Falë mbështetjes së programit “Bonusi i Rijetësimit”, Klemar Gjonaj dhe Astrit Kuka, kanë mundur të rijetësojnë pronën e tyre në qendrën historike të Shkodrës. Rikonstruksioni i ndërtesës në rrugën Kolë Idromeno ka kontribuar edhe për komunitetin që përfiton nga Bonusi i Rijetësimit.
Pronarët e godinës kanë mundur të restaurojnë objektin i cili ishte tejet i degraduar dhe jashtë funksioni që prej vitit 1997.
Përmes grantit që kanë përfituar nga Ministria e Kulturës, ata po e kthejnë pronën në një model të qëndrueshëm biznesi. Ndërtesa tashmë do të funksionojë si hotel dhe restorant, duke gjeneruar të ardhura dhe punësim për qytetin e Shkodrës.
Ky është viti i dytë që do të aplikohet ky bonus dhe është prashikuar një buxhet 50% më i madh. Skema mbështetëse është për këdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike. Për mirëmbajtje dhe konservim mbështetja do të jetë deri në 1 milion lekë, ndërsa për restaurim dhe rijetësim deri në 6 milionë lekë.
Aplikimi për këtë mbështetje do të kryhet përmes portalit e-Albania dhe afati është deri më 3 mars 2023./atsh/ KultPlus.com