Filmi ‘Shpia e Agës’ nga regjisorja Lendita Zeqiraj, ka arritur të nominohet edhe për tre çmime tjera në Festivalin Internacional të Filmit në Spanjë.
Regjisorja e filmit Lendita Zeqiri është e nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, ndërkaq Rozafa Çelaj është nominuar në kategorinë për aktoren më të mirë, kurse në anën tjetër filmi është i nominuar për muzikën më të mirë, njofton KultPlus.
Producenti i filmit, Bujar Kabashi, për KultPlus është shprehur i kënaqur me nominimet, pasiqë konsideron se secili nomimin dhe shpërblim është një lloj kompensimi për gjithë ekipin, sidomos në një kohë të cilën ai e konsideron të jetë një kohë ku qartazi vërehet neglizhenca që intitucionet kanë në raport me artin, artistët e kulturën në përgjithësi.
‘Kjo tregon që kemi autorë, regjisorë e aktorë që janë të talentuar, e që çmohen shumë në botë. Me një përkrahje më të madhe nga institucionet, besoj që kishim arritë edhe më shumë’, vazhdon tutje Kabashi për KultPlus.
‘Në Evropë jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin e tragjedisë së luftrave në Ballkan.. ‘Shpia e Agës’ bën një pasqyrim të mrekullueshëm mbi pasojat “kolaterale” të luftës përmes një përralle me një thellësi tejet emocionale’, janë këto fjalët e Qazi Abdur Rahim, drejtori artistik i festivalit.
Vlen të ceket se ‘Shpia e Agës’, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.
‘Shpia e Agës’ flet për pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja. Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.
Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com