Shqipëria komuniste ishte kombi më i izoluar i Europës. Duke iu trembur një pushtimi, regjimi ndërtoi një bunker bërthamor të fshehtë. Sot ky bunker është një atraksion turistik.
Ai ishte i fshehur nga rruga. Një tunel i gjatë, i hapur përmes një kodre përballë, ishte e vetmja mënyrë për të hyrë. Ky nuk ishte një vend ku mund të shëtisje, ishte hyrja e një baze ushtarake.
Tuneli, i gjatë sa dyfishi i një fushe futbolli, është më i ftohtë se sa mjedisi përjashtë. Aty-këtu gjenden pellgje uji. Një kumbim harmonioz bëhet gjithnjë e më i fuqishëm ndërkohë që i afrohesh qendrës së tunelit. Pas, roja që qëndron në hyrje të tunelit duket sa një ushtar prej lodre.
Gjithsej, duhet të ecësh 198 metra për të arritur në një parking të panjohur që ndodhet në fund. Një godinë institucionale ngjyrë gri shfaqet përballë. Ky është “Bunk’Art 1” dhe një ecje prej pak minutash në rrugën që ndodhet pas të dërgon në një prej vendeve më të fshehta të Luftës së Ftohtë.
“Ky është vendi më i mirë për të qëndruar në Tiranë gjatë ditëve të verës kur termometri arrin 40 gradë Celsius”, thotë Artemisa Muço.
Muço punon si guidë në “Bunk’Art 1”. Vajza 24-vjeçare e diplomuar në histori kalon ditët e saj në një vend aq të fshehtë sa që njihej vetëm si “Godina 0774”, një emërtim i ftohtë për një strukturë që ishte ndërtuar për t’i mbijetuar fundit të botës, shkruan atsh.
Enver Hoxha ishte udhëheqësi i Shqipërisë për katër dekada. Nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në mes të viteve 1980, ai udhëhoqi vendin sipas modelit stalinist të vetë-mjaftueshmërisë i ideuar për të kthyer Shqipërinë në një vend modern dhe të pavarur. Ishte një rrugë unike, zbatimi i tij plot zell i marksizëm-leninizmit lejonte shumë pak devijime. Shqipëria prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë në vitin 1948, me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe Kinën në vitin 1979, për shkak të braktisjes së detyrës socialiste nga këto vende.
Bashkë me këtë zell stalinist erdhi edhe paranoja. Hoxha, një ish partizan që kishte luftuar gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, besonte se armiqtë nga Lindja dhe Perëndimi planifikonin të pushtonin këtë vend të vogël dhe malor. Ai urdhëroi zhvillimin e një programi gjigant të ndërtimit të bunkerëve, i cili do t’u mundësonte qytetarëve shqiptarë të luftonin një luftë guerrile nëpërmjet një rrjeti të gjerë bunkerësh. Dhe ndërkohë që zhvilloheshin luftimet, Hoxha, bashkë me pjesën tjetër të elitës drejtuese do të koordinonin rezistencën nga ky bunker.
“Godina 0774” është rezultati i paranojës unike të Hoxhës. E ndërtuar mes viteve 1972 dhe 1978, ajo ka më shumë se 300 dhoma të shpërndara në shtatë nivele nëntokësore, ku pjesa më e madhe ndodhet thellë brenda ultësirës së Malit të Dajtit. Është një kujtim klaustrofobik dhe pa dritare nga Lufta e Ftohtë në një prej cepave më të mbyllur.
Sikur perëndimi apo lindja të pushtonte, “Godina 0774” do të kishte qenë një vend aktiv. E gjithë mbrojtja e vendit do të organizohej nga këtu. Godina do të priste brenda deri në 300 persona, përfshirë edhe stafin e Shtabit të Përgjithshëm të vendit.
“Kishte mjaftueshëm ushqim, uji dhe karburant që të qëndronin të mbyllur për një vit”, thotë Muço.
Bunkeri u ndërtua nën një fshehtësi të plotë. Në një mur ndodhet një imazh i Hoxhës që e viziton ditën e inaugurimit, ku do të kalojë një prej pak netëve që i kishin mbetur para se të vdiste në vitin 1985. Pavarësisht kësaj, ai kishte apartamentin e tij, të kompletuar me një krevat luksoz, një zyrë sekretarie dhe një banjë të pajisur me një dush që funksiononte me motor me naftë. Dhomat private janë dekoruar me një material që ngjan si dru i zi.
“Është kompesatë. Ndërsa pjesa tjetër e dhomave, si ajo e kryeministrit, janë dekoruar me dru. Kjo është e vetmja dhomë që është punuar kështu”, thotë Muço.
Shqipëria kaloi nga qeverisja me një parti në zgjedhje parlamentare në vitin 1991, por pjesa tjetër e dekadave u shënuan nga kaosi. Në vitin 1997, qeveria e vendit ra pas dështimit të skemës së firmave piramidale, që goditën pjesën më të madhe të pasurisë së vendit. Rreth 2 000 persona u vranë dhe shumë baza ushtarake u bastisën për shkak të kaosit. “Godina 0774” ishte një prej tyre.
Kompleksi i bunkerëve u përdor për herë të fundit nga ushtria shqiptare për stërvitje në vitin 1999 dhe më pas u la pasdore. Vetëm në vitin 2014 u rihap falë përpjekjeve të gazetarit italian Carlo Bollino, i cili kërkonte të rikthente në dritë këtë relike të historisë së Shqipërisë së izoluar.
“Vendosa të hap Bunk’Art 1 në vitin 2014, kur ministria e kulturës nxori një njoftim për ide për të festuar 70-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, thotë ai për “BBC Future”.
“Deri në atë kohë ende nuk kishte një vend ku një turist madje as edhe një shqiptar të mund të mësonte për sekretet e periudhës komuniste”, vazhdon Bollino.
Ai thotë se “pati një ndjenjë të fuqishme gjatë vizitës së parë. Ndjeva emocionin për të eksploruar një vend të errët, misterioz që përcjell një ndjenjë të historisë”.
Kur godina u hap në vitin 2014 për një muaji, shkaktoi një tronditje, rreth 70 000 shqiptarë e vizituan.
“Shqiptarët mësuan se këtu ndodhet ky bunker për të cilin nuk dinin asgjë prej kaq shumë vitesh. Sikurse mund të vihet re ka shtëpi këtu rrotull. Madje edhe banorët e zonës kur erdhën këtu u habitën. Ishte shumë mahnitëse për ata që të shihnin se brenda në mal ndodhej një godinë e tillë”, thotë Muço.
Bollino nuk u përpoq që të ndërtojë vetëm një muze që ruan strehën e regjimit sikur të ishte një kapsulë kohe, por për të shtuar diçka më shumë. Shumë prej dhomave janë kthyer në mjedise arti, secila prej tyre paraqet një aspekt të ndryshëm të së kaluarës komuniste, ose të bëjë godinën të oshëtijë.
Dhomat e rinovuara në kompleksin si labirinth janë mbushur me produkte dhe pajisje që i rezistojnë kohës. Ekipi tani ka mbaruar se rinovuari më shumë se 100 prej dhomave të bunkerit. Pjesa më e madhe e kompleksit ka mbetur e parinovuar, ose thjeshtë janë jashtë afateve. Një bazë funksionale e ushtrisë ndodhet aty pranë dhe zyrtarisht kjo godinë mbetet pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Bollino e pranon se “kjo është një sfidë e madhe. Kjo ishte e vështirë nga një këndvështrim logjistik, sepse vendi është shumë i lagësht dhe çdo objekt i ekspozuar brenda pak ditësh përfshihet nga myku”.
“Por vështirësia më e madhe ishte kulturore. Mbledhja e dokumenteve dhe objekteve nga e kaluara komuniste ishte e mundimshme, por edhe më e vështirë ishte përpjekja për të tejkaluar paragjykimin mbi një vend në të cilin dëshiroja të tregoja një periudhë të tmerrshme të historisë së këtij populli. U mundova shumë që ta bëja këtë të qartë se të kujtosh faktet e periudhës komuniste nuk do të thotë të kesh nostalgji për komunizmin”, thekson ai.
Ka prekje surreale. Ato që duken si kosha për letra të dekoruara me yje të kuq në fakt janë pastrues të ajrit, që lëshojnë oksigjen për të pastruar ajrin nga dioksidi i karbonit që krijohet brenda. Maskat e gazit të tipit sovjetik, lloji i maskave që u furnizua Shqipëria kur ishte miqësore me Moskën, që aredojnë korridoret, i kujtojnë vizitorëve ankthin në rritje që të sillte ky vend që mendohej të bëhej shtëpia e përkohshme e 300 personave.
Kompleksi është i kufizuar, por jo i vogël. Në zemër të tij ndodhet një sallë kuvendesh e madhe mjaftueshëm për të mbajtur 100 persona. Nga këtu, Hoxha dhe elita e regjimit do të lexonin fjalime për ata që ndodheshin të mbyllur brenda kësaj strehe rezistente ndaj sulmeve atomike. Tani është shndërruar në një teatër dhe vend koncertesh, kur hyn brenda ka një bar të vogël, ku luhen koncerte xhazi dhe roku. Këtu ka një ironi poetike, sepse të dyja janë zhanre muzikore që ishin ndaluar gjatë regjimit të Hoxhës.
Koncerte të tjera planifikohen të zhvillohen në këtë godinë, që shumë shpejtë është duke u shndërruar në një prej atraksioneve më turistike në Shqipëri. Bollino thotë se ka edhe plane të tjera.
“Porjekti im i radhës ka të bëjë me një nga koridorët jugorë të Bunk’Art 1, në të cilin dua të krijoj një ekzebicion fotografik me skena nga jeta e përditshme, gjithnjë duke iu referuar periudhës komuniste. Kjo do të jetë një mundësi për të prezantuar vizitorët me një pjesë tjetër të vendit që tani është zhdukur”, thotë Bollino.
“Në shtator do të provojë një lloji teatri përfshirës. Do të rikthej karaktere të së shkuarës në korridoret e Bunk’Art dhe vizitorët mund të takohen dhe ndërveprojnë me ta. Ky është një tjetër hap drejt një projekti edhe më ambicioz që ka të bëjë me instalimin e një bazamenti për realitet virtual”, shprehet gazetari italian.
Ndërkohë, Bunk’Art po bëhet një arsye për të vizituar Tiranën. Senada Murati, pjesë e ekipit që kujdeset për kompleksin, thotë se ka filluar të ketë gjithnjë e më
shumë interes nga vizitorët që vijnë nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja madje edhe nga Zelanda e Re.
Muço thotë se Bunk’Art është përpjekur të qëndrojë sa më neutral të jetë e mundur politikisht, po u larguar nga faktet që lidhen me izolimin komunist të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes 40-vjeçare mendohet se janë ekzekutuar rreth 5 500 persona dhe burgosur rreth 25 000 të tjerë. Qytetarët shqiptarë mund të qëlloheshin menjëherë nëse kapeshin duke u përpjekur të kalonin barrierat që izolonin kufijtë e vendit.
“Mendoj se muzeu duhet të jetë shumë i ndjeshëm. Ne prezantojmë këtu dritën dhe errësirën e komunizmit, kështu që njerëzit mund të vendosin”, thotë ajo.
“Disa vizitorë, vazhdojnë të vijnë me fotografinë e Hoxhës në xhep”, tregon Murati.
(Përktheu Gent Sinani)