‘Mbrëmjet e kulturës bullgare’ sjellin turistë nga Bullgaria dhe emocione të veçanta për publikun e Durrësit

Mbrëmja e dytë e kulturës bullgare u zhvillua të shtunën në Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada e Bullgarisë në Tiranë bëri të ditur se kjo nismë solli në bregdetin shqiptar shumë turistë bullgarë, të cilët duke shijuar pushimet e tyre, prezantuan po ashtu para publikut të Durrësit bukurinë e folklorit bullgar.

Për dy vite rresht, organizatorët tregojnë shumëllojshmërinë e valleve, këngëve dhe veshjeve popullore nga krahinat e ndryshme folklorike të Bullgarisë.

Kjo bëhet me ndihmën e klubeve folklorike që vijnë nga rajonet e ndryshme të Bullgarisë. Partnerët e tyre janë Ambasada bullgare në Tiranë dhe Bashkia e Durrësit, të cilët mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve.

Tre ishin ansamblet që prezantuan artin e vet në mbrëmjen e kulturës bullgare më 22 qershor. Ato erdhën nga qyteti Bjala (Bullgari Veriore), qyteti Vratsa (Bullgari Perëndimore) dhe fshati Vasilovo (Bullgari Qendrore).

“Mbrëmje të tilla janë planifikuar edhe më 12 dhe 17 gusht 2024 në sheshin para qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Po punohet dhe për zgjerimin e iniciativës, duke përfshirë edhe qytete të tjera shqiptare”, thuhet në njoftimin e Ambasadës bullgare./atsh/ KultPlus.com

Ilire Avdiu përfaqëson Kosovën në Bullgari

Klarinetisja Ilire Avdiu ditët e fundit ka përfaqësuar shtetin tonë në Bullgari, duke mbajtur Koncerte në Jazz Bar në Sofia si dhe International Jazz Festival në Pleven, përcjellë KultPlus.

Ajo ka interpretuar albumin e saj “A night in Prishtina” të lansuar dy vite më parë si dhe disa pjesë të reja muzikore me anë të së cilave ka paralajmëruar albumin e saj të dytë, i cili do të publikohet këtë vit.

Ajo ishte e ftuar poashtu në intervistën e Jazz FM Radio të Bullgarisë si dhe në Radion nacionale të Plevenit.

“Jam befasuar me mikpritjen e njerëzve të cilët kanë reaguar në mënyrë aq pozitive ndaj muzikës që kemi luajtur saqë edhe në Kosovë ende po më përcjellë ajo energji pozitive plot vullnet. E kam ndier vetën vërtetë të respektuar dhe të përkrahur. Falënderoj shumë organizatorët dhe të gjithë publikun për këtë eksperience shumë të bukur”, është shprehur Ilirja për KultPlus.

Këto evente janë iniciuar nga organizata joqeveritare “Balkan Ways To Friendship”.
Instrumentistët që kanë bashkëpunuar kanë dhënë një profesionalizëm jashtëzakonisht të përgjegjshëm, duke i dhënë muzikës stilin e duhur që ajo kërkonte.
Instrumentistët kanë qenë të vendas si: Stanislav Arabadzhiev në piano, Mihail Ivanov në Bas Kitarë dhe Stefan Goranov në Bateri.

Si mysafir special i këtij kuarteti në Sofia Jazz Bar ka qenë kavallisti Zhivko Vasilev.

Si në Sofia ashtu edhe në Pleven Ilire Avdiu ka pasur një sukses të padiskutueshëm.

Ajo do të ketë edhe tjera evente të tilla, në të cilat do t’a përfaqësoj vendin tonë me krenari në mënyrën e saj artistike./KultPlus.com