Termokiss vjen me iniciativën ‘Bukë Për Krejt’, ndihmon të pastrehët e kryeqytetit

Termokiss organizon iniciativën “Bukë Për Krejt” për të mbledhur, gatuar dhe shpërndarë ushqim njerëzve të pastrehë. Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e kësaj qendre.

Ideja e iniciativës “Bukë për krejt” filloi atëherë kur në ambientet e “Termokiss” organizohej festivali “Krejt ka pak”, me punëtori, koncerte e ngjaje të tjera. Si pjesë e këtij festivali ishte edhe gatimi i ushqimit, së bashku, e për të gjithë. Por, meqenëse ushqimi që gatuhej gjatë ditëve të këtij festivali tepronte, atëherë drejtuesve u lindi ideja që krahas punës që bënin për festivalin, të gatuajnë e të shpërndajën ushqim për skamnorët.

“Meqenëse ushqimin e gatuanim vet, ajo shumë ishte më se e mjaftueshme për të gjithë̈ pjesëmarrësit e festivalit, bile-bile edhe tepronte ushqimi. Kështu na lindi ideja që çdo ditë, kur gatuajm për festival, të gatuajmë edhe për skamnorët dhe t’ua shpërndajmë pjatat me ushqim të gjithë së bashku”, shkruhet ndër të tjera në postimin e qendrës “Termokiss”.

Sipas tyre përfitimet e kësaj iniciative ishin të dyanshme sepse krahas shujtës që ju dhuronin personave të pastrehë , organizatorët panë një realitet në një këndvështrim ndryshe, ku arritën dhe të kuptonin se kur ndan me të tjerët pasurohesh në aspektin shpirtëror e mental.

“Termokiss” ka ftuar të gjithë që kanë dëshirë që të ndihmojnë në sigurimin e ushqimit të nevojshëm të kontribuojnë në kutijat për donacion që tashmë kanë zënë vend në vet këtë qendër, Soma Book Station, Dit’ e Nat’ e shumë shpejt edhe Miqt Pub. / KultPlus.com