Në parkun qendror të kryeqytetit hungarez, Budapestit, u vendos sot busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Kryeministri Edi Rama tha sot se kjo është dhuratë e Bashkisë së Tiranës për Bashkinë e Budapestit në shenjë të miqësisë mes dy heronjve tanë kombëtarë Gjergj Kastriotit dhe Janosh Huniadit, transmeton KultPlus.
“Busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Budapest. Dhuratë e Bashkisë së Tiranës për Bashkinë e Budapestit në shenjë të miqësisë mes dy heronjve tanë kombëtarë Gjergj Kastriotit dhe Janosh Huniadit”, tha Rama.
Më herët, gjatë vizitës së tij në Hungari më 8 qershor, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, panë nga afër vendin ku do të vendoset busti i Skënderbeut, ku ishte vendosur ndërkohë piedestali. / KultPlus.com
Në parkun qendror të kryeqytetit hungarez, Budapestit, në 5 korrik do të vendoset busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, panë nga afër vendin ku do të vendoset busti i Skënderbeut, ku tashmë është vendosur piedestali.
Kryeministri Rama tha se vendi nuk është dosido. “E vetmja gjë që po mendoja është që të flisni me këta të bashkisë që të bëhet një tapet kuq e zi me beton para vendosjes së bustit, pasi ajo e çon syrin tek skulptura. Është park strategjik dhe shumë i bukur”, u shpreh ai.
Rama u shpreh se “ramë dakord sot që të heqim barrierat për lëvizjen. I thashë kryeministrit Orbán që ka rritje të turistëve hungarezë, por nuk e dinte këtë gjë. Duhet ta informoni më shumë, sepse më tha që nuk jam në dijeni të këtij fluksi hungarezësh”.
“Numri i turistëve hungarezë rritet çdo sezon”, – tha Rama.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “ka shumë rezervime të qytetarëve hungarezë për në Shqipëri”.
Duke folur për vendosjen e monumentit, Veliaj u shpreh se “kjo ka qenë një iniciativë që në kohën kur kryeministri Rama ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, nga ish-kryetarët e bashkisë, për të vendosur bustin e Skënderbeut në parkun qendror të Budapestit”.
“Janë dy iniciativa, mbretëresha Geraldinë do të ketë një monument tek sheshi që është hapur tani te Zogu i Parë, te Ministria e Drejtësisë, sapo e kemi dakordësuar sot”, – tha Veliaj.
Për vendosjen e bustit të Skënderbeut, Veliaj tha se “u vonuam prej pandemisë dhe tërmeteve, por është vendosur piedestali”.
“Busti ka ardhur në bashkinë e Budapestit dhe në 5 korrik ne do të kemi përurimin dhe një ceremoni. Na është dhënë vendi qendror tek ura që lidh dy pjesët e parkut, është bërë edhe mbishkrimi. Busti është punuar nga Agim Rada dhe agjencia jonë që merret me monumentet”, theksoi ai.
Veliaj tha se “bashkia e Budapestit po kryen një rikonstruksion të parkut, kështu që është një moment i mirë për të ndërhyrë”./atsh/ KultPlus.com
Shtëpia Botuese AB ART, që është njëra ndër shtëpitë botuese më të njohura në Hungari, ka botuar librin me poezi të poetit kosovar Lulzim Tafa me titull “Szokatlan ima” (“Lutje e pazakontë”), përcjellë KultPlus.
Redaktori i këtij libri, shkrimtari i shquar hungarez, Atila
Balazs, në parathënien e librit thotë se Tafa është një poet i njohur nga
Kosova, poezia e të cilit lexohet kudo në botë.
“Me librin “Lutje e pazakontë” lexuesit në Hungari i prezantojmë
po ashtu një poet të pazakontë, i cili tanimë është një emër i njohur i poezisë
jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë. Tafa është njëri ndër përfaqësuesit
kryesorë të poezisë posmoderne sot, një poet i veçantë dhe që shkruan bukur.
Sapo lexon vetëm disa vargje, has në një botë të panjohur dhe e gjen veten në
një univers jashtëzakonisht të bukur. Pas leximit ju do të jeni më të pasur dhe
me një përvojë të paharrueshme.”, ka shkruar Balazs.
Libri përmban rreth 70 poezi dhe ndahet në katër cikle.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët tanë më të njohur dhe më të përkthyer, poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare në fushën e letërsisë. / KultPlus.com
Në kuadër të promovimit kulturor të Shqipërisë, Ambasada shqiptare në Hungari ka zhvilluar disa takime me stilisten Edlira Sulaj, në te cilat është diskutuar për planifikimin e tre aktiviteteve në të ardhmen, shkruan KultPlus.
Me presidenten e shoqatës hungareze Lidhja Kombëtare e Modës, Gabriella Walek, është diskutuar mbi një prezantim në prill të këtij viti nga ana e stilistes Sulaj të veshjeve tradicionale shqiptare dhe teknikave të përdorura për realizimin e tyre.
Ndërsa në prill të vitit tjetër stilistk Sulaj planifikon të marrë pjesë në sfilatën e Javës Globale të Modës së Qendrueshme, e cila zhvillohet çdo vit në Budapest. Ky takim u pasua nga një vizitë në Muzeun Etnografik në Budapest, ku grupi i shqiptarëve u njoh me veshjet e rajoneve të ndryshme të Hungarisë. Më tej, ky grup është takuar me Zoltan Korsos, Drejtor i Përgjithshëm i Muzeut të Historisë së Natyrës, ku më 23 qershor planifikohet ta hapin një ekspozitë me veshje popullore shqiptare. /KultPlus.com