Media britanike ‘Wanderlust’: Nëntë vendet më të mira për të zbuluar në Shqipëri

Për vite me radhë Shqipëria ishte e panjohur për botën. Tani, ky vend ballkanik me qytete të listuara në UNESCO, rrënoja të lashta arkeologjike, parqe kombëtare sekrete dhe limane me guralecë po fiton njohjen që meriton, shkruan Jessica Reid në një artikull të botuar në të përdishmen britanike “Wanderlust”.

Përpara se popullariteti i saj të rritet, keni ende kohë për të vizituar Shqipërinë – pa turma vizitorësh – dhe përjetuar anën e saj më autentike.

Falë trashëgimisë së saj kulturore, peizazheve malore dhe plazheve që rivalizojnë Greqinë, Shqipëria po ecën përpara në botën e turizmit…

1. Vëzhgoni shpendët – në Lagunën e Karavastasë

Laguna e Karavastasë – pjesë e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” – është më e madhja në Shqipëri – me një sipërfaqe prej 42 km2 dhe e rrethuar nga pyje dhe këneta.

Është gjithashtu një terren i rëndësishëm mbarështimi për pelikanin kaçurrelë të rrezikuar, i cili mund të shihet duke folezuar në një nga ishujt e lagunës – në muajt e parë të vitit.

Zgjohuni herët për të vizituar një nga platformat mbi lagunë dhe merrni dylbitë për të vëzhguar jo vetëm pelikanët, por edhe flamingot, peshqit e egër dhe speciet e tjera.

Gjatë ditës, ju mund të eksploroni Parkun Kombëtar nga kulla e saj e vrojtimit 30 metra e lartë, që ndodhet pranë qendrës së vizitorëve.

2. Kthehuni prapa në kohë – në Berat

I quajtur si “Qyteti i një mbi një dritareve” – falë dizajnit arkitektonik të qytetit pranë lumit Osum – Berati është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Edhe pse historia e tij daton në vitin 300 para Krishtit, ndërtesat prej guri të bardhë të qytetit janë dukshëm të stilit otoman.

Kalaja e Beratit e shekullit të XIII përfshin gjithashtu shumë kisha bizantine dhe rrënoja të xhamive.

Do të ktheheni pas në kohë – duke ecur në rrugicat e tij me kalldrëm – por për të zbuluar historinë e qytetit drejtohuni në Muzeun e tij Kombëtar Etnografik – që ndodhet brenda një shtëpie tradicionale të ruajtur.

3. Zbuloni kulturën e pasur – në Tiranë

Tirana mund të mos duket si qyteti më emocionues, por kur të filloni të eksploroni rrugët e saj, së shpejti do të vini re se është plot me ngjyra të gjalla.

Shumë ndërtesa ish-socialiste tani janë zbukuruar me bojëra të ndritshme dhe murale, duke e bërë vizitën në qytet – një gjueti thesari për artin.

Në zemër të Tiranës ndoodhet Sheshi Skënderbej, një shesh i madh i rrethuar nga restorante dhe bare si dhe atraksione kulturore – si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1822 dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.

Për më shumë histori mbi të kaluarën e afërt të Shqipërisë, Muzeu Bunk’Art2 pasqyron kohën e kombit nën sundimin komunist, i vendosur brenda një prej bunkerëve të shumtë të qytetit të ndërtuar nën urdhrat e diktatorit Enver Hoxha.

4. Vizitoni Gjirin e Vlorës

Përgjatë bregut jugperëndimor të Shqipërisë ndodhet Gjiri i Vlorës, pjesa më e madhe e të cilit përfshihet nga një park kombëtar i mbrojtur.

Gjiri i Vlorës është shtëpia e llojeve të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë delfinët, breshkat dhe fokën e rrallë mesdhetare.

Gjithashtu, ai është i mbushur me plazhe të fshehura dhe limane të aksesueshme me varkë.

Merrni me qira një varkë për të eksploruar këto xhepa të fshehtë tëParkut Kombëtar, duke përfshirë ujërat magjike blu të Shpellës së Haxhi Aliut – që ndodhet në fund të Gadishullit të Karaburunit.

Ju gjithashtu do të gjeni plazhe të izoluara – ku mund të bëni kamping për një pasdite relaksi dhe noti në det.

5. Shkoni për ecje në male

Në Shqipërinë veriore, majat e Bjeshkëve të Nemuna (Alpet Shqiptare) e shndërrojnë peizazhin në një parajsë për adhuruesit e ecjes.

Një nga shtigjet më të njohura është Qafa e Valbonës, një rrugë sfiduese 15 kilometra midis fshatrave Valbonë dhe Theth.

Duke ecur përgjatë një terreni të thyer, do të kaloni nëpër zona të pyllëzuara, livadhe dhe përgjatë lumit Valbona.

Megjithëse ecja zgjat 6-8 orë dhe mund të përfundojë brenda një dite, ju mund ta ngadalësoni atë për të qëndruar në bujtina gjatë rrugës.

Për të shkuar në Theth – nga lumi i Shalës – duhen afërsisht katër ditë duke ecur nëpër lugina dhe gryka dhe vendbanime të lashta.

6. Rafting përgjatë lumit të fundit të egër të Evropës, Vjosa

Lumi Vjosa – lumi i fundit i egër në Evropë është shndërruar në një park kombëtar, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të këtij peizazhi natyror.

Ai është shtëpia e më shumë se 1000 llojeve të florës dhe faunës, duke përfshirë lundërza dhe shkaba, si dhe përfshin një trashëgimi të rëndësishme kulturore, pasi njerëzit kanë pushtuar brigjet e lumit për mijëra vjet.

Për aventurierët, një nga mënyrat më të mira për të përjetuar rrugën ujore të lumit të egër – është me kajak.

Shijoni peizazhet përreth duke lundruar në ujëra më të qetë.

7. Eksploroni vendet e lashta arkeologjike

Në Gjirin e Vlorës ndodhet vendi arkeologjik i Orikumit.

Vendbanimi antik u zhvillua nga grekët në shekullin e V para Krishtit – përpara se të pushtohej nga Jul Çezari në vitin 48 para Krishtit.

Vendi tregon historinë e këtij porti strategjik përmes rrënojave të tij, ku dikur qëndronin shatërvanët, kishat dhe teatrot.

Për shkak të vendndodhjes së saj brenda një zone ushtarake, vizitorët duhet të rezervojnë një turne me guidë për të siguruar hyrjen në vend.

Më në jug në qarkun e Vlorës, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – ku dikur sundonin perandori të ndryshme, nga romakët tek osmanët.

Amfiteatri romak këtu është një nga më të ruajturit në Evropë.

8. Qëndroni në bujtina

Përjetoni zemrën autentike të Shqipërisë duke qëndruar në një nga fermat ose bujtinat e vendit – që gjenden kryesisht në vendet malore.

Në Tragjas, qarku i Vlorës, Sofo dhe Dhurata presin të ftuar për drekë dhe darkë, duke gatuar prodhimet e tyre – së bashku me raki të bërë vetë dhe akomodimin e tyre në kasolle të ndërtuara me gurë.

Në veri, “Neomalsore Agroturism” ndodhet në një vend mahnitës të izoluar – përgjatë Liqenit të Komanit dhe mund të aksesohet vetëm me varkë për rreth 70 minuta.

Si pjesë e përvojës së agroturizmit, vizitorët shpesh zbulojnë mënyrat tradicionale të jetesës në këto qoshe të thella të Shqipërisë.

9. Riviera Shqiptare

Shqipëria është një zbulim i fundit për udhëtarët – kur bëhet fjalë për rërën dhe detin.

Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare magjepsëse – me plazhe që mbulohen nga dallgët e detit Jon.

Pranë Buntrintit, Ksamili është një mini arkipelag ishujsh i pyllëzuar, me limane dhe laguna.

Poshtë fshatit bregdetar, Dhërmi – në majë të shkëmbinjve me shtëpitë të lyera me gëlqere – ndodhet një plazh i bukur me guralecë me të njëjtin emër.

Ju duhet të ecni rreth 30 minuta për të arritur në plazhin e Gjipesë, një plazh i vogël me gurë – ku nuk ka shumë njerëz për shkak të vështirësisë së aksesit.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e sugjerimeve – pasi ka qindra plazhe të tjera për t’u zbuluar përgjatë vijës bregdetare prej 300 kilometrash të Shqipërisë. 

‘Express’: Dhërmiu – destinacioni i bukur evropian për pushime në 2024

Dhërmiu – është një nga destinacionet më të lira të Evropës për pushime në vitin 2024, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “Express”.

Fshati i mrekullueshëm bregdetar, mund të jetë zgjidhja perfekte për pushime të lira në vitin 2024.

Dhërmiu ndodhet në detin Jon dhe ofron plazhe spektakolare si dhe ambiente argëtuese të jetës së natës.

Riviera Shqiptare është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, por mbetet ende një vend i përballueshëm për turistët britanikë që kërkojnë çmime të ulëta.

Ju mund te akomodoheni në hotele (me katër yje) në fshatin e bukur bregdetar për vetëm 50 paund nata, në korrik.

Ndërsa Aeroporti i ri i Vlorës është ende në ndërtim e sipër, për momentin, turistët do të duhet të fluturojnë drejt Aeroportit të Tiranës për të arritur në Dhërmi.

Edhe pse duhen rreth tre orë e gjysmë për të vizituar Dhërmiun, ia vlen të sakrifikoni për këtë destinacion të jashtëzakonshëm.

Çfarë duhet të bëni në Dhërmi

Vija bregdetare e Dhërmiut është një nga më të vlerësuarat në “Tripadvisor”.

Dhërmiu ofron plazhe të mrekullueshme me guralecë, det të kaltër dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.

“Shpella e Piratëve” në Dhërmi është gjithashtu një nga atraksionet e saj kryesore, të cilën turistët mund ta eksplorojnë si pjesë e një turneu me varkë.

Fshati i vjetër i Dhërmiut, është një vend i mrekullueshëm për një shëtitje relaksuese.

Nëse jeni në kërkim të aventurave, mund të provoni të ecni në kanionin e Gjipesë, i cili zgjat rreth dy orë.

Çfarë duhet të hani në Dhërmi

Dhërmiu ka disa restorante fantastike që shërbejnë ushqime deti, ndërsa vegjetarianët do të gjejnë ushqime të freskëta vendase.

Turistët që marrin me qira një makinë ose zgjedhin transportin publik në Shqipëri mund të zgjasin pushimet e tyre për të eksploruar më shumë vendin.

Tirana është një nga vendpushimet më të lira të Evropës, me disa muze interesantë dhe bare koktejlesh të përballueshme. /atsh/ KultPlus.com

Media britanike veçon Sarandën: Qytet mesdhetar i shkëlqyer për pushime

Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell. Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”.

Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit. Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë.

Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.

Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë.

Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s. Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.

Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet. Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.

Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund).

Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi. Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund./abcnews/KultPlus.com

Media britanike ‘Express’ i kushton artikull turizmit shqiptar, Rama: Vëmendje të madhe i ka kushtuar aeroportit të ri të Vlorës

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale një artikull që media britanike “Ekspress” i ka kushtuar turizmit të Shqipërisë.

Një vëmendje të madhe i ka kushtuar dhe aeroportit të ri të Vlorës. Që do jetë një arsye më shumë që shumë vizitorë britanikë të udhëtojnë drejt jugut të vendit tonë.

“Pas “The Guardian” është radha e tabloidit britanik “Express” që t’i kushtojë një reportazh turizmit të Shqipërisë me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës sonë. Rreth 240 mijë vizitorë anglezë mirëpritëm në vitin 2023, dhe e sigurt që më të shumtë do të jenë”, shkruan Rama.

Media britanike “Express” në artikullin e saj shkruan: Vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve, përfshirë britanikët, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë. Dhe ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të vërë në punë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do t’i shërbejë një prej qyteteve më të bukura të Rivierës Shqiptare, Vlorës.

Vlora është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur. Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj rivierë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet./topchanel/KultPlus.com

Programi i aktiviteteve të Javës Kulturore Britanike

Programi i Mbretërisë së Bashkuar në Javën e Kulturës Britanike, vjen me një seri të bisedave, filmave, ngjarjeve muzikore që shpalosin jo vetëm kulturën britanike, por edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

Përmes bisedave, programeve të edukimit dhe të shprehjes së kreativitetit, kjo javë do të jetë e organizuar në vende të ndryshme të Shqipërisë për t’u ndërlidhur edhe më shumë kulturalisht dhe artistikisht.

Java nis me shfaqjen e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut – Shqipëria” nga prof. Bettany Hughes. Dokumentari do të shfaqet sot për herë të parë në Tiranë.

Nga portet e lashta romake të Orikumit dhe të Apollonisë te liqeni i mahnitshëm i Ohrit apo në Beratin e historisë së pasur, Bettany na tregon si është njohur me kulturën dhe historinë shqiptare.

Shfaqja do të jetë në kinema “Millenium” në orën 20:00, duke ofruar falas për të pranishmit, një udhëtim ndërkulturor. Vetëm autorja do të jetë ditën e mërkurë në një bashkëbisedim me studentë, në qendrën e artit  “Agimi”.

Të tjera qytete ku do të ketë aktivitete të Javës së Kulturës Britanike, do të jenë Kukësi, Peshkopia, Durrësi dhe Korça./atsh/KultPlus.com