Brazili ndalon përdorimin e aplikacionit Telegram

Brazili ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram në kuadër të luftës kundër “lajmeve të rreme”.

Gjykata e Lartë ndaloi përdorimin e aplikacionit të mesazheve pasi Telegram nuk zbatoi urdhrin e gjykatës për mbylljen e profileve të përdoruesve që përhapnin lajme të rreme.

Kreu i gjykatës, Alexandre de Moraes tha se Telegram nuk ka zbatuar vendimet e gjykatës dhe se kjo përbënte një shkelje e ligjeve të Brazilit.

Moraes tha se platformat që nuk respektojnë urdhrin e gjykatës do të gjobiten me 20 mijë dollarë në ditë.

Mbyllja e Telegram pritet të ndikojë negativisht tek presidenti Jair Bolsonaro i cili ka mbi 1 milion ndjekës dhe përmes së cilës zhvillon një pjesë të rëndësishme të fushatës së tij zgjedhore.

Bolsonaro e ka konsideruar të papranueshëm vendimin e gjykatës duke pretenduar se nëpërmjet Telegram bëhen njoftime të rëndësishme lidhur me çështjet kombëtare.

Zgjedhjet presidenciale në Brazil pritet të mbahen në tetor. / KultPlus.com

Agim Sulaj, fitues i çmimit të parë në festivalin e Brazilit

Artisti Agim Sulaj është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit.

Vepra fituese e artistit të njohur shqiptar u vlerësua këtë vit për karikaturën e presidentit Donald Trump. Ishte një çmim i dhënë nga këshilli bashkiak i Piracicabas dhe përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj, për karakteristikën e saj të veçantë. Nëpërmjet një dore të jepet karakteri dhe ngjashmëria në tërë madhështinë e saj.

Ky festival këtë vit ishte në 46 vjetorin e tij dhe ka promovuar fitues artistë të artit të satirës nga më të njohurit në botë. Me një aktivitet të vlerësuar me punët e tij, këtë herë për vlerësimin e radhës në Brazil artisti Agim Sulaj shprehet se e priste çmimin e madh. “Ky vlerësim i dedikohet një vepre për të cilën, që ditët që e realizova e dija që do të fitoja. Nga eksperienca personale veprat fituese kanë një “llampushkë” të veçantë, e cila më vjen gati. Thjesht mua më mbetet vetëm realizimi” pohon ai.

Artistit Agim Sulaj i shtohet ky çmim tjetër prestigjioz, i cili pasuron larminë e vlerësimeve ndërkombëtare. Sulaj cilëson me ironi, që vendi ku nuk ka marrë çmim është vetëm Shqipëria. Madje sipas tij edhe një ide projekt, që paraqiti në bashkinë e qytetit të Vlorës vitin e kaluar nuk u aprovua. Por ky vit ka qenë i frytshëm për karrierën artistike të Sulajt, ku mund të përmendim çmime të tjera si Belgjikë Knokke Heist, përsëri Belgjikë në Kruishoutem, Prishtinë, Norvegji e Turqi. Agim Sulaj 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.

Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini, që është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. /Agjensia e Lajmeve Sot News/ KultPlus.com