“Broadway” do të mirëpresë përsëri dashamirët e shfaqjeve të tij këtë vjeshtë ndërsa teatrot në qytetin e Nju Jorkut do të rihapen me kapacitet të plotë, pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të përhapjes së COVID-19.
Gjatë 18 muajve të fundit të mbylljes, stenda e biletave T-K-T-S në sheshin Times Square të Nju Jorkut ka qenë bosh, por kjo do të ndryshojë.
“Me vjen shumë mirë që po kthehemi në sheshin “Times Square”. Stenda e biletave në “Times Square” mund të hapet tani dhe kjo është emocionuese”, thotë Victoria Bailey nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
Sallat e famshme të shfaqjeve në “Broadway” u rihapen zyrtarisht të martën me kapacitet të plotë. Për shumë njerëz, kthimi sinjalizon një ngritje të qytetit dhe fuqinë e arteve për të bashkuar njerëzit, madje edhe në këtë fund të pasigurt të mbylljes më të gjatë në historinë e teatrove në “Broadway”.
“Ajo që është vërtet emocionuese për mua është kthimi i njerëzve në punë, sepse kjo ka qenë e rëndë për njerëzit që sigurojnë jetesën nga shfaqjet artistike”, thotë Victoria Bailey nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
The Broadway League, një shoqatë tregtare që përfaqëson pronarët dhe producentët e teatrit, shpreson të joshë audiencën me një video me 99 klipe nga 99 shfaqje.
Në faqen e saj në internet ka informacione për shfaqjet dhe shpjegime mbi protokollet e sigurisë.
Spektatorëve do t’u kërkohet të tregojnë provën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe të mbajnë maska gjatë shfaqjeve.
“Në prapaskenë janë bërë shumë ndryshime, si përmirësimi ose ndryshimi i sistemeve të ajrit të kondicionuar, instalimi i filtrave të rinj dhe krijimi i shërbimeve të reja pa kontakt. Secila shfaqje do të ketë një menaxher të sigurisë për koronavirusin”, tha për Zërin e Amerikës Charlotte St. Martin nga shoqata The Broadway League.
Misioni i teatrit për të sjellë njerëzit së bashku është ajo që e gëzon producentin e shfaqjes “Mendimet e një njeriu me ngjyrë”,Brian Moreland. Shfaqja e tij do të debutojë këtë sezon.
“Hapja e teatrove në Broadway, në këto komunitete, rikthimi në sallë i spektatorëve nga e gjithë bota, do të jetë brilante”, thotë ai.
Ashtu si shumë interpretues, Luke Naphat kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke punuar nga shtëpia, por ishte optimist për rihapjen e teatrit, kur Zëri i Amerikës foli me të pranverën e kaluar.
“Të gjithë do të kthehen më të fortë se më parë”, tha ai.
Tani, rihapja po ndodh dhe Luke Naphat është shumë i kënaqur që provat për shfaqjen “Corner of Bitter and Sweet” do të bëhen në teatër së bashku me kolegët e tij.
“Të shohësh njerëzit dhe të këndosh nën shoqërinë e një instrumenti është një ndjenjë shumë e veçantë”, thotë ai.
“Ne kemi kaluar shumë trauma si shoqëri. Dhe ne kemi nevojë për shërim. Mendoj se shkuarja në teatër është pjesë e atij procesi shërimi”, thotë Victoria Bailey nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
Kjo do të ndihet nga shumë njerëz, kur të hapen së shpejti perdet për shfaqjen e parë në “Broadway”./KultPlus.com