Organizohet Panairi i 3-të mbarëkombëtar i Botimeve Akademike dhe Shkencore

Duke filluar nga data 23-25 prill në Tiranë do të mbahet Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor.

Ky Panair organizohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Komiteti organizativ i ngritur për këtë qëllim ka aprovuar programin e veprimtarive që do të bëjë bashkë 35 institucione të kërkimit shkencor nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Akademisë së Shkencave.

Kështu ka njoftuar Qendra e Studimit të Arteve përmes një njoftimi në Facebook.

Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.

Ky panair, i kthyer tashmë në traditë (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provoi se libri akademik dhe shkencor kërkon qasje të tilla gjithëpërfshirëse, ku akademikët, studiuesit, autorët, botuesit, institucionet kërkimore, IAL-të, të jenë së bashku, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.

Si një aktivitet me karakter promovues, konfirmues dhe manifestues, Panairi i 3-të i librit akademik dhe shkencor, Tiranë 2024, do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga e gjithë hapësira shqiptare, duke synuar lidhjen në një rrjet të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute, për të lehtësuar jo vetëm marrjen e informacionit, por edhe mundësinë e shkëmbimeve shkencore, në liri të plotë komunikimi e ndërveprimi.

Panairi do të shërbejë si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit.

Arkiva Qendrore Shtetërore e filmit rinis botimet pas 10-të vitesh ndërprerje

Ministri i  Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja njofton rifillimin e punës së Arkivës Qendrore Shtetërore të Filmit pas 10-të vitesh ndërprerje.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja deklaron se kjo drejtori rinis traditën e botimeve të librave dhe materialeve të tjera publicistike.

“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit Pas 10 vitesh ndërprerje, AQSHF rinis traditën e botimeve të librave e materialeve të tjera publicistike që kanë në përmbajtjen e tyre të dhëna arkivore mbi kinematografinë shqiptare. Dhe, e filluam me “fillimet”…”, shkruan Gonxhja.

“Në vitin 1898, Janaq Manaqi (1878-1954) çeli në Janinë të parën studio fotografike. Një vit më pas, më 1899, u bashkua me të edhe vëllai i tij i vogël, Miltiadhi (1880-1964). Në vitet 1903-1904, vëllezërit Manaqi e zhvendosën studion nga Janina në Manastir, duke qenë se Manastiri në atë kohë ishte kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike. Aty njihen me kineastin anglez Charles Rider Noble të shoqërisë kinematografike “Charles Urban Trading Company” dhe mësojnë nga ai përdorimin e kamerës”, vijon Gonxhja.

“Janaqi udhëton për në Londër dhe blen atje të parën kamerë Bioscop 300, me të cilën nisin të xhirojnë filma dhe t’i shfaqin në Janinë e Manastir. Filmi i parë i xhiruar në Ballkan është “Tjerrëset” ku vëllezërit Manaqi kanë fiksuar në kamera gjyshen e tyre 114 vjeçare, Dhespina, dhe gratë e tjera të fshatit të tyre të lindjes, Avdela, duke punuar leshin”, shprehet Gonxhja.

“Këto dhe të tjera fakte interesante i gjeni në librin e studiuesit Abaz Hoxha “Fillimet e kinemasë në trevat shqiptare (1897 – 1945)”, botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit”, nënvizon Gonxhja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sqaron po ashtu se në fotot e publikuara në rrjetin e tij sociale janë  Miltiadh dhe Janaq Manaqi me paratë e biletave të kinemasë së tyre. Ato janë të marra nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit, Fondi 580: Vëllezërit Manaki.

“Libri mund të studiohet pranë bibliotekës së AQSHF-së si dhe pranë librarisë Berk. Së shpejti edhe në e-Book”, përfundon Gonxhja./atsh/KultPlus.com