BQK tregon se ku dhe si mund të bëhet pranimi dhe konvertimi në euro

Rregullorja e miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës ku ndalohet qarkullimi i dinarit serb po vazhdon të kundërshtohet nga shtetet e QUINT-it.

QUINT ka kërkuar që kjo rregullore të pezullohet dhe çështja e dinarit serb të diskutohet në kuadër të dialogut.
Sipas ndërkombëtarëve, vendimi i ri i BQK-së mund të krijojë tensione ndër etnike, megjithatë BQK tashmë ka publikuar rregulloren me sqarime për qytetarë.

“Valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave (SNP/KIPS) në Republikën e Kosovës është Euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar në Republikën e Kosovës që mund të vendosë për valutën e vlefshme për kryerjen e pagesave dhe denominimet përkatëse”, thuhet në rregulloren e BQK-së.

BQK rithekson se valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.

Gjithashtu, BQK njofton se këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim, për te gjitha valutat pa përjashtim nga aspekti rregullativ.

Po ashtu, rregullorja nuk ka vendosur asnjë kufizim sa i përket transferit ndërkombëtar të mjeteve në llogari.

“Prandaj, transferi në çfarëdo valute që niset nga vendi huaj, mund të pranohet dhe konvertohet në euro në vlerë ekuivalente me kursin përkatës, sipas procedurave të vet bankës së klientit”./ rtv21/KultPlus.com

BQK: Dërgesat e mërgatës tejkalojnë vlerën e 1.3 miliard eurove

Një miliard e 344.50 milionë euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Kosovë deri në muajin dhjetor 2023, gjë që paraqet rritje prej 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, njoftojnë nga Banka Qendrore e Kosovës.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin dhjetor 2023, të publikuara nga BQK, duke shtuar se vlera e tyre, sipas vlerësimeve, për këtë muaj ishte 129.10 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave kanë qenë nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 49.90 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 36.70 përqind dhe bankat me 13.30 përqind.

Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja njofton se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 304.10 milionë euro dhe është rritje prej rreth 3.50 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.71 miliardë euro, duke shënuar rritje për 62.90 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të dhjetorit 2023 janë rritur për 14.20 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 513.50 milionë euro.

  • 1 miliard e 344 milionë euro, vlera e dërgesave nga mërgata
  • 304 milionë euro, asetet e kompanive të sigurimit
  • 2.7 miliardë euro, asetet e fondeve pensionale
  • 513 milionë euro, asetet e ndërmjetësuesve të tjerë financiar /KultPlus.com

BQK-ja del me shifra: Kosova ka pësuar rënien më të madhe ekonomike në 20 vitet e fundit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë konferencës së fundvitit ka dhënë lajme të këqija për vendin.

Mehmeti tha se ekonomia e Kosovës pritet të bie deri në 7.2%, që siç tha, është rënia më të madhe në 20 vitet e fundit, raporton Gazeta Express.

“Masat e ndërmarra ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejt në ekonomi dhe sipas parashikimeve ekonomia e Kosovës pritet që të shënoj një rënie prej 7.2% që paraqet rënien më të madhe në 20 vitet e fundit”, tha ai.

Ai përmendi edhe disa nga shkaqet për këtë rënie drastike të ekonomisë.

“Pavarësisht se edhe ata u ballafaquan me pandeminë, vlera e remitencave ka arritur në mbi 796 milionë euro. Ndikim të rënies ekonomike shkaktuan edhe masat e mbylljes së kufijve me vendet e tjera deri në shtator shpenzimet e jo residentëve në Kosovë ishin 470 milionë euro. Në këtë kohë të vështirë për ekonominë vlera e remitencave ishte mbi 796 milionë euro. Me rënie u karakterizua edhe importi i shërbimeve duke shënuar rënie prej 44.7%, vlera e përgjithshme e eksportit ishte 1.1 miliard. Një rritje prej 22,4% kanë pasur edhe llogaritë që kanë qasje në E-Banking”, tha Mehmeti. / KultPlus.com