Stacionet e trenit në Kosovë në fokusin e fotografit Bujar Gashi (FOTO)

Nga Prishtina në Pejë ka 20 stacione treni. Fotografi kosovar Bujar Gashi ka marrë iniciativë t’i fokusojë këto stacione e t’i sjell për publikun, shkruan KultPlus.

Sipas Gashit, disa nga këto stacione nuk janë në gjendje të mirë dhe po shkojnë drejt shkatërrimit.

Gashi i ka sjell për publikun vetëm disa nga këto stacione që sipas tij janë më të bukurit.

“Disa prej tyre janë shumë simpatik, ndërsa shumica janë në gjendje jo të mire. Në vazhdim do ti postoj disa nga më të bukurit dhe disa nga më interesantet.

Më pëlqen shumë ai i fshatit Bardh, më duket në gjendje shumë të mirë, nuk ndaluam ta shikojmë nga brenda, por kam përshtypjen se edhe brenda është i bukur!”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Osman Sefa, Ibrahim Sefa, Hashim Shala dhe Zejnullah Bajrami në fokusin e Bujar Gashit

Fotografi Bujar Gashi duke pasur në zemër fotografinë dhe duke qenë anëtar i familjes së bijve të Sefës kishte dëshirë që secilit këngëtar të muzikës folklorike fotografike ti realizonte një portret.

Dëshira e tij ka bërë që shumë këngëtarë të pozojnë para tij, ndihmuar edhe nga Ministria e Kulturës.

Bujar Gashi i vendosur për të realizuar dëshirën e tij dhe me ndihmën e babait të tij Imer Sefës dhe xhaxhait Ibrahim Sefës ka përpiluar një listë në kërkim të personazheve që do i fotografonte e që prapa kishin një bagazh të pasur muzikor.

Disa prej fotografive janë realizuar në Prishtinë ndërsa disa të tjera nëpër oda e hapësira të improvizuara në vendet ku jetonin këta këngëtar.

Bujar Gashi ka treguar për KultPlus se ai deri tani ka fotografuar 27 këngëtarë të folklorit duke përfshirë kështu pothuajse gjithë territoret e Kosovës.

“Sa nga ta kemi sot, sa prej tyre u dëgjohet akoma zëri, e sa nga ta s’do i shohim më kurrë? Çfarë ndjej unë kur ne humbim njerëz të tillë, kur shoh fotografitë që dikur janë bërë nga unë? Çfarë ndjej unë kur ne humbim njerëz të tillë, kur shoh fotografitë që u kam bërë, kur shoh që ne varrimin e tyre përdoret fotografia që dikur ju bëra unë? Padyshim që ndihem keq dhe momentet që kalova me ta do me mbesin çdo herë pjesë e kujtimeve të mia me të mira”, është shprehur ai për KultPlus.

Më poshtë mund të gjeni disa fotografi të realizuara nga Bujar Gashi ku mund të shihni këngëtarët e folklorit: Osman Sefa, Ibrahim Sefa, Hashim Shala dhe Zejnullah Bajrami ./ KultPlus.com

Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”, unifikoi veçantitë artistike të katër fotografëve shqiptarë

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.

Gili Hoxhaj

Bukuritë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ishin bashkuar në një hapësirë te vetme, në ekspozitën humanitare “Explore Kosovo”, që u hap sonte në Prishtinë, shkruan KultPlus. Kjo ekspozitë theksonte veçantitë artistike të katër fotografëve të shquar shqiptarë, të cilët kishin bashkuar punën e tyre me qëllim humanitar e artistik. Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami sollën fotografitë të cilat ngërthenin peizazhe, bukuria e të cilëve ishte theksuar me mjeshtëri të rrallë përmes aparatit të këtyre katër artistëve.

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite. Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” , ka qenë ide të cilën fotografi Bujar Gashie kishte bartur për shumë kohë me vete, ndërsa për ta sjellë edhe më të fuqishme këtë ekspozitë, ai kishte ftuar edhe tre kolegë të tjerë që t’i bashkohen me punimet e tyre artistike.

“Ka qenë një ide të cilën e kam pasur shumë më herët, por nuk kam dashur që ta sjellë i vetëm, kam dashur që në këtë ekspozitë t’i mbledh disa fotografë të cilët i japin forcë dhe ngjyrë ekspozitës dhe nuk besoj se këtë mund ta bënte dikush më mirë se Fahredin Spahija, Arben Islami Bujar Gashi dhe Arben Llapashtica. Kam gjetur përkrahje tek ta dhe tek vendi “Princi i Arbërit”, të cilët më kanë financuar në organizimin e ngjarjes në këtë hapësirë”, tha fotografi Gashi për KultPlus.

Vizitorët drejtonin sytë tek fotografitë, duke u takuar me veçantitë artistike të fotografëve, mirëpo pa u ndeshur me emrat e tyre. Vetëm ata që kishin shijuar edhe më parë punën e tyre, arrinin të identifikonin pronësinë e fotografisë. Kjo ekspozitë e cila ngërthente në vete gjashtëmbëdhjetë punime, numëronte katër punime nga secili autor. Ato nuk përmbanin një renditje strikte, që bënin publikun të kaloj nga një stinë në tjetrën, duke udhëtuar vizualisht në disa nga vendet më të bukura të Kosovës.
“Me këtë bashkëpunim, jemi si një trup i vetëm, si një fotograf që paraqet vlera. Pra, të mos ketë ndarje brenda ekspozitës, por që vizitorët vet t’i gjykojnë punimet”, shpjegoi Bujar Gashi për KultPlus.

Fotografi Fahredin Spahija tregoi për KultPlus se për ekspozimin e punës së tij në këtë ekspozitë fillimisht është tërhequr nga motivi humanitar dhe artistik, ndërsa në këtë ekspozitë ai shfaq edhe një lidhje shpirtërore me vendlindjen e tij.

“Natyrisht se kam përkrahur menjëherë ketë ekspozitë pasi që motivimi humanitar ishte shumë i fuqishëm dhe natyrisht që ne fotografët kemi edhe motivin artistik që ta hapim një ekspozitë më shumë që edhe publiku të vijnë publiku dhe ta shohin punën tonë. Këto dy motive ishin të mjaftueshme për ta ekspozuar punën time në këtë ekspozitë, ani pse unë nuk cilësohem si fotograf i peizazheve por meqë bëj herë pas herë peizazhe të dimrit, unë i hyra arkivit dhe u mundova të gjej katër peizazhe që unë i kam realizuar në Bjeshkët e Bajgores, prej nga unë edhe vij. Në këtë ekspozitë desha të sjellë diçka më personale dhe më intime, sepse janë pjesë që unë i kam vizituar si fëmijë dhe kënaqësitë e para me borë i kam përjetuar pikërisht në atë vend. Shpresoj që ashtu siç jemi bërë ne solidar me dhurimin e këtyre fotografive, të bëhet solidar edhe publiku dhe të blejnë të paktën një fotografi”, tha fotografi Fahredin Spahija.

Fotografi Arben Llapashtica, i cili po ashtu shquhet për stilin e tij të veçantë të fotografive tregoi për KultPlus se nuk do t’i reshtin përpjekjet që edhe më tutje të kontribuojnë në qëllime humanitare dhe në provimin e bukurisë së Kosovës.

“Për mua është hera e parë që marr pjesë në një ekspozitë të tillë dhe njëkohësisht është edhe kënaqësi shumë e madhe që t’i dhuroj fotografitë e mija për qëllime humanitare. Falënderoj Bujarin dhe kolegët e tjerë fotografë me të cilët sollëm një ekspozitë të përbashkët sonte, ndërsa do të mundohemi që edhe më tutje përmes punimeve tonë t’i shërbejmë po këtij qëllimi. Kështu me anë të punimeve tona të kontribuojmë në qëllime humanitare dhe njëkohësish t’i promovojnë edhe pjesët e bukura të Kosovës dhe ta sjellim sa më afër publikut edhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore”, tha fotografi Llapashtica.
Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”është një ekspozitë një ditore e cila qëndroi për tri orë e hapur në hotelin “Princi i Arbërit” në Prishtinë/ KultPlus.com