Shkrimtarja e re Ambra Hysa, ka publikuar librin e saj më të fundit, “Një dekadë dashurie”.
Ambra Hysa është një autore e njohur dhe e vlerësuar në botën letrare shqiptare, me një bibliografi që përfshin tituj si “Balada e bardhë” (cikël poezish), “Dashuri në kohë Koronavirusi” (roman), “Lady D” (roman) dhe “Luftë dhe trendafila” (novelë). Me romanin e saj të fundit, “Një dekadë dashurie”, ajo sjell një histori shumë të veçantë dhe personale për herë të parë për lexuesit e saj.
“Një dekadë dashurie” rrëfen historinë e dashurisë së gjatë dhe të veçantë mes autores dhe bashkëshortit të saj, një histori që ka filluar që nga fëmijëria. Njohur që në moshë të vogël dhe rritur si shokë të ngushtë, ata përjetuan një dashuri që u formua natyrshëm dhe me kalimin e viteve u bë gjithmonë e më e fortë dhe e qëndrueshme. Ky roman jo vetëm që shpalos detaje intime dhe emocionale të marrëdhënies së tyre, por gjithashtu ofron një reflektim të thellë mbi vlerën e vërtetë të dashurisë, besnikërisë dhe aftësisë për ti përjetuar mes shumë koloritesh, dashuritë romantike.
Ambra Hysa, me stilin e saj emocionues, na bën pjesë të një rrugëtimi të paharrueshëm të dashurisë së saj të përjetshme. “Një dekadë dashurie” është një testament i fuqishëm i asaj se si dashuria mund të rritet dhe kurorëzohet pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve që sjell jeta.
Autorja është një zë i veçantë në letërsinë moderne, me një botë të pasur shpirterore dhe pasion të thellë për artin e shkrimit. Me këtë libër të ri, ajo jo vetëm që thellon lidhjen me lexuesit e saj, por gjithashtu u ofron atyre një histori që rezonon me ndjenjat dhe përvojat e shumë njerëzve./KultPlus.com
Shqipëria është në qendër të veprës më të fundit të autorit të njohur austriak, Robert Menasse. Shkrimtari ishte në Tiranë për të prezantuar librin e tij të fundit “Zgjerimi” në proces përkthimi në shqip. Vepra, një roman satirik për bashkimin Europian, merret me politikën dhe kontradiktat e unionit, por edhe me Shqipërinë, ku zhvillohen kryesisht ngjarjet, në rrugën e saj drejt BE-së.
ROBERT MENASSE: “Para tre vitesh kur isha këtu, dy librat e parë që kam blerë ishin, një libër për Skëndërbeun dhe Kanuni. Kjo kishte pasoja siç mund ta shihni dhe ja ku jam prapë këtu. Te vepra ime, doja të vija përballë një vend që është pjesë e BE-së prej kohësh e një që pret të jetë pjesë e tij, si Shqipëria. Roli i Europës si mësuese, që kërkon të bëhen detyrat e shtëpisë e bën atë ndonjëherë më pak të preferuar”, tha shkrimtari.
Romani ndjek një udhëtim me të gjithë aktorët kryesorë të BE-së, ndërthur ngjarje reale dhe imagjinare, referenca historike dhe aktuale, humor të huazuar nga natyra hokatare e autorit dhe seriozitet për të krijuar një përvojë leximi argëtuese dhe provokuese, veçanërisht për lexuesit shqiptarë.
ROBERT MENASSE: Ballkani dhe Shqipëria nuk janë më periferi por zemër e Europës dhe çdo njeri ka të drejtën të gëzojë e të jetojë si europian. Asnjë vend anëtar i BE-së nuk është parajsë dhe as nuk ekziston demokracia ideale. Pse janë rumunët në BE e jo shqiptarët? E gjithë kjo mua më intereson. Ndërsa për personazhet e mi, nëse njeriu në një roman fiksional ka ndjesi se po jeton realitetin, atëherë është një roman shumë i mirë. Figurat e personazheve janë individuale por edhe të tipizojnë disa karaktere”.
Menasse ishte i ftuar në kuadër të “Tetorit gjerman” në një bisedë me botuesen e tij, Arlinda Dudaj./balkanweb/KultPlus.com
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka botuar librin ‘Trajtesë historike dhe filologjike për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve’ nga Panajot Dh. Kupitori, shkruan KultPlus.
Botimi me titullin “Trajtesë historike dhe filologjike për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve”, është vepër e ripublikuar me plotësime më 1879 përcjell në mënyrë të tërthortë jehonën e ngjarjeve dhe të shqetësimeve të kohës, kur çështja shqiptare qe shfaqur si pjesë përbërëse e Krizës Lindore. Kjo, për sa i përket rrafshit ballkanik dhe europian.
Në rrafshin e brendshëm, d.m.th. në kuadrin e shtetit të ri grek, statusi dhe e ardhmja e elementit arbëror paraqiste një sërë specifikash, krahasuar f.v. me sllavët, të cilët, së bashku me shqiptarët, sipas Fallmerayer-it qenë përgjegjësit kryesorë për shprishjen e gjakut “të pastër” helen.
Sıç shpjegon historiania greke E. Skopetea, në ndryshim nga sllavët, “Shqiptarët qenë të pranishëm brenda Greqisë, dhe të munguar jashtë saj – përderisa lëvizja kombëtare e tyre filloi në thelb vetëm rreth viteve 1880. Askush nuk e vinte në dyshim prezencën e shqiptarëve në territorin grek, as edhe faktin që vetë kryeqyteti [grek] rrethohej prej popullatash mirëfilli shqiptare. Por shqiptarët etnikisht të pastrehë u pranuan në mënyrë panegjirike në historinë greke, dhe për hir të tyre u formuluan teori specifike etnoracore, që e paraqitnin botën shqiptare ose si etnikisht inekzistente ose si ‘filiz’ të kombit a të racës greke, domethënë si një lloj grekësh, të cilët i ndante prej grekëve të mirëfilltë e njëjta distancë që ndante pellazgët prej grekëve të vjetër. […] Por ndjenja e lidhjes së ngushtë të të dy popujve buronte para së gjithash nga prania masive e shqiptarëve gjatë Kryengritjes [greke]”.
Si pjesë e këtij realiteti dhe si bartëse e kësaj fryme duhet parë, edhe vepra e Kupitorit.
Edhe pse referimet e tij bibliografike apo citimet prej autorësh të tjerë dëshmojnë se i njihte dhe i ndiqte arritjet e gjuhësisë krahasuese dhe teoritë për zhvillimin e gjuhëve , i ndodhur para udhëkryqit për t’u gjetur një vend “të volitshëm” shqiptarëve të shfaqur vonë dhe “papritur” në skenën europiane, ai i përdori faktet dhe teoritë gjuhësore për të dalë aty ku i dëftoi (apo i diktoi) epoka e vet.
Kjo vepërz e Kupitorit sillet në dritë për t’u ndjekur më mirë rruga e gjatë që përshkoi albanologjia deri sa të themelohej e konsolidohej si shkencë, dhe jo për t’u dhënë shtysë dhe vjegë të re gjithfarë pellazgologëve a gjithologëve të thekur.
Ka pjesë të tekstit që të japin përshtypjen se autori është orator, shkrimtari është gojëtar, mbrojtës i vendosur i tezës se shqipja qëndron denjësisht, lashtësisht dhe thelbësisht krahas gjuhëve klasike, që ai i ka aq për zemër. Ky art i Kupitorit duhej riderdhur në kallëpet e shqipes dhe detyrë e jona ka qenë ta renditnim atë po aq denjësisht krahas dhe kundrejt një gjuhe të selitur qëmoti si greqishtja. E cila, për të sjellë vetëm një shembull, e vetme ndër gjuhët ballkanike, e paravendos nyjën shquese, e madje nuk e bashkon me trupin e fjalës, gjë që krijon mundësinë për të ndërkallur lëndë gjuhësore mes nyjës dhe emrit që ajo shoqëron, por edhe e bën të vështirë, jo të pamundur, punën e përkthyesit.
I fal atij mundimin e ëmbël, që përmendëm më lart, e që kaq bukur e ka shprehur latini: litterarum radices amarae, fructus dulce, që do të thotë se rrënjët e dijes janë të hidhëta, por të ëmbla frytet e saj./KultPlus.com