Demonstrata e Bukës që nisi në Korçë më 21 shkurt 1936, mbush 86 vite nga zhvillimi i saj, përcjell KultPlus.
U zhvillua më 21 shkurt 1936 në qytetin juglindor dhe u shoqërua me reprezalje disa ditore nga regjimi.
Ndonëse ajo u shtyp nga regjimi i Zogut (shoqëruar me masa ndëshkuese në tre-katër ditët më pas), ajo ia arriti qëllimit. Kjo demonstratë njihet si lëvizja e parë masive me objekt e kërkesa konkrete, kundër regjimit të kohës.
Arsye kryesore sipas librave të historisë, ka qenë shtrenjtimi i jetës, përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe, ndoshta edhe elemente të krizës së urisë, që zakonisht shoqëronte çdo vit mbarimin e rezervave të vitit të mëparëshëm.
Gjithsesi, kjo ngjarje e shënuar, për të cilën pas shumë dekadave është shkruar shumë, zë një vend të rëndësishëm në historinë e protestave masive të popullit shqiptar në shekullin që kaloi. Ajo është e para protestë masive popullore me objekt të caktuar, kundër regjimit të kohës në fuqi. /KultPlus.com
Më 12 maj 1949 mori fund bllokada e Berlinit në të cilën Britania e Madhe luajti një rol kyç.
Britanikët kuptuan se rruga për të fituar zemrat dhe mendjet për demokracinë kalonte përmes stomakut.
Megjithëse marrëdhënia mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe ishte e vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, angazhimi britanik u provua kur Londra zyrtare ndihmoi në thyerjen e bllokadës sovjetike të Berlinit, e krijuar 70 vite më parë për t’i thyer përmes urisë aleatët.
Bernd von Kotska nga Muzeu i Aleatëve në Berlin, thotë se një aksion i tillë kaq spektakolar nuk do të ishte më i mundur sot.
“Të sjellësh nga ajri ushqime dhe mall në kryeqytetin e armikut të dikurshëm, që sapo kishte bombarduar Londrën dhe Coventryn dhe ta bësh këtë, kur vetë në vend duhet të fillonte racionimi i ushqimit për britanikët kjo është një situatë unikale”, thotë von Kotska. “Të them hapur, kjo është një situatë, që askush nuk do ta përsëriste më sot”.
Si dy armike, Britania e Madhe edhe Gjermania e njihnin urinë nga racionimi i rreptë në Luftën e Dytë Botërore, por edhe hapat e parë drejt një marrëdhënie të re filluan përmes ushqimit. Si pushtues të Gjermanisë veriperëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, Britania e Madhe kishte përgjegjësinë e të ushqyerit të një popullsie nën rrezikun e vdekjes nga uria.
Kur qeveria laburiste bëri të ditur planin e racionimit në korrik 1946, diçka që britanikët nuk e kishin përjetuar madje as gjatë luftës, ajo e justifikoi vendimin si një sakrificë. Për të penguar gjendjen e urisë ku “njerëzit në vendet armike të okupuara ishin në rrezik të lartë të vdisnin nga uria”, siç shkroi Susan Cooper në librin „Koha e Kursimit”, buka duhej të racionohej, bashkë me shkurtime në proshutë, mish pule, oriz, vezë dhe yndyra.
Importet e drithit ishin rrezikuar pasi prodhimi botëror kërcënohej nga një dimër i ashpër. Ideja ishte që drithërat amerikane të mund të ndërronin drejtim e të vinin për të ushqyer zonat e pushtuara nga britanikët.
Një ide aspak popullore dhe ndoshta edhe jo aq e domosdoshme, sepse racionet nuk ishin shumë më të vogla, se ato që njerëzit ishin mësuar të hanin, por njerëzit e kuptuan gjuhën e urisë në mesin e sakrifikimeve të pashembullta të kohës.
Në një raport britanik nga viti 1946 citohet një komandant nga zona britanike Sir Sholto Douglas që thotë se ishte vendimi i duhur strategjik për të ndihmuar Gjermaninë, se ‘ajo që po ndodh në këtë pjesë të Gjermanisë është po ashtu edhe shqetësimi juaj.’
Racionimi i bukës ishte një nga impulset e para në përpjekjen e britanikëve „për të fituar paqen” në një kohë që po kristalizohej Lufta e Ftohtë me sovjetikët. Ata duhet të bindnin publikun në të dyja anët, se si armiq të dikurshëm jemi tani miq përballë një armiku të ri. „Demokracia në Gjermani ishte në fillime”, thotë Bernd von Kotska. “Ishte esenciale të thuhej – nëse ne duam të ndërtojmë demokracinë, duhet të sigurojmë që kjo demokraci është e aftë të ushqejë njerëzit.”
Por vetëm dy vite më vonë, Bashkimi Sovjetik u përpoq të përdorte urinë në Gjermani për të marrë kontrollin e plotë të pjesës lindore. Plani britanik i racionimit përfundoi në korrik 1948. Por pak para përfundimit të tij, mosbesimi i vazhdueshëm që ziente mes aleatëve perëndimorë dhe britanikëve pas futjes në perëndim të një valute të re për të stabilizuar ekonominë, çoi në bllokadën sovjetike të Berlinit. Pasi sovjetikët prenë hyrjet nga toka, hekurudha dhe uji për në Berlin në sektorët e kontrolluar nga britanikët, francezët dhe amerikanët, çdo gjë u bllokua.
Por duke e parë Berlinin si fortesë kundër ekspansionit sovjetik, aleatët u përballën me sfidën dhe vendosën në 24 qershor për planin britanik të aviacionit të njohur si “Air Commodore Reginald waite”. “Ishte gati e paimagjinueshme në vitin 1948 të mbështesje pjesën perëndimore të qytetit me më shumë se dy milionë banorë ekskluzivisht nga ajri dhe Reginald Waite ishte oficeri i parë që mendoi se kjo ishte e mundur”, thotë von Kotska.
E njohur në Gjermani si ura nga ajri, britanikët dhe amerikanët filluan misionin e hedhjes së ushqimeve nga ajri pa pushim duke krijuar një urë virtuale në qiell. Francezët që po ashtu vuanin pasojat, iu bashkuan misionit.
Më shumë se 25 aeroplanë civilë britanikë iu bashkuan zinxhirit të fluturimeve në një interval ngjitjeje dhe zbritjeje prej 90 sekondash nga aeroporti në të tre sektorët e aleatëve, duke hedhur rreth 5000 tonë ushqime dhe benzinë në ditë.
Berlinezët rezistuan 318 ditë, derisa sovjetikët pasi e kuptuan, se sa kishin rënë në sytë e publikut e përfunduan bllokadën më 12 maj 1949.
Nëse SHBA kreu shumicën e ushqimeve, britanikët transportuan afër një çerekun e tyre, vetëm tre vjet pas luftës, dhe kjo e rriti në mënyrë të ndjeshme rolin britanik. Ajo tregoi guximin politik, që nuk është kaq i dukshëm sot, thotë von Kotska nga Muzeu i Aleatëve në Berlin.
“Kush mendoni, se do të fitojë zgjedhjet duke i treguar votuesve, se po, e di që kemi racionuar me vite, por do të vazhdojmë me këtë…se do të ofrojmë mbështetje për një vend që hodhi bomba vetëm tre vite më parë tek ne”, ka thënë ai. /KultPlus.com
E pamë se mielli si produkt ushqimor në këtë kohë të konfrontimit me COVID-19 ishte përbërësi më i kërkuar për tu siguruar në shtëpitë tona. Ishim dëshmitarë të radhëve të gjata në pritje për të siguruar thasë me miell. Ajo që dëgjohej ndër miq, kolegë e familjarë ishte se: se a e sigurove miellin? Sa thasë i more? A ish shtrejtuar mielli? …
Mos të harrojmë: ky popull është popull buknor, bukën e ka shenjën esenciale kulturore. (A.Canolli) Në këto kohëra të izolimit, anipse furrat e bukëpjekësit akoma e vazhdojnë veprimtarinë e tyre, buka kryesisht po përgatitet në ambientet shtëpiake, duke na kthyer prapë në “magje”. Jemi dëshmitarë që së fundmi në mediat sociale shohim lloje të ndryshme të bukëve si: bukë nore, bukë si n’vekne, kulaqe të ndryshme të lyera me vezë e susam, pitalka, samune me djathë e suxhuk apo edhe lloje të tjera brumërash. Ky trend në kohën e pandemisë është duke vënë në pah marifetli të gatimit e përgatitjes si gra e burra, të rinjë e më në moshë që me krenari tregojnë bukët e dala valë nga furra e drejt në mediat sociale.
Duke rikujtuar faktin se jemi duke kaluar së bashku këtë situatë të pazakontë, ju ftojmë ta ndani bukën e sapo përgatitur përmes fotografive apo edhe recetave, që së bashku ta shijojmë shujtën më të rëndësishme në kulturën tonë, ta shijojmë bukën tonë për shëndet e të mira. Presim t’i shohim bukët tuaja!/ KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Buka’, film ky i pari i regjisores së re Blerta Kelmendi, riktheu në ekranin e kinemasë aktoren brilante e cila vdiq dje në moshën 66 vjeç Hajrie Rondo, shkruan KultPlus.
Kësisoj sot po e rikujtojmë aktoren Rondon me fotografitë nga xhirimet e këtij filmi i cili u realizua dy vite më parë dhe pjesëmarrja e Hajrie Rondos ishte e veçantë. Rondo në këtë film luajti përkrahë aktorit të mirënjohur Ligoraq Tushe (Fotografitë janë publikuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri)./ KultPlus.com