Ish banesa e Llambi Kolovanit, sot bujtina “Kodikët” e Vasilika Gogut, është një zgjidhje e arritur e variantit përpendikular me gjysmëkat. DRTK Berat shkruan se, banesa mund të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.
Data 1842 e shkruar mbi dritaren anësore në pamjen jugore të banesës, mund të jetë koha e ndonjë riparimi, që i është kryer kësaj trashëgimie arkitektonike. Në katin e banuar, ambienti i dhomës së miqve, duket se ka pësuar një rindërtim të kompleksit fundor gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.
Prej vitit 1961, kjo pasuri ndërtimore mban statusin juridik Monument Kulture, Kategoria I.
Një pjesë e madhe e banesave karakteristike të Beratit, janë restauruar dhe kthyer tashmë në bujtina mikpritëse të vizitorëve vendas e të huaj, numri i të cilëve, vitet e fundit ka ardhur gjithnjë në rritje.
Berati me kalanë e tij, kishat e xhamitë, lagjet karakteristike etj, të cilat bartin vlera historike, arkitektonike e kulturore, ka se çfarë t’u ofrojë vizitorëve të tij./atsh/KultPlus.com