Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, ku spikatin prodhimet e bylmetit, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.
Kalaja e qyteti antik të Amantias është e para që duket kur arrin në fshatin Vajzë. Mes kodrave të luginës së Shushicës dallon maja ku janë rrënojat e qytetit.
Stadiumi arkeologjik në parkun Amantia është në formë patkoi dhe ndërtimi i banesave dhe fortesave i jep Amantias një pamje ndryshe nga qytetet e tjera Ilire.
Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantias, filluan në shekullin e XIX. Tempulli i Afërditës dhe bazilika palokristiane janë elementë të veçantë që spikasin në këtë zonë.
Gjatë komunizmit në kala kanë jetuar rreth 40 familje. Përveç rrënojave të kalasë, në qytetin e Amantias gjenden edhe tre shpella dikur të banuara.
Gjurmët historike të kësaj zone ndërthuren me peizazhet e natyrës fantastike. Ndërsa gatimet tradicionale të fshatit Vajzë, ku spikatin produktet e bylmetit me shijen e veçantë janë pika më e “fortë” që tërheq vizitorët dhe turistët në çdo kohë. / KultPlus.com