Shqipëria me tre peshëngritës në Botërorin e Bahreinit

Ekipi Kombëtar i peshëngritjes ka mbërritur në Manama të Bahreinit, ku po mbahet Kampionati Botëror.

I pranishëm në seancën stërvitore të së shtunës ka qenë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar, Fidel Ylli, i shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza dhe nga anëtari i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Astrit Hasani.

Kampionati Botëror i Peshëngritjes ka nisur më 6 dhjetor dhe përfundon më 15 dhjetor.

Sporti ynë i traditës do të përfaqësohet sërish me 3 peshëngritës të nivelit të lartë, dy kampionët me eksperiencë Erkand Qerimaj dhe Briken Calja dhe të riun me një të ardhme premtuese, Kristi Ramandani.

Briken Calja do të garojë në peshën deri në 73 kg dhe Erkand Qerimaj së bashku me Kristi Ramadanin do të garojnë në peshën deri në 81 kg./atsh / KultPlus.com

Historike/ Franko Burraj, shqiptari i parë që kalon në gjysmëfinale të botërorit të atletikës

Edhe pse nuk arriti në finalen e 400 metrave për meshkuj, Franko Burraj, sërish bëri histori në botërorin e atletikës për salla të mbyllura që po zhvillohet në Glasgow.

Sportisti shqiptar u bë i pari që arriti deri në gjysmëfinalet e një aktiviteti të tillë.

25 vjeçari regjistori kohën 46’ 86 duke përmirësuar rekordin kombëtar që mbahej prej tij me 3 të qindat më pak.

Ndërsa në gjysmë finalen e zhvilluar të shtunën në orën 22:10, Burraj u rendit në vendin e 6 të baterisë së tij me kohën 47’ 78 e pamjaftueshme për të arritur në finale.

Kosova mbetet pa medalje të Botërorit, Loriana eliminohet në rrethin e parë

Kosova e ka mbyllur pa medalje eksperiencën në Kampionatin Botëror të xhudos, diçka që s’jemi mësuar ta shihnim shpesh më parë.

Loriana Kuka ishte garuesja e shtatë dhe e fundit që zbriti sot në tatami, shkruan “Gazeta Express”.

Por, xhudistja pejane kishte eksperiencë të shkurtër në evenimentin që po mbahet në Doha të Katarit.

Ajo u eliminua qysh në rrethin e parë të kategorisë deri në 78 kilogramë nga garuesja bjelloruse, por që garon si e pavarur, Darya Kantsavaya.

Kështu, shpresa e fundit e Kosovës për medalje të Botërorit këtë radhë u shua.

Paraprakisht, në ditët e kaluara pa medalje mbetën edhe kampionet olimpike, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, por edhe Erza Muminoviq, Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova. /Express/ KultPlus.com