Kryeministri Kurti: Në Kullat e Isa Boletinit u bë historia

Kryeministri Albin Kurti sot ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore për martirët e vrarë në masakrën e Zhazhës, dëshmorët e luftës së fundit dhe te Kullat e Isa Boletinit.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se për Kullat e Isa Boletinit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe: kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit të aktiviteteve të rregullta.

“Ruajtja e historisë sonë është detyrim moral ndaj së kaluarës dhe trashëgimi për brezat që vijnë. Lavdi Isa Boletinit! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:

Ditën e filluam në Zhazhë e Boletin në nderim të martirëve dhe dëshmorëve të kombit.

Bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kryetarin e Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq dhe deputetë të Kuvendit, bëmë homazhe te pllaka përkujtimore për martirët e vrarë në masakrën e Zhazhës dhe dëshmorët e luftës së fundit. Përkujtimi i tyre na rikujton çmimin e shtrenjtë të lirisë sonë.

Te Kullat e Isa Boletinit, ku u bë historia e u lartësuan shqiptarët, vendosëm lule të freskëta mbi varrin e heroit tonë Isa Boletini.

Për Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe: kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit të aktiviteteve të rregullta.

Ruajtja e historisë sonë është detyrim moral ndaj së kaluarës dhe trashëgimi për brezat që vijnë.

Lavdi Isa Boletinit! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!/ KultPlus.com

Përse Isa Boletini nuk shkoi te varri i Sulltan Muratit në Kosovë ? — Një intervistë e Hasan Bej Prishtinës në Selanik

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Shkurt 2025

“La Turquie” ka botuar, të premten e 30 qershorit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive të Hasan Bej Prishtinës me redaktorin e “Yèni-Assr” mbi udhëtimin asokohe të Sulltan Mehmetit V në Kosovë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një redaktor i Yèni-Assr intervistoi deputetin e Prishtinës, Hasan Beun, aktualisht në Selanik, i cili bëri këto deklarata :

Udhëtimi i Sulltanit tonë në Kosovë i gëzoi shumë shqiptarët dhe solli efekte morale dhe kombëtare. Megjithatë, që ky udhëtim të japë rezultate të mira në të ardhmen, vendi duhet në çdo rast t’i nënshtrohet të njëjtit ligj dhe qeveria duhet të jetë, në anën e saj, një qeveri e drejtë dhe e barabartë. Përndryshe ky udhëtim do të mbetet i pafrytshëm.

Isa Boletini nuk ishte te varri i Sulltan Muratit. Por nuk e bëri qëllimisht. Ai nuk mundi të shkonte atje sepse ishte disi i sëmurë. Nga ana tjetër, ai dërgoi një nga djemtë e tij dhe nipin e tij, të cilët patën nderin të priteshin nga Shkëlqesia e Tij Sulltani në fushën e Kosoves.

Madje, Mahmud Shefqet Pasha mendoi se do të kishte qenë mirë që Isa Beu të kishte ardhur atje.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Isa Beu më foli me lëvdata për rrugët e ndërtuara në mënyrë perfekte në të gjithë Malin e Zi, një vend malor; komunikimet me automobil dhe telefon të cilat arrijnë deri në fshatra. Ai shpreson se edhe vendi ynë do të pajiset me këto të mira të qytetërimit. Unë besoj se Ismail Bej Qemali shkoi në Cetinje për të këshilluar kryengritësit Malësorë që të shmangnin çdo gjakderdhje.

Dua të besoj se ata që pretendojnë të kundërtën e kanë gabim. E di që nuk është përkrahës i idesë së autonomisë shqiptare. Prandaj jam i bindur se ai kurrë nuk do të kryejë një akt të tillë që të gjithë shqiptarët do ta refuzonin. Për shtrirjen e pushteteve, këtë mendim e ndaj si të gjithë ata që kanë parasysh të ardhmen e atdheut. Sepse një ligj që zbatohet në Selanik nuk mund të vihet në fuqi në malet e Lumës, në Elbasan, në Guci, në Tiranë, në Gjakovë, në Shkodër, në fushat e thata të Jemenit, në shkretëtirat e Irakut. A do të merren në konsideratë këto pika gjatë diskutimit të ligjit të administratës krahinore ? Jam i sigurt se këtë domosdoshmëri do ta vënë re edhe deputetët turq dhe ndoshta do të jenë ata që do ta mbrojnë më shumë këtë të vërtetë./ KultPlus.com