Bonusi i Rijetësimit, Kulla e Kurpalëve kthehet në shtëpi muze për turistët

Kulla e Isa Kurpalit, është një prej objekteve që kanë përfituar nga programit i Bonusit të Rijetësimit.

Kulla e Kurpalëve, falë mbështetjes financiare të Ministrisë së Kulturës, përmes grantit të bonusit, së shpejti do të kthehet në një shtëpi muze për turistët. Granti mbështetës do t’i vijë në ndihmë trashëgimtarëve që objektin historik t’a kthejnë në muze, një vlerë e shtuar në funksion të turizmit të qëndrueshëm.

“Kulla e Isa Kurpalit” është në listën e trashëgimisë kulturore materiale të Qarkut Kukës dhe pasurive kulturore të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.

Kulla e Isa Kurpalit, është ndërtuar në shekullin XIX. Objekti është një banesë me një arkitekturë karakteristike të zonës, me vlera historike. Kulla është një ndërtim 3 katësh me muraturë guri. Kati i parë ishte vendi i bagëtive, kati i dytë ishin ambientet e gatimit ku kanë qenë të ndërtuar qylerë për fjetjen e çifteve të reja, ndërsa në katin e sipërm ishin ambientet e pritjes së miqve.

Kulla fortifikatë e Kurpalëve, u ndërtua me qëllim në pikën strategjike të Qafës së Prushit, aty mes malesh ku nuk gjendej asnjë fortifikim tjetër. Projektimin e saj e bëri vetë strategu ushtarak Sulejman Vokshi, si një nevojë e domosdoshme e vetëmbrojtjes popullore, thuhet në analet historike./atsh/KultPlus.com

“Bonusi i Rijetësimit”, nis restaurimi i banesës Mbrica në Kalanë e Beratit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat njoftoi se ka nisur puna për restaurimin dhe rijetësimin e banesës së familjes Mbrica. Banesa Mbrica gjendet në lagjen Kala të qytetit të Beratit dhe ka përfituar nga programi i Ministrisë së Kulturës, “Bonusi i Rijetësimit”.

Ndërhyrjet që do të realizojnë specialistët e DRTK Berat, përfshijnë rindërtimin në gjurmën e konfiguracionin origjinal të një shkalle guri të jashtme me qemer, e cila është rrëzuar. Do të bëhet gjithashtu pastrimi nga bimësia e inertet, nivelim e sistemim si dhe ngritjen e një pjergullate druri, dhe sistemimin e verandës për të shërbyer mëngjes.

Berati si qytet i mbrojtur nga UNESCO, është një nga përfituesit më të mëdhenj nga “Bonusi i Rijetësimit”, në kuadër të të cilit, në të gjithë vendin kanë nisur restaurime dhe rijetësime banesash me vlerë për trashëgiminë kulturore. /atsh / KultPlus.com

Ministrja Margariti: Hapen aplikimet për Bonusin e Rijetësimit

Ministria e Kulturës hapi sot aplikimet për të përfituar nga Bonusi i Rijetësimit, që u vjen në ndihmë banorëve të qendrave historike të qyteteve, që duan t’u japin jetë banesave të tyre.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se “Bonusi i Rijetësimit mbështet të gjithë ata që kanë në pronësi apo përdorim një objekt në qendra historike, ansamble historike urbane, zona arkeologjike apo monumente kulture jashtë tyre, për t’i restauruar apo rijetësuar”.

“Granti varion nga 1-5 milionë lekë, ndërsa aplikimi kryhet përmes portalit e-Albania.al, në rubrikën: “Aplikim për Leje për Ndërhyrje në Pasuri Kulturore Materiale dhe Bonus Rijetëzimi”.

Bonusi i Rijetësimit përfshin mbështetjeje financiare deri në 1 milion lekë, për ndërhyrje për mirëmbajtje, konservim, restaurim çatie, muraturë, porta, dritare, ndërsa deri në 5 milionë lekë për ndërhyrje për konservim, restaurim, rijetësim të pjesshëm ose të plotë , ku mund të përfshihen edhe instalimet elektrike, sanitare, mekanike, antizjarr. Aplikimet për financim mund të jenë : guest house, hotele, dyqan suvenir, artizanati, antikuari, bizhuterish, librari, videoteka, galeri arti dhe mjete pune, punishte, gastronomi për produktet vendase, pikë informacioni për turistët.

Me anë të Bonusit të Rijetësimit mund të ndërhyhet deri në 1 milion lekë për ndërhyrje mirëmbajtje dhe konservuese në pronësi private, që të ndikojnë në vlera dhe unitetin kompozicional të ansamblit historik/urban/qendrave historike.

Ndërsa deri në 5 milionë lekë mund të ndërhyhet për restaurim/rijetësim të pjesshëm ose të plotë në pasuritë e paluajtshme, në pronësi private, pjesë përbërëse e ansambleve historike urbane, qendrave historike, zonave arkeologjike ose me status pasuri kulturore si objekte të veçanta jashtë këtyre zonave. /atsh/ KultPlus.com