Bëhu i mirë

Nga Charles Bukowski

Na është thënë gjithmonë
çmoje mendimin e tjetrit
edhe po qe ai
mendimi më arkaik
më teveqeli apo
më i neveritshmi.

Na është kërkuar
të mësojmë me dashamirësi
nga gabimet e tyre
nga jeta e tyre e çuar dëm
në veçanti
nëse janë të moshuar.

Por mosha është
shumësia e bëmave tona.

Ata janë rritur
keq
sepse kanë jetuar
në terr,
ata kanë refuzuar
që të shohin.

S’është faji i tyre?

I kujt qenka, atëherë?

I imi qenka?

Më është thënë
ti fsheh prej tyre
mendimet
nga frika e frikës së tyre.

Mosha nuk është krim
por turpi i një jetë të çuar dëm
me paramendim
ndërmjet shumë jetësh të tjera
të çuara dëm me paramendim.

Përktheu: Agon Sinanaj / KultPlus.com

‘Nëpërmjet shpirtit’

Poezi nga Charles Bukowski

Nëpërmjet shpirtit

Ai e kalon shpirtin
si një thikë
dhe unë i sondoj peisazhet
herë i zymtë, herë i vrerosur
ku korbecë të zinj katran
krrokin kaq me zë të lartë|
sa të gërvishtin muret e zemrës.
Kalon nëpër kopshte të këndshme
zbukuruar me margarita të bardha
dhe ngrohur nga një diell i vakët pranverë.
Por kur linfa e saj
Arrin kulmin shpërthen
gjethja njolloset.
Tampon i vetëm për të tillë plagë…/KultPlus.com

‘S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Një poezi

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

Një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…