ekspozitës”, thotë ai.

Sipas tij, formatet artistike me figurën e “Nënë Terezës” përkojnë me arkitekturën hapësinore të vendit, relievit, të stinëve, ndjeshmërive shpirtërore, të kon- traditave, dokeve, zakoneve, madje dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar një mendësi e tërë ndër shekuj, duke marrë parasysh dhe luftërat e përgjakura prej të cilave kanë dalë ngjyrat ideale të piktorëve. Ai këto portretime unike me të cilat paraqitet autori para audiencës së Prishtinës, i konsideron si shenja të brendit të kutisë hermetike studimore – shkencore, me të cilat, në mendjet tona, krijohen iluzione për një botë tjetër. Andaj, edhe mesazhet që nxjerr Bytyçi nëpërmes ekspozitës, në relacion me njeriun e përgjumur, janë të balancuara gjersa domeni dashuri është duke u tkurrur nëpër xhepat e shterur të familjeve tona.

“Ai ka ndarë 13 punime për këtë ekspozitë, sigurisht që ky numër ka simbolikën biblike në vetvete – ndërlidhet me biblizimin e “darkës së fundit” vepër e Leonardo Da Vinçit, ndërsa, sentenca e kësaj ekspozite konoton me qëllimin dhe me humanizmin e autorit të ekspozitës. Parë me llupën e perspektivës pamore, portretet kanë thellësinë psikologjike, parasegjithash, kanë dhe urtësinë njerëzore, kanë maturinë filozofike, kanë vizionin hyjnor në relacion me qëllimin dhe me synimet artistike që ka për vetveten e tij dhe qëndrojnë brenda një metafore të caktuar, për të qenë më afër njeriut të mërdhirë, apo të lagur nga i ftohti dhe nga acari dimëror. Ndërsa, dashurinë për gruan e shikoj si mbështjellës të boshtit shpirtëror të njeriut, që pret me shekuj para një bredhi të 24 dhjetorit për të ndezur dritën e gëzimit të familjes së tij”, thotë Shatrolli.

Ai tutje shtron pyetjen se çfarë i bënë Luvrin, Firencen apo Romën të dallueshme, e që sipas tij janë piktorët dhe skulptorët e përmasave kolosale që vendin e tyre e kanë bërë të njohur dhe atraktive për botën turistike.

“Pra, arti e ngrit në shkallë kulturore varfërinë e një vendi të caktuar. Ngjyrat e tij prekun në damarët e gjakut të njeriut – ato kanë profil të posaçëm artistik, madje, secila prej tyre ka shenjat e gjakut dhe të gishtërinjve të tij. Krijimet e tij mund të përkthehen si mjet depërtues udhëtimi – figurativisht ato janë pasaportë për tejkalimin e kufijve të mendimit të izoluar. Kam parë filma që ju dedikohen piktorëve të zëshëm dhe që kanë punuar nëpër oborre mbretërore, kam parë dhe formate tjera kinematografike që trajtojnë piktorë që kanë vdekur për kafshatën e gojës por që nuk janë ligështuar para shkopit të pushtetit. Artisti i përmasave të Agron Bytyçit e ka të konceptuar lirinë brenda kufijve të arsyes së tij”, përfundon Shatrolli.

Ndërsa, i pranishëm qe edhe Dom Lush Gjergji i cili ka thënë se duart dhe zemra e madhe e Nënës Terezë, dëshmojnë dhe tregojnë sa përkushtim, sa dhimbje, sa vuajtje, aq edhe dashuri.

“Në një ekspozitë siç është kjo e profesorit Agron Bytyçit, dy gjëra më vinë në sy dhe më kujtohen. Në çdo portret po i hetoj këto dy elemente që i ka hetuar edhe kritika letrare në nivelin botërorë, në jetën, veprën e sidomos fytyrën e Nënës Terezë. Ato janë rrudhat e saj. Një shkrimtar dhe dijetar i madh thotë: Nëse doni ta përjetoni tokën e shenjtë, atëherë mjafton të përqendroheni në rrudhat e Nënës Terezë, se ato flasin më së miri dhe dëshmojnë shpirtin dhe zemrën e saj. Një shkrimtar dhe dijetar tjetër thotë: Nëse doni të takoheni me Nënën Terezë, edhe pas kalimit të saj në amshim, atëherë shikoni dhe shijoni fotografitë, portretet, pikturat, skulpturat e saj, por mbi të gjitha përqendrohuni në dy sytë, që janë si dy gaca të cilat ju flasin, thërrasin dhe dëshmojnë. Ju flasin sepse sytë e saj kanë parë çka ndoshta askush prej njerëzimit nuk ka parë kurrë, veshët e saj kanë dëgjuar edhe zhurmën edhe vajin edhe dhimbjen edhe pikëllimin e të varfërve. Nëna Terezë thotë se sëmundja më e rënda është vetmia. Në anën tjetër, duart dhe zemra e saj e madhe dëshmojnë dhe tregojnë sa përkushtim, sa dhimbje, sa vuajtje por edhe sa dashuri pati ajo, duke iu dhuruar atë se çfarë Zoti i kishte dhuruar asaj. Dhurimi i jetës, dashurisë dhe i paqes, prandaj nga zemra e uroj piktorin dhe skulptorin tonë tashmë të njohur, Agron Bytyçi për këtë dhuratë të madhe që na e ka bërë. Ta fiksojmë secilën pikturë sepse ato vërtetë na flasin dhe na thërrasin edhe neve që gjurmëve të saj të shkojmë”, ka thënë ai.

Kështu krejt në fund, për një fjalë rasti në këtë mbrëmje, doli edhe vetë autori i ekspozitës, Agron Bytyçi.

“Ju falënderoj secilin veç e veç që keni gjetur kohën e çmuar për të ardhur këtu në hapjen e kësaj ekspozite. Realisht unë kam goxha të vështirë të flas pas Dom Lushit e në veçanti për Nënën Terezë. Familja ime ka qenë së bashku me mua nga piktura në pikturë dhe e kemi bërë një punë të vogël për një njeri shumë të madh. E kam bezdi që ne që e bëjmë artin të flasim për artin. Andaj, ju falënderoj edhe njëherë shumë të gjithëve. Ne jemi të vegjël për Nënën Terezë të madhe”, thotë ai.

Kujtojmë se ekspozita “Homazh nanës” e piktorit, Agron Bytyçi do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:00 – 17:30. / KultPlus.com

Ka udhëtuar nëpër botë, ekspozita “Redukto, riciklo, ripërdor” shpaloset në Prishtinë, në fokus dizajni i qëndrueshëm italian

E kuruar nga arkitektja Silvana Annicchiarico, ekspozita e titulluar “3CODESIGN | 3Rs: Reduce Recycle Reuse” është shpalosur sot pikërisht në Qendrën ‘Bogdani Polis’ në Katedralen “Nëna Terezë”. Me një koncept tejet interesant, qysh nga fillimi e deri në fund, ekspozita ka pasur një synim të qartë, e ajo është ofrimi i një pasqyre sintetike por paradigmatike për të treguar se si dizajni italian është duke punuar në drejtimin e qëndrueshmërisë mjedisore, shkruan KultPlus.

E gjithë ajo se çfarë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka për qëllim, është festimi i tipareve konotative të dizajnit të ri italian. E kjo u dëshmua edhe sot nga idetë kreative e të shumta që publiku pati rastin të shoh në hapjen e ekspozitës që hapi dyert në orën 19:00.

Kjo ekspozitë, emri tjetër i së cilës është “Ecodesign”, ka prezantuar një përzgjedhje objektesh, produktesh dhe aksesorësh të ricikluar ose të bërë me materiale dhe teknologji të qëndrueshme, të gjitha të projektuara nga projektuesit italianë dhe të prodhuara nga kompanitë italiane.

Ndërkaq, në hapje të kësaj ekspozite, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

“Ndjej një arritje veçanërisht krenare për sjelljen e kësaj ekspozite në Prishtinë, e cila është ekspozuar në disa lokacione nëpër botë. Që kur mbërrita në Kosovë, kam dashur të organizoj një ekspozitë mbi dizajnin e qëndrueshëm italian gjatë ‘Manifesta 14 Prishtina’, bienalen e artit bashkëkohor që dëshiron të kontribuojë në rigjenerimin e hapësirave publike edhe përmes projekteve të arkitekturës italiane Carlo Ratti. Përmes ‘Ecodesign’, synojmë të theksojmë kontributin që rishikimi i proceseve të prodhimit në vazhdim në industrinë italiane të projektimit ofron për rigjenerimin e vlerës së objekteve në qarkullim”, thotë ai.

Ai tutje për KultPlus ka shpalosur idenë se si kuratorja Annicchiarico ka sjellë këtë ekspozitë sipas nevojave më të fundit të qëndrueshmërisë mjedisore duke krijuar një përmbysje të vërtetë të trendit në krahasim me sistemet e prodhimit dhe strategjive të projektimit të përdorura gjatë shekullit të 20-të.

“Është një rimendim i përgjithshëm dhe radikal i një modeli prodhimi që synon mbishfrytëzimin e burimeve; kjo do të thotë të rishikohen të gjitha fazat e projektimit dhe prodhimit, duke menduar, që nga fillimi, për objektet dhe produktet që bëhen të riparueshme, të rikuperueshme, të ripërdorshme, të ndashme dhe të riciklueshme. Në vend se të përfundoj në deponi, vlera e një objekti duhet të mbetet në qarkullim, duke u vetë rigjeneruar vazhdimisht”, thuhet në njërën nga banerat e ekspozitës.

Ndërkaq, pikat kryesore të ekspozitës konsiderohen të jenë:

Reduktimi i përdorimit dhe harxhimit të lëndëve të para dhe ndikimi në mjedis;

Riciklimi atyre që janë konsumuar, duke filluar nga plastika;

Ripërdorimi dhe dhënia e një jetë të re produkteve të shpërdoruara ose dukshëm të vjetruara.

Ekspozita “Ecodesign” apo ndryshe “3CODESIGN | 3Rs: Reduce Recycle Reuse” do të qëndrojë e hapur deri më 23 gusht (e hënë – e shtunë, orari i hapjes 12:00 – 19:00, e diel, orari i hapjes 15:00 – 20:00).

E artikuluar në një hapësirë prej 200 metrash katrorë, ekspozita tregon – nëpërmjet objekteve, imazheve dhe teksteve – bazat e ekonomisë rrethore, zhvillimin e materialeve dhe produkteve të reja me ndikim të ulët ekologjik, filozofinë e projektimit të disa prej dizajnerëve të rinj që po punojnë në një ekologji të re të artificiales.

Ekspozita është hapur në Pragë, Doha, Dubai, Hong Kong, Uashington, Toronto dhe Tunis dhe pas Prishtinës ekspozita do të ndalet në Talin. / KultPlus.com

Në ditëlindjen e tij të 119-të, inaugurohet Biblioteka ‘Ernest Koliqi’ në Prishtinë

Mbrëmë në ditëlindjen e 119-të të shkrimtarit Ernest Koliqi, u inaugurua biblioteka “Ernest Koliqi” në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Biblioteka është themeluar në vitin 2020 me iniciativën e Imzot Dodë Gjergji e cila është pjesë e projekteve të Katedrales ‘Shën Nënë Tereza’, përkatësisht e qendrës ‘Bodani Polis’ dhe udhëhiqet nga Ipeshkvia.

Salla ka një kapacitet me rreth 20,000 libra, ndërsa ka dhe tre salla tjera që priten të sistemohen rreth 50,000 tituj të tjerë. Biblioteka ka tituj nga të gjitha fushat e shkencave dhe krijimtarisë në gjuhët si: shqip, latinisht, italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht e kroatisht. Në anën tjetër, dominojnë shkencat albanologjike, histori, letërsi shqiptare, pastaj edhe shkencat teologjike.

Në të ardhmen pritet të ketë një koleksion të digjitalizuar të dokumenteve arkivore nga arkiva të Vatikanit dhe të Vjenës. Biblioteka është pjesë e rrjetit të sistemit bibliotekar, informues dhe sistemeve të informacionit për veprimtari shkencore.

Fillimisht, ishte kënga e bukur arbëreshe ‘Moj e bukura More’ e cila u interpretua fillimisht. Nën zërin e Doruntina Gjinit, tingujt e pianos nga Anamarija Nulleshi, tingujt e violinës nga Qendresa Bunjaku dhe tingujt e kitarës nga Alban Markaj, u krijua një atmosferë tejet e ngrohtë dhe e bukur përbrenda vendit.

Më pas, për një fjalë përshëndetëse doli edhe Imzot Dodë Gjergji, i cili e shpjegon idenë e krijimit të një biblioteke të tillë.

“Katedralja dhe gjithë ky kompleks dëshiron të dhurojë një domethënie shpirtërore ndaj gjithë qytetit, një kujtim për të kaluarën tonë dhe njëkohësisht kemi dashur që në kuadër të Katedrales, të kemi qytetin e Bogdanit, që e kemi quajtur në gjuhën greke “Bogdani Polis”. Por, një i ditur thoshte se një qytet që nuk ka një bibliotekë, nuk mund të jetë qytet. Andaj ne menduam që edhe kjo qendër të ketë një bibliotekë sepse në bibliotekë është e mbishkruar e gjithë ëndrra e çdo njeriut për arsye se nuk ka ëndërr që nuk lind nga një kujtim i të kaluarës”, thotë ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në fjalën e tij e vlerësoi lart figurën e Ernest Koliqit.

“Me sa duket me tërheqjen e pandemisë, Prishtinës po i vinë të mirat njëra pas tjetrës me bollëk si me panaire të ndryshme, festivale apo edhe koncerte ndërkombëtare nga më të ndryshmet. Hapja e kësaj biblioteke sot është një event tjetër në mesin e këtyre ngjarjeve të mrekullueshme për kryeqytetin tonë. Shkodrani, Ernest Koliqi, një shkrimtar i madh i letërsisë shqipe ishte edhe ministër i arsimit në Tiranë që në kohën e luftës së dytë botërore ka pruar mbi 200 mësimdhënës shqiptar për të hapur shkolla shqipe anembanë viseve të Kosovës”, thotë Rama.

Sipas tij, përzgjedhja pikërisht e emrit të kolosit Ernest Koliqi për bibliotekën si dhe inaugurimi i saj pikërisht në ditëlindjen e tij, nderon të gjithë kryeqytetin dhe gjithë kombin shqiptar.

Po ashtu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi e vlerësoi bibliotekën si një ndër më të veçantat ndonjëherë.

“Është një ceremoni shumë e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë. Duke pasur përballë Ernest Koliqin, ai me veprën e tij i tregon botës se pavarësisht sistemeve dhe represionit, e drejta, arti dhe kultura që i shërben popullit nuk shuhet kurrë. Politika është momentale ndërsa veprat e kolosëve tanë janë të pavdekshme. Është një bibliotekë shumë interesante dhe e veçantë në llojin e vetë. Por ajo që mbush më tepër është vepra e të madhit, Ernest Koliqi”, thotë Minxhozi.

Për figurën e Ernest Koliqit, tutje ka folur edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Beqiri.

“Ernest Koliqi është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Përtej figurës, shkollën shqipe në Kosovë dhe në hapësira të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, e krijuan gjatë viteve dyzet të shekullit njëzet, afërsisht dyqind mësues normalist të cilët me misionin e shenjtë të përhapjes së shkronjës shqipe, u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe ministër i arsimit. Për mua, Koliqi është profeti ndërsa ata normalistë të zgjedhur prej tij janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva”, thotë Beqiri.

Proza poetike e Ernest Koliqit në shkodranishten e tij të bukur u vërejt më së miri edhe në dëgjimin e fragmentit nga proza “Ujët e pusit”, e cila aq ëmbëlsisht u interpretua nga Kristinë Berisha.

Po ashtu, kënga “Karajfila që ka Shkodra” erdhi nën zërin e Doruntina Gjinit, nën meloditë pianistike nga Anamarija Nulleshi, nën tingujt e violinës nga Qendresa Bunjaku si dhe nën tingujt e kitarës nga Alban Markaj.

Kështu krejt në fund të kësaj mbrëmjeje, për një fjalë rasti doli edhe përgjegjësi i bibliotekës, Don Fatmir Koliqi.

“Kam dashur që në fund të këtij programi të ju falënderoj të gjithëve që i jeni përgjigjur ftesës tonë që kjo ngjarje kulturore të jetë kaq e bukur së bashku me juve. Kjo bibliotekë do të jetë në mënyrë të veçantë në disponim të studentëve të Prishtinës që vijnë dhe studiojnë këtu. Këta që kanë kënduar dhe që kanë udhëhequr krejt këtë program, janë të gjithë studentë”, thotë ai.

Kontribuuesit për këtë bibliotekë janë: Imzot Dodë Gjergji, Dom Lush Gjergji, Don Fatmir Koliqi, Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë, Instituti Historik i Kosovës, Instituti Albanologjik i Kosovës, Biblioteka e qytetit “Hivzi Sylejmani”, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, Kolegji AAB, Botimet “Fishta”, Botimet “Koliqi”, Botimet “Alfabet”, Botimet “Kuneus”, Botimet “Tenda, Botimet “Jakup Ceraja” dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com