Kryeministri Kurti në Kopër, viziton ekspozitën mbi shtëpinë e familjes Bruti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në muzeun rajonal të Koprit, dje ka vizituar ekspozitën mbi shtëpinë e familjes Bruti, kuruar nga Meliha Fajić, e që përmban piktura, libra, dokumente e objekte të kësaj familje.

Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se në zemër të sheshit Brolo të qytetit Kopër të Sllovenisë, qëndron e ngritur shtëpia e familjes Bruti që nga viti 1714. Kjo familje e njohur shqiptare me lidhje familjare në Durrës, Lezhë e Ulqin, ndër të tjera e lidhur edhe me familjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vendosën përfundimisht në Kopër.

“Përballë muzeut, Katedralja madhështore e Koprit, mban në piedestal altarin e restauruar nga artisti i famshëm i renesancës veneciane, Vittore Carpaccio, me titullin “Maria në fron me fëmijën dhe shenjtorët”. Këtë vepër madhështore nga viti 1516, e soditëm nga afër. E vizita përfundoi në shtëpinë e Brutëve e cila që nga viti 1951 shërben si bibliotekë publike, për promovimin e librit “Shqiptarët e lashtë dhe krijimi i Istrias” me autor Peter Štoka dhe me përkthim nga doktor Pëllumb Qazimi”, shkruan Kurti në Facebook.

Bëhet e ditur se promovimi i këtij publikimi që u mundësua nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Iliria” në Kopër në krye me Heset Ametin dhe nga ambasada e Kosovës në Slloveni, mblodhi përfaqësues të shumtë të komunitetit dhe shoqatave shqiptare nga Sllovenia, Kroacia dhe nga Italia.