Britania do t’ua ndalojë pjesëmarrjen nëpër ndeshje tifozëve të përfshirë në racizëm online

Mbretëria e Bashkuar do të ndryshojë ligjin për të mundësuar ndalesa ndaj tifozëve që përfshihen në racizëm online, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson të mërkurën.

Ky reagim vjen pas abuzimeve që janë parë në rrjetet sociale kundër tre lojtarëve anglezë, Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka, pas humbjeve të penalltive në finalen e Kampionatit Evropian në futboll, të zhvilluar të dielën kundër Italisë.

Pasi i është përgjigjur pyetjes së një deputeti, Johnson ka falënderuar secilin sportist për atë që ka bërë, si dhe për fushatën që, sipas tij, ka prezantuar më të mirën e Mbretërisë së Bashkuar.

“E përsëris se, i dënoj ashpër komentet raciste që kemi parë të dielën mbrëma, prandaj ajo çfarë jemi duke bërë është se po marrim hapa praktikë për të siguruar se do të ndërrohet regjimi për ndalesa në futboll, prandaj nëse dikush është fajtor për bërje të komenteve raciste online ndaj futbollistëve, atëherë nuk do të jetë pjesë e ndeshjes, pa arsyetime”, ka thënë ai.

Në ndeshjen e finales, që është zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin Wembley në Londër, Italia ka mposhtur Anglinë me rezultat 3:2.

Ndeshja e rregullt 90-minutëshe ka mbaruar me rezultat 1:1 dhe loja pastaj ka vazhduar me kohën shtesë dhe me penallti.

Ekipi italian ka qëlluar tri nga pesë penalltitë, ndërsa ekipi anglez dy.

Italia ka fituar titullin evropian edhe më 1968.

Euro 2020 është dashur të mbahet vitin e kaluar, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit. / evropaelire.org / KultPlus.com

Kryeministri britanik Boris Johnson.