FKA Twigs e ka publikuar videoprojektin e ri muzikor me titull “Don’t Judge Me”, të cilin e sjell në bashkëpunim me reperin Headie One dhe kantautorin britanik Fred Again.
Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip të fuqishëm, të cilin këngëtarja e ka bashkëdrejtuar me regjisorin Emmanuel Adjei, i cili në të kaluarën ka punuar me yje të tillë të muzikës, si Madonna dhe Beyoncé.
Sipas një prononcimi për media bëhet e ditur se projekti, “Don’t Judge Me”, e shfaq eksperiencën e të qenit afrikano-amerikan dhe britanik në botën moderne, si dhe e përfaqëson një luftë të përbashkët kundër tiranisë së padukshme të shkaktuar nga paragjykimet kulturore, sistematike dhe strukturore, të cilat shpesh është vështirë për t’i parë dhe ende më e vështirë për t’i tejkaluar.
Së fundmi FKA Twigs e kujtoi abuzimin e tmerrshëm racist që e kishte përjetuar, gjatë kohës sa ishte në lidhje dashurie me aktorin e njohur britanik, Robert Pattinson. Ajo tha se ishte pre e komenteve të rënda dhe injorante nga disa adhurues të zjarrtë të aktorit, gjatë tri vjetëve sa ishte në lidhje romantike me të.
Gjithashtu para pak javësh, këngëtarja britanike emri i vërtetë i së cilës është, Tahliah Barnett, ka ngritur padi kundër aktorit Shia LaBeouf, të cilin e akuzon për abuzim fizik dhe emocional gjatë lidhjes së tyre një vjeçare.
Padia e ngritur në gjykatën e lartë të Los Angelesit, kërkon dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga aktori, i cili besohet se e ka sulmuar atë seksualisht dhe i ka shkaktuar shqetësim emocional.
Sipas saj, LaBeouf e kishte nënçmuar vazhdimisht duke iu drejtuar me fjalë ofenduese. Në një rast thuhet se aktori e ka përplasur këngëtaren për veture dhe ka provuar ta ngufatë atë. FKA Twigs po ashtu thotë se aktori disa herë, me vetëdije të plotë i ka bartur sëmundje seksuale.
Këngëtarja shumë e talentuar FKA Twigs e posedon një zë interesant dhe stil unik të interpretimit, por jo gjithmonë arti i saj kreativ arrin të kuptohet nga publiku mbarëbotëror. Megjithatë ajo vazhdon të sjell projekte të veçanta në tregun muzikor. / KultPlus.com
Djaloshi 11-vjeçar Thomas Ormond, me origjinë shqiptare, ka organizuar shfaqje muzikore nga ballkoni i shtëpisë së tij në Highgate të Britanisë së Madhe, në shenjë falenderimi për të gjithë mjekët që po luftojnë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.
Gazeta britanike “Ham and High” ka shkruar se 11-vjeçari shqiptar përmes shfaqjeve të tij me violinë, ka arritur të grumbullojë 1000 paund, fonde të cilat do t’u dhurohen mjekëve.
Ai shprehet se ndihet shumë i lumtur ndërsa thekson se do të vazhdojë nismën e tij që të mbledhë para për të gjithë personelin mjekësor gjatë periudhës së izolimit.
Për një gjest kaq human nëna e 11-vjeçarit shqiptar shprehet se ndihet krenare që djali i saj po shfrytëzon kohën dhe talentin e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve gjatë kësaj krize të pandemisë Covid-19.
“Ndihem shumë krenare që ai po përdor kohën dhe aftësitë e tij për të bërë diçka në të mirë të njerëzimin”, është shprehur Kim.
Ndërsa për Thomasin mbledhja e fondeve në mënyrën e vetme që ai ka mundësi është e bukur, sepse do të ndihmojnë vërtet shumë njerëzit dhe mjekët që të jenë të sigurt në këto ditë të vështira, prandaj ai ndihet i lumtur për këtë fakt.
“Mendova se do të ishte një gjë e bukur të mbledhësh para për NHS. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që po e bëj këtë për NHS”, ka thënë ai. / KultPlus.com