Punëtorët e shtetit në protestë, nuk mbahet as mësim

Të punësuarit në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në nivel vendi, nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), do të protestojnë në kërkim të realizimit të disa kërkesave të tyre.

Kërkesat e tyre janë vazhdimi i pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe; Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Duke qenë se pjesë e BSPK është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) dhe do të jenë pjesë e protestës, mësimi në të gjithë vendin nga arsimi fillor deri në universitete nuk do të mbahet.

SBASHK ka thënë se kjo pasi të gjithë mësimdhënësit do të nisen drejt Prishtinës në mënyrë të organizuar. Çerdhet do të jenë të vetmet institucione edukativo-arsimore të cilave nuk do t’ju ndërpritet puna.

Ministria e Arsimit ka paralajmëruar të gjithë mësimdhënësit se çdo orë e humbur mësimore do të zëvendësohet, por SBASHK-u ka thënë se asnjë orë nuk do të kompensohet dhe për dëmin e shkaktuar nxënësve përgjegjëse është ekzekutivi.

Protestuesit do të grumbullohen në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 13:00. Masa për në vendgrumbullim do të lëvizë rrugës “Garibaldi” prej Bankës Qendrore në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti” dhe prej Katedrales Shën Nënë Tereza nëpër rrugën “Xhorxh Bush” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.

Në ora 13:30 nis ecja nga vendgrumbullimi prej sheshit “Zahir Pajaziti” nëpër sheshin “Nëna Terezë” për tu ndalur në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për dy orë, nga ora 14:00 deri në ora 16:00 janë paraparë fjalime para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më 12 maj është mbajtur grevë njëorëshe paralajmëruese por Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë lëvizje për të ndryshuar mendjen e sindikalistëve dhe kështu protesta është një tjetër veprim për kërkesat e tyre. Veprime të tjera sindikale janë paralajmëruar nëse Qeveria nuk fton të dialogojë përfaqësuesit e BSPK-së. / KultPlus.com

Nuk plotësohen kërkesat nga Qeveria, BSPK: Grevë më 12 maj, e më pas protesta në tërë Kosovën

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë dakorduar që më 12 maj të mbahet grevë një orëshe, me arsyetimin se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Arsyetimi i dhënë nga BSPK ishte se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se vendimi ka qenë unik dhe se krahas kësaj greve, do të mbahet edhe protestë më 20 maj në Prishtinë.

“Sapo përfunduam mbledhjen e BSPK-së dhe u them se jemi shumë unik me të gjitha kërkesat dhe të gjitha veprimet që do t’i marrim në të ardhmen. Ne sot vendosëm që krahas që është hapur një tunel i vogël i dialogut social me Qeverinë e Kosovës ne do të vazhdojmë me veprimet tona. Më datën 12 maj kemi vendos që të fillojmë me një grevë 1 orshe për të gjithë të punësuarit e Kosovës dhe vazhdojmë me protestën me 20 maj me protestën e veprimet tjera sindikale”, tha ai.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jashari, tha se si sindikatë nuk e kanë mbyllur derën e dialogut me Qeverinë.

Ai ka paralajmëruar protestë madhështore, duke thënë se të gjithë të punësuarit do të jenë në shesh.

“Krahas unitetit të jashtëzakonshëm që është në SBASHK tash ky unitet ka kaluar edhe në BSPK dhe gjërat po i bëjmë bashkë. Ne nuk e kemi mbyll derën për dialog. Kryetari ynë bashkë me ekipet do të vazhdojë dhe do të mirëpres çdo takim me Qeveri. Pritja jonë është deri me 12 dhe do të ketë një grevë në tërë Kosovën. Pas kësaj greve do të kemi një protestë besoj madhështore ku të gjithë të punësuarit e Kosovës do të jenë në sheshin “Skënderbeu”. Nëse edhe këto dy javë nuk arrijnë marrëveshje atëherë pas protestës së 20 majit, Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke paralizuar sistemin arsimor por edhe sektorë tjera”, tha ai. /KultPlus.com