Mbahet edicioni i 23-të i Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari” në Prishtinë

Sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve u mbajt Turneu Ndërkombëtar i Boksit “Adem Jashari” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia.

Turneu u organizua nga Federata e Boksit e Kosovës, në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën Patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Kjo ngjarje sportive ndërkombëtare, e cila është edhe në kalendarin e Federatës Ndëkombëtare të Boksit (AIBA), në Kosovë ka filluar nga viti 1999.

Dje janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa sot ndeshjet finale. Nga afër ndeshjet i ndoqën edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sekretari i MKRS, Bislim Bislimi dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, dhe emra të mëdhenj të boksit kosovar si Aziz Salihu, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Fatmir Makolli dhe të tjerë.

Në fjalën e tij Kryeministri Kurti tha se sporti i boksit reflekton historinë e suksesit, rezistencës dhe luftës së vendit tonë.

“Ky turne sportiv, që padyshim reprezenton suksesin e sportit vendor, tregon edhe shumë çka tjetër për vendin dhe popullin tonë. Emërimi i tij, “Adem Jashari”, shënon sakrificën dhe flijimin e familjes Jashari që sot është simbolika e Pavarësisë së popullit tonë” u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri Kurti vlerësoi se kjo ngjarje reprezenton punën dhe mundin e sportistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportiv të cilët pa ndalur, ndër-gjenerata e breza të tërë kanë zhvilluar sportin e boksit në vend, duke i vazhduar kështu sukseset e kampionëve shqiptarë të periudhës së ish-Jugosllavisë.

Boksieri më i mirë i turneut u shpall Shpëtim Bajoku, të cilit trofeun “Adem Jashari” ia ndau ministri Çeku, bashkë me kryetarin e Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi dhe kryetarin e KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Boksieri më i mirë vendor u shpall Patriot Behrami. Tanko Villiam nga Sllovakia u shpall boksieri më i mirë i huaj. Dion Leani, nga Maqedonia e Veriut, boksieri më ‘Fair Play’, ndërkaq tekniku më i mirë u shpall Javier Diaz nga Bullgaria. Ndërkaq, çifti më luftarak u shpallën boksieri Kristian Demaj nga Shqipëria kundër Yordan Morejon nga Bullgaria. / KultPlus.com

Alban Beqiri në çerekfinalen e botërorit, shkruan historinë e boksit shqiptar

Alban Beqiri shkëlqeu mbrëmjen e të dielës në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd të Serbisë. Boksieri shqiptar u kualifikua në çerekfinale pas fitores me Eduardo Beckford nga Panamaja.

Trajneri i tij, ish boksieri i mirënjohur, Sead Bushati, është shprehur për mediat se mbrëmë Beqiri ka shkruar historinë.

“Alban Beqiri shkruan historinë e boksit shqiptar me fitoren e tretë në Botëror duke u futur në 8-të boksierët më të mirë të botës! Me klasin e lartë dhe me zgjuarsi të tij arriti të mposht boksierin shtatlartë dhe teknik të Panamasë!

Në ndeshjen e radhës ka boksierin shumë të fortë nga Jordania i cili mundi 2 here kampionin Olimpik kubanezin Roniel Iglesias Sotolongo, por besoj në aftësitë e Albanit teknikën, inteligjencën e tij dhe shpresoj se do të triumfojë dhe do të na sjell medaljen për herë të parë në një Botëror në Shqipëri!”, është shprehur Bushati.

Alban Beqiri aktualisht është kampion i Ballkanit në fuqi, dalë në muajin maj në Kroaci, fitues i shumë turneve ndërkombëtar dhe dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Europiane. /Tirana News/ KultPlus.com

Edhe një vit pa meçe të mëdha të boksit

Meçet më të mëdha të boksit mund të jenë një vit larg për shkak të pandemisë, ka shkruar BBC të hënën.

Sporti është pezulluar thuajse në gjithë botën, ndërsa mundësia për zhvillimin e meçeve të boksit pa praninë e shikuesve kur masat të lehtësohen, tashmë po diskutohet nga disa promotorë.

Ka vlerësime të ndryshme nëse meçet pa shikues kanë kuptim në aspektin afarist, ndërsa ka drojë se mbrëmjet e boksit mund të rrisin presionin te shërbimet emergjente. Sipas BBC-së po diskutohet edhe për atë se si do të kalojnë boksierët kufijtë, derisa udhëtimet janë të kufizuara.

“Nuk pres që të shohim meçe të mëdha deri në prill, maj apo qershor të vitit të ardhshëm. Promotorët si Frank Warren, Bob Arum apo Eddie Hearn nuk do të organizojnë meçe të mëdha në këtë fazë. Ashtu si ka thënë Arum, kush do të kompensonte humbjet e parave nëse meçet organizohen pa shikues”, ka thënë analisti i BBC-së, Steve Bunce.

Disa luftëra të mëdha tashmë janë anuluar.

Promotori Arum ka theksuar se meçi i tretë në mes të Tyson Furyt dhe Deontay Wilderit, tani është në pritje. Ata është dashur të përballen në korrik, ndërsa tetori tani është synim. Koha.net / KultPlus.com