Kryevepra e humbur e Botiçellit është gjetur në një shtëpi në Itali

Një pikturë e mjeshtrit të shekullit të 15-të, Sandro Botticelli, e regjistruar si e zhdukur që nga vitet 1980, është gjetur në një shtëpi në Italinë jugore.

Përshkrimi i Virgjëreshës Mari dhe Krishtit të mitur u zbulua në një shtëpi në qytetin e Gragnano, pranë Napolit, sipas Njësisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Karabiniere të Napolit, transmeton Klan Kosova.

Piktura e artistit të famshëm vlerësohet nga autoritetet italiane të jetë me vlerë të paktën 100 milionë euro (109 milionë dollarë). Ajo u porosit për Kishën Katolike Romake më 1470.

Vepra 58 x 80 centimetra e pikturuar me tempera në dru, ishte varur në një kishë në periferi napolitane të Santa Maria la Carità që nga fillimi i viteve 1900.

Kur një tërmet dëmtoi kishën në vitin 1982, piktura iu dha nga famullia një familjeje vendase të quajtur Somma për ruajtje, sipas një zëdhënësi të ministrisë italiane të kulturës, i cili i tha CNN-it se ekziston një dekret zyrtar në dosje që ua beson pikturën atyre, dhe ata nuk po përballen me asnjë hetim penal.

Për vitet e para pasi familjes iu besua piktura, autoritetet lokale kontrolluan gjendjen e saj, duke i këshilluar se ku ta mbanin dhe duke ndihmuar në lëvizjen dhe pastrimin e saj.

Por, për disa arsye kontrollet ndaluan në vitet 1990 dhe piktura u rendit në inventarin e punimeve të munguara të ministrisë së kulturës.

Lista përditësohet shpesh dhe këtë verë piktura u gjurmua te familja Somma, e cila e kishte ekspozuar në shtëpinë e tyre gjatë viteve, tha komandanti Massimiliano Croce gjatë prezantimit të gjetjes.

Pas gjurmimit të degës së familjes që mbante aktualisht pikturën, policia punoi me kryebashkiakun lokal, i cili tashmë ishte në dijeni të pranisë së Botticelli-t në shtëpinë e Somma-s dhe ndihmoi për të ndërmjetësuar marrjen e saj, tha Croce.

“Kjo është një vepër krejtësisht e panjohur për publikun, e cila tashmë do të ekspozohet sërish falë ndërhyrjes së shtetit. Ne vepruam në mënyrë administrative, pa iu drejtuar Prokurorisë apo sekuestrimit, falë edhe ndërmjetësimit të kryetarit të bashkisë”, tha Croce.

“Familja vazhdon të mbajë titullin e veprës, e cila megjithatë do të ruhet në një muze”, shtoi Croce.

Piktura, e cila do të ketë nevojë për restaurim të gjerë, tregon Virgjëreshën Mari, me flokë bionde të mbuluara nga një vello, duke mbajtur një foshnjë topolak Jezus në prehrin e saj – ngjashëm me përshkrimet e tjera nga Botticelli, sipas ministrisë së kulturës.

I mungon pak bojë dhe është gërvishtur, ndoshta gjatë tërmetit në vitet 1980 dhe në lëvizjet e mëpasshme të shtëpive.

Mendohet të jetë një nga pikturat e fundit të mjeshtrit, i cili vdiq më 1510.

Piktura përfundimisht do të ekspozohet në një nga muzetë kombëtarë në Napoli, por restaurimi do të zgjasë të paktën një vit, sipas ministrisë./KlanKosova/KultPlus.com