Bujar Hudhri zbulon detaje nga raportet me Kadarenë: Kur i dhashë honorarin e parë u emocionua

Botuesi Bujar Hudhri, duke folur në emisionin “Open” në News24, për raportet dhe bashkëpunimet që ka pasur me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, ka zbuluar edhe një detaj të pathënë më parë.

“Kur Kadare më ka dhënë librin e parë, unë i kam dhënë një honorar. U emocionua shumë, ishte një shumë e konsiderueshme. Fytyra e Kadaresë mori një ngjyrë të purpurt, kështu i bëhej kur emocionohej shumë. Më pas më foli për shpenzimet që i ishin shtuar etj etj”, rrëfeu Hudhri.

Ai tha se për të demonstruar se kush është njeriu Ismail Kadare kam arritur që për 15 vitesh ta ulja në një kafene (lokal) ku ai takohej me njerëz pafund, bënte fotografi, dhe mendoj se këto ishin ndoshta momentet më të bukura për jetën e Kadaresë në Tiranë.

Duke folur për momentet më të vështira në marrëdhënien 30-vjeçare me Kadarenë, Hudhri tha se “para dy-tre vjetësh, kishte botuar një shkrim për 25 vjetorin e marrëdhënieve me shkrimtarin e madh, dhe isha në siklet. Titulli i shkrimit ishte “Terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”. Ua sa titull i bukur qenka, më tha Kadare, dhe e lexoi të gjithë shkrimin”.

Hudhri tha se me Kadarenë kishte debate, përplasje, por që ndjehej rehat në atë gjallërinë e tij. Ai e konsideroi Kadarenë një gjeni, por gjithmonë pyeste “e, si tu duk. Ndoshta edhe për të provuar se si do të ishte reagimi”.

“Kadare punonte 90 minuta në ditë, aq ka punuar gjithë jetën”, tha Hudhri./ balkanweb/ KultPlus.com

Bujar Hudhri: Biseda e parë me Kadarenë më impresionoi, ishte konservator

Botuesi Bujar Hudhri nga shtëpia botuese “Onufri” në rubrikën “Opinion” në News24, duke folur për figurën e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, tha se ka pasur një bashkëpunim 30-vjeçar me shkrimtarin, që përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh, një marrëdhënie specifike.

Hudhri u shpreh se gjatë bisedave me Kadarenë ai ka thënë që shtëpia botuese është shtëpia e dytë për një shkrimtar.

“Kur jam takuar për herë të parë me Kadarenë ishte dhjetor 1995. Të gjithë mendojnë se Kadare ishte i vështirë, fliste pak, por thonte atë që duhej, nuk ishte i hapur, pra nuk kishte një shoqëri të gjerë. Kam folur në telefon me Kadarenë, përpara se të njihesha, isha i impresionuar nga kjo bisedë. Kadare me njerëzit që nuk kishte afërsi fliste me “Ju”.

Në vitet e para, Kadare vinte në Shqipëri në pranverë dhe vjeshtë, pastaj shtoi ardhjet dhe ditët e qëndrimit në Shqipëri, pastaj kur ndërtoi rezidencët e tij, krijoi ato kushtet e mira për veprat e tij. Pastaj erdhi një kohë që Kadare hoqi dorë nga Parisi dhe takimet ishin pothuajse të përditshme”, rrëfeu Hudhri, detaje nga koha e njohjes dhe takimeve me shkrimtarin.

Ai tha se Kadare ishte konservator, i ruante gjërat, nuk i ndryshonte, ruante miqtë, dhe kjo tregonte seriozitet, tregonte me bashkëpunimi me të ishte frytëdhënës.

Hudhri u shpreh se njohjen ndërkombëtare Kadaresë ia dha “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” që është romani më i famshëm, më i njohur, që e ndërkombëtarizoi shkrimtarin. Sipas tij, ky roman nuk ishte më i miri, por ai e ndërkombëtarizoi, u botua në Paris.

Hudhri tha se ende nuk i besohet që Kadare është ndarë nga jeta, aq më tepër nga një arrest kardiak. “Nuk ka pasur probleme nga zemra, dhe as që mund të mendohej se do të ishte një fund kaq i shpejtë. Ditën e premte ishim në një takim, u bë një tavolinë shumë e këndshme, gazmore, dhe bëra foto. Kisha parandjenjën që do ishin fotot e fundit të tij, nuk e di pse e kisha këtë ndjenjë”, tha Hudhri.

Ai u shpreh se është njoftuar nga familjarët e Kadaresë mëngjesin e së hënës. “Shkova në banesën e tij, e gjeta në atë hollin e madh të banesës së tij. Erdhi urgjenca i bëri ato ndërhyrjet mjekësore për rikthimin në jetë, pastaj u bë transporti në spital. Kadare ishte shumë supersticioz, nuk tregonte asnjëherë përpara një vepër”, rrëfeu Hudhri./ balkanweb/ KultPlus.com

Bujar Shabani, mjeku i parë shqiptar pjesë e ‘Lojërave Olimpike 2024’ (VIDEO)

Ortopedi Bujar Shabani i cili punon edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i ka kaluar të gjitha fazat testuese me sukses, kështu duke u bërë mjeku i parë shqiptar i cili do t’i trajtojë sportistët elitarë pjesëmarrës në “Lojërat Olimpike 2024”.

Mirëpo, paraprakisht specialisti i ortopedisë  kishte drojën e penalizmit si shkak i një procesi politik, pas aplikimit ai ishte njoftuar se mjekët që punojnë në vendet e Bashkimit Evropian kanë përparësi, njofton Klan Kosova.

Megjithëkëtë fati ishte në anën e mjekut kosovar dhe kjo u tejkalua, siç thotë ai falë edukimit të mirë në disa vende jashtë Kosovës.

Vitin e ardhshëm në spitalin olimpik për 3 javë sa do të zgjasin garat në Paris, ortopedi Shabani do t’i trajtoj atletët e të gjithë sporteve./KlanKosova/KultPlus.com

Përafrimet e poezisë së Leopardit dhe Serembes

Shkruan: Bujar Meholli

Letërsia komparative është në thelb krahasim metodik dhe diferencial i fenomeneve letrare, interkulturore ose ndërgjuhësore, që me ndihmën e historisë, filozofisë dhe kritikës, orvatet ta njohë më mirë letërsinë si funksion specifik të frymës njerëzore.

Në këtë shkrim, objekt do të jetë poeti arbëresh Zef Serembe (1844-1901), te i cili do të përpiqemi t’i hetojmë shëmbëllesat apo pikëtakimet me poetin italian Leopardin. Serembe është poet me prirje të jashtëzakonshme për sonetin, të cilin e krijon me shumë sens, çka e bën të jetë një nga shenjat identifikuese të artit të tij poetik.

Formimi i tij intelektual i krijuar në tokën italiane, është pa dyshim fakt që Serembja iu përkushtua sonetit, i cili lindi dhe u zhvillua në Itali, duke u bërë formë e njohur në mbarë botën. Dante Aligieri e Françesko Petrarka, janë dy figurat kryesore që e konsoliduan formën e tij. Zef Serembe krijon vëllim poetik me sonete të cilat i shkruan në italisht, por pa ndjekur modelet e poetëve të lartpërmendur.  

Sonetet e Serembes janë shpërthime spontane që evidentojnë përjetime konkrete, si në poezinë “Fytyra e saj”:

Si vajza ime e bukur s’ka asnjë:

e prerë, e holl’ si kumbull, drejt më rri:

kur ecën, shkon si zogë e mbase më

zërin e saj e ngre plot harmoni.

I ndan flokët në mes dhe rrethas vë

gërshetin që i shkëlqen krejt në të zi,

i feks balli që rreze drite zë

si gryka e detit n’agim’n e ri.[1]

Pra, kemi të bëjmë me adresim, që vazhdon tutje me konkretizim poetik duke skicuar portretin e vajzës dhe duke na përshkruar bukurinë fizike të saj – sonetet e Serembes janë krijime autentike, formë e cila i formëson ndjenjat dhe idetë e tij poetike.

Leopardi dhe Serembe

Poeti italian Xhakomo Leopardi (1798-1837) i njohur për pesimizmin me të cilin karakterizohet, përafrohet më së shumti me poetin arbëresh.

Konteksti i romantizmit i afron poezitë e tyre, por Serembe është i ndikuar edhe nga pesimizmi kozmik i italianit. Te të dy poetët, haset bota e parë nëpërmes gjuhës së zemrës, pastaj qëndrimi ndaj natyrës, e po ashtu vend të veçantë në krijimtarinë e tyre ka personalizimi i temave dhe botëkuptimeve. Tërë jeta e italianit ishte radhë dëshpërimesh intime, dashurish të papranueshme e ideale të parealizuara, në konflikt me vërtetësinë e zymtë të Italisë së asaj kohe. Serembja është konsideruar romantik atipik në kuadër të romantizmit shqiptar. Nga kritikët letrarë është quajtur poet i cili vetëm jep, pa marrë asgjë në shkëmbim. Pra, poet që nuk posedon asgjë. Gjithë krijimtarinë e tij poetike, pohohet, është tërësisht autobiografike, që e dallon nga Dante apo Petrarka.  

Te krijimtaria poetike e Lepoardit, siç ka vërejtur kritiku italian Benedeto Kroçe, dominon koncepti i dashurisë dhe vdekjes. Këto dy koncepte i hasim dendur në poezitë e tij, tek të cilat ai nuk ka kurrfarë shpjegimi, e as përçon ndonjë ton filozofik a didaktik, vetëm paraqet të vërtetat jetësore, duke i përcjellë me pesimizmin e famshëm si te poezia “Vetvetes”.  

Tash do të pushosh përgjithmonë,

e lodhura zemra ime. U tret i fundmi iluzion,

që t’përjetshëm e kujtova. U tret. Dhe e ndjej vërtet,

se tek unë iluzioneve të dashura,

u është shuar shpresa, po dhe dëshira për jetë.

Resht përgjithmonë. Asgjë s’ia vlen të krahasohet

me rrahjet tua, as për psherëtimën tënde

toka s’është e denjë. E hidhur e gjithë mërzi

është jeta, e asgjë tjetër; e një llum e tërë bota.

Ti qetësohu tashmë. I fundmi le të qëndrojë

ky pikëllim. Racës njerëzore fati i dhuron

veç vdekjen. Ndaj tash veten përçmoje,

natyrën, të shëmtuarën fuqi, që, mistershëm,

të keqen bën të mbretërojë,

bashkë me gjithë të pafundmen kotësi.[2]

Leopardi, përveçse shpreh zhgënjim e mosngushëllim, pajtohet me rrënimin: Dhuratë e vetme që fati na e ndau, është vdekja…

Nga ana tjetër, Serembe si poet tipik është kudo i njohur për zymtësinë e tij, të cilën mjeshtërisht e shkrinë në vargje, por nuk e arrin dot metafizikën e Leopardit.

Poezia e Serembes akuzon, por është edhe shpresuese, (karakteristikë e poetëve romantikë) derisa për Leopardin, nuk ka kthesë as shpëtim, as protestë, vetëm tundimi i vdekjes është gjithherë i pranishëm dhe e mundon atë, madje ai është i pasionuar pas vdekjes, të cilën e thërret me dëshirë.

Filozofia e Leopardit është vuajtje e padurueshme ekzistenciale, ndërsa kënaqësia jetëshkurtër. Njohja e arsyes dhe jetës janë boshti kryesor leopardian, që mund të lidhet me fatkeqësinë e tij personale, përtej kësaj edhe me rrethanat e kohës, kur Leopardi u zhgënjye me ngjarjet aktuale; nga kriza e Evropës me Revolucionin frëng, u zhgënjye po ashtu nga analfabetizmi i bashkëkombësve të tij, që ishte në nivel të lartë atë kohë. Pasi dëmtoi sytë në rini duke lexuar klasikët grekë, latinë e romakë, atij iu ndez zjarri i një jete heroike, rrethuar me ëndrra e dashuri ndaj atdheut, lirisë, por u tronditë nga ngjarjet e asaj kohe të epokës napoleoniane, me plot kontradikta. Poezia e Leopardit shpreh qëllim filozofik origjinal që është i determinuar nga pesimizmi kozmik; poeti dhe filozofia gërshetohen e njësohen. Filozofi Zhan-Zhak Ruso (1712-1778) ka qenë ndikues te djaloshi Xhakomo, i cili u nis nga botëkuptimet e Rusosë mbi pastërtinë e natyrës ndaj arsyes, por më pas mori hov qëndrimi i tij pesimist dhe sensibiliteti romantik. I formuar nga filozofia frënge e shek. XVIII, ai bëhet kundërshtar i arsyes “së ftohtë”; përmes pesimizmit jep notë të humanitetit mbi solidaritetin ndërmjet njerëzve që janë në dhimbje, si ai vet.

Me tronditje shoqërore e kombëtare, kemi të bëjmë edhe në poezinë e Serembes, i cili me romantizmin e tij, që ishte reagim imagjinativo-emocional iu kundërvu rrethanave konkrete, u përpoq për ndjeshmërinë e pastër, derisa qëllim të poezisë e bëri shqetësimin dhe tundimin personal. Në krijimet e tij zë vend melankolia dhe pikëllimi, si shenjëzime shpirtërore. Pra, krijimtaria është identifikuar në masë të madhe me jetën e tij, por edhe me ngjarjet e kohës në të cilën ai veproi. Sikur Leopardi, edhe Serembe brohoriti me entuziazëm për luftërat çlirimtare.  Poezia e tij, bëhet poezi e së ardhmes njëkohësisht e vetmisë; me këto tipare, ajo paralajmëron një botë të re, më të mirë dhe fisnike. Ajo përfshin motive të ndryshme si: dhimbja, shoqëria, filozofia, erotika e të tjera. Serembe përshkruan mallin, gëzimin e hidhërimin, vdekjen e mërzinë, që të gjitha e përbëjnë jetën e tij.

Elementet kyçe janë: melankolia, zymtësia, mjegulla, e errësira. Jeta dhe fatkeqësitë që i pësoi, shfaqen në poezitë filozofike, ku Serembe përgjithëson fatin e tij dhe vuajtjet që ia solli. Kështu futet në misticizëm, duke pasqyruar dramën që e përjetoi, si te poezia me titull “Një ditë është jeta”:

Po vërej si Agimi, ja, nga deti ngjitet,

Dëgjoj si era mbushet me freski:

Shoh si dheu me dritë krejt stoliset,

Jeta me shpresë qesh dhe ëmbëlsi,

E hapet gazi edhe gëzimi rritet,

Largohet mjegulla ngado që rri.

Koha shkoi e mesdita na pllakosi;

Mërzimi nëpër sheshet mbaron,

Do të thotë se koha e mirë sosi.

Mbrëmja hap dyert e natës e nxin,

Gjumi gjinden e zë dhe s’e lëshon,

Njerinë fati ashtu në varr përpinë[3],

ku paraqitet fati tragjik, i ngjizur me fatin e njerëzve tjerë nëpër botë. Serembe shquhet për zymtësinë që përcjellë, si në rastin e poezisë “Vashës së largët”, ku në njëfarë mënyre pajtohet me fatin e trishtë dhe mungesën e asaj që e dëshiron.  

Fati është mjaft i fortë,

jep lëngime e jep mort,

posi hënës, posi djellit,

që kërkohen kot qjellit,

se i shkreti fat zbon

edhe kurrë s’i bashkon.

E kur fatin tim kujtoj

derdh un’ lot e psherëtoj.[4]

Filozofia e ndryshueshmërisë dhe pafundësisë, veç tjerash ishin karakteristika të romantikëve. Te poetët romantikë ku bëjnë pjesë Leopardi dhe Serembe, mbizotëron theksimi i sensibilitetit, relacioni me natyrën, si dhe dhimbja e shekullit.  

Në poemthin “Elegji”, Serembe përshkruan ëndrrat dhe iluzionet; ai dëshiron “të ngjitet lart, i rrëmbyer nga dashuria e qiejve, ku do të harronte gjithçka: dheun, tokën, e të ligat e botës.” Por këto ëndrra me perceptime romantike, përnjëherë rrënohen, zhbëhen. Vetmia është ajo që mbizotëron. Poeti arbëresh, për nga përvojat personale dhe fati i keq mund të krahasohet edhe me poetin gjerman Nikolaus Lenau (1802-1850), i cili po ashtu i takon romantizmit dhe është poet pesimist. Lenau, krijoi në kohë të trazuar nga ngjarjet socio-politike, derisa shkroi poezi i frymëzuar nga pasioni dhe dashuria e madhe dhe e pashpresë për Sophie von Lowenthal, gruan e mikut të tij. (Që na kujton dashurinë e pashpresë të djaloshit Verter) Më vonë te Lenau, u vërejtën shenja të sëmundjes mendore njëjtë si te Serembe.  

Përafrim mes Leopardit dhe Serembes është edhe vdekja. I pari e kërkon atë, ndërsa i dyti është i mllefosur me jetën, dhe dëshiron ta hedh. Pra, te të dy poetët jeta personale bëhet e rëndësishme në krijimtarinë e tyre. Përveçse shpirtërisht, ata janë të lënduar edhe fizikisht sepse Leopardi humb sytë si i ri, kur lexon pandërprerë dhe përcillet nga deformimet trupore, ndërsa Serembe pas problemeve të vazhdueshme që pati me vesh, më në fund humb të dëgjuarit dhe këto përvoja të hidhura jehojnë në vargje, përmes zërit të vetëm të tyre – poezisë. /KultPlus.com


[1] Zef Serembe, V1, Vjersha, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 155

[2] Giacomo Leopardi, Antologji e prozës dhe e poezisë, Plejad, 2001, (Përktheu Dritan Thomollari) f.119-120

[3] Zef Serembe, V1, Vjersha, Rilindja, Prishtinë, 1985, f.235

[4] Po aty, f. 87

Rajner Maria Rilke – Këngë Dashurie

Përkthyer nga Petraq Kolevica

Përzgjedhur nga Bujar Meholli

Si mund ta mbaj, pra, shpirtin tim

që mos e prekë tëndin? Vallë si

ta ngre mbi ty të gjej gjë më të mirë?

Ah, do ta fshija shpirtin pa ngurrim

Pranë diçkaje të humbur në errësirë,

a në vend të huaj në qetësi,

që të mos dridhet, kur ti dridhesh në thellësirë.

Porse gjithçka që ne na prek, mua dhe ty,

si ndonjë hark lodron me ne të dy

dhe nga dy tela nxjerr një zë ai.

Në ç’instrument jemi tendosur ne?

Ç’artist na mban në dorë dhe i bje?

O këngë e ëmbël, ti. / KultPlus.com