Haki Misini, zëri i muzikës rok që u vra pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATO-s

Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash e 24 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.

Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.

Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.

Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.

“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com

Fjalimi i Bill Clinton për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë, gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  

Këtë video e ka publikuar sot edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka falënderuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës për këtë ndërhyrje.

“24 vite që kur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë. Faleminderit përjetësisht”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

24 vite nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike. / KultPlus.com

Më 24 mars mbahet seancë, me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Të enjten, më 24 mars 2022, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare, njofton Kuvendi.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.

“Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.

Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin dërguar mediave, transmeton Express.

“Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.

Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare”, përfundon njoftimi. /Express/ KultPlus.com

Gruan refugjate nga Kosova, diplomacia ruse e quan viktimë serbe në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s

Diplomacia ruse ka shpërndarë një lajm të rremë duke propaganduar se njëra nga viktimat shqiptare është viktimë serbe, kjo gjë ka ndodhur në 22 vjetorin e bombardimeve të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër ushtrisë serbe në Kosovë.

Lajmin bashkë me fotografinë e kanë shpërndarë në Twitter. Bëhet fjalë për fotografinë e njohur botërisht të Sherife Lutës me fëmijën e saj në krah të cilën  Ambasada ruse në Afrikë të Jugut e quan viktimë serbe.

Këtij postimi i ka reaguar edhe aktivisti Shpend Lila, duke thënë se zonja në këtë foto është arsyeja se pse është bombarduar Serbia.

“Hej Rusi, zonja së bashku me fëmijën në foto është arsyeja pse Serbia u bombardua. Emri i saj është Sherife Luta, “duke vrapuar” për t’i mbijetuar gjenocidit serb në Kosovë”, ka shkruar Lila në Twitter.

Nuk është hera e parë që Rusia propagandon me fotografinë e Sherife Lutës, pasi ka pasur raste që këtë personazh e kanë përdorur edhe gjatë luftës në Ukrainë. / KultPlus.com

https://twitter.com/EmbassyofRussia/status/1374653660240695298?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1374653660240695298%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fdiplomacia-ruse-gruan-refugjate-nga-kosova-e-quan-viktime-serbe-ne-pervjetorin-e-bombardimeve-te-nato-s%2F

Emocionet e 22 viteve më parë, bombardimet e NATO-s përmes fotografive

Data 24 mars shënon sot 22-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi morën në atë kohë kur shpresa për liri po ju shuhej. Përmes këtyre fotografive shihet gëzimi i tyre dhe shpresa e rikthyer. / KultPlus.com

22 vite nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Nesër do bëhen 22 vite kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.

I dërguari amerikan atëbotë Richard Holebrooke, kishte bërë përpjekje deri në çastet e fundit, para se t’i raportonte sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se misioni i tij kishte dështuar.

“Procesi tash u kthehet simbolikisht dhe formalisht juve. Tash është çështje e NATO-s. Dua të them se kanalet diplomatike do të mbeten të hapura. Por, misioni ynë, ai që e përmbyllëm disa orë më parë, nuk duket të prodhojë ndonjë lëvizje, prandaj presidenti Bill Clinton dhe sekretarja Albright na kërkuan të kthehemi”, theksonte  Holebrooke.

Presidenti amerikan, Bill Clinton, tha atëbotë se misioni i NATO-s synon të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë.

“Forcat serbe po shkojnë nga fshati në fshat duke bombarduar civilët dhe duke djegur shtëpitë e tyre. Kemi parë njerëz të pafajshëm që janë nxjerrë nga shtëpitë, janë detyruar të ulen në gjunjë dhe janë qëlluar me breshëri plumbash. Burrat ne Kosovë janë ndarë nga familjet, etër dhe bij janë vënë në radhë dhe janë vrarë me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ky është një sulm me tanke e artileri mbi njerëzit e pambrojtur udhëheqësit e të cilëve tashmë janë pajtuar për paqen”, tha presidenti Clinton.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Paqeruajtësit e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara u përballën me pasojat e rënda të luftës, varrezat masive dhe shkatërrimet në shkallë të gjerë.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur./ KultPlus.com