Javët kulturore Ndërkombëtare sollën për herë të parë në Shqipëri, Javën Kulturore Braziliane.
Shfaqje filmash, koncert harqesh, aktivitete letrare dhe muzikore u organizuan nga data 21 deri më 29 qershor në Tirana, për të përmbyllur me shfaqjen spektakolare të karnavaleve braziliane në Vlorë.
Vetëm një hap larg detit, në Lungomaren e bukur të Vlorës, ky manifestim kulturor organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit solli ritmet, ngrohtësinë dhe ngjyrat e Brazilit, me perkusionistë të talentuar, balerina dhe kërcimtarë profesionistë të Capoeira.
Pjesë e paradës shumëngjyrëshe të karnavaleve braziliane të famshme në të gjithë botën, u bënë edhe pushues e turistë të shumtë në Vlorë duke festuar nën ritmin e sambës braziliane shoqëruar nga një spektakël plot veshje, maska, kërcime, lojëra dhe akrobaci.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi se “për herë të parë në Shqipëri një manifestim kulturor me kaq energji e nxehtësi amerikano-latine, plot ngjyra e traditë nga Karnavalet e famshme të Brazilit, me perkusionistë të talentuar, balerina dhe kërcimtarë profesionistë të Capoeira”.
Nënkryetarja e Bashkisë Vlorë, Irena Toshkallari theksoi se ky organizim i sjell Vlorës një tjetër dimension turizmi.
“Ky aktivitet në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në kuadër të Javës Ndërkombëtare Braziliane ka për qëllim të bashkojë kulturat duke krijuar një atmosferë shumë ndryshe”, u shpreh ajo.
Balerinë të ardhur nga Brazili kanë përformuar përgjatë shëtitores për më shumë se 3 orë duke dhuruar spektakël për turistët e qytetarë të shumtë në Lungomaren e Vlorës.
Fotoreporteri i ATSH-së, Florian Abazi solli momente nga kjo shfaqje unike që përcolli një energji të jashtëzakonshme në jug të vendit./atsh/ KultPlus.com





