Shqipëria është plot me vende magjike, shkruan portali i njohur ‘BrightSide’.
Pas gazetës irlandeze “Irish Time”, kësaj here portali më i njohur “Bright Side” e ka përzgjedhur Shqipërinë, si një nga 12 vendet më të mrekullueshme dhe që ofron pushime të lira.
E renditur mes vendeve të tilla si Rumani, Portugali, Bullgari, Peru, Poloni, Filipine e Nikaragua, “Bright Side” e cilëson vendin tonë si ideal për të bërë pushime “pa zbrazur portofolin.”
Çdo udhëtim jashtë vendit ofron shumë emocione dhe përshtypje të reja. Por, ne shpesh stepemi për të ndërmarrë një udhëtim nga mendimi nëse kemi apo jo mjaftueshëm para, pasi udhëtimet besohet të jenë një luks i shtrenjtë.
Kështu portali ‘BrightSide’ tregon anën e ndritshme për lexuesit e tij , duke iu kërkuar atyre të marrin në konsideratë 12 vende për pushime këtë vit.
Vende të cilat, sipas ‘BrightSide’ ofrojnë pushime të pabesueshme dhe pushim pa bërë që ju të zbrazni portofolin tuaj.
‘BrightSide’ sugjeron që të vizitohet qyteti i Gjirokastrës, Syri i Kaltër, Liqeni i Shkodrës, Ksamili, Butrinti, etj.
Akomodimi kushton duke nisur nga 5 deri në 10 euro hoteli. Ushqimi kushton duke nisur nga 2 euro, ndërsa mund të udhëtosh edhe me 1 euro, përcjell atsh.
“Është e lehtë të gjesh dhoma komode në bujtinat nga 5 euro dhe nga 10 euro në hotele dhe në shtëpi private. Çmimet shqiptare për ushqimin dhe alkoolin janë nga më të ultat në Evropë. Ushqimi në rrugë është gjithashtu shumë i shijshëm dhe kushton rreth 1.80 euro. Çmimet e restorantit janë shumë të lira, zakonisht nga 3.50 euro. Pjatat më popullore janë çomlek me mish dhe perime, si ëmbëlsirë do të veçonim oshafin ndërsa një kafe e shijshme kushton nga 0.50 – 1 euro”, citohet shkrimi i portalit ‘BrightSide’.
Gjithashtu portali llogarit edhe shpenzimet e transportit. “Ju shpenzoni vetëm 0.90 euro për 50 kilometra nëse udhëtoni me tren dhe 0.90 euro për 30 kilometra nëse udhëtoni me autobus”, shkruhet në artikull./ KultPlus.com