Albin Kurti në KultPlus: Duhet ta zvogëlojmë Ministrinë e Kulturës e ta rrisim kulturën

Bujar Meholli

Fotografitë nga Nok Selmani

Diskutimet janë gjithmonë të dobishme për një shoqëri, aq më tepër kur ato bëhen për kulturën, fushën që e përmbush shoqërinë.

Dhe duke parë nevojën e madhe për të pasur debate të tilla me theks të veçantë tek zhvillimet kulturore, KultPlusi, mediumi që i kushtohet tërësisht kulturës dhe zhvillimeve të saj ka nisur kampanjën e diskutimeve me figurat e rëndësishme të shoqërisë kosovare, në të cilat shprehen kërkesat, idetë e ndryshme drejt progresit kulturor.

Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery që tashmë është shndërruar në një fole të artistëve shqiptarë, u mbajt bashkëbisedimi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe bashkëpuntorët e tij Yll Rugovën dhe Saranda Bogujevcin.

Albin Kurti si një nga figurat më të rëndësishme të politikës kosovare, diskutoi me publikun që në masën më të madhe përbëhej nga njerëz të sferës së artit, për problematikat në këtë fushë aq të rëndësishme për shtetin, ku ndër të tjera u përfol reduktimi i ministrive që është supozuar se mund ta prek Ministrinë e Kulturës, e cila veç tjerash është thënë se mund t’i shkojë komuniteteve pakicë në Kosovë, madje edhe të largohet fare nga plani qeverisës.

Në kuadër të këtij debati, veç problemve dhe aspiratave, u diskutuan për preokupimet e komunitetit artistik.

Bashkëbisedimi u zhvillua mbi kulturën specifikisht si dhe trajtimin që kësaj të fundit ia ka bërë e do t’ia bëjë në të ardhmen spektri politik. Fokusi ishte tek programet konkrete të subjekteve politike kosovare si dhe serioziteti i tyre me komunitetin artistik.

Redaktori i KultPlusit Arbër Selmani në fillim të kësaj ngjarjeje e vëri theksin fillimisht tek formimi intelektual i Kurtit dhe lidhja me kulturën gjatë rrugëtimit të tij, qysh si prijës i protestave e deri tek shndërrimi i tij në figurë kyçe të sferës politike kosovare.

“Jam i nderuar dhe gëzuar që ndodhem në mesin tuaj sonte, dhe që do të bashkëbisedojmë hapur për këtë temë kaq të rëndësishme e cila është brenda jetës së secilit prej nesh dhe brenda jetës dhe formimit tim”, e nisi Kurti diskutimin, duke vazhduar:

“Një autor thotë se është një dallim interesant midis shkencës dhe artit, dhe secili i tyre është i diskutueshëm. Shkenca është konkluzion nëpërmes premisave, ndërkaq arti është konkluzion pa premisa”.

“Në formimin tim jetësor, unë jam marrë shumë me shkençë në fillimin e mesëm dhe universitar, por sa më afër politikës aq më afër artit dhe kulturës, një lloj kalimi prej konkluzioneve nëpërmjet premisave që është më afër logjikës, te konkluzionet pa premisa që është më afër estetikës dhe ky është një ndër dimensionet më të rëndësishëm të rrugëtimit tim jetësor dhe profesional”, ka potencuar Kurti.

Tutje ai tha se arti është realitet dhe se të gjithë do të duhej të kenë qasje në të.

“Arti është realitet, ai do të duhej të ishte i tillë dhe të gjithë të kenë qasje në të, sepse nuk është si shumë fusha të tjera. Kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo si e tillë nuk është koncept i vjetër, është dikund rreth 60-vjeç dhe vjen prej Francës sepse Malrou si themelues ishte historian arti dhe ishte i interesuar që popullata franceze të ketë qasje sa më shumë në art dhe kulturë”.

“Në këtë mënyrë nisin Ministritë e Kulturës nëpër Evropë, diku si departamente, diku si sekretariate, diku si decentralizim brenda një morie ministrish tjera. Ministria, pra, e ka zanafillën tek shërbimi i qytetarëve në kulturë dhe art, pra, është për të gjithë qytetarët për të krijuar një barazi në qasje në mënyrë që prodhimi artisik të mos jetë vetëm për një shtresë shoqërie të privilegjuar”.

Kurti insistoi që shoqëria duhet ta bëjë artin kulturë, sepse ajo duhet të jetë më shumë artistike dhe kronologjike.

“Duhet të jetë detyrë e një shoqërie që sa më shumë artin ta bëjë kulturë, sepse ka edhe kulturë joartistike, por tendencën duhet ta kemi që kultura të jetë sa më artisitke dhe arti të jetë sa më shumë kulturë. Derisa arti është realitet, kultura është vazhdimësi, arti është më parë ngjarje ndërsa kultura më parë është gjendje, pra duhet ta bëjmë ngjarjen të jenë sa më të shumta, dhe në anën tjetër t’i bëjmë gjendjet sa më interesante, ta bëjmë kulturën artistike”.

“Në synimin tonë, ne duam që institucionet ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm sepse besojmë se ato duhet të ekzistojnë. Posaçërisht Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve duhet të kenë financimin e rregullt, sepse pasiguria e artistëve tanë është plot ankth dhe shpesh i shtynë ata jashtë kulturës për të mbijetuar”.

Edhe institucioni i Operas dhe Baletit që tash e sa kohë mungon, Kurti tha se është në prioritetet e tij sepse ai Operan e sheh si popullore, dhe jo si lloj për një shtresë shoqërore të privilegjuar.

“Teatri i Operas dhe Baltetit është e domosdoshme që të ndërtohet sepse kemi ngelur ende pa e themeluar këtë institucion që është elementar. Opera nuk është vetëm për të privilegjuarit, Filharmonia është më tepër e tillë, nuk duhet ta mendojmë që aty duhet të shkojnë vetëm disa njerëz të zgjedhur, të cilët le të themi janë pjesë e shtresës dominuese të shoqërisë.”

“Opera dhe Baleti janë për masa të gjera, pra, janë për popullin, dhe si të tilla nuk do të duhet të shiheshin si lloj i privilegjuar për njerëz të tillë, është tejet e rëndësishme se si do të themelohet ky institucion, sepse skena e pavarur është ajo që ndihmohet dhe institucionet do të duhej të kenë financim të përhershëm nga buxheti i shtetit.”

I pyetur për Ministrinë e Kulturës, Kurti sqaroi se ai nuk e ka menduar asnjëherë shuarjen e saj, përkundrazi sipas tij ajo është menduar të jetë brenda 12 ministrive.

“Jemi dakorduar t’i zvogëlojmë në 12 ministri dhe ministria e Kulturës është njëra prej 12 ministrive, dhe është diskutuar që sporti t’i bashkangjitet shëndetësisë, por nuk jemi dakorduar për këtë, rrjedhimisht nuk e kemi një qëndrim final”.

Për sukseset e artistëve shqiptar nëpër botë Kurti tha se ata duhet të ndihmohen edhe kur vetëm janë talentë premtues. Ai tha se është i gëzuar që filmi shqiptar ka arritur progres dhe sukses edhe në arenën ndërkombëtare.

“Sukseset që kanë treguar filmat tanë në vitet e fundit janë mbresëlënëse, dhe prej asaj çka bën ministria e shtetit, deri te Dokufesti kemi shembuj të mirë që natyrisht do të duhej të kenë mbështetje shtesë, për atë që duket premtuese, e lëre më për atë që tashmë është dëshmuar si e suksseshme”.

Në anën tjetër, Saranda Bogujevci e pyetur nga moderatori Selmani, ndër të tjera foli për ekspozitën e saj, në të cilën shpalosen përjetimet nga lufta e fundit. Ajo ishte kritike ndaj institucioneve të deritashme për mospërkrahje, derisa tha se ekspozita dhe aktivitete të tilla duhet të jenë në plan të institucioneve relevante.

“Arti ka treguar gjithherë që është njëfarë lloj ure që kalon në anën tjetër, ku arrin të tregosh një tregim, si në këtë rast për krimet e luftës. Pjesa tjetër është që është bërë punë për të treguar me çfarë është ballafaquar populli shqiptar në kohë lufte”, tha ajo.

“Kemi shumë gjëra që duhet t’i rregullojmë, si fjala vjen te trashëgimia kulturore, dhe mendoj që ky aspekt lidhet shumë me trashëgimi dhe ruajtjen e saj. Mandej puna dhe investimi për punën në këtë drejtim, është me rëndësi që ta kemi këtë fokus të cilin ne e kemi, pra zhvillimi i diplomacisë, që duhet ta bëjmë kolektivisht”, potencoi Bogujevci.

Yll Rugova nga ana tjetër tregoi për “Manifestan” duke e cilësuar si hap të parë drejt ndërtimit të urave me institucionet tjera botërore, dhe për herë të parë Prishtinën si qendër arti për aq muaj sa do të zgjas ajo.

“Ideja ka qenë që Prishtina të jetë nikoqire, dhe “Manifesta” e vendos fokusin në Kosovë, ku do të nxis edhe ndjekjen e artit si profesion sepse fatkeqësisht njerëzit e shohin artin si një fushë për lëmoshë, e madje edhe institucionet e trajtojnë si të tillë. Besoj se ky institucion do të bëjë një ndryshim në këtë drejtim”, u shpreh Rugova.

“Manifesta, besoj që do të jap rolin e vet sepse do të sjellë rreth 200, 000 vizitorë në Kosovë, ndërsa sipas një kalkulimi rreth 20 milionë euro do të jetë përfitimi i shtetit tonë nga ky organizim”.

Rugova bëri thirrje që kultura të shihet si gjenerator që jo vetëm nxit por ka edhe vetqëndrueshmëri.

Nga pyetjet e publikut drejt Kurtit, ishte edhe artisti Kushtrim Koliqi i cili shprehi shqetësimin e tij për zhvillimin e audiencës, ai tha se do të duhej të ishte një trajtim më serioz nga shteti sepse momentalisht audienca është spontane dhe jo e zhvilluar aq sa do të duhej sepse mungon një strategji e tillë nga ana e shtetit.

Në fund të bashkëbisedimit, Kurti u ndal te edukimi i njerëzve përgjithësisht, të cilëve u bëri thirrje të inkuadrohen në jetën kulturore, rrjedhimisht t’i shfrytëzojnë vitet e tyre për t’i shijuar veprat e arrira artistikisht.

“Kemi institucione të cilat janë në mungesë të kushteve dhe në fund kultura nuk afirmohet mjaftueshëm sepse mungon shikuesi. Një numër i madh i njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se çka humbin kur një shfaqje, nuk shohin një film apo kur nuk lexojnë një libër. Kjo është çështje e edukimit. Pra, do ta fusim arsimin brenda kulturës në mënyrë që të arsimojmë sa më shumë për kulturë, sepse fatkeqësisht një numri njerëzish po ju ikin vitet pa i shijuar veprat e mira artistike” përfundoi Kurti.

Përfundimet e debateve të KultPlusit si zakonisht përmbyllen me koktej, sikurse edhe në këtë mbrëmje, ku Kurti dhe panelistët tjerë u takuan me audiencën për një dolli çasti dhe për përjetësim të kësaj ngjarjeje përmes fotografisë.

KultPlusi do të vazhdojë me debate tjera mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.

(Ngjarja u mbështet nga Fluidi, Birra Beg dhe Uji Dea) / KultPlus.com

“Nganjëherë në jetë kemi dhimbje, por gjithmonë ka një të nesërme”

Nga: Bill Withers
Shqipëroi: Bujar Meholli

Të gjithë kemi dhimbje dhe pikëllim,
por duhet ta dimë se gjithmonë
një e nesërme ekziston.

Andaj mbështetu te unë
kur e ndjen se forcat po të lënë,
unë do të jem miku yt
dhe do të të ndihmoj
tutje të vazhdosh…

Mos mbaj inat
largoje krenarinë
nëse mund të të ofroj
diçka që do t’i plotësonte
nevojat tua
do të ta ofroj.

Më telefono, vëlla, kurdo që të nevojitem
ne të gjithë ndjejmë nevojë
për ta pasur dikë pranë
te i cili mund të mbështetemi.

Kur e ndjen që nuk je i fortë
unë jam këtu për ty
do të ndihmoj të ecësh tutje
ne do të ecim tok
andaj thjesht më telefono,

këtu do të jem
për ty
më telefono
më telefono… /KultPlus.com

Sartri: Ferri i vërtetë është te tjetri

Shkruan: Bujar Meholli

Në dramën ‘Me dyer të mbyllura’ do të përpiqem të analizojë dramatikën si kategori zhanrore që shpreh determinimin politik-kulturor në raport me shoqërinë, familjen, grupin dhe individin. Garseni, Inesi e Estela janë tri karaktere që takohen në ferr pasi janë sjellur nga një shërbëtor misterioz dhe janë vendosur në një dhomë të modeluar sipas stilit francez të kohës, që në fakt del të jetë ferri social, në të cilin këto tri karaktere përpëliten gjatë gjithë kohës duke pritur lloj-lloj torturash e ndëshkimesh të përjetshme, pasi kishin kryer krime nga më të ndryshmet.

Garseni këmbëngul në pafajësinë e tij, thotë se qe ekzekutuar për shkak se ishte pacifist, kurse Estela që në dramë shfaqet si karakter tekanjoz gjithashtu mohon kategorikisht të ketë kryer ndonjë faj për sjelljen e saj në atë ambient i cili është përshkrim i jetës së përtejme. Ajo mendon të jetë bërë ndonjë gabim gjatë procesit të dënimit me vdekje. Ndërsa Inesi, karakteri i së cilës dallon nga dy të parët, u kërkon që t’i ndalin gënjeshtrat dhe të pranojnë dënimin tashmë të caktuar për krimet e bëra. Situatat që pasojnë janë çdoherë më të vështira për karakteret që dalin me probleme psikike, të ndodhur në ferrin, të cilit përpiqen t’i ikin vazhdimisht por nuk ia arrijnë.

Refuzimi i Inesit për të besuar se ata të dy kanë përfunduar aty rastësisht vazhdon, teksa pas përpëlitjeve që bëjnë me doemos duhet t’i binden fatit të përcaktuar duke e pranuar si të tillë. Dialogët që kanë me njëri-tjetrin janë ku më të vrazhdë ku më të lehtë, herë-herë mbesin pa forcë për të komunikuar të zhytur në mjerim të thellë. Megjithatë, pas një diskutimi pranojnë krimet e tyre; Garseni kishte keqtrajtuar gruan e tij, Inesi kishte joshur gruan e kushëririt të saj, derisa Estela pas një lidhjeje kish mbytur fëmijën duke e shtyrë babain e fëmijës të kryejë vetëvrasje. Estela, një grua me sharm nga shoqëria e lartë, interesohet për pamjen e saj, gjersa Inesi don ta joshë atë duke i ofruar ‘pasqyrë’ por nuk ia arrin qëllimit. Garseni që qëndron indiferent ndaj grave, rrjedhimisht nuk tërhiqet nga asnjëra prej tyre por iu sugjeron ta lënë njëri-tjetrin të qetë në heshtje.

Karakteri i Inesit është shumë interesant në dramë. Ajo ka fuqi mendimi dhe është e zonja të manipulojë me mendimet e Estelës dhe Garsenit gjatë gjithë kohës. Inesi shfaqet si një lezbike që kish dalë kundër bashkëshortit të saj dhe më vonë qe bërë vrasëse, por që në dramë del njëfarë ‘kriminelje e ndershme’ pasi ajo sinqerisht ia pranon vetes se është person mizor. Joshja që Estela i bën Garsenit e shtyen Inesin në çmenduri, gjegjësisht në kulminacionin e dramaticitetit. Me t’u hapur dera në mënyrë të pashpjegueshme, asnjëri prej karaktereve nuk është në gjendje të ikë nga aty. Garseni dëshiron të fitojë besimin e Inesit, e cila e quan paraprakisht frikacak dhe të mjerë, derisa ai arrin përfundimin se në vend të ndëshkimeve apo torturave, ‘ferri i vërtetë është tek tjetri’. Inesi ka nën vëzhgim, çdo lëvizje të tyre derisa Estela, e zemruar, mundohet ta vras më vonë Inesin, kështu ta largojë nga loja dhe të mbesë vetëm me Garsenin por orvatja e saj rezulton e kotë, Inesi veçse ishte e vdekur.

Karakteret janë vazhdimisht në luftë mentale, emocionale dhe fizike. Në tekstin e kësaj drame del botëkuptimi ekzistencialist që i prinë esencës dhe mundësisë së zgjedhjes në situata ekzistencialiste ose-ose. Autori përjashton ferrin religjioz, duke e zëvendësuar me ferrin social, pra tokësor. Ekzistencializmi, (filozofi së cilës i takon autori) trajton problemin e qenies njerëzore duke mos dhënë përgjegje as ofruar ndonjë zgjedhje. Njeriut para se t’i përcaktohet fati ai ekziston si njeri! Atmosfera sartriane na çon kah konkluzioni se njeriu ekziston, dhe faktikisht zbulohet që nuk është por thjesht ekizston.

Ky tekst dramatik tërthorazi na flet për lirinë e kufizuar të qenies njerëzore dhe pafuqinë për të dalur nga ajo hapësirë e mbyllur drejt lirisë! Një lirie fillimisht vetjake, pastaj shoqërore. Vendosja e karaktereve në ferr rezulton si simbolikë, për të treguar se në fakt ferri i vërtetë janë njerëzit që veprojnë mbi tokë. ‘Me dyer të mbyllura’ mbetet ndër dramat më tipike, në të cilën shfaqen idetë filozofike ekzistencialiste sartriane. /KultPlus.com

Janar

Nga grupi “Pilot”

Teksti: David Paton

Shqipëroi: Bujar Meholli

Janar
i sëmurë dhe i lodhur
ashtu ke rënë mbi mua

Më zhyt në melankoli
kur më sheh me ata sy
por mos u largo
mos u largo
janar
vetëm mos ji i ftohtë

Mos u zemëro me mua
kur të them se
ti më zhyt në melankoli
pa më shiko një herë
oh
janar
mos u largo
mos u largo

Jeta më bëhet më e gjallë
mund të ta dëshmoj
unë mund të nisem
të shkoj
gjithë botën mund ta zgjoj

Dielli ngroh
sikurse zjarri
vazhdo tej
mos u largo

Nxirrmë jashtë shtëpisë
sime të ëmbël
duhet të më njohësh
duhet të më tregosh
shumë gjëra
sepse ti ke qenë
rreth e qark botës
e ke ndjekur kudo atë

janar
i sëmurë dhe i lodhur
ke rënë mbi mua

koha fluturon
ditët me diell gjithashtu
ikin tutje-tëhu
edhe verërat angleze
janë zhdukur
shumë larg kanë fluturuar
e koha është e gjatë
ajo vjen e shkon

Poezia e pasur e Frederik Rreshpjes

Nga: Bujar Meholli

Poeti shkodran Frederik Rreshpja, kontaktet e para me lexuesit i pati me përmbledhjen poetike „Rapsodi shqiptare“ në vitin 1967, dhe më pas me përmbledhjen tjetër të vitit 1972 „Në këtë qytet“ ku spikat lirizmi dhe figuracioni i pasur. Që herët, u përfaqësua nëpër antologji të ndryshme por e denoncoi regjimi i kohës, dhe kështu e hoqi nga programi. Rreshpja, ishte cak i regjimit të asaj kohe, i cili largoi tekstet e tij nga shkollat. Megjithkëtë, poezia e Rreshpjes është mjaft e pasur, me imagjinatë të fuqishme e koncept të pjekur artistik; Rreshpja ishte tërësisht i lirë për të bërë art të vërtetë. Vepra e tij fiton dimensione lirike, intime, refleksive, estetike e metafizike.

Sa i përket gjuhës, Rreshpja, në vëllimin e tij të parë përdor atë gegërishte, ndërsa më pas shkruan në gjuhën standarde. Duke qenë se vepra e Rreshpjes, shtrihet në dy periudha kohore me sisteme të ndryshme politike e sociale, dimensioni i lirisë së krijimit, është faktor mjaft i rëndësishëm në ligjërimin e tij poetik. Rreshpja në mënyrë të shkathët e zhvendos fokusin duke i dhënë nerv e spontanitet poezisë; lëviz e përshpejtohet ritmi, dhe nga një artikulim me ton të shtrirë, kalon në tonalitet të lartë që shfaqet nëpërmjet një sintetizmi artistik.

Poezia “Jemi ne”, e cila u fut nëpër tekste shkollore, fillon me pyetje retorike “Kush jemi ne?” që poeti vetëpërgjigjet me metafora entuziaste;

Jemi buzëqeshje e lirshme që u mungonte kohnave;

Jemi filizat e pranverës së ardhme.

Mbimë Pas krismave partizan, mbas gjëmimesh

Udhëve të jetës Udhëve

të atdheut.

Poezia është e populluar me metafora e simbole, me ngarkesë emocionale e estesike, me mbartje kuptimore direkte për brezin e ri. Pyetja retorike „Kush jemi ne?“, e përcjellur nga metafora foljore Jemi, ka një forcë, e cila shkakton efekt ngulmues, e përveç kësaj kjo metaforë përcjellë artistikisht idenë e lindjes së një shoqërie të re a të njeriut të ri.

Në vijim të kësaj gjendje ideologjike, është edhe poezia „Udha“, e cila ngrihet mbi simbolin e udhës që shënjon një vijë nga e cila ecin njerëzit, mjetet, kulturat e idetë. Në kuptimin e dytë, pasqyrohet një idealitet e përfytyrim i një të ardhmeje.

Një tjetër poezi e Rreshpjes, që titullohet „Mëngjezi“,  shfaqet semantikisht  si arketip i shpresës, i një fillimi të ri, që ka brenda dritë e dëlirësi.

Partizani i vjetër që kthehesha nga zbori thotë ai; dhe,

Sot unë hapa mëngjezin, …

Diellin e madh e solla unë.

Mesazhi është retorik. Partizani, i identifikuar me „Unin“ e poetit është heroi lirik, si misionar i idesë së përparimit dhe ky lloj entuziazmi çon drejt afirmimit të këtij realiteti. Simbolika, i jep një lloj konotacioni drejt një teskti plot entuziazëm poetik.

Në këtë strofë, vërejmë ndërtimin sipas konceptit të përjetimit;

Perdet e errta të reve lëkundeshin në lindje,

Dhe dielli i madh – ja ndjeva hapat,

Afrohej t’u vinte flakën reve.

Nëpër vargjet e Rreshpjes hasim në një lloj vetmie, me elementet e saj si; malli, pritja, trishtimi, mbyllja në vete, kur gjithçka i nënshtrohet ideologjitetit dhe vëzhgimi estetik për jetën e të bukurën i trajtojn parimet e realizmit socialist.

Te poezia “Te liqejtë malorë”, hasim në një substancë me dramaticitet lëvizjesh, ngjyrash e tingujsh;

U ngrit agimi që nga honi i ujnave,

Mbi retë e rënda,

Që enden në hapsinën e heshtur të liqenit.

Shënjohet agimi nga dita e re, lindja e saj, me lëvizje kontastuese vertikale. Ndodh diçka e pazakontë; një përplasje si apokalips, siç është lindja e ditës së re, e cila përcillet me vuajtje e dhimbje. Heshtja e liqenit ndjehet sikur heshtja e vetmisë së tij, që ka ndalur në përgjimin e tingujve, zhurmave, gjëmimeve e përplasjeve.

Si përfundim, tipologjia tematike e Rreshpjes ishte në logjikë tematike përgjatë Realizmit socialist; motive të kufizuara që çonin drejt artit të porositur, por që në thelb kishte një censurë të pushtetit. Në thelb të strukturimit të poezive, Rreshpja, përdor me efikasitet imazhin si element surrealist.

Pas viteve ’90, lexuesi i poezisë së Rreshpjes u shumua, po kështu i mbeti besnik veprës së tij. Tek poezia e tij, kërkohej realizimi estetiko-poetik: befasia e vargut, lirizmi i brishtë, ndjeshmëria e figurativiteti i thellë e spontan. Qasja ndaj ideologjisë, e ideve të reja – kishin në qendër barazinë sociale.

Në një realitet të ri, pas viteve 90, poeti ka një prekje më të gjerë tematike. Liria, dhe mungesa e kufizimeve të regjimit, i dhanë hapësirë dhe dimensione të reja artit të tij poetik, i cili u përvijua me tipare e elemente bashkëkohore, me sistem konceptual që i përafrohet atij modernist dhe post-modernist. Kjo poezi, cilësisht e evoluar në format e shprehjes, mëton drejt të panjohurave të qenies – me mjetet e gjuhës poetike, e plotëson dhe realizon arealin tipologjik të poezisë së tij, por gjithashtu profilizon dhe spikat individualitetin e tij poetik. /KultPlus.com

Oh, baba

Nga: Madonna
Shqipëroi: Bujar Meholli

Është qesharake mënyra
sesi mësohesh me dhimbjen dhe lotët,
një fëmijë beson,
por ti nuk më ke dashur kurrë…

Tani nuk mund të më lëndosh më
sepse unë u largova nga ti,
kurrë nuk kam menduar
se do të mund ta bëja këtë,
ti nuk mund të më bësh të qaj më
si dikur kur kishe forcë mbi mua,
më bëre që mos ta ndjej veten kurrë mirë…

Më duket si dje
kur t’u përgjërova para çizmeve tua
dhe t’u luta që zemërimi yt të marrë fund,
të thashë: “Oh, baba kam mëkatuar!”

Ti s’deshe kurrë të jetosh në atë mënyrë,
as të më lëndosh s’ke dashur,
e pra pse po ikë tani?

Mbase ndonjë ditë
kur prapë të shihemi do të mund të të them,
“Mos u bë mizor,
edhe nëse dikush të lëndon”… /KultPlus.com

Kurioziteti, intuita, pasioni dhe përkushtimi të gërshetuar bukur në një rrugëtim profesional dhe personal si rrallëherë

Bujar Meholli

Rudina Jasini është ndër juristet shqiptare më të njohura dhe më të suksesshme në botë. Ajo ka doktoruar në shkencat e fushës së jurisprudencës, dhe ka arritur të jap një kontribut të madh edhe në drejtësinë ndërkombëtare.

Pas mbarimit të studimeve për drejtësi në Tiranë, ajo zhvendoset fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdon studimet për drejtësi ndërkombëtare e më pas në Holandë ku punoi në Tribunalin për krimet në ish-Jugosllavi në Hagë, gjegjësisht si stazhiere dhe më pas si avokate.

Në vijim, Rudina vazhdoi studimet master për drejtësi penale dhe kriminologji si dhe doktoraturën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oksfordit në Britaninë e Madhe. Gjithashtu ajo ka zhvilluar studime kërkimore-shkencore në Universitetin e Harvardit në SHBA.

Sot, Rudina mban leksione nëpër metropole të botës, po ashtu është e pranishme në mediat më prestigjioze botërore.

Në këtë intervistë për KultPlus, Rudina rrëfen gjëra interesante nga udhëtimi i saj profesional dhe personal, nga pasionet, udhëtimi, fotografia e deri tek adhurimi i muzikës klasike.

Gjithashtu, ajo rrëfen eksperiencat e saj në Universitetin e Oksfordit, Tribunalin e Hagës, si dhe intervistimin e viktimave të luftës së Kamboxhias.

KultPlus: A e keni paracaktuar në mendje se një ditë do të jesh këtu ku je sot?

Unë mund të kem ëndërruar dhe fantazuar për shumë gjëra por nuk do të mundesha kurrsesi të paracaktoja saktë se një ditë do të ndodhesha pikërisht këtu. Ajo që mund të them është se i gjithë udhëtimi im personal dhe profesional është udhëhequr nga një sens i fortë kurioziteti, intuita si dhe aftësia për të kuptuar që kur një mundësi më ofrohej ajo ishte thirrja ime, e gjithë kjo e gërshetuar me punën dhe përkushtimin e fortë për të arritur atë që mund të kisha synuar.

KultPlus: Mendoni se gërshetimi i dëshirës dhe ambicies me mundësinë që i ofrohet njeriut janë ogur i mirë drejt suksesit?

Do të thoja që është më tepër se sa një ogur i mirë drejt suksesit. Ato janë bazat mbi të cilat ngrihet çdo arritje dhe sukses. Por mbi të gjitha është puna dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm ndaj çdo iniciative dhe sipërmarrjeje, vullneti dhe pasioni për të realizuar në mënyrën më të arrirë të mundshme atë që është synuar. Pa këto edhe dëshirat më të  bukura do të mbeteshin ëndrra në sirtar.

KultPlus: Si dhe në çfarë rrethanash ka filluar udhëtimi juaj adakemik?

Unë jam larguar nga Shqipëria me bursën e Fulbright për të kryer studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Georgetown në Washington DC. Fulbright pa diskutim krijoi një platformë për mundësi të reja, për një mënyrë tjetër të menduarit dhe analizuarit, si dhe për ndërtimin e një rrjeti të pasur profesional dhe personal. Me përfundimin e studimeve në Georgetown, unë i jam bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë (Tribunali i Hagës), fillimisht si intern dhe më pas si juriste në grupin mbrojtës në çështjen Haradinaj.

Në përfundim të procesit të parë penal të kësaj çështjeje në Hagë, unë jam zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar ku kam vazhduar studimet fillimisht për një master për Drejtësi Penale dhe Kriminologji, dhe më pas doktoratën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oksfordit.

KultPlus: Realisht, cili është çelësi që jua hapi derën e karrierës suaj?

Unë realisht nuk besoj në çelësa suksesi. Mendoj se gjithsecili prej nesh ka një thirrje të brendshme dhe mënyra më e mirë për të arritur sukses është të zbulosh atë për të cilën ti ke vërtet pasion, të punosh fort për të arritur potencialin tënd dhe më pas të kërkosh mënyrat për t’i ofruar të tjerëve atë që ti arrin si një kontribut në shoqëri. Në këndvështrimin tim, është e rëndësishme që të ngrihemi mbi konceptin e të qenit vetëm një histori suksesi, dhe të synojmë më shumë të jemi të vlefshëm dhe të sjellim një impakt pozitiv në disiplinën ku ushtrojmë profesionin, në komunitetin intelektual ku bëjmë pjesë si dhe më gjerë në  shoqëri. Kjo për mua është një busull e orientimit tim si individ, të mënyrës se si e drejtoj jetën dhe se çfarë kërkoj të arrij me të. 

KultPlus: Ju keni studiuar për drejtësi, por a keni pasur në mendje ndonjë drejtim tjetër studimi në fillimet tuaja?

Unë  kam vendosur të  studioj në fushën e drejtësisë shumë herët dhe kjo zgjedhje ka ardhur natyrshëm tek unë. Mendoj se ajo që më ka tërhequr më shumë është të kuptuarit e marrëdhënies midis të drejtës dhe shoqërisë. Është një disiplinë e cila kërkon një studim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në rastin tim kjo tashmë ka marrë një dimension tjetër pasi unë kam vite që zhvilloj punë hulumtuese akademike dhe shkencore në fushën e drejtësisë.

KultPlus: Si e shihni mënyrën e studimit në Shqipëri karshi vendeve tjera?

Mënyra e të studiuarit në Shqipëri të paktën në kohën kur unë kam studiuar atje ka qenë  shumë më tepër mekanike se sa analitike, ku ty si nxënës dhe student të stimuloheshe më shumë të mbajturit mend të tekstit se sa të menduarit kritik. Studimet fillimisht në Georgetown në SHBA dhe më pas studimet disavjeçare në Oksford, por edhe në Harvard ku unë kam studiuar për një vit kanë pasur një impakt të madh në formimin tim akademik dhe mbi të gjitha të përqasjes analitike dhe kritike ndaj çdo pyetjeje dhe problemi. Në mënyrë të veçantë këto eksperienca akademike më kanë mësuar mbi metodologjinë e të menduarit kritik, të procesit të detajuar për të arritur në përfundime të caktuara. 

KultPlus: Çfarë roli luajti Haga dhe bashkëpunimi me gjyqtarë të nivelit të lartë në karrierën tuaj?

Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës ka qenë një shkollë më vete dhe një përvojë pune e jashtëzakonshme. Aty kam pasur privilegjin të  punoj me avokatë dhe gjyqtarë të  një niveli shumë të lartë si dhe kam mësuar mbi aspekte të rëndësishme të procesit penal në gjykatat ndërkombëtare. Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës kërkonte një angazhim maksimal profesional dhe personal si dhe një përkushtim me orë të zgjatura. Përgjegjësia është e madhe për çdo avokat dhe jurist që  punon në  këto institucione, por mund të them se fakti që vija nga Shqipëria, më dha avantazhin e të njohurit të kontekstit historik, social dhe ligjor, e cila mendoj se ka qenë një plus në çështjen ligjore në të cilën kam punuar.

KultPlus: Keni studiuar në Master në fushën e drejtësisë penale dhe kriminologji në Universitetin e famshëm të Oksfordit, cila është eksperienca juaj me Oksfordin?

Unë fillimisht kam ardhur në Universitetin e Oksfordit për të vazhduar studimet për master në fushën e kriminologjisë dhe drejtësisë penale pranë Fakultetit të Drejtësisë. Më pas kam vazhduar studimet për doktoraturë në drejtësinë ndërkombëtare penale të përqendruar kryesisht në rolin dhe pasojat e pjesëmarrjes së viktimave të luftës si palë civile në proceset ndërkombëtare penale. Oksfordi të ofron një hapësirë intelektuale të pakrahasueshme dhe si i tillë është vërtetë një djep i dijes dhe shkencës.   

KultPlus: E konsideroni privilegj mundësinë për të studiuar në Oksford?

Të pranohesh në gjirin e këtij institucioni është një privilegj por edhe një përgjegjësi shumë e madhe, pasi kjo mbi të gjitha do të thotë të kuptosh dhe të dish t’i japësh shprehje dhe të përcjellësh siç duhet vlerat që ky institucion ka mbartur tek ty.

Për mua bisedat dhe diskutimet e zhvilluara në ambientet e kolegjeve të Oksfordit me studentë, profesorë  dhe studiues të disiplinave nga më të ndryshme përbën mbase vlerën më të madhe që më ka ofruar ky institucion akademik. P. sh mund të përmend që në ditën e dytë të studimeve të  mia në Oksford, në drekën e zhvilluar pranë kolegjit ku unë studioja, më qëlloi të kisha ulur përballë një student gjerman i cili sapo ishte kthyer nga Kina dhe diskutonte mbi pasojat në ekosistem të ndryshimeve klimaterike të shkretëtirës Gobi. Në krahun tim të djathtë ishte një student finlandez që fliste rrjedhshëm gjuhën japoneze dhe diskutonte mbi politikat sociale të Japonisë, ndërsa studenti anglez në të majtë i cili vazhdonte studimet për doktoratë në astrofizikë dhe ishte edhe një virtuoz në piano më fliste për lidhjen midis fizikës, matematikës dhe muzikës. Është pikërisht kjo botë e pasur intelektuale që ofrohet në ambientet e kolegjeve multidisiplionre të Oksfordit të cilat përbëjnë privilegjin më të madh për mua.

KultPlus: Për këtë që jeni sot, i detyroheni Universitetit të Oksfordit?

Unë i detyrohem individëve dhe institucioneve të shumta për të arritur këtu ku jam. Pa diskutim Oksford ka luajtur një rol formues intelektual të pazëvendësueshëm tek unë. Por mbi të gjitha unë do të veçoja rolin fillestar që prindërit e mi kanë luajtur në formimin tim. Ata kanë një meritë të jashtëzakonshme për njeriun dhe profesionisten që unë jam sot. Nuk më bënë asnjëherë të mendoja se dritarja nga e cila shihja botën përtej Shqipërisë ishte e ngushtë apo që bota ishte aq e madhe dhe e pakapshme. Përkundrazi, më ushqyen imagjinatën, kuriozitetin dhe kurajën për të arritur aty ku potenciali im mund të më çonte. Mendoj se prindërit shqiptarë në përgjithësi janë për t‘u admiruar për mbështetjen dhe sakrificat që bëjnë për edukimin e fëmijëve e tyre, dhe kjo është vërtet diçka e rrallë.   

KultPlus: Keni pasur rastin të udhëtoni edhe në pjesë tjera të globit, ku dhe keni takuar individë të ndryshëm. Çfarë ruani në vete nga këto udhëtime?

Udhëtimi është një pjesë e pandarë e identitetit tim dhe mendoj se është një nga format më  të mira të edukimit që një individ mund të  marrë në këtë jetë. Udhëtimi më bën të ndihem më pranë vetes, më të lirë dhe më zgjon imagjinatën si asgjë tjetër. Gjithashtu, mendoj se të udhëtuarit e bën njeriun më të thjeshtë dhe më të ndjeshëm, të zhveshur nga paragjykimet. Udhëtimet e mia janë të shoqëruara me histori të panumërta, madje edhe tani që po hedh këto mendime po buzëqesh teksa kujtoj aventura dhe eksperienca shumë të veçanta. Shpresoj që një ditë t’i hedh të gjitha këto kujtime në një libër.

KultPlus: Keni intervistuar mbi 112 viktima të luftës së Kamboxhias, ku 1/4 e popullsisë është shfarosur. Mund të na flisni për përvojat tuaja në këtë rast gjatë procesit post-konfliktual?

Gjatë punës time kërkimore shkencore në Kamboxhia unë kam zhvilluar intervista me gjyqtarë, prokurorë, avokatë  mbrojtës, avokatë që kanë përfaqësuar viktimat si palë civile në  proceset penale pranë gjykatës speciale për Kamboxhian në Phnom Penh, si dhe mbi 112 viktima të Khmerit të Kuq (një regjim genocidial të udhëhequr nga Pol Pot në vitet 1975-1979 ku rreth 2 milionë njerëz u vranë dhe u zhdukën). Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e pasur hulumtuese, po aq edhe e vështirë nga pikëpamja psikologjike dhe emocionale. Ndryshe nga eksperienca e të punuarit në Tribunalin e Hagës ku si jurist ti veproje brenda strukturave të gjykatës dhe ishe në njëfarë mënyre “i mbrojtur”, si studiues i pavarur je gjithmonë më i ekspozuar nga pikëpamja emocionale dhe të duhet të përballesh me sfidat e të intervistuarit të viktimave në shtëpitë e tyre si dhe pranë komunitetit ku ata bëjnë pjesë. Kjo është një  përvojë që më mësoi shumë edhe nga pikëpamja kulturore dhe etnografike. Për më  tepër unë zhvillova punë kërkimore në një shoqëri kryesisht budiste në një kulturë të largët nga kultura ime e origjinës. Një detaj i vogël për kuriozitetin e lexuesve tuaj, unë përpara çdo interviste me viktimat të cilat u zhvilluan përgjithësisht në pagoda (tempuj budhist) i ofroja bukë Budhës  përpara se të filloja intervistat, duke respektuar zakonet dhe ritualet e vendit.  Unë  i detyrohem shumë të gjithë atyre viktimave të cilat i dhanë një dimension tjetër punimit tim shkencor dhe vetëm mund të shpresoj që me punën time t’i jap zë zërit të tyre, dhimbjes dhe thirrjes së tyre për drejtësi.

KultPlus: Siç dihet, në Hagë është një gjykatë speciale. Si e përkufizoni atë?

Besoj së  këtu i referoheni Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë ose siç njihen ndryshe “Dhomat e Specializuara” dhe “Zyra e Prokurorit të Specializuar”. Unë jam kritike për mënyrën se si u konceptualizua dhe u ngrit kjo gjykatë, për strukturën, përbërjen, juridiksionin dhe mbi të gjitha pasojat që kjo gjykatë mund të ketë jo vetëm për Kosovën por dhe rendin e drejtësisë ndërkombëtare penale. Mendoj se kjo gjykatë e zvogëlon autoritetin e pushtetit gjyqësor si dhe cenon edhe sovranitetin e Kosovës.

KultPlus: Gjatë këtij rrugëtimi keni pasur gërshetim të momenteve të bukura dhe sfidave?

Të gjitha udhëtimet në të cilat kam kaluar janë karakterizuar nga një gërshetim i momenteve të bukura dhe sfidave. Nuk do ta preferoja ndryshe, pasi sfidat të  mësojnë  shumë  më  tepër për disiplinën, aftësinë dhe forcën shpirtërore për t’u përballur me vështirësitë dhe për të vlerësuar procesin dhe rrugëtimin për të arritur tek rezultati i duhur. Është si eksperienca e maratonës të cilën unë në fakt e kam realizuar një herë në Berlin në vitin 2010, dhe i kam shumë të freskëta ndjesitë fizike dhe emocionale që përjetova atë ditë,  edhe pse përfundova në spital mbasi kalova vijën e finishit. Nuk dua të them që çdo eksperiencë duhet të përjetohet si një maratonë,  por unë personalisht e ndjej veten më mirë në këto dimensione dhe në këtë balancë midis përpjekjes dhe arritjes.

KultPlus: Rrugëtimet intelektuale janë çdoherë të vështira dhe marrin goxha kohë. Si ka ndikuar tek ju ky rrugëtim? Ju ka privuar nga koha e lirë?

Mendoj se sekreti qëndron tek optimizmi i kohës që kemi në dispozicion, dhe gjetja e një balance midis punës, pasioneve dhe ajo çfarë na përmbush në aspektin intelektual, fizik dhe shpirtëror.

KultPlus: Po kohën e lirë si e kalon Ina, dëgjon muzikë? Shkruan? Apo tërhiqet nga ndonjë gjë tjetër?

Adhuroj muzikën klasike dhe ata që më njohin, mund të më quajnë një ndjekëse “të sëmurë” të operës. Ndjej një kënaqësi të veçantë kur shoh në skenë mikeshën time shumë të mirë, Ermonela Jaho, jo vetëm një nga sopranot më të mira sot në botë, por edhe një njeri me shpirt shumë të bukur. Më pëlqen tenisi dhe luaj sa herë të kem mundësi. Adhuroj të bërit zhytje për qetësinë mendore që më dhuron dhe bukurinë e pakrahasueshme nënujore, dhe të bërit ski për adrenalinën dhe sensin e lirisë që më ofron. /KultPlus.com

Hysa: Një përkthyes të mirë e bën kultura e gjerë dhe kureshtja për të mësuar sa më shumë

Bujar Meholli

Me të marrë një libër të përkthyer nga Mimoza Hysa nuk mund ta lëshosh nga duart gjer në faqet e fundit. Gjuha e pastër shqipe që përdorë dhe leksiku i pasur, e bëjnë atë padyshim njërën nga përkthyeset më të mira shqiptare, e cila është fituese e disa çmimeve të rëndësishme në fushën e përkthimeve letrare.

Ajo përveçse përkthyese, është studiuese dhe shkrimtare e afirmuar. Mimoza ka lindur në Tiranë ku dhe ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi italiane me tezën mbi poezinë e Montales.

Po bëhen 28 vjet gjatë së cilave ajo ka sjellë në shqip shumë vepra të njohura nga autorë të shquar evropianë e botërorë.

Në këtë intervistë për KultPlus, Mimoza shpalos shumë gjëra me interes për lexuesit, që nga përpjekjet e para për të përkthyer, sukseset, kontakti me Tabucch-in,  modelet që ka ndjekur, autorët e preferuar, e deri tek planet e ardhme të saj…

KultPlus: Si filloi karriera juaj në fushën e përkthimeve letrare?

Përkthimi ka nisur paralelisht me mësimin e gjuhës së huaj, pra jo në rendin e duhur, pas përvetësimit të mirë të gjuhës së huaj. Jetonim në një kohë kur kishte pak përkthime nga gjuhët e huaja dhe jo shkrimtarët që do të dëshironim të lexonim, kështu që kishim ngut për të kapur kohën dhe përkthimi ishte mënyra për t’u bërë të ditur miqve dhe shokëve autorë dhe libra që vështirë të kapërcenin filtrin e censurës. Natyrisht nuk ishin përkthime për botim dhe kjo e lehtësonte nevojën për përsosmëri, ishte etja për të lexuar çfarë na ishte ndaluar.

KultPlus: E mbani mend se cili ka qenë teksti i parë që e keni përkthyer?

Mbaj mend tekstin që kam marrë më seriozisht për të përkthyer, dhe që nis me vargun: “Silvia, a të kujtohet…”. Ka qenë poezia “Silvias” e Leopardit, një poet filozof i trishtimit që më shkonte për shtat (“për mendje” do të thosha më mirë) në kohën e adoleshencës sime. Poezinë e përktheva në vitin e dytë të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja dhe shkova t’ia tregoja historianit dhe përkthyesit Injac Zamputti, biri i së cilit ishte mësuesi im i gjuhës italiane. Profesori i nderuar më përgëzoi për dëshirën dhe vullnetin dhe diskutoi me mua për rreth një orë për variantet e përkthimit. Ishte leksioni i parë i mirëfilltë për përkthimin që më bëri të kuptoj sa rrugë të gjatë kisha për të bërë.

KultPlus: Është më i vështirë përkthimi i një vëllimi poetik apo i një romani?

Çdo përkthim për të qenë një përkthim i mirë është i vështirë, por përkthimi i poezisë shkon në skajin e pamundësisë. Debati sesa humbet poezia në përkthim ka qenë dhe mbetet i hapur. Është i njohur një eksperiment i Eugenio Montale-s, i cili edhe pse kishte qenë vetë përkthyes i soneteve të Shekspirit, të poezisë së Blake-t, Yeats-it, Eliot-it e me radhë, dyshonte në mundësinë e përkthimit të arrirë të poezisë së tij. Për këtë arsye, pak vite para se të vdiste, më 1978, i kërkoi studiueses Maria Korti të realizonte një eksperiment interesant: përkthimin zinxhir të poezisë “Stanca të reja” nga vëllimi “Rastet” në dhjetë gjuhë, sipas parimit të lojës “Telefoni i prishur”. Vetëm përkthyesi i parë i gjuhës arabe ishte në dijeni të autorit, ndërsa përkthyesit e tjerë punuan në mungesë të çdo reference dhe konteksti ndihmues. Rezultatet e eksperimentit u botuan vetëm më 1999, në mungesë të autorit. Ajo që vërtet kishte humbur në përkthimin “symbyllazi” ishte pikërisht thelbi i poezisë së tij. Duke ia njohur poezisë së tij grackat tinëzare, sfumaturat stilistike të holla, përkimet e largëta përhumbëse, Montale i kishte parashikuar keqkuptimet që mund të sillte përkthimi “lakuriq”, pa njohjen paraprake të poezisë dhe autorit, dhe pa një proces përgatitor në kulturën pritëse. Po edhe kur të gjitha këto kushte paraprake plotësohen përsëri është e vështirë të përkthehet muzikaliteti i poezisë dhe figuracioni letrar. Shkalla e vështirësisë ndryshon edhe nga stili i poetit. Meqë përmenda dy nga poetët e mi të parapëlqyer: Leopardi e Montale nga letërsia italiane, do të thosha se humbet më shumë poezia e Montales në përkthim sesa ajo e Leopardit. Po humbje ka, gjithsesi.

KultPlus: Çfarë e bën një përkthyes që të cilësohet i mirë?

Përkthyesit nuk janë në garë për titullin e më të mirit, se nuk mund të ketë një ndarje të tillë. Po natyrisht mund të dallohet një përkthim i mirë nga një përkthim jo i mirë. Një përkthyes të mirë e bën kultura e përgjithshme që ka, kureshtja për të mësuar sa më shumë, leximet e shumëllojshme, vullneti dhe ngulmimi për të bërë më të mirën, e padyshim talenti.

KultPlus: Mendoni se gjuhës shqipe ende i mungon përkthimi i shumë prej veprave të mëdha botërore?

Do të thosha se është bërë një punë e madhe në këto tridhjetë vite në Shqipëri për të fituar kohën e humbur në përkthimin e kryeveprave të shekullit të kaluar e sidomos në përkthimin e letërsisë bashkëkohore. Tashmë një pjesë e mirë e kryeveprave botërore janë përkthyer. Megjithatë është e pamundur të jemi në një hap me gjuhët “e mëdha”,  në kuptimin e numrit të banorëve që e flasin atë gjuhë. Ka ende shumë vepra të autorëve nobelistë, apo të emrave të njohur të letërsisë botërore të pa përkthyera. Po kështu kemi mangësi në përkthime nga gjuhë që njihen pak si gjuhët e vendeve aziatike, të Evropës veriore apo të Afrikës. Është e natyrshme për një vend të vogël, me një gjuhë të rrallë, e për më tepër që ka kaluar një periudhë të gjatë veçimi me përkthime me pikatore.

KultPlus: Keni pasur ndonjë përkthyes që e keni ndjekur si model?

Kam adhuruar profesorin tim të lëndës së përkthimit, Shpëtim Çuçkën, për gjuhën e pasur, sintaksën e përkryer dhe zgjidhjet “pa firo” në përkthimet e tij. Me kalimin e kohës kupton se modelet as nuk kopjohen e as nuk tejkalohen: thjesht ti ke një rrugë tënden për të ndjekur që nuk ngjason me rrugën e askujt tjetër.  

KultPlus: Mund ta përmendni ndonjë vepër nga ato që i keni sjellë në shqip, që e konsideroni si më të veçantë?

Kam pasur fatin t’i përzgjedh vetë veprat që kam përkthyer gjë që do të thotë se më kanë pëlqyer dhe i kam vlerësuar të rëndësishme për lexuesin shqiptar. Po do të veçoja tregimet e magjishme të Buzzati-t për fantazinë dhe gjetjet befasuese, romanet e Tabucchi-t për stilin dhe mesazhet e thella, rrëfimet e mahnitshme e të pazakonta të Baricco-s apo poezitë e ngërthyera me ide dhe vizione të Montales. Kam adhuruar mënyrën sesi Mazzantini krijon strukturën e rrëfimit dhe sesi ruan befasinë për lexuesin, apo sesi Mazzucco ndërton figurat e personazheve femra, krejt të pazakonta e të pangjashme me personazhet femra të krijuara nga shkrimtarët meshkuj. Jam argëtuar pa masë duke përkthyer romanet e Domenico Strarnone-s dhe më ka mbetur në mendje mënyra sesi përdorë regjistrin bisedimor në rrëfim për të shprehur ide të mëdha me gjuhë të thjeshtë e të shkathët. Kam udhëtuar duke zbuluar vende e njerëz, duke kuptuar më mirë veten dhe tjetrin përmes përkthimit të Claudio Magris-it. Çdo përkthim ka qenë një shkollë e kënaqësi më vete.

KultPlus: Keni në plan ndonjë krijim tuajin?

Sapo kam botuar romanin “Bijat e gjeneralit”, një histori e unit të dyzuar, mes së mirës dhe së keqes, mes liberales dhe konservatores, mes rrugës së shtruar nga të tjerët dhe asaj të shtyrë prej zemrës, mes zilisë dhe urrejtjes, mes kërkimit të ethshëm për dashuri dhe atij për lavdi. Është historia e gjithsecilit pavarësisht kohës dhe vendit, e luftës për të pranuar veten me të gjitha veset dhe virtytet. Janë dy faqe të së njëjtës medalje, dy identitete të ndryshme që shkrihen në një njeri. Ndërkohë kam në dorë dhe një vëllim me tregime. Tregimi është gjinia ime e parapëlqyer se i përngjan rrufesë në qiell të pastër: një krismë tensioni që në pak faqe mund të pikturojë një botë të tërë, të japë ide të mëdha apo dhe thjesht një kënaqësi estetike të rrallë që të godet e të mbetet në mendje. Punoj paralelisht me përkthime dhe shkrime.

KultPlus: Cilët janë autorët (shqiptarë dhe të huaj) tuaj të preferuar?

Janë shumë klasikë që më kanë formuar, janë shumë emra që kanë lënë gjurmë në periudha të ndryshme të rritjes sime. Parapëlqimet ndryshojnë me moshën, kohën dhe formimin, por disa prej tyre i lexoj gjithnjë e i mbaj me vete si romanet e shkrimtarëve kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin si: Kafka, Coetzee, Jelinek, Houellebecq, Cortazar, Magris, apo poezitë e Pavese-s, Amichai-t, Ricos. Kohët e fundit po lexoj me shumë kureshtje tregimet e një autoreje të re argjentinase: Samanta Schweblin, si dhe veprat e nobelistes së fundit polake Olga Tokarczuk. Ka kaq shumë letërsi të mirë sa të duhet vetëm kohë në dispozicion për ta shijuar.

KultPlus: Si shikohet nga prizmi juaj letërsia e sotme shqipe?

Vështirë të jepet një përgjigje e shkurtër për një temë kaq të gjerë që kërkon trajtesë të thellë, por, me pak fjalë, mund të them se ka prurje për t’u vlerësuar në letërsinë e sotme shqipe, ka autorë që meritojnë vëmendje. Gjuha është pengesë për përhapjen e letërsisë shqipe jashtë vendit, jo thjesht për t’u njohur nga lexuesi i huaj, por për të pasur më shumë lexues, meqenëse jemi vend i vogël dhe, për rrjedhojë, numri i lexuesve është i pakët. Në mendimin tim, arritja kryesore e letërsisë së sotme shqipe është fakti që, si rrallë herë gjatë historisë së saj, letërsia shqipe ndodhet në të njëjtën fazë zhvillimi me letërsinë botërore dhe komunikon denjësisht me të. Është me rëndësi të theksohet se letërsia shqipe tashmë nuk lëvrohet vetëm brenda kufijve, por ka emra të rëndësishëm edhe në vende të ndryshme të botës, gjë që i kanë falur më shumë frymëmarrje dhe diapazon.

KultPlus: Po një përkthyes i ri ç’duhet të ketë parasysh kur t’i hyjë kësaj pune?

Së pari të jetë i durueshëm dhe më vullnet se një përkthyes i mirë bëhet pas një pune të gjatë dhe ngulmuese. Shumë lexime çfarëdo, por edhe udhëtime fizike apo virtuale për të njohur botën. Përpos njohjes së thellë të gjuhës së huaj, duhet të ketë aftësinë e lëvrimit të përsosur të gjuhës shqipe. Pasion për punën dhe dashuri për librat në përgjithësi dhe letërsinë në veçanti. Përkthyes të mirë të bën kultura e gjerë e sidomos kureshtja dhe dëshirë për të mësuar gjithë jetën.

KultPlus: Si lindi ideja që t’i sillni për publikun shqiptar veprat e Antonio Tabucchi-t?

Si përkthyese nga gjuha italiane kam qenë gjithnjë e vëmendshme për të zbuluar dhe sjellë në shqip autorë italianë të pa përkthyer më parë. Tabucchi-n për çudi e zbulova në një mënyrë të tërthortë: po lexoja një vepër të Pessoa-s të përkthyer nga Tabucchi në gjuhën italiane. Më pas lexova për përkujdesjen e  një shkrimtari si Tabucchi për të bërë të njohur veprën e Pessoa-s në Itali. Kështu u njoha dhe me Tabucchi-n si autor. “Dëshmon Pereira” është vepra e parë që i kam lexuar dhe vendosa të bindja botuesit për t’i blerë të drejtat dhe për ta sjellë në shqip. Gjatë procesit të përkthimit u vura në kontakt me autorin: e kam bërë me të gjithë autorët e gjallë që kam përkthyer. Intervista që i mora Tabucchi-t ka qenë e vetmja e këtij autori në gjuhën shqipe, ku ai vlerësonte punën e përkthyesit. Për Tabucchi-n “Të përkthesh do të thotë të kuptosh thellësisht një autor dhe të jesh bashkëpunëtor me të. Por mbi të gjitha, përkthimi, u shpreh ai, është një transportues i mrekullueshëm: pa përkthimin shkrimtari do të mbetej i burgosur në vendin e tij, qoftë ky i madh apo i vogël. Edhe një vend i madh kur të mban të burgosur është vend i vogël, sepse burgjet janë të vogla edhe kur janë të mëdha.”    

KultPlus: E shihni si arritje të madhe tuajën përkthimin e romanit “Dëshmon Pereira”?

Është padyshim një nga romanet më të mira që kam përkthyer dhe për më tepër një nga romanet më të dobishëm për lexuesin shqiptar. Romani ngre një pyetje të rëndësishme: cili është roli i intelektualëve në një shoqëri totalitare? A duhet intelektualët të angazhohen në politikëbërje, në problemet madhore të një vendi? Apo duhet të japin kontributin duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë në fushën e tyre? Pyetja është mëdyshje e madhe që shoqëron çdo mendimtar të suksesshëm në vendin e tij, sidomos në periudha të errëta kur cenohet liria e individit. Më ndjek shpesh pyetja që Pereira, gazetar dhe njeri i letrave në roman, i bën vetes kur njihet me Monteiro Rosin dhe të dashurën e tij, dy të rinj të angazhuar në luftë kundër regjimit totalitar të Salazar-it në Portugali: Po sikur këta të rinj të kenë të drejtë dhe unë ta kem gabim? Do të thotë që kam çuar dëm një jetë.

KultPlus: Sa ju merr kohë procesi i përkthimit dhe a e shihni atë, përkthimin, si rikrijim?

Koha varet nga vështirësia e librit që do të përkthej. Për përkthimin e vëllimit poetik “Rastet” të Montale-s me 182 faqe m’u deshën plot tri vjet, ndërkohë që kisha mbi dhjetë vjet që mundohesha ta njihja dhe kuptoja poezinë e tij. Kur mësova se përkthyesit në anglisht të po së njëjtës vepër i ishin dashur tetë vjet u ndjeva e lehtësuar, ndërkohë që për përkthimin e romanit “Lidhëse” të Domenico Starnone-s me po të njëjtin numër faqesh më janë dashur më pak se dy muaj.  

Ndërsa për mënyrën sesi e shikoj përkthimin do të përmendja shprehjen që përdori Claudio Magris kur erdhi në Tiranë për të promovuar përkthimin e veprës “Udhëtim pa mbarim”: “Viaggio infinito” është shkruar prej meje, ndërsa “Udhëtim pa mbarim” është shkruar nga unë dhe Mimoza Hysa. Përkthyesi është jo thjesht lexuesi, kritiku më i mirë i një vepre që përkthen, por edhe shkruesi i asaj vepre në gjuhën e tij. Sado i mirë dhe i talentuar të jetë autori i veprës, është meritë e përkthyesit nëse ajo vepër lexohet po me të njëjtën endje në gjuhën tjetër.

KultPlus: Cilat janë planet tuaja, a do të ketë lexuesi shqiptar së shpejti në duar ndonjë vepër të përkthyer nga ju?

Për planet dihet shprehja që nëse Zoti do të na dëgjonte, do të qeshte me ne. Po ndërkohë mund të them se unë kam gjithnjë disa punë paralelisht: po përkthej një roman të Melania Mazzucco-s dhe kam një tjetër roman të Claudio Magris-it në radhën e punës. Pastaj sapo më jepet paksa rasti të arratisem larg njerëzve e të vjedh pak kohë për vete, shkruaj…uroj shumë që ky vit të jetë i begatë në “kohë për vete”: të më japë mundësinë të përfundoj një vëllim me tregime të nisur prej kohësh.  /KultPlus.com

Ziberi: Çelësi i jetëgjatësisë së grupit “Elita 5” është përkushtimi i madh në punë

Bujar Meholli

Kur flitet për rok grupin “Elita 5”, vetvetiu të sillen në kokë tingujt e bukur, tekstet kuptimplota dhe zëri unik i vokalistit Arif Ziberi.

Janë bërë 30 vjet prej se ata kanë dalë në skenë, fillimisht duke performuar nëpër kafene e mbrëmje rinore për t’u bërë më pas një grup i fuqishëm roku, një grup i konsoliduar që publikut shqiptar arriti t’i sjellë shumë albume muzikore me qindra hite që edhe sot e gjithë ditën dëgjohen, këndohen e performohen me ëndje vazhdimisht…

Këngët e tyre të para si “Mbrëmje rinore”, “Mirë e di”, “Si Merlin Monro”, e deri te hitet “Unë e di se ku të dhemb”, “Faleminderit”, “Dua të vdes”, “Al Kapone”, “Zemra e thyer”, “Dashuria është diçka tjetër”, “Ti e vrave dashurinë”, “Çmendem” e shumë të tjera kanë mbetur thesar i skenës muzikore shqiptare, duke i vënë ata në piedestal si grup.

Arif Ziberi dhe Nexhat Mujovi gjatë viteve ’90

Zakonisht, një rok grup nuk e ka të lehtë t’i rezistojë kohës apo edhe rrethanave tjera, shpesh grupet e famshme kanë ndryshuar formacionin apo në të shumtën e rasteve vokalistin.

Por te “Elita 5” kjo nuk ka ngjarë për gjithë këto vite. Ata vazhdojnë të jenë të njëjtit që kur kanë filluar performancat në vitet ’90.

Nexhat Mujovi (sintisajzer-producent), Agron Idrizi (bas kitarë), Besim Ibraimi (daulle), Mevaip Mustafi (solo kitarë), e vokalisti Arif Ziberi janë muzicientët e njëjtë të cilët e krijuan grupin “Elita 5” dhe të cilin arritën ta mbajnë përgjatë këtyre viteve, me edhe një anëtar të shtuar, Valon Gashin (kitarë).

I formuar në Tetovë në vitin 1987, grupi preku zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës me tekstet e bukura të gërshetuara në baladat aq prekëse që di t’i interpretoj Arif Ziberi. “Elita 5” dha qindra koncerte, qindra organizime të ndryshme kudo ku ka shqiptarë.

Formacioni i parë i grupit “Elita 5”

Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, vokalisti Arif Ziberi shpalos gjëra interesante. Ai tregon se çfarë do të thotë për të grupi “Elita 5”, cilat grupe të famshme kanë qenë inspirim për ta, e si i sheh ai artistët e rinj dhe artin e sotëm në përgjithësi…

KultPlus: Çfarë do të thotë për ju personalisht grupi “Elita 5”?

Për mua grupi “Elita 5”, do të thotë thjesht kuptim i jetës.

KultPlus: Në vitet ’90 kur edhe është shfaqur “Elita 5” ishin vitet e arta për muzikën rok, cilët ishin këngëtarët dhe grupet që ju inspiruan?

Sigurisht në fillet tona kemi pasur inspirime nga grupet e mëdha botërore si: Bon Jovi, Deep Purple, Toto e plot të tjerë.

KultPlus: Janë bërë shumë vite për “Elitën 5” në skenë, e ndjeni veten të lodhur nga gjithë ky rrugëtim?

Mbase do të thonit se mosha e bën të veten. Edhe tek ne mosha e bëri të veten, por për të mirë. Na thonë se jemi sikur vena, sa më e vjetër, aq më e mirë.

KultPlus: A po i jep grahmat e fundit muzika rok, sipas jush?

Tek ne muzika rok ka mbetur një gjysmë hobi le të themi. Ajo që na gëzon është se në skenën botërore roku ka invazion të vërtetë, e këtë e shohim edhe si shtytje për zhvillimin e rokut në trevat tona.

KultPlus: Tekstet e “Elitës 5” përçojnë mesazhe në shoqëri, a mendoni se teksti dhe muzika janë gërshetim i një krijimi harmonjoz?

Për ne dhe grupin tonë, kënga nuk quhet e përfunduar  nëse teksti dhe muzika nuk e kanë kiminë e njëjtë.

KultPlus: Kohët moderne (zhvillimi i teknologjisë) kanë krijuar kushte që skena të gëlojë nga artistët e rinj, por realisht si i shihni ju ata? Mendoni se mund të lënë pas vepra që do t’i rezistojnë kohës?

Sinqerisht më vjen keq që artistët e rinj e kanë për cak të bëjnë këngë që dëgjohen dy javë. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë kualitet dhe nuk kanë se si të lënë gjurmë.

KultPlus: A mendoni se gjithnjë e më shumë po i bie rëndësia grupit klasik muzikor si shkak i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë?

Grupi klasik muzikor po e humb vlerën vetëm tek ne. Pra, mundohen që të gjitha instrumentet të zëvendësohen me sintisajzer, në mënyrë që këngëtari të përfitojë me shumë. Por kjo nuk sjell kualitet dhe është jetëshkurtër.

KultPlus: Me çfarë preferoni të merreni jashtë muzikës?

Kohën e lirë preferoj ta shfrytëzoj me anëtarët e shtëpisë, po ashtu kam dëshirë të eci shumë…

KultPlus: A ekziston vërtet ndonjë sekret i jetëgjatësisë në skenë, apo ajo vjen si rezultat i punës së madhe kolektive?

Çelësi i jetëgjatësisë tonë është përkushtimi i madh në punë. Derisa të tjerët nxjerrin pesë këngë në vit dhe harrohen menjëherë, ne nxjerrim një këngë dhe mbetet hit për pesë vite e më shumë…

KultPlus: Filozofi gjerman Fridrih Niçe që ishte adhurues i madh i muzikës, shprehet se: “Pa muzikë, jeta do të ishte gabim!” Pajtoheni me këtë thënie të famshme?

Jo rastësisht Niçe llogaritet si filozofi më i njohur i të gjitha kohërave. Besoj se i gjithë njerëzimi pajtohet me këtë thënie të tij. /KultPlus.com

“Kriteret” e Shtëpive Botuese ofrojnë mundësi të lehta për t’u bërë shkrimtar

Shkruan: Bujar Meholli

Nëntori solli Panairin e Librit në Tiranë. Së shpejti do të vijë edhe Panairi tjetër në Prishtinë, por gjendja e librit është mjaft e rëndë prej kohësh. Libri, siç dihet është miku i pandashëm i njeriut – ai që hapë horizontin e të menduarit, që e shpie njeriun në skajet më të largëta dhe i mundëson komunikimin me botën. Megjithëkëtë, teknologjia çdoherë në zhvillim e ka zbehur ndjeshëm rëndësinë e librit, i cili po shërben vetëm sa për t’u ekspozuar në rrjetet sociale përmes fotografive.

Me pak fjalë, si mos më keq janë edhe shkrimi edhe leximi në vendin tonë. Në Panaire gjenden lloj lloj librash me gjithfarë kopertinash – të autorëve të ndryshëm, por po të hapet ndonjëri vërehet menjëherë, qartë, se aksh Shtëpia Botuese e ka botuar librin sa për ta marrë një shumë të hollash qoftë nga autori, qoftë nga institucionet që e përkrahin financiarisht autorin, për njërën apo arsyen tjetër – në të shumtën e herave jo për afinitetin krijues!

Një autor, qoftë i ri apo në moshë të pjekur, pati apo nuk pati gjë për të thënë (shkruar) mjafton të ketë dëshirë për të botuar dhe të ketë të holla, t’i siguroj ato disi, dhe objektivi i tij është i përfunduar. Libri botohet sa hap e mbyll sytë. Shtypshkronjat e Shtëpive Botuese të buzëqeshura, i botojnë faqet në të shumtën e herave me gabime elementare, naive, logjike, me huqje, por tërë këto nuk kanë fort rëndësi sepse të dy palët ndahen të kënaqura: botuesi dhe shpura e tij i marrin paratë, kurse autori merr librin fringo dhe i ofrohet mundësia që ta shpalos në rrjetet sociale e ta masë me pëlqimet ekspres, interesimin për të…

Ja pra, kjo lloj letërsie – ky lloj botimi bëhet në kohën tonë që është antipod i kohëve të shkuara kur Shtëpia Botuese “Rilindja” megjithëse kishte vështirësitë arriti të bëhet, them, boshti i kulturës shqiptare. Degradimi i librit vjen padyshim si pasojë e mungesës së kritereve nga botuesit, të cilët ka raste kur prezantojnë autorë – siç i quan Erazmo Roterdami “që botojnë veprat e huaja si të vetat dhe përvetësojnë famën e tjetrit që e arriti me mund, pastaj krekosen kur i lavdëron populli: shih, ky është si njeriu i madh!”

Një shkrimtar i ri duhet t’i rreket leximit dendur para se të marrë guximin të hedh diç në letër, mandej ta ketë të qartë se ç’do të ofrojë: shkurt duhet t’i ndjek këshillat e Faik Konicës për artin e shkrimit; Konica themeloi kritikën në letërsinë shqipe. Natyrisht, kritika e shëndoshë e ndihmon tekstin – por, çfarë kritike mund t’ju bëhet këtyre palo teksteve që vazhdimisht botohen sot?

Në këtë periudhë, të cilën do ta quaja kiç – secili fare lehtë mund të shpallet poet e shkrimtar. Se çfarë dhe si shkruan brenda librit nuk ka fort rëndësi, sepse në këto kohëra gjithçka bën, për kurrfarë gjëje nuk ka ndalesë; mjafton t’i kesh paratë ta botosh librin (nuk të refuzohet botimi asnjëherë, sidomos nëse ke njëfarë miqësie me botuesin!), të shndërrohesh në “yll letrar” në rrjetet sociale dhe të flasësh nëpër studiot televizive si i famshëm, pra si shkrimtar në kulmin e famës… /KultPlus.com

Gruaja dhe ndjekja e ëndrrave mes barrierave, subjekti i romanit të Vlera Kastratit

Bujar Meholli

Vlera Kastrati është duke u bërë emër i njohur në skenën e xhazit shqiptar. Në këtë intervistë për KultPlus, ajo tregon përvojat e saj dhe lindjen e idesë për t’i përmbledhur ato në një vepër letrare – më saktë, në romanin Anatomia e shpirtit të një kosovareje, që është autobiografik dhe i pari krijim letrar për të.

“Muzika më ka tërhequr qysh në fëmijëri”, nis bisedën ajo. “Por ishin kohëra shumë të vështira vitet 70’ e tutje, sepse situata socio-politike kishte rënduar jetët tona dhe arti, kultura, s’ishin as në plan të dytë. Të jesh vajzë atëkohë ishte dyfish më vështirë, sidomos të përpiqeshe të shkolloheshe më gjatë apo të vësh në pah talentin tënd. Ëndrrat e realizuara ishin të largëta, diku shumë larg nga Kosova e atëhershme”.

Megjithatë, Vlera me vendosmërinë e saj të paluhatur vazhdoi të kërkonte ëndrrën. Ajo nisi të shkruajë dhe kompozojë këngë, paralelisht dëgjonte artistët që kishin arritur t’i lënë gjurmët e tyre në skenën e madhe botërore. Ajo u inspirua nga ta. “Sidomos kur kam jetuar në New York, por aq sa u inspirova edhe u frikësova sepse mendoja që ëndrra për muzikën ishte vrarë tashmë në Kosovë”.

Më pas, Vlera, ndoqi orë të ndryshme në teknikë të vokalit në New York, Romë e Prishtinë, gjersa bënte karrierë në politika të arsimit, derisa arriti të ekspozohej me artistë të ndryshëm kur qëndronte jashtë Kosovës, sidomos kur qe në New York dhe Paris.

“Fillova, me gjithë vështirësitë e shumta, t’i jepja jetë ëndrrës sime. Gjatë jetës kam bërë ecejake të shpeshta, kam shëtitur e jetuar në metropole si New York-u, Roma, Budapesti, ku çdoherë gjeja inspirim dhe krahasoja jetën që zhvillohej në vendin tim me këto vende. Vërtet, dallim i madh!

Gjatë kohës sa ishte në Paris, në këtë qytet të artit dhe kulturës, asaj i lindi ideja për shkrimin e një romani. “Shihja se si jetohej e punohej, e mbi të gjitha si ëndërrohej e i jepej kuptim jetës”, thotë ajo.

“Në Montmartre duke ecur rrugëve me kalldrëm, e rrethuar nga piktorë e turistë të impresionuar, kafene, bare të muzikës, ndjeva dëshirën për ta shkruar një roman dhe për ta bërë një CD. Tek më vonë, në një moment dëshpërimi të thellë në Kosovë, fillova shkrimin e tij.   

Vlera Kastrati

Prej asaj kohe jam rritur me këtë libër. Unë dhe libri jemi shembur e ngritur, ndërtuar e rindërtuar, zhvilluar dhe pjekur, përmes rrëfimit dhe muzikës të cilat janë të ndërlidhura në pjesët e librit.

“Romani është autobiografik dhe rrëfimi e shpie lexuesin te fëmijëria jonë e vështirë mes zhurmës së helikopterëve serb, mes gazit lotsjellës e orëve mësimore të humbura nga regjimi i asaj kohe e në të gjitha kohët më pas, secila më e rëndë dhe më e pakuptimtë se tjetra. Emocionet e fshehta të shpirtit dalin në sipërfaqe, të sinqerta, lakuriq, ashtu siç janë, të mira e të këqija, me dhimbje e gëzim, me një fjalë njerëzore”. Ajo tregon se përmes këtyre emocioneve në shkrim dhe muzikë, arriti ta rikrijoi veten duke kaluar nëpër momente të vështira, të cilat i tejkaloi duke gjetur forcën e të qenurit grua dhe të bërit njeri.  

E pyetur se si e mendonte në fillim, krijimin e këtij romani, ajo përgjigjet:

“Lexoja autorët e mëdhenj që ta kuptoja jetën më mirë. Më inspiruan Ralph Waldo Emerson, Jean-Jacques Rousseau, Carl Jung, Erich Fromm, Herman Hesse e të tjerë, tek të cilët gjeja dritën e ndjekjes së ëndrrës që buronte nga çiltërsia e shpirtit. Nga romanet autobiografike që më frymëzoj më së shumti është The Man’s Search for Meaning, i autorit Viktor E. Frankl.

Dhe kështu fjalë mbas fjale, faqe mbas faqeje, libri mori formën e duhur, muzika u realizua dhe unë kalova në një fazë tjetër të rritjes, nga një jetë plot dhimbje e viktimizim në një jetë të mbushur me guxim, dashuri e ëndërr, që i dhanë jetës sime kuptimin që e kishte humbur”.

Për lexuesit e KultPlusit, ajo tregon përmbajtjen e romanit si dhe ndërlidhjen e tij me muzikën.

“Jam përpjekur të sjell diçka të sinqertë, me shumë emocion e çiltërsi, për të cilën kam punuar mjaft. Vendosa për romanin sepse mundëson shpalosjen e përvojave më gjerësisht përmes prozës. Nuk mendoja për zhanrin, vetëm se vura në letër një rrëfim timin e të Kosovës, kompleks, të çiltër, e njerëzor.

Vlera premton se do ta sjell këtë roman edhe në gjuhën shqipe në të ardhmen, derisa lidhjen e muzikës me romanin e sheh si të pashmangshme.

“Këngët i kam vendosur në mënyrë që t’i shpreh emocionet e thella e të fshehura nëpër kohët dhe përvojat e jetës sime. Me fjalë rrëfeja veten e realitetin, me këngë e shëroja dhe zbukuroja atë. Ato janë të shkruara dhe kompozuara nga unë, ndërsa janë realizuar në Romë me pianistin e njohur Amedeo Tommasi që njihet për muzikë xhaz dhe film. Libri fillimisht do të dalë në gjuhën angleze, por e kam në plan ta rishkruaj ose t’ia besoj këtë ndonjë përkthyesi të dëshmuar”.

Për fund, Vlera thekson mesazhin kryesor që mëton ta transmetojë te lexuesit e krijimit të saj.

“Romani mund t’i motivojë sidomos gratë për rëndësinë e realizimit të vetes dhe jetës së tyre. Ato shpesh jetojnë për të tjerët, e më së paku për veten. Neglizhohen nga të tjerët, e po aq edhe nga vetja e tyre. Vlerësohen më së shumti për sakrificën që bëjnë për të tjerët, jo për veten. Rrallë mendojnë për ëndrrat dhe lumturinë e tyre. Për mua, ashtu si për çdo grua që e do jetën, gruaja duhet ecur përpara pa u ndalur asnjëherë, as nga vështirësitë e jetës, as nga paragjykimet patriarkale, as nga rregullat e ngurta të shoqërisë, e as kur gjithçka duket e pamundur dhe errësira duket sikur ua ka mbyllur zemrën. S’duhet ndaluar asnjëherë për t’i dhënë jetës kuptim e lumturi përmes ëndrrave të realizuara. Prandaj kënga ime që e kam publikuar I’ve Sinned (Kam mëkatuar), tregon në mënyrë simbolike që nëse ka mëkat, ai është mosrealizimi i ëndrrës tënde që të bën njeri më të plotësuar dhe të lumtur”.

Romani Anatomia e shpirtit të një kosovareje, pritet që së shpejti të dalë në treg. /KultPlus.com

“Tri gra”, libri i Lisa Tadeos që pritet të publikohet së shpejti

Bujar Meholli

Autorja amerikane Lisa Tadeo pritet që së shpejti ta publikojë librin e saj “Tri gra”, te i cili gërshetohet jeta publike, private dhe sekrete.

Në qendër të librit janë tri personazhe gra, të cilat shpërfaqin dëshirat e tyre: Maggie, është një adoleshente nga Dakota e Jugut e cila ka një marrëdhënie klandestine me mësuesin e saj të anglishtes. Lina, një amvise e martuar në Indiana. Ajo kishte qenë në lidhje me të dashurin e saj që nga shkolla e mesme dhe Sloane nga Newporti, burri i së cilës e ofron atë te miqtë e tij.

Lisa Tadeo

Personazhet e Tadeos janë të përzgjedhur, – siç thotë ajo, derisa ata janë kryesisht të bardhë, të rinj dhe heteroseksualë. Është e qartë se origjina e këtij libri, është në fakt, personale.

Aty përshkruhen peripecitë e Tadeos gjatë jetës së saj, gjurmët që ajo ndoqi si dhe sfidat e shumta. Në këtë tekst të saj, dëshirat janë vuajtje me rrënjët në traumë.

Të tri gratë janë të dënuara nga burrat dhe të turpëruara në sytë e të tjerëve. Edhe jetët seksuale të tyre diktohen nga burrat e tyre. Maggie i përmbahet rregullave që ia vendos mësuesi i saj kontrollues në gjithçka – ndërsa Sloanes i duhet të fle me burrat që bashkëshorti i saj i ka zgjedhur për të. E, Lina kërkon të marrë përgjegjësi për jetën e saj, ajo kërkon të ndahet nga njeriu që nuk pranoi ta puthte duke e poshtëruar atë. /KultPlus.com

Rrahja për gazeta

Nga: Bujar Meholli

Tregim satirik

Më njoftuan se artikulli im është botuar në njërën gazetë. U gëzova.
Rrugës ende s’mund t’i hapja sytë mirë, pas gjumit. U futa në kafenenë përballë dhe pikasa raftin me të përditshmet tona, në cep të kafenesë.
Të gjitha gazetat ishin aty. Njerëzit po fillonin të vërdalloseshin. Unë po bëja sehir.
Kur u ngrita dhe bëra kah rafti, u ndesha me një djalë trupmadh që mbante lugën e kuqe të kafesë në gojë dhe një cigare mbas veshi. Mesa dukej, tipi mendonte se ashtu ishte më “dandy”.
I kapi përnjëherësh të gjitha gazetat, dhe u drejtua kah grupi i shokëve, të cilëve ua shpërndau ato, porsi cigaret e lira që u shpërndahen nëpër dasma, dasmorëve. 
U ula. Prita. U sfilita. Ndërkohë ata gajaseshin dhe flisnin me të madhe, gazetat e zhubravitura dergjeshin në tavolinë njëra mbi tjetrën.
M’u sos durimi. Bëra kah ta.
— Ej, djema, a kini mirësinë të ma jepni aksh gazetën? 
Më panë me çudi. U pre e qeshura. 
— Kush je ti? ma bëri njëri me zë të thatë. M’u drejtua me “ti”, a thua se kishim ruajtur bagëtitë prej kohësh.
Tjetri vazhdoi pa e prishur terezinë.
— Edhe sikur të ishe Jezu Krishti a Muhamedi, s’do të të lejonim të na e prishje leximin e gazetave, në mëngjes. Tani, çporru nga këtu!
Kjo “çporru” me ç-në e theksuar gërditshëm, më acaroi.
Kapa gazetat vetëtimthi. Më shtyu njëri, pastaj më goditi duke ma shqyer paksa buzën. Tipi “dandy” më ra në shpinë. Mora filxhanin dhe ia vesha turinjëve. Cigarja i ra në tokë. Nga rrëmuja, u derdh ca kafe mbi gazetën ku kisha botuar. 
Por, e mora në duar megjithatë dhe u ula në poltronin tim karshi për ta shfletuar.
Më pikonte gjaku nga buzët.
Pas pak ikën duke qeshur, dhe “dandy” duke vënë në pah dhëmbët ngjyrë mjalti, më tha:
— Herave tjera, kujdes! Mos na prek në gazeta!

E pashë më fund artikullin tim, mbi të cilin ranë ca pikla të vogla gjaku.
Kamerieri më ish afruar sakaq, dhe kur ngrita kokën pashë se mbante një palomë.
— Eh, shoku — më tha, u ngatërrove me tipa që e kanë pikë të dobët gazetën.
E shikova çuditshëm. Ç’thoshte ky?
— Këta, (kanë pozita të larta, por s’më kujtohet saktë çfarë pozitash kanë, tha!) vinë këtu mëngjeseve, i marrin gazetat dhe i vendosin mbi tavolinë bashkë me kafetë, mandej llafosen e ikin duke bërë zhurmë pa i kthyer në raft më.
Thuajse gjithë ditën janë në pauzë!
“Ai dandy, mbase është farë zyrtari”, bluaja në mendje.
— Por ju mos u brengosni, u nxitua të më thotë. Do ta ruaj nga një kopje për ju, nëse pas kësaj që ndodhi sot, vendosni të na vini përsëri! 
Dhe, iku për t’ju bashkuar grupit të kamerierëve që pastronin rrëmujën.
Me ta mbaruar leximin, pata ndjenja të përziera. M’u duk vetja si aktor i komedive burleske; të them të drejtën më vinte të qeshja me të madhe, dhe njëkohësisht të qaja me dënesa…/ KultPlus.com

Fundosja e Titanikut

Poezi nga Vernon Dalhart
Përkthyer nga Bujar Meholli

Mëngjes i së hënës qe rreth orës një,
kur i madhi Titanik andej-këndej lëkundej,
njerëzit filluan të bërtisnin “gjallë s’do mbesim asnjë!”
Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Kur Titanikun e madh ata e ndërtuan,
thanë se uji gjë nuk do mund t’i bënte,
por Zotin e plotfuqishëm sakaq e harruan,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej,
ishte trishtuese…
Kishte gra, burra e vocërrakë, që jetët po i humbnin,
ishte trishtuese, ajo anije e madhe po fundosej…

Njerëzit po bënin rrugë të gjatë nga të tyret shtëpi,
ashtu tok, nuk e dinin se vakti u kish ardhur,
vdekja trokiti, qindra syresh i gëlltiti,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej…
Kish gra, burra e vocërrakë, që jetët po i humbnin.
Zot! Sa e dhimbshme! Anija e madhe veçse u fundos…

Inçizuar te Gennett Records, në vitin 1926.

Vernon Dalhart, emri i vërtetë i të cilit është Marion Try Slaughter, konsiderohet si njëri ndër artistët më të mëdhenj të muzikës Kantri. /KultPlus

Po ikë nga vendi im

Poezi nga Bujar Meholli

Po ikë nga vendi im.

Ai më sheh të huaj dhe unë atë,

gjithashtu!

Nëpër rrugët e tij kam parë,

manipulues turmash,

e vrasës-shpresash…

Tani, me varkën e molisur,

përmes detit shëllirë jam nisur…

Nga vendi im po ikë,

ai më sheh të huaj dhe unë atë,

gjithashtu!/KultPlus.com

Vështrimi i hënës

Poezi nga Bujar Meholli

Muzg vjeshtor, sa madhështor që je ti!

Më kredh vështrimin në horizontet e përflakura,

në hapësirat e pafundme qiellore. Ç’dëlirësi!

kur dëgjoj meloditë magjepsëse të tejzgjatura…

Nën dritat e zbehta kuqaloshe të dhomës sonë,

hamë darkën, sodisim pikturat sensuale në mur,

gjerbim kafetë, në mbrëmje vonë,

dhe unë ia them një serenade si trubadur…

E dashur, endacakja hënë nga lart na vështron,

dhe zbret fare lehtë, në tonën dritare,

shijon parfumin tënd që e adhuron,

siç adhuron qiejt, dhe hapësirat e pafundme detare… /KultPlus

Veçoritë e artit dhe arkitekturës islame

Nga Bujar Meholli

Me lindjen e besimit islam, fillon të zhvillohet edhe arti përgjatë periudhës Emevite dhe Abasite[1] (661-945) ku merr formë specifike, që vjen duke u zhvilluar veçanërisht në arkitekturë dhe art aplikativ.

Arkitektura, kaligrafia, e vizatimi, dallohen në këtë zhvillim të hovshëm artistik, që nis nga shekulli VII. Në artin islam, përqendrimi është kryesisht te kaligrafia dhe jo te krijimi i figurave, që në islam njihet si idhujtari, e ndaluar nga Zoti (Allahu) në librin e shenjtë Kur’an.

Pra, imazhet janë të ndaluara. Arti islam, është zhvilluar paralelisht me artin romak, artin e hershëm të krishterë dhe bizantin. Sipas M.M. Sharif, Ky art ka huazuar edhe elemente teknike dhe formative nga mjediset me të cilat ka kontaktuar apo bashkëjetuar, por fryma e islamit ka qenë postulat i pacenueshëm i frymëzimit dhe veprës së artistëve myslimanë.[2]

Piktura dhe skulptura kanë ngecje, sepse artistët myslimanë zakonisht janë të lidhur me besimin që synon njëshmërinë e Krijuesit; ata largohen nga idhujtaria që sipas tyre manifestohet nëpërmjet pikturës dhe skulpturës.

Arkitektura është po ashtu e përhapur dhe mjaft e zhvilluar në islam. Kemi të bëjmë me zhvillimin e stileve e dizajnëve nga arkitektët myslimanë të cilët përfshijnë edhe stile sekulare mirëpo fokusi kryesor mbetet te stili fetar, i cili, natyrisht është më i shprehur.

Në arkitekturën islame, përveç xhamive përfshihen edhe pallatet, kalatë, banjot, urat e ndërtimet tjera që mbartin vlera të larta artistike.

Arti dhe arkitektura islame janë quajtur psikadelike; ato shfaqin paraqesin ngjyra të gjalla dhe modele mjaft të ndërlikuara gjeometrike të ngjashme me modelet kaleidoskopike. Kur përmendet psikadelika, mendja shkon tek arabeskat të cilat padyshim janë themeli i artit islam, të përbëra nga modelet lineare.

Pas vdekjes së profetit Muhamed, stili arkitektural islam u paraqit dhe ngadalë u zhvillua duke marrë bazat e modeleve antike egjiptiane, bizantine, persiane e sasaniane.[3]

Naqsh-e Jahan Square

Përfundimi i Kupolës së Gurit në Jerusalem (viti 691), paraqet hapësirën e brendshme të ndërtuar me gurë e të zbukuruar me arabeska. Edhe Xhamia e madhe e Samarrës në Irak, është nga shembujt e hershëm të ndërtimeve arkitekturale islame.                                         Kjo xhami (viti 847) ka minare në formë spirale dhe i takon ndërtimit arkitektural hipostil[4].

Arkitektura islame dallon nga ajo evropiane duke pasqyruar elemente të posaçme të zhvilluara nga arkitektët e njohur myslimanë.[5]thotë historiani gjerman dhe studiuesi i islamit, Ernst J. Grube.

Kuptimi i artit dhe arkitekturës islame reflekton te besimtarët myslimanë, në lidhjen e tyre me universin. Pra, artistët myslimanë qëllimin kryesor e kanë që përmes zbukurimeve t’i afrohen Allahut bashkë me praktikuesit fetarë, ata që i shijojnë këto zbukurime.

Kur jemi te zbukurimet, përmendim punimet e qilimave të famshëm që datojnë nga vitet 531-579 në Persi dhe Turqi. Ata, qilimat, u përhapën në mbarë botën. Islami i kushton rëndësi të veçantë pastërtisë, e madje për besimtarët i ndalon vendet e papastra, prandaj ritet preferohen të kryhen mbi gjëra të pastra, siç është qilimi.

Qilimat janë art në vete, këtë e dëshmon kualiteti i lartë i prodhimit dhe rritja e çmimeve në ankandet botërore. Eksploruesi i famshëm italian Marko Polo, qilimat e punuar me forma gjeometrike i përshkruan si më të bukurit në botë.

Tregtarët italianë ishin më meritorët që ata u njohën dhe vlerësuan nëpër Evropë. Qyteti i Venecias fillimisht ishte qendër e tregut; qytetarët i përhapnin qilimat rrugëve të ngushta apo i varnin ata në dritaret e tyre, po ashtu i përdornin për t’i zbukuruar gondolat e tyre.

Megjithë rëniet e ngritjet ndër shekuj, kërkesat për qilima u shtuan në shekullin e 20-të, e madje mori hov sjellja e tyre në Evropë.

Kaligrafia arabe në hyrje të Taxh Mëhallës

Siç thamë sipër, imazhet ndalohen rreptësisht, e ky ndalim është quajtur aniconizëm, term që shpjegon pse nuk mund të shohim krijimin e imazheve, sidomos të qenieve të ndjeshme në islam ku përfshihet Zoti, profeti Muhamed, (dhe të afërmit e tij) profetët tjerë, si dhe njerëzit e kafshët në përgjithësi. Përshkrimi i Zotit në mënyrë vizuale, automatikisht çon në idhujtari.

Abstraksioni i artit islam, ka për qëllim të simbolizojë natyrën transcendente dhe të pafundme të Zotit; për këtë shërbejnë më së miri arabeskat. Përmes tyre, mund të përsëritet ad infinitum[6], që paraqet gjuhën universe dhe madhështinë e Zotit.

Brendësia e xhamisë së Kordobës

Faqja hyrëse e Kur’anit në Stamboll, 1867

Arabeskat

Artizanati islam

Qilim islam



[1] Ishin dy dinasti të famshme që shërbyen për ngritjen dhe zhvillimin e shkencave, diturive, e qytetërimit në çdo anë të vendeve islame.

[2] M. M. Sharif, A History of Muslim Philosophy, vol. II, Wiesbaden, 1966

[3] Arti Sasanian u shfaq në Perandorinë Sasaniane, që sundoi nga shek. 3 deri në 7. Ky art përshkruan skena humoristike me stil madhështor.

[4] Fjala hipostil, rrjedh nga greqishtja e lashtë hyostylos, që nënkupton “nën kolonë”. Në kolona mbështetet një çati.

[5] Architecture of the Islamic World”, 1978, Thames and Hudson, Ernst J. Grube

[6] Frazë latine që do të thotë “pafundësisht” ose “gjithmonë”.

Forcë e venitur

Poezi nga Bujar Meholli

Dikur ecje gjithë krenari, gjë s’të mungonte,
notoje në famë dhe pushtet,
s’e çaje kokën për njerëzit
që donin të të afroheshin.

I injoroje dhe bëheshe sikur asfare s’i dëgjoje…
Mbrëmjeve dilje për ta ngrënë darkën në restaurantet luksoze,
qejfi të bëhej kur kamarierët shihnin nga ti me drojë, e për ty
ishin në shërbim, njëzet e katër orë…

Nervat t’i ngrinin leckamanët kur në xhamat e sates zyrë,
kacavirreshin dhe prej teje ndihmë e çare kërkonin.
Bah!

Pikërisht atëherë ti rrufisje kafenë e mëngjesit,
dhe ta njomnin shpirtin tingujt e Shubertit.

Veçse, shëndeti i mallkuar lozi keqas me ty,
ta ligështoi trupin dhe t’i pështjelloi mendimet,
e tash s’je në gjendje të bësh më asgjë,
anipse një grup vashash derën ta kanë zënë.

Atyre s’iu bën fare për ty, të bëjnë lloj-lloj lajkash,
dhe kartën bankare ta kërkojnë,
por ti s’mund t’iu bësh gjë,
veç t’i aprovosh kërkesat e tyre,
pastaj t’i shash nëpër dhëmbë këto dhembje e sëmbime, që
shpirtin ngadalë po ta pakësojnë dhe drejt mbarimit
po ta çojnë!

Si e ndien veten, tani?
Kur e sheh se fjala s’po të shkon,
pushteti krejtësisht të ka lënë,
dhe tani je veç një shpend në kafaz, i zënë!

Prishtinë, mars 2018