Dështon zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së, do të rishpallet konkursi

Bordi i RTK-së ka bërë të ditur se ka dështuar zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së për shkak të, siç thonë ata në një komunikatë, mungesës së bazës së qartë ligjore.

Në komunikatë bëhet e ditur se bordi ka votuar kundër zgjedhjes së secilit kandidat, andaj procesi kthehet në fazën fillestare.

Kjo është komunikata e plotë:

Në mungesë të bazës së qartë ligjore, Bordi i RTK-së e rikthen në pikën zero procesin e rizgjedhjes së drejtorit të RTK-së

Në mbledhjen e mbajtur me datë 22 Mars 2022, anëtarët e Bordit te RTK-së kanë votuar kundër secilit kandidat për pozitën e Drejtorit te RTK-së.

Një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore qe do te garantonte përfundimin e procesit.  Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos  e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-se.

Bordi i RTK-se sqaron opinionin publik se historikisht gjatë procedurave për konkurse publike, RTK i është referuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. I njëjti Udhëzim Administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, zyra ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti  proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm.

Gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, bordi ka vërejtur që zbatimi i këtij udhëzimi në këtë proces është problematik sepse parasheh procedurë të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, në shpërpushje me Ligjin për RTK-në.

Udhëzimi përcakton se vetëm tre (3) anëtarë mund të jenë në komisionin vlerësues dhe vlerësimin final ia dërgojnë bordit për aprovim, ndërkaq Ligji për RTK-në e thotë qartë se Drejtori i RTK-së duhet të emërohet me 2/3 të votave të anëtarëve të bordit dhe përcakton qartë se anëtarët e bordit nuk duhet të ndikohen nga asnjë palë në vendimin e tyre, pra as nga një komision i tillë prej tre anëtarëve. Megjithatë, duke zbatuar dhe respektuar Ligjin për RTK-në, bordi ka vendosur që të gjithë anëtarët të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit. Një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por, duke shikuar këtë praktikë, bordi ka hasur edhe në anomali tjera ligjore përgjatë procesit.

Në proceset e njëjta të bordeve të kaluara, të gjithë anëtarët kanë qenë në komisionin vlerësues, dhe po të njëjtit anëtarë kanë qenë edhe në komisionin për shqyrtimin e ankesave. Duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër ligjore, kjo për bordin aktual është e papranueshme, sepse është shkelje ligjore që i njëjti komision të vlerësojë kandidatët dhe i njëjti të shqyrtojë ankesat eventuale të tyre. Prandaj, Bordi konsideron se kjo praktikë ka qenë dhe është në mospërputhje me Ligjin për RTK-në dhe Udhëzimin Administrativ të lartcekur.

Për më tepër, pothuajse në të gjithë hapat, Udhëzimi Administrativ është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në dhe është e pamundur të zbatohen të dy këto dokumente në këtë konkurs në mënyrë të rregullt. E për Bordin e RTK-së është prioritare të respektohet Ligji i RTK-së, pavarësisht mangësive të shumta që i ka.

Duke pasur si qëllim bazë kthimin e ligjshmërisë në RTK dhe respektimin e legjislacionit aktual, Bordi konsideron se nuk ka bazë të duhur ligjore e cila do të siguronte zgjedhjen e drejtorit në mënyrë të rregullt dhe pa çështje të kontestuara ligjore. Rrjedhimisht, Bordi në asnjë rrethanë nuk mund të zgjedh drejtorin e RTK-së duke mos respektuar procedurat ligjore ose duke mos i sqaruar ato në tërësi duke shmangur çdo paqartësi dhe duke siguruar transparencë dhe ligjshmëri të plotë.

Si përfundim i këtij procesi, Bordi nuk ka emëruar asnjërin nga pesë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, pasi një emërim i tillë nuk siguronte qartësi të plotë procedurale dhe ligjore.

Bordi menjëherë do të kërkojë nga menaxhmenti krijimin e një grupi punues për krijimin e një rregulloreje të veçantë, e cila do të jetë në përputhje të plotë me Ligjin për RTK-në dhe brenda një afati kohor sa më racional do ta rishpallë konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së. Drafti i kësaj rregulloreje do të diskutohet edhe me shoqërinë civile dhe me sindikatat e RTK-së.

Deri në rishpalljen e konkursit dhe emërimin e drejtorit të ri, z. Shkumbin Ahmetxhekaj e ka besimin e plotë të bordit që të vazhdojë ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. / KultPlus.com

Bordi i RTK-së do t’i shkurtojë vendet e punës: Ka mbi 80 redaktorë dhe rreth 60 gazetarë

Një pjesë e madhe e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës, shkojnë për paga, ka thënë sot para deputetëve kryesuesi i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Boletini tha se nuk kanë shkuar në RTK për të hequr njerëz prej punës, por për t’i motivuar ata që të punojnë. Megjithatë, ai tha se nuk do të ketë rritje të vendeve të punës, por përkundrazi.

“Nuk ka me pasë rritje të vendeve të punës qysh është raportu para disa ditëve. Përkundrazi, ka me pasë shkurtime racionale në dobi të funksionimit të mirë të RTK-së”, tha ai.

Paraprakisht, Boletini theksoi se situata në RTK është shumë problematike, me më shumë gazetarë sesa redaktorë, raporton Gazeta Express.

“Situata të cilën e kemi gjetur është pak problematike sepse p.sh. si punëtorë të rregullt në televizion, më shumë ka redaktorë sesa gazetarë. Janë diku mbi 80 redaktorë dhe diku rreth 60 gazetarë”, tha ai.

RTK-ja ka angazhuar në vazhdimësi punëtorë përmes disa kontratave për shërbime, me të cilat, sipas Boletinit, nuk njihet realisht statusi i punëtorit.

“Kemi pa që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve u është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca, sepse ky lloj i kontratës me kontratë për shërbime nuk parasheh as vlerësime, nuk është realisht status i punëtorit”, tha ai.

“Ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve sepse ky lloj i kontratës nuk parasheh asnjë benefit që parashikohet me ligjin e punës”, shtoi Boletini.

Ka pasur raste, tha Boletini, kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pas lindjes për ta përmbushur këtë kontratë. / KultPlus.com