Ardianë Pajaziti Fotografia në ballinë: Fahredin Spahija
86 vjet jetë po shpaloseshin fletë fletë në një nga hotelet e Prishtinës, rrëfim që po e shoqëronim me çaj gjingjer dhe shumë cigare. Takimin me të e kisha rezervuar shumë më herët dhe orët e vona të darkës tashmë i kishte ndarë për mua dhe po shprushnim të dyja në jetën e saj, unë me pyetje e ajo me përgjigje.Mbamendjen e ka shumë të freskët, sikurse edhe dukjen edhe përkundër moshës së madhe. Me kërkim falje se nuk e mësoi asnjëherë gjuhën shqipe, aktorja serbe Branka Petric, gruaja që kishte ndarë pjesën më të madhe të jetës me Bekim Fehmiun, burrin më të famshëm të Ballkanit dhe më gjerë, prekte herë pas here aksesorët e saj, gati gati si të ishin susta të kujtesës për të sjell jetën e saj nëpër etapa të ndryshme.
Gruaja flokëverdhë po mblidhte copëzat e jetës së saj prej vendit të saj të lindjes në Kroaci e deri në momentet kur po flisnim, jetë që ngërthente kushte jo të mira, sakrificë, kurajë, dashuri, sukses, humbje, dhimbje, shumë dhimbje e deri te kujtimet, kujtime që vazhdojnë ta shoqërojnë në çdo moment të jetës së saj.
Fëmijërinë e saj e kujton me karnavalin që mbahej atë kohë në Novi Vinodolski të Kroacisë, karneval që mbahej çdo vit në muajin shkurt. Maskat e atij karnevali, veshjet, lulet e shumta sikurse e kishin magjepsur imagjinatën e Brankës, të cilës i kishte pëlqyer aq shumë ajo paraqitje e karnavaleve, ndryshe prej motrës së saj, që sipas Brankës, asaj nuk i linin fare përshtypje.
“Mua më pëlqente të maskohesha, të vishja gjëra të ndryshme, të vendosja aksesorë” nis rrëfimin Branka për ngjizjen e botës së artit në shpirtin e një katër vjeçe të asaj kohe, po nga karnevalet e vendit të lindjes së saj që ishte buzë një lumi.
Se arti e tërhiqte pa masë, ajo kujton se si fëmijë, ajo shumë shpesh i kishte vesh rrobet e nënës së saj, taket e larta dhe shumë improvizime të tjera që pavetëdijshëm e dërgonin drejt skenës, pasion që do ta përcillte gjithë jetën e saj, deri në ditët e sotme, ku edhe sot, herë pas herë paraqitet në shfaqje të ndryshme teatrale në Beograd.
Dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ajo e kujton edhe me kontaktin e parë me teatrin, natyrisht jo në skenë, po në audiencë. Një trupë e Teatrit të Zagrebit kishte shkuar në Rjekë për të vënë në skenë shfaqjen e baletit “Sheharazade” sikurse edhe shfaqjen operistike “Madama Batterfly”, shfaqje këto që e kishin bërë të qaj pa reshtur.
Kur ishte në klasë të katërt e mësoi poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), me të njëjtën u pranua në Akademinë e Arteve në Beograd
Branka Petric e cila përgjatë karrierës së saj ka luajtur më dhjetëra role ne film, teatër e televizion, për herë të parë nisi rrugëtimin në këtë fushë kur ishte vetëm në klasë të katërt të shkollës fillore. Në shkollat e atëhershme në Serbi, sipas Brankës funksiononin seksionet e dramës, dhe në shkollën ku ishte ajo, ishte caktuar drejtuese e seksionit të dramës, aktorja e njohur serbe Marija Crnobori.
“Ajo ishte e re në moshë atëherë, dhe mbaj në mend që na pat dhënë që ta mësonim përmendësh poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), e cila ishte poezi e një poeti të njohur nga Istria. Unë e mësova përmendësh dhe më pati pëlqyer së tepërmi kjo poezi”, tregon Branka për njohjen e saj me botën e artit, edhe përkundër faktit se ishte vetëm në klasën e katërt, dhe pa e ditë saktë se cili do të ishte profesioni i së ardhmes.
Dhe kur ishte vetëm 11 vjet, familja e Branka Petric zhvendoset në afërsi të Beogradit, në një fshat pa ujë e pa banjo, dhe që për të vajtur në shkollë i duhej të ecte këmbë nga pesë kilometra veç në një drejtim. Vonesat e shpeshta në shkollë, për shkak të kilometrave të shumtë, Brankës ia kishin vën në pah edhe sajesat e ndryshme për mësuesit, duke sajuar lloj-lloj histori për të arsyetuar vonesat e saj. “Mbaj në mend që mësuesi i rusishtes më pat thënë se do të bëhem aktore”, tregon Branka duke qeshur, duke kujtuar copëzat e vogla që në tërësi ndërtuan dëshirën për të qenë pjesë e botës artistike.
Por askush nuk e kishte menduar se Branka Petric po me poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasat) që e kishte mësuar qysh e vogël, do të synonte edhe Akademinë e Arteve, poezi me të cilën hyri në provim pranues për të sfiduar 420 aplikantë që pritnin dritën jeshile për tu futur në akademi.
“Përpos që hyra në provim pranues, në të njëjtën kohë për herë të parë hyra në Teatrin e Beogradit, sepse deri më atëherë nuk më kishte rastisë të hyja në atë objekt. “Dvije daske” që e kisha mësuar nga Marija Crnobori me dialekt të Istrias, erdhi ndoshta bukur për faktin se profesori që na dëgjonte, vinte poashtu nga Kroacia. Sikur mos të ishte ai profesor atë ditë, ndoshta edhe nuk e kisha kaluar provimin. Por ai e kuptoi thellë interpretimin tim” tregon Branka, e cila doli triumfuese në këtë sfidë bashkë me shtatëmbëdhjetë studentë tjerë.
“Shumë më vonë, në një intervistë, një gazetar më pat thënë se dy dërrasat poetike (Dvije daske) paskan qenë dërrasat jetike për ty, sepse, koincidon edhe me dërrasat skenike” kujton Branka e cila në vitin 1955 edhe e fillon vitin e parë të studimeve në Akademi.
“Bekim Fehmiu ishte i rëndë, unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”
Dhe vitin e parë të studimeve e filloi bashkë edhe me tetë vajza të tjera, e që sipas Brankës, në kohën e atëhershme kishte shumë më shumë liri sesa në ditët e sotme, dhe asnjë paragjykim i vetëm që si vajzë po studionte aktrimin.
“Sot ndoshta gratë janë më shumë zonja të vetes, por thellësisht brezi im ishim shumë më të lirë. Prandaj të gjithë patën reaguar shumë mirë në lidhje me studimet e mia në Akademinë e Arteve, edhe fqinjet mia, që më thoshin sa mirë që do të bëhesha aktore, edhe pse nuk e dinin saktë se çfarë ishte një aktore”, kujton atë periudhë, që sipas saj ishte një mbështetje e madhe sa i përket ndërtimit të ëndrrave.
Karnevalet që e ngacmuan qysh katër vjeçe në Kroaci për Branka Petric ishin një paralajmërim se ajo ka një shpirt artisti, po nuk e kishte besuar se po ato ëndrra do ti sjellin edhe një fat tjetër. Takimin me burrin më të adhuruar të ish Jugosllavisë, aktorin që preki edhe shkëlqimin e Hollywood e të shumë festivaleve prestigjioze.
Branka tashmë kishte përfunduar vitin e parë të studimeve dhe po vinin të rinjtë që ishin pranuar tashmë në Akademi. Branka kujton edhe pëshpërimën e studentëve të cilët po tregonin se kishte ardhë një djalë i pashëm nga Prishtina.
“Si tip ishte i rëndë, ai nuk u vardisej vajzave, dhe as më hidhte asnjë shikim”, tregon Branka e cila tregon që Bekim Fehmiu me moshë ishte një vit më i madh se Branka, por në studime kishte ardhë me pak vonesë.
“Unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”, tregon Branka, e cila mënyrën se si ishte ofruar edhe më shumë me Bekim Fehmiun ishte gjuha serbe, pasi që, sipas saj, që të studioje atëherë në aktrim, duhej të dije gjuhën serbe mirë, dhe në këtë drejtim ajo e kishte ndihmuar shumë.
86 vjeçja edhe sot kur flet për shkëndinë e parë me Bekim Fehmiun, duket sikurse është një moment që e rinon. “Ishte një vështrim, vështrim shumë tërheqës”, kujton Branka atë shikim, që sipas saj ishte tërheqja që i dha tjetër dimension jetës së Brankës dhe Bekimit.
“Isha pranë diplomimit, kur Bojan Stupica na angazhoi mua dhe Bekimin në një shfaqje. Unë luaja rolin e bashkëshortes së tij. Shkëndija e dashurisë me Bekimin ishte një vështrim tërheqës, ishte viti 1959. Kishim një skenë ku ai ishte duke u rruar, kurse unë krihesha, dhe përderisa rruhej, më drejtohet duke më thirrë në emër të personazhit “Rozë, moj Rozë”, kujton Branka, e cila kujton se mundësi për tu ofruar me njëri tjetrin më shumë i dhanë provat në orët e vona, dhe kthimin për në shtëpi e bënin gjithmonë me regjisorin Stupica në një makinë.
“Këtu ndoshta patëm filluar të lidheshim, gjersa diku para Vitit të Ri më pati pyetur se nëse pranoja që të bëhesha e dashura e tij”, kujton Branka, e cila lidhjen e saj me Bekimin e kishte shtyrë edhe për dy vite më tutje, për të vazhduar me turne të madh me teatër, duke përfshirë shumë vende të ish Jugosllavisë, e mes tyre edhe Prishtinën. Distanca pastaj e krijuar mes tyre, me kryerjen e shërbimit ushtarak të Bekim Fehmiut në Shibenik, për Brankën ishte distancë që e zëvendësuan me letra, edhe pse, sipas saj ende vazhdonin të kishin vetëm miqësi mes tyre.
Bekimi më tradhtoi me aktoren ruse, për mua ishte tepër e dhimbshme
“Më tej mora një ftesë për të luajtur në një film, ndërkohë që regjisori më thotë që do të luaja rolin e një vajze të re që shkon me pushime diku, teksa do të më vardiseshin katër djem. Kisha nevojë t’i gjeja katër aktorët për këto personazhe, sepse regjisori do t’i pranonte. Filmi do të xhirohej në Opatija dhe ishte film i metrazhit të shkurtë. U mendova kë do të gjeja, dhe e dija ndërkohë se Bekimi së shpejti e mbaronte shërbimin ushtarak, dhe e pyeta nëse dëshironte të luante në një film me mua. Të gjithë do të takoheshim në shtëpinë time në Novi Vinodolski, vendlindjen time. Bekimi nuk e besonte dot se diçka e tillë do t’i ndodhte menjëherë pas ushtrisë. Bekimi erdhi i pari në shtëpinë time, përpara tre aktorëve të tjerë, dhe u njoh me prindërit e mi. Ai erdhi sikur t’i dinte paraprakisht të tëra, sikur ta dinte të ardhmen tashmë. Dhe dashuria jonë pati filluar në shtëpinë time familjare në vitin 1963, kur ai erdhi nga ushtria, kur dolëm bashkë në verandë”, tregon Branka.
Lidhja mes tyre, diplomimi i Bekim Fehmiut, përfshirja e tij në Teatrin Jugosllav të Dramës, pjesë e të cilës më veç ishte edhe Branka, shfaqje e turne të ndryshme tashmë ishin pjesë e përditshmërisë së tyre. Por diçka që nuk ishte përditshmëri, por një goditje bukur e rëndë, ishte dashuria e Bekim Fehmiut me Ljudmillën, lidhje që ndodhi gjatë qëndrimit të trupës së Beogradit në Rusi.
“Ljudmilla ishte një grua tepër e bukur, kurse ai pati treguar haptas tërheqjen që ndiente për këtë grua, ata patën rënë në dashuri” tregon Branka për atë periudhë të largët, e cila kujton edhe për mbështetjen e aktoreve dhe aktorëve të Beogradit që kishin treguar ndaj Brankës, pasi që, sipas saj, ata të gjithë e kishin lënë vetëm Bekim Fehmiun, për gjithë udhëtimin me tren përderisa ktheheshin nga Moska për në Beograd.
“Gjithsesi nuk mendoja të ndahesha nga ai vetëm për faktin se kishte shkuar me një grua tjetër. Edhe pse, për mua ishte tepër e dhimbshme, por në vitet e ardhshme lidhja jonë u bë shumë më e fortë”, kujton Branka atë moment, duke treguar më pas se viti 1968, ishte vit që edhe kurorëzoi dashurinë e tyre në Romë të Italisë.
Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun, e thirra në telefon dhe e pyeta nëse do të martoheshim
Se po ndodhte një martesë mes një vajze serbe dhe një djali shqiptar, për prindërit e Brankës nuk paraqiste asnjë problem. Ajo me një siguri të madhe më tregon se askush, ama askush nuk i bëri asnjë pyetje të tillë, as prej teatrit, as familjes dhe as farefisit të gjerë.
Dhe nuk ishte vetëm martesa bekim për Brankën dhe Bekimin. Kjo periudhë e jetës po shënohej me shumë të mira në të gjitha anët. Branka ishte shtatzënë në muajin e katërt me djalin e saj të parë Uliksin, përderisa Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun. “I telefonova Bekimit nga posta, meqë nuk kishim telefon në shtëpi. E pyeta se nëse do të martoheshim, dhe ai pranoi” shpjegon Branka, e cila kujton se për këtë kurorëzim dy herë iu desh të shkonte në Romë, sepse, herën e parë iu dështoi për shkak se nuk i kishin certifikatat e lindjes.
“Shkuam në Ambasadën e Jugosllavisë në Itali që të realizojmë martesën tonë, por aty e kuptova se për tu kurorëzuar na duheshin edhe certifikatat e lindjes, dhe në fakt ne nuk i kishim. Zyrtari i ambasadës na tha se pa dokumente nuk mund të na martonte. Dhe në fakt nuk u bë, por qëndrova shtatë ditë me Bekimin në Romë. Kur u ktheva sërish në Beograd që të marr dokumentet, shokët e mi më tallnin se tashmë mund të ndërrojë mendje Bekimi dhe nuk do të bëhej ceremonia”, kujton Branka.
Ajo për të dytën herë u nis për Romë, kësaj here me qëndrim vetëm për dy ditë, vetëm që të realizonin kurorëzimin, dhe ajo kujton se dëshmitare të martesës së saj kishte Zorica Budisavljeviqin, motrën e Jovanka Broz Titos, kurse Bekim Fehmiu ambasadorin e Jugosllavisë në Itali. Ajo kujton se si dëshmitarët e martesës talleshin me ceremoninë e martesës së tyre, duke e quajtur një ceremoni të shëmtuar. “Prandaj i thashë Bekimit që shpresoja që martesa jonë mos të ishte e shëmtuar si ceremonia e martesës”, kujton Branka ku pjesë të dasmës kishin edhe ekipin e filmit Odiseu.
Dhe duke u njohur me njëri tjetrin qysh nga fillimi i studimeve, Branka dhe Bekimi u rritën bashkë edhe profesionalisht. Sukseset me filmin “Odiseu”, suksesin e madh me “Mbledhësit e puplave”, shkëlqimin në Kanë dhe festivale të tjera, Branka thotë se i kishte përjetuar sikurse ato suksese të ishin të saj.
“Kur bëjmë art, ka gjithmonë njëfarë mëdyshje lidhur me aftësitë tonë, e ai gjithmonë më pati mbështetur mua” kujton Branka Petric për punën e tyre në botën e artit, ku Bekim Fehmiu jetoi shumë më furishëm e me më shumë suksese, por që edhe bëri një tërheqje më të shpejtë prej teatrit e filmit, kurse Branka edhe sot vazhdon të luaj herë pas here projekte të ndryshme.
Ndërkohë, “Madam Kolontajn” ishte shfaqja që luante Bekim Fehmiu, shfaqje në të cilën luante dy role, atë të Leninit dhe Stalinit. Në shenjë proteste, Bekim Fehmiu la shfaqjen në gjysmë, por jo vetëm atë shfaqje po gjithë paraqitjen e tij skenike. Këtë protestë e bëri në mes të Beogradit, në vitin 1987 si mospajtim me politikat serbe të cilat i ushtronin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Branka e kujton guximin e Bekim Fehmiut, veprim që nëpërmjet të cilit edhe bëri shkëputjen skenike. “Por gjithnjë më ka përcjellë mua në shfaqjet e mia. Sa herë kam pas shfaqje, ai më ka pritë në njërën nga lokalet në afërsi të teatrit”, ka treguar Branka.
Branka Petric për familjen e Bekim Fehmiut: E pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer
“Për të mos thënë… unë mendoj se nuk ka asnjë martesë që nuk ka ulje-ngritjet e saj, po ashtu edhe tërmetet e veta, kur toka të dridhet nën këmbë, e të duket se gjithçka do të shkërmoqet, të gjitha janë gjëra që patjetër patën ndodhur edhe në martesën tonë, por gjithsesi përherë ne jemi sjellë në mënyrë të njerëzishme njëri me tjetrin, për shkak të dashurisë sonë që pati vijuar e njëjtë deri në çastet e fundit të bashkëjetesës sonë. Unë kam mësuar aq shumë prej tij, kurse po të ishte ndoshta gjallë ende, kushedi edhe ai do të thoshte se diçka ka mësuar edhe nga unë, sepse kemi qenë tejet të ndryshëm. Unë jam shumë më e lehtë si tip njeriu, dhe gjithmonë isha me vonesë, megjithëse dalëngadalë fillova të bëhesha edhe unë më e saktë. Akoma më pyetin nëse vonohem si dikur, kurse unë u them se tash e pesëmbëdhjetë vjet nuk vonohem më” tregon Branka.
Branka mes tjerash kujton edhe dashurinë e madhe të familjes së Bekim Fehmiut për njëri tjetrin, dashuri që nuk e kishte parë në familjet që kishte njohur në Beograd.
“Është diçka shumë e rëndësishme kur dikush rritet në gjirin e një familje të madhe si e Bekimit, detyrat atëherë janë të qarta për këdo, e pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer. Për mua kjo ishte diçka magjepsëse, sepse në rrethin tim nuk kish pasur diçka të ngjashme, që një anëtar i familjes të kujdeset edhe për motrat e veta, edhe për vëllezërit e motrat njëherësh”, kujton Branka e cila një kujdes të veçantë të Bekimit e tregon edhe me rastin e udhëtimeve të tij në vende të ndryshme, dhe ceremoninë e blerjes së dhuratave për anëtarët e tij të familjes.
‘Më kujtohet në Tunizi, kur Bekimi pati xhiruar filmin për Shën Jozefin, ai pati blerë katër palë veshje shumë të bukura për motrat e tij, pastaj edhe për një nuse të familjes së tij, domethënë pesë palë veshje. Domethënë hyri në Pazar dhe porositi pesë palë veshje femërore”, kujton Branka, e cila tregon edhe për kujdesin e tij për të shkolluar nioat dhe mbesat e tij. , ku sipas Brankës, të gjithë i kishte ndihmuar financiarisht për të përfunduar ata studimet.
Dhe Branka, nëna e Uliksit dhe Hedonit, e cila edhe më e mban revolen e Bekim Fehmiut, revole me të cilën aktori i madh i dha fund jetës së tij, në ndarjen e kujtimeve të saj për jetën e saj me Bekim Fehmiu thotë se aq gjatë kenë qenë bashkë, kaq shumë kanë përjetuar bashkërisht, saqë absolutisht, në një moment i është duk befasisht sikur të kishte gjetur shpirtin e saj binjak. “Ai ishte binjak edhe si shenjë horoskopi, prandaj kur ai ndërroi jetë, ishte sikur të ishte shuar edhe një pjesë e imja” kujton Branka” e cila mendon se pas vdekjes së tij, flitet mjaftueshëm për Bekimin.
Dhe krejt në fund, për krejt këtë jetë mes aktrimit dhe me aktrimin, Branka Petric, gruaja e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu vlerëson një përkushtim të madh të Bekim Fehmiut, që në një formë e la si dëshminë më të bukur. Librat që shkroi Bekim Fehmiu, Branka i vlerëson si punën më të mirë që la pas vete Bekim Fehmiu, kopje që vazhdojnë të kërkohen nga adhuruesit e tij.
“Unë pata menduar se do të mjaftonte një botim me disa tirazhë nga këta dy libra, por kërkesat akoma vazhdojnë. Njerëzit e duan dhe vazhdojnë ta lexojnë. Pastaj, çdo tre katër ditë unë marr ndonjë fjalë të mirë për bashkëshortin tim. E pamundur është që të më mos më thotë dikush se si Bekimi ishte një aktor i madh, se ai me të vërtetë ishte një legjendë.
Branka Petric që posedon edhe një numër të madh të dorëshkrimeve të Bekim Fehmiut dhe një numër të madh të librave të bibliotekës së Bekim Fehmiut, vazhdon të jetojë në apartamentin e njëjtë ku edhe ka jetuar më herët bashkë me Bekimin dhe fëmijët, ndërkohë, shpreh interesim se nëse mund të gjejë dikë që ta ndihmojë, që ato dorëshkrime të Bekimit ti sistemojë dhe ti botojë. / KultPlus.com
Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endžio HAB’ si dhe është shfaqur filmi tejet i sukseshëm “Zgjoi” nën regjinë e Blerta Bashollit. Dje, këto dy aktivitete shënuan edhe përfundimin e edicionit të nëntë të këtij festivali i cili u mbajt në Beograd tash e disa ditë, shkruan KultPlus.
Për të diskutuar rreth debatit “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”, nën moderimin e zyrtarit për komunikim në BE, Filip Lukić, pjesëmarrësit në panel si: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Ymeri, folën rreth perceptimeve dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidhur me pushtimin e Ukrainës.
“Tema e luftës në Ukrainë shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende prezente në rajonin tonë”, kjo do të ishte ajo pjesa me të cilën u përmbyll ky debat.
Por fillimisht, diskutimin e nisi reporterja Sonja Biserka e cila theksoi se data 24 shkurt nuk është një incident por luftë e planifikuar.
“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë ajo.
Sipas saj, gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror.
“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shpalos Biserka.
Ndërsa, politikani Visar Ymeri ka thënë se një prej qëllimeve të luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.
“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.
Sipas tij, në njërën anë, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-në dhe intervenimin në Kosovë.
“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.
Po ashtu, gazetari Idro Seferi përmendi bombardimet e NATO-s si dhe theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.
“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.
Sipas tij, nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.
“Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, thotë ai.
Gjithashtu, gazetari dhe publicisti Boris Varga ka folur rreth se si lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.
“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.
Kështu, në ditën e tretë si dhe njëkohësisht të fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në Arkivin e filmit jugosllav.
Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) ishte ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt.
Ajo po ashtu, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.
Me sallën e mbushur plot, të pranishmit shikuan dhe dëgjuan të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë.
Përgjatë gjithë filmit, sytë e të pranishmëve dukshëm ishin të ngulitur tek ekrani i madh, nëpërmjet së cilit u shfaq puna e mrekullueshme e regjisores Blerta Basholli e cila frikën, brengën e shpresën i ngërtheu në një fuqi të vetme. Këto emocione të paraqitura në film ngjallën edhe emocione të shumta në publik. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte dhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.
Ishin duartrokitjet e gjata, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta ato të cilat u lëshuan menjëherë qysh kur filmi shënoi fundin.
Filmi “Zgjoi” është filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit. “Zgjoi” ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Ndërkaq, kujtojmë se premiera e filmit në Prishtinë u shfaq më 24 gusht të vitit 2021.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.
Pas shfaqjes së filmit në Beograd, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.
“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.
Kurse, për KultPlus foli aktorja Branka Petriq që njëkohësisht është edhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Ajo e vlerësoi lartë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi si dhe regjisores Blerta Basholli.
“E pashë filmin dhe u gëzova shumë sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bënë atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur sepse isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit.”
Edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” krejt në fund u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.
Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e “Mirëdita, dobar dan!”. Përmes festivalit, vizitorët patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. / KultPlus.com