Danimarka hap bunkerin sekret në rast lufte bërthamore

Në Danimarkë, një bunker i ndërtuar në kulmin e Luftës së Ftohtë për t’i rezistuar një konflikti të mundshëm bërthamor dhe i mbajtur sekret për më shumë se 50 vjet, është hapur për vizitorët. Bunkeri tepër sekret, “Regan Vest”, 60 metra nën sipërfaqen shkëmbore të një kodre do të shërbente si strehë për mbretëreshën e Danimarkës dhe krerët e qeverisë, në rast konflikti bërthamor. Tensionet aktuale mes Rusisë dhe Perëndimit shërbejnë si kujtesë e periudhës së Luftës së Ftohtë.

I maskuar mes pemëve të larta në pyllin Rold Skov të Danimarkës gjendet bunkeri Regan Vest i mbajtur tepër sekret për më shumë se 50 vjet. Streha, 30 kilometra në jug të qytetit Aalborg, u ndërtua gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë.

Kuratorja e Muzeut Historik të Rajonit Verior të Danimarkës, Bodil Frandsen, e ka bazuar doktoraturën e saj mbi bunkerin Regan Vest të kthyer tashmë në një muze.

“Pas revolucionit hungarez dhe incidenteve të Kanalit të Suezit, frika e një lufte ishte shumë reale. Në të njëjtën kohë, kishin evoluar edhe bombat bërthamore dhe veçanërisht prova me bombën me hidrogjen”, thotë ajo.

Bunkeri “Regan Vest” nuk kishte qëllime ushtarake, por ishte projektuar si strehë për qeverinë dhe mbretëreshën e Danimarkës në rast të shpërthimit të luftës bërthamore. Rënia e bunkerit do të shënonte edhe fundin e demokracisë daneze.

“Bunkeri u ndërtua në bazë të idesë se lufta bërthamore do të zhvillohej në tre faza dhe faza e parë ishte më seriozja, që mendohej se do të zgjaste 30 ditë”, thotë zonja Frandsen.

Në fund të një korridori dredharak prej 300 metrash të gjatë dhe 60 metrash poshtë sipërfaqës shkëmbore ndodhet një kompleks me dhoma fjetjeje, klinikë kirurgu, qendër operacionale dhe sallë takimesh.

Punimet për bunkerin filluan ndërsa bota po shënonte kriza të njëpasnjëshme. Bashkimi Sovjetik po kryente prova bërthamore, ndërtonte Murin e Berlinit dhe vendoste fshehurazi raketa në Kubë. Varnke Egeskov është kuratore në bunkerin “Reagan Vest”.

“Në këtë bunker bërthamor do të jetonte qeveria daneze, udhëheqja, disa pjestarë të shtypit dhe telekomunikacionit, si dhe disa të tjerë që do të merreshin me funksionimin e gjërave, si ajrimi apo makineritë e tjera. Bunkeri do të strehonte 350 njerëz”.

Danimarka, vend anëtar i NATO-s e përfundoi ndërtimin e bunkerit në vitin 1968. Por banorët e zonës nuk ishin në dijeni të egzistencës së bunkerit deri në vitin 2012, kur u bë deklasifikimi.

Objekti, i cili ende ka mobilimin e atyre viteve, mund të vizitohet nga publiku, thotë kuratorja Ulla Varnke Egeskov.

“Është sikur të shkosh në kohën e Luftës së Ftohtë, mes frikës dhe përgatitjeve për luftën që do të vinte. Po ashtu është si të futesh në një kapsulë kohore sepse gjithçka këtu është nga vitet 60, 70 dhe 80… shikon gjëra që të kujtohen nga ajo kohë. Të ngjall frikë dhe kujtesë”.

Hyrja e bunkerit është e maskuar nga një shtëpi e verdhë ku dikur jetonte inxhinieri dhe familja e tij. Ndërtimi zgjati pesë vite (1963-1968) dhe rëndësia për projektimin e tij u shtua edhe më shumë gjatë krizës së raketave ruse në Kubë, kur bota ishte shumë pranë një konflikti bërthamor.

“Bunkeri i kthyer në muze ofron një histori rreth bombave atomike. Por thelbi ka të bëjë me demokracinë”, thotë drejtori i muzeut Lars Christian Nørbach.

Kuratorët thonë se tensionet aktuale mes Rusisë dhe Perëndimit e bëjnë edhe më të rëndësishme historinë e bunkerit bërthamor.

“Mjafton fakti që kemi një luftë në Evropë dhe po flitet rreth këcënimit të një lufte bërthamore, çka e bën konceptin e tunelit bërthamor edhe më të rëndësishëm”, thotë zonja Frandsen.

Vargu malor ku gjendet bunkeri është rreth 400 kilometra nga kryeqyteti Kopenhagen. Regan Vest u nxor nga shërbimi në vitin 2003 dhe egzistenca e tij u bë publike në vitin 2012./VOA / KultPlus.com

Gjendet bunkeri i bërë “shoshë” nga plumbat, “shesh beteje” mes gjermanëve edhe sovjetikëve

Në Lublin të Polonisë është zbuluar një bunker nazist i mbushur me shenja plumbash, në të cilin është zhvilluar një dyluftim i ashpër në vitin 1944 midis ushtarëve gjermanë dhe sovjetikë.

Bunkeri u zbulua rastësisht gjatë gërmimeve që po zhvillohen në parkun e qytetit polak.

Ai i përket Luftës së Dytë Botërore dhe është ndërtuar nga Gjermania Naziste dhe brenda tij gjenden tre korridore nëntokësore, mure betoni dhe tavane të mbështjella nga trarë druri.

Ekspertët gjetën gjithashtu edhe municione të mbetura që nga lufta. / Express / KultPlus.com

Bunkeri nën qytetin e Kukësit pritet të shndërrohet në atraksion turistik

Vendstrehimi i nëndheshëm i ndërtuar dekada më parë në qytetin e Kukësit, ku mund të stresoheshin më shumë se 30 mijë persona nga sulmet e armiqëve të atërhershëm të socializimit, tani mund të kthehet në një atraksion turistik për qytetin verior.

Bashkimi Europian   pritet që ta rivitalizojë të ashtuquajturin Kukësi i nëndheshëm, në kuadër te projektit Adrion që përfshin të gjitha vendet që lagen nga deti Adriatik.

Projekti pritet të përfundojë në vitin 2022 dhe synon të japë kontribut jo vetëm njohjen e vlerave dhe aseteve të qytetit të Kukësit, por dhe ekonomisë së këtij qyteti./a2/KultPlus.com

Bunkeri superluksoz ku do të futen të pasurit në rast apokalipsi

Një bunker superluksoz për t’i shpëtuar apokalipsit. Me 14 kate nën tokë, struktura është ndërtuar në Shtetet e Bashkuara, rreth 450 kilometra larg Kansas Sitit.

Me një çmim prej 1,5 milionë dollarësh mund të blesh një apartament (gjysmë kati), por ka edhe kosto të tjera prej 2500 $ në muaj për mirëmbajtjen.

Bunkeri prej betoni në fakt u krijua gjatë Luftës së Ftohtë, në fund të viteve 1940, por përgjatë viteve është përmirësuar nga frika e një lufte bërthamore të mundshme mes fuqive të mëdha.

Sot, struktura mund t’i mbijetojë një bombë bërthamore me fuqi 12 kiloton që mund të shpërthejë 1 kilometër larg. Godina ka disa burime energjie, përfshi edhe turbina ere të montuara në sipërfaqe.

Nëse vërtet ndodh një luftë e tillë, njerëzit brenda godinës do të duhet të presin pesë vite pas shpërthimit të bombës për të dalë jashtë. / KultPlus.com

Gjendet bunkeri i fundit i Hitlerit, shfaqen fotografi të rralla (FOTO)

Adolf Hitleri ka kryer disa prej mizorive më të tmerrshme në historinë njerëzore. Një fotograf së fundmi është gjendur përballë me bunkerin e tij sekret francez, ndërsa është treguar i guximshëm duke sjellë pamje brenda tij, përcjellë KultPlus.

Eksploruesi urban dhe fotografi Marc Askat ka ecur nëpër fshatrat e dendura e të pyllëzuara në Francën veriore. Derisa ai kërkonte një subjekt të ri për ta fotografuar, ai është ndalur në një vend ku besohet se gjendet një nga bunkerët e fundit të Adolf Hitlerit , aty ku udhëheqësi nazist komplotonte pushtimin e Britanisë.

Kështjella frikshme nëntokësore është e mbushur me tregime të një nga luftërat më shkatërruese në historinë njerëzore, por me gjetjen dhe fotografimin e bunkerit, megjithatë, Askat nuk do të zbulojë vendndodhjen e tij të saktë.

Në një nga fotografit e tij shihet myshku rreth bunkerit dhe dyert me dërrasa të ndryshkura në hyrje të ndërtesës. Në një tjetër fotografi shihet brendësia e bunkerit e cila shfaq një tavan të kalbur dhe rafte të shkatërruara. /KultPlus.com