Bunkerët e fundit të botës, pallatet nëntokësore me ushqim deri në 5 vite

Kërcënimet në shtim nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore ka rikthyer edhe njëherë frikën te qytetarët e të gjithë botës, shumë prej të cilëve, pjesa më e madhe milionerë, kanë ndërtuar bunkerë gjigante nëntokësore për të shmangur një katastrofë bërthamore.

Vetë Putini paralajmëroi se ky nuk është një bllof, i gatshëm të realizojë një Armagedon me bomba që do të ndezin qiellin.

“Survival Of The Richest” është një libër i shkruar nga Profesor Douglas Rushkoff, i cili tregon se shumë të pasur tashmë kanë pallatet e tyre nëntokësore me teknologjinë më të fundit dhe furnizim me ushqime deri në 5 vite.

Madje ka nga ata që në shtëpitë e tyre të sigurta, kanë krijuar dhe një korridor për të nxjerrë qentë xhiro.

Siç thekson Rushkoff, probabiliteti që një bunker i fortifikuar të mbrojë banorët e tij është shumë i vogël. ‘Gjithçka arrin kudo. Retë toksike dhe rrezatimi kanë një mënyrë për t’u përhapur dhe depërtuar nëpër barrikadat më të menduara mirë. Filtrat e ajrit duhet të zëvendësohen rregullisht dhe ndonjëherë dështojnë edhe kur janë’./A2CNN / KultPlus.com

Bunkerët shndërrohen në atraksion turistik

Në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, 4 prej bunkerëve jo-funksional të gjendur në këtë zonë janë shndërruar në atraksion turistik.

Në secilin prej këtyre bunkerëve janë gdhendur punime artistike që përfaqësojnë më së miri elementët natyror të zonës së mbrojtur ku gjenden, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë.

“Mjedisi nuk është pronë private, por përgjegjësi e përbashkët”, është mesazhi që jepet nga bashkimi i këtyre bunkerëve dhe elementëve që ato përfaqësojnë

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Vlorë sqaron se bunkeri i parë mban simbolin e flamingos dhe përfaqëson mëngjesin. Flamingot, të njohur me emrin shkencor Phoenicopterus roseus tashmë janë një vlerë e përhershme e lagunës sonë, ku rreth 3000 individë numërohen çdo vit. Ata gjenden si në afërsi të ishullit të Zvërnecit, në kriporen e Nartës dhe lagunën e Kallëngës.

Bunkeri i dytë mban simbolin e soditjes së natyrës nga dashamirësit e saj dhe përfaqëson ditën, ku me rritjen e rrezeve të diellit edhe bimët fillojnë të zhvillohen. Nëse keni dylbi ose një teleskop mjafton të afroheni në një prej kullave të vrojtimit dhe të vrojtoni një sërë speciesh të shpendëve ujorë dhe jo vetëm të cilët qëndrojnë qetësisht përgjatë zonave ujore.

Bunkeri i tretë mban simbolin e pelikanit kaçurrel dhe përfaqëson pasditen. Pelikani kaçurrel ose i njohur me emrin shkencor Pelicanus crispus, është një prej specieve më të veçanta në Shqipëri i cili edhe folezon në disa ekosisteme ligatinore në vendin tonë. Në lagunën e Nartës, gjenden rreth 40 individë kryesisht që hasen në kriporen e Nartës dhe e përdorin këtë lagunë si një vend ushqimi.

Bunkeri i katërt mban simbolin e çakallit dhe kukuvajkës dhe përfaqëson natën. Çakalli ose i njohur me emrin shkencor Canis aureus, është mjaft i përhapur në pyllin e Pishë-Poros dhe nëse do të rastisni gjatë orëve të vona të natës në këtë zonë do të dëgjoni zërin e tyre karakteristik. Edhe llojet e ndryshme të kukuvajkave si kukuvajka e zakonshme, kukuvajka mjekëroshe janë ndër llojet më të përhapur në këtë zonë./atsh/KultPlus.com

National Geographic shkruan për bunkerët e Enver Hoxhës: Diktatori paranojak që ndërtoi mijëra bunkerë (FOTO)

National Geographic ka publikuar një artikull mbi bunkerët ushtarakë të ndërtuar nga diktatori shqiptar, Enver Hoxha.

“Diktatori paranojak që ndërtoi mijëra bunkerë ushtarakë”, është titulluar artikulli nga National Geographic, që sjell pamjet e sotme të këtyre bunkerëve të shpërndarë nëpër territorin shqiptar, transmeton Koha.net.



“Numri i saktë i bunkerëve ushtarakë të shpërndarë anembanë Shqipërisë është një çështje për t’u diskutuar. Varësisht së kënd e pyesni, raporti sillet nga 175,000-750,000 të strofullave të mbushur me çimento e çelik, që kanë për qëllim të mbrojnë këtë vend në Gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore. Kabinat në formë të kërpudhave u ndërtuan në Luftën e Ftohtë, në vitet 1970-80, nga një regjim me paranoja”, shkruan National Geographic.


“Kjo ishte atëherë. Sot, tre dekada nga komunizmi i diktatorit Enver Hoxha, që sundoi nga 1944 deri më 1985, qytetarët shohin bunkerët e përhershëm si përkujtues të dhimbjes nga e shkuara e vështirë. Sidoqoftë, shqiptarët, të shkathët nga natyra, po ndërrojnë skenarin, duke u dhënë jetë këtyre objekteve përmes restoranteve, bareve, kafeve, madje edhe muzeve”, vazhdon artikulli për bunkerët.
Më poshtë mund të shikoni fotografitë e bunkerëve, të përzgjedhura nga National Geographic./KultPlus.com

Bunkerët e Shqipërisë komuniste po marrin tjetër formë të përdorimit

Pronari i një hoteli në Shqipëri, Kujtim Roçi, asnjëherë nuk do ta harrojë vitin 1992. Ishte viti kur djali i tij i madh Elesio u lind dhe koha kur ai nisi një biznes të vogël afër plazhit në qytezën bregdetare të Golemit.

Pak kohë pas rënies së komunizmit, Roçi vendosi që t’i transformojë në bar bunkerët në plazhin e Golemit me qëllim që të bëjë para për të kaluar kohët e vështira. Derisa shumë miq të tij qeshën me këtë ide, biznesi shumë shpejt nisi të rritej. Bari më pas u bë restorant, i cili më pas u rrit në hotel të madh të ndërtuar rreth bunkerëve dhe mori emrin e djalit të tij të madh.

“Kjo copë betoni më bëri ai që jam sot”, ka thënë Roçi, derisa ka treguar një pjesë të bunkerit që ende shihet nga hyrja e hotelit, transmeton “Koha Ditore” një reportazh të Euronews. Bunkeri të cilin Roçi e zhvilloi në biznes është vetëm një prej mijëra të tillëve që ndodhen në mbarë Shqipërinë – një mbetje e qëndrueshme e epokës komuniste.

Nga frika e pushtimit nga të huajt, lideri shqiptar komunist, Enver Hoxha, kishte urdhëruar që të ndërtoheshin 173 mijë e 371 bunkerë në mes të viteve 1975 dhe 1983, që shqiptarët të fshiheshin dhe të luftonin nga aty. Sidoqoftë, sulmet e tilla kurrë nuk ndodhën. Në fakt, vetëm atëherë kur shqiptarët si Roçi i kthyen bunkerët në bare të plazhit, restorante, depo, kolibe për qentë dhe muze, atëherë ata hynë në përdorim. I ndërtuar për Hoxhën dhe asistentët e tij, kompleksi i fshehur është bërë hapësirë kulturore ku zënë vend ekspozita, performanca dhe koncerte. Tani tërheq shumë turistë dhe rangohet si atraksioni numër një i Tiranës në “TripAdvisor”.

Pas suksesit të operatorit “Bunk’Art”, asociacioni shqiptar “Qendra Ua” hapi një tjetër muze të quajtur “Bunk’Art2” në qendër të Tiranës në nëntor të vitit 2016. Lokacioni i muzeut të dytë është ish-bunker nuklear që i përkiste Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Bunk’Art” thotë se është një prej dëshmive më të mira të projektit për “bunkerizim” të Hoxhës. Sidoqoftë, ndërtimi i një hyrjeje në formë të kupolës në muze ishte vonuar për shkak të protestave politike kundër asaj që disa e quajtën si “nostalgji për kohët e kaluara të dhunshme”. Për të luftuar këtë perceptim dhe për t’i përdorur bunkerët për një Shqipëri moderne, disa artistë vendorë po ashtu i kanë përdorur bunkerët për të promovuar mesazhe për pozitivet dhe prosperitet.

Projekti “Treffpunkt Bunker” i udhëhequr nga një grup i studentëve gjermanë, të mbledhur disa herë me artistët shqiptarë të cilët ngjyrosën dhe ridizajnuar pjesë të ndryshme të bunkerit në një kodër të Tiranës, është një prej tyre.

“Edhe pse kishte aq shumë trishtim dhe vuajtje në atë kohë, njerëzit prapë gjenin mënyra për të shijuar jetën dhe doja që të ruaja kujtimin tim të asaj kohe”, ka thënë një prej artistëve, Stela Sulioti, e cila qëllimisht ka përdorur vetëm ngjyra të lehta në dizajnin e saj.

Arkitekti Arnen Sula për një kohë të gjatë ka eksploruar mënyra të ndryshme të ripërdorimit të bunkerëve, prej sallave të tatuazheve e deri te strehimoret e kafshëve. Ai thotë se disa bunkerë, të cilët janë dëmtuar dhe shkatërruar pas kolapsimit të regjimit komunist, duhet të lihen në atë mënyrë.

“Tregon zemërimin që njerëzit kishin me të kaluarën tonë komuniste dhe vështirësitë tona ekonomike, pasi që ata morën gjithçka që mundën prej tyre, duke filluar nga orenditë, kabllot elektrike, materialet për filtrimin e ajrit apo edhe tullat”, ka thënë ai. Por Sula mendon se bunkerët që ende janë në gjendje të mirë mund të ndihmojnë në ekonominë e vendit duke u transformuar në zona të brendshme të blegtorisë, dhoma të ftohjes, kinema, hotele, hapësira për ekspozim dhe punëtori të ndryshme.

“Do të rriste numrin e punësimit, do të përkrahte turizmin dhe do të gjeneronte kushte ekonomike për rajonet ku bunkerët janë të vendosur”, ka shtuar ai./ KultPlus.com