Sipas informacionit që ATSH ka siguruar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, që mbulon Parkun Kombëtar të Thethit, vlerësojnë se Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë tepër i vizitueshëm këtë sezon turistik dhe kryesisht në fundjava.
“Kanë qenë të shumtë vizitorët që u ngjitën drejt Thethit këtë fundjavë”, thotë për ATSH Drejtori i AdZM-së Shkodër, Agim Dardha. Sipas tij, turistët udhëtojnë kryesisht me makinat e tyre apo të organizuar me guidat turistike.
Vitin që shkoi, Thethin e vizituan rreth 80 mijë turistë nga ky pothuajse gjysma kanë qenë vizitorë të huaj. Ndërsa ky sezon turistik sipas trendit të deri tanishëm do të sjell një numër më të madh vizitorësh gjatë gjithë vitit.
Në bukuritë e rralla të Shqipërisë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.
Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.
Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar” dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.
Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorë dhe pushuesit.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.
Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit të tre shteteve, parku quhet “Parku i Paqes”, ku në të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin edhe të turizmit kulturorë.
Një bukuri natyrore të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë, Ujevara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me Mullirin e Blojes, kishën në qëndër të fshatit formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.
Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i Lumit të Shalës në Okol, që derdhet në Liqenin e Komanit dhe formon plazhe të vegjël që shfrytëzohen gjatë verës nga pushuesit e ardhur nga vendi dhe kuriozët nga bota. Për turizmin në Theth, kanë shkruar shumë media botërore dhe shumë televizione kanë shfaqur reportazhe promovuese. Thethi mbetet kurioziteti i turizmit shqiptar dhe vizitohet në çdo stinë të vitit.