Konica me fustanellë në Boston: Ja si e kujtoi Noli këtë takim dhe eruditin shqiptar

Në vitin 1909, gjeniu Faik Konica, një burrë i bëshëm dhe i pashëm, vendosi të shkonte në Boston i veshur me fustanellë shqiptare. Qëllimi i tij ishte që me këtë veshje t’u binte në sy amerikanëve dhe kështu të propagandonte çështjen kombëtare shqiptare. Në Boston atë e pret Fan Stilian Noli. Më poshtë, në pika të shkurtra, mund të lexoni se si e kujtonte Noli këtë takim dhe Konicën në përgjithësi.

“E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij.

Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare.

Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën. Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti.

Thjesht mbeta pa mend, kur ai nisi të më ‘mësonte’ për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur ‘enciklopedi shëtitëse’ që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: ‘Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë’.

Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund…

…Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësitë që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.

Por, kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: ‘Albania’ dhe ‘Drita’ përkatësisht.

Gjatë sundimit turk, shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por, kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës ‘Albania’ nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare, si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve”, ka thënë Noli. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Njeriu dhe Lëvizja”-Ekspozita fotografike e Gjon Milit në muzeun e shkencave të Bostonit në vitin 1975

Nga Aurenc Bebja, Francë

Një fotograf i cili është njohur për katër dekada si mjeshtër në kapjen e esencës së lëvizjes, tani po ekspozon momentet kryesore të karrierës së tij në Galerinë Washburn në Muzeun e Shkencave të Bostonit.

Gjon Mili, i lindur në Shqipëri dhe fotografi i parë për revistën “Life” për 34 nga 36 vitet e saj, përdor deri në kufijtë e tij aftësinë e jashtëzakonshme të një blici stroboskopik për të kristalizuar rrjedhën e lëvizjes në një pamje të mprehtë, e cila të lë pa frymë. Të kapur nga shkrepja e një drite që zgjat vetëm një pjesë të vogël të sekondës, sportistët e patinazhit artistik, atletët dhe njerëzit e zakonshëm në lëvizje tregojnë të gjithë hirin e pavetëdijshëm të trupit të njeriut.

Mili e kaloi fëmijërinë e tij në jug të Rumanisë dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara në 1923 për të ndjekur studimet në institutin e Teknologjisë në Massachusetts, ku u diplomua për inxhinieri elektrike. Ai vazhdoi studimet e larta në “Westinghouse Electric and Manufacturing Company” dhe më pas u bë inxhinier në fushën kërkimore në “Westinghouse Lamp Division”.

Magjepsja e Milit me mundësitë e fotografisë stroboskopike u rrit, ai i kushtoi shumë e më shumë kohë përsosjes së procedurave dhe aftësisë së tij. Në vitin 1938, fotografia u bë profesioni i tij me kohë të plotë. Ai përmend lidhjen e tij të gjatë në M.I.T., me profesorin Harold E. Edgerton, të cilin e takoi në vitin 1937 dhe e konsideron si një forcë kryesore motivuese në karrierën e tij.

Mili përdor një sërë teknikash për të prodhuar fotografitë e tij befasuese. Duke përdorur një ndezje (shkrepje) të vetme drite nga strobe (blici), ai është në gjendje të ngrijë një moment lëvizjeje në filmin e tij. Duke përdorur një blic dhe ekspozim të shumëfishtë, Mili regjistron një sërë lëvizjesh që kombinohen për të bërë një “lëvizje të plotë” të vetme. Nëpërmjet kësaj teknike, për shembull, një vajzë që kapërcen litarin shihet brenda një rrjete me gjurmë të bardha që prodhojnë rrotullimet e litarit.

Një qasje tjetër që ka dhënë efekte interesante për Milin është fotografimi i një subjekti të palëvizshëm, ndërkohë që vendos kamerën përgjatë tij. Imazhi i përsëritur që parakalon përgjatë fotografisë që rezulton jep një ndjenjë efektive simetrie.

Në studimin e tij të lëvizjes, Mili e ka drejtuar kamerën e tij drejt pjesëmarrësve në të gjitha artet e performancës dhe një listë e subjekteve të tij lexohet si kush është kush. Por ai nuk e kufizoi veten vetëm në teatër – një detyrë e vitit 1973 nga Time, Inc. e çoi në Teatër. Seancat dëgjimore të Watergate, ku ai kaloi katër muaj dhe përdori afro 200 filma duke fotografuar dëshmitarët.

Disa nga fotografitë e pazakonta që dolën nga kjo detyrë mund të shihen në “Life’s The year in pictures” — 1973.

Në të gjithë punën e tij, Mili kërkon të kapë me kamerën (aparatin) e tij momente shumë të përkohshme për syrin e njeriut. Ekspozita në Muzeun e Shkencës, e titulluar “Njeriu dhe Lëvizja”, na jep një vështrim intrigues të këtyre pamjeve. Fotografitë do të qëndrojnë në Muze deri më 31 mars.Dars (Klos), Mat – Albania/KultPlus.com

Ekspozohen në Boston 37 libra të vjetër të viteve 1510-1800 mbi Skenderbeun

Dy udhë të bëjnë të fisëm, gjaku ose puna. Rasti i Patricia Nugee i përket së dytës. Atë e ka fisnikëruar puna ndër dekada për dritësimin e figurës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pasi është ekspozuar në disa shtete, mes tyre edhe Shqipëri e Kosovë, për herë të parë koleksioni i saj i librave të vjetër për Skënderbeun mbërriti në Boston, Massachusetts, në Katedralen e Shën Gjergjit, që nuk mban thjesht emrin e Shenjtit, por edhe atë të Heroit.

Në një mjedis tejet të ngrohtë, me sajdi siç i ka hije shqiptarit, u ekspozuan plot 37 vepra, që nga “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit (1508-1510), te libra të botuar në shekujt XVI, XVII e XVIII në Londër, Paris, Stockholm, Frankfurt, Amsterdam, etj.

Ky koleksion i jashtëzakonshëm mbi vendin e Heroit tonë Kombëtar në historinë dhe letrat europiane është një testament i pashoq që Patricia po i lë Shqipërisë. Fjalën e saj para të pranishmëve ajo e nis në shqip: Përshëndetje! 

Mandej, nis e lexon: Ai nuk kishte ambicie, asnjë etje për t’u pasuruar, asnjë oreks për të kënaqur: Ai nuk luftoi për pushtet, por për Liri; ai i mposhti armiqtë e tij për mbijetesën e popullit të tij […] Ushtarët e tij ishin shumë mirë të mbathur, por Mbreti i tyre përgjithësisht shumë i thjeshtë, e megjithatë kur rasti e donte ai vishej dhe shfaqej me Madhështi: më një fjalë, si Mbret, Ushtar dhe i Krishterë, e nëse ka pasur ndonjëherë një Personazh të përsosur, ai është Skënderbeu”.  

W. Ruddiman Jun & Co, The Life of George Castriot, King of Epirus and Albania, commonly called Scanderbeg (Edinburgh, 1753) 

Heshtje, admirim e krenari që thyhet nga duatrokitjet e mbylljes së fjalës me një “Jungjatjeta!” 

Me urtinë e dashurinë e saj për Shqipërinë, në bisedë ajo më shprehu edhe dhimbjen për portikët, hajatet, dyert e vjetra, shtëpitë qytetëse, Teatrin, trashëgiminë që po e humbim dita ditës. “Ato dyert e vjetra, shtëpitë shekullore, o Zot sa të bukura! Duhet t’i mbani siç janë. Nuk vjen kurrkush për të parë qiellgërvishtësa, nuk keni ç’rrëfeni me ta. Ndaj ngriheni këtë çështje, në grupe informale, universitete, media…”. Si të mos biesh dakord me këtë zonjë angleze që e do kaq shumë Shqipërinë!

Miku i mirë, të nderon shtëpinë 

T’atij burri të vërtetë (shën. im: Skënderbeu), që në botë shok s’ka pasur,
Trima, shpresa dhe guximi kurdoherë të na prijnë
Dhe të gjithë me një mendje të bëjmë detyrën tonë. 
Naim Frashëri, 1886

Në krah Patricias i qëndron gjithmonë Julia Goga-Cook, akademike, sipërmarrëse, eksperte inovacioni. Julia është shoqëruese besnike e Patricias dhe dalëzotëse e koleksionit të saj. E emocionuar ajo jep lajmin e mirë, që veprave të çmuara iu është shtuar edhe një margaritar i rrallë: Fjalori Shqip-Latinisht i Frang Bardhit (1635).

Aktivitetin e përshëndet edhe Gazmend Kapllani, Përgjegjës i së parit program të Studimeve Shqiptare në SHBA, në DePaul University, Chicago. Dr. Kapllani, e sheh të shkuarën jo thjesht me ndjenjë nostalgjie, për të cilën padyshim duhet të jemi krenarë, por edhe si një nevojë që kemi për të përqafuar vlera përbashkuese dhe si një burim frymëzimi për të ardhmen.

Bashkëbisedimit i shtohet edhe studiuesja e komunikimit ndërkulturor, dhe arkivistja e Bibliotekës Fan S. Noli në Boston, Neka Doko. Në Bibliotekën e një eruditi dhe poligloti nuk mund të mungonin portrete që kanë ilustruar vepra letrare, historike dhe studime skënderbejane.

“Mbahu, Nëno, mos kij frikë. Se ke djemtë n’Amerikë”

Bijt‘ e besës thërret pranë. 
Kur i thirri dhe s’i vanë? 
Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 
Se ke djemtë n’Amerikë. 

Fan Noli, 1917  

Që t’i japim Çezarit atë që i takon, duhet njohur merita e sponsorizimit dhe organizimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme Mark Kosmos dhe Massachusetts Albanian American Society “Besa”.

Marku e “Besa” janë rojtarë dhe promotorë të gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare.  Ata punojnë për përparimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në Massachusetts, por edhe lobojnë për të drejtat dhe mirëqenien e tyre në SHBA. Me Markun u njoha virtualisht kur gjatë pandemisë ndihmoi me laptopë falas dhjetëra studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. I them që tani është koha t’i jap unë një dorë në Bostonin e tij. Gjegjet butë që janë të shumtë ata që flasin për ndihmë vullnetare, e pak ata që veprojnë. I them të ma lërë mundësinë ta tregoj.

Marku e “Besa” mbështesin programe të edukimit për të rinjtë shqiptarë, sponsorizojnë aktivitete kulturore, sociale e bamirësie. I tillë është rasti i një Koncerti Gala me të ftuar Inva Mulën e Genc Tukiçin, që do të zhvillohet në Boston në Maj. Të gjitha të ardhurat e kësaj mbrëmjeje do të shkojnë për organizatën “Albanian Fighting Cancer” (Shqiptarët që Luftojnë Kancerin).

Nuk kish si të mungonte biseda për miqtë tanë të përbashkët në Durrës e Tiranë, dhe për Korçën, origjinë e të dyve. “Kur isha i vogël, – më thotë Marku, mendoja që Shqipëria ishte Korça”. Sot Bostoni numëron thuajse 23 mijë shqiptarë nga të gjitha trevat. Kjo e bën edhe më të rëndësishme veprimtarinë e “Besës”. Diplomacia publike dhe kulturore e saj meriton vëmendje të posaçme dhe mbështetje nga shteti shqiptar. S’është më koha e diplomacisë që “luhej pas perdeve” nga një grusht zyrtarësh të lartë. Influenca e “Besës” përmes komunikimit të vlerave tona kombëtare, dhe besueshmërisë që ka krijuar me krerët lokalë në Boston, por edhe me organizata e komunitete të tjera, është në rritje. Nëse sot, në vendin tim të punës unë them gojëplot që jam shqiptar dhe pritem si kolegët e çdo vendi tjetër europian, është edhe falë vemprimtarive të organizatave shqiptare si “Besa”.

Ndaj, jepuni bijve tanë në Amerikë mbështetjen që iu duhet (dhe iu takon), dhe kanë për të bërë edhe më shumë, edhe më mirë për nënon Shqipëri! 

Nga Xhafer Rakipllari. / KultPlus.com

114 vjet nga themelimi i shoqërisë “Diell’ i Shqipërisë” në Boston

Si sot, më 19 shtator 1908 u themelua shoqëria “Diell’ i Shqipërisë” me qendër në Sauthbrixh, Boston, SHBA.

Themeluesit ishin, siç thotë vetë kanonizma (rregullorja), shqiptarë të krishterë e myslimanë, toskë e gegë.

Synimi i shoqërisë ishte hartimi, shumëfishimi dhe shpërndarja e librave në gjuhën shqipe, kurse të ardhurat e mbledhura nga shitja do të ripërdoreshin për shtypjen e librave të tjerë. Shoqëria do të kishte stemën dhe vulën e saj. / KultPlus.com

Fan Noli me shqiptarët e korit të katedrales “Shën Gjergji” në Boston më 1935

113 vite më parë Fan Noli themeloi katedralen historike të Shën Gjergjit në Boston, katedrale e cila sot është shndërruar në një pikë takimi për komunitetin e ortodoksëve shqiptaro-amerikanë të zonës së Bostonit, por edhe si një urë lidhëse mes themeluesve të saj dhe emigrantëve të rinj.

Në arkivën e pasur të Katedrales ndër shumë materiale interesante gjendet edhe kjo foto e viti 1935 e Fan Nolit së bashku me këngëtaret shqiptarë të korit.

Sipas përshkrimit që shoqëron fton në rreshtine  parë ndodhen  1.Annette Kondi (Fortinallis) 2.Tefta Tromara  3.Gloia Tromara  4.Fan Noli 5.Florence Kondi (Mazza) 6. Anna Andon (Gibbs) dhe 7.Louise Pambuku(McCann)

Në rreshtin e mesit: 7.Peter Chani 8.Esther Peterson 9. Margaret Peterson 10. Ellen Chani-Kondel  dhe 11. Charles Stavro

Dhe në rreshtin e fundit  13. John Paul Pano, 14. Spiro Metro 15. D. Theodore 16. Leo Joseph dhe 17. Teddy Joseph. / KultPlus.com

Jeleku i Faik Konicës, relike e çmuar në Boston

Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit – shkruan Fuat Memelli.

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej Covid-it. Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm katër kopsa i janë shkëputur.

Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i ‘Vatrës’ dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim.

Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij, të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fati i tyre nuk dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Rrobat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi tek shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndërroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun, Soitiri e ruajti me fanatizëm.

Kur erdhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes, deri sa ndërroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë, jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.

Duke biseduar me Andrean, në shtëpinë e të cilit ruhet flamuri, ai thotë se ky jelek, e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve evropiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar. / KultPlus.com