Botohet vepra studimore, “Sali Bashota poet i shpirtit”

Libri me studime  me titullin “Sali Bashota-Poet i Shpirtit”, me gjithsej 378 faqe, i cili u botua këto ditë nga Shtëpia Botuese “Artini”, i ka dy shenja të veçanta: botohet me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, studiuesit, profesorit Sali Bashota, nga autori Xhemail Ali Peci, me redaktor  Qerim Kryeziun dhe recensentë: Fadil Grajçevci dhe Jahir Ahmeti, shkruan KultPlus.

Janë këta të katër studentët të gjeneratës së studimeve të vitit 1984,  kur Sali Bashota kishte filluar punën e asistentit në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filozofik ( tani Fakulteti i Filologjisë).

Autori i librit, Xhemail Ali Peci, në fillim, në formë prologu, e paraqet parathënien, pastaj bio-bibliografinë e autorit, si dhe esenë me titullin “Prishtina në poezinë e Sali Bashotës”. Më tutje, libri sistemohet  në pesë kaptina kryesore dhe në disa nënkapituj të veçantë: poezia, proza poetike, studime e kritikë letrare dhe publicistika, ndërsa në fund trajtohet  në formë epilogu parathënia programatike në një studim të Bashotës që ka të bëjë me Shqipërinë Etnike, si dhe jepet biografia e autorit të librit.

Vepra studimore e Xhemail Ali  Pecit, është libri i katërt, i botuar deri më tani për krijimtarinë poetike e studimore të Bashotës.Më parë janë botuar librat: Grup autorësh, Sali Bashota preţuit de scriitorii români/Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Bukuresht,  (2012) , pastaj  libri i Flamur Malokut, Polisemia e veprës (lexime empirike mbi poezinë e Sali Bashotës), Olymp, Prishtinë (2013) dhe nga  Gëzim Arifi, Palimpsesti i ideve, Parnas, Prishtinë, (2013). /KultPlus.com

Stefan Çapaliku promovon librin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është nikoqire e promovimit të vëllimit të tretë të ciklit romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” të autorit Stefan Çapaliku.

Ky vëllim është botim i  Entit Botues “Gjergj Fishta”, përcjellë KultPlus.

Promovimi do të jetë në formën e bashkëbisedimit të gazetarit Agron Shala me autorin Stefan Çapalikun. Ndërsa aktori Enver Hyseni do të lexojë fragmente të shkurta nga libri.

Promovimi do të mbahet më datë 19 dhjetor në  ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com