Shfaqja ‘Bryma e vdekjes’, sonte premierë në TKK

Pamja e eksodit të shqiptarëve drejt Bllacës, do të kthehet pas dy dekadash si manifestim artistik në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Bryma e vdekjes”, me tekst të Milazim Krasniqit e regji të Burbuqe Berishës, përmes bashkimit të kastës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës me trupën e Baletit Kombëtarë të Kosovës,  tenton të prekë realitetin e asaj kohe. Duke sjellë në memorien e publikut pamjen e një katastrofe humanitare,  paraqet banorët e dëbuar nga shtëpitë e jeta e tyre e mëparshme teksa përfundojnë në një kamp famëkeq, ku jetesa e tyre përshkruhet si jetesë mes vuajtjes e vdekjes.

Regjisorja Berisha fton publikun për të parë shfaqjen, pasi sipas saj, ajo është një shfaqje e cila ballafaqon me të kaluarën dhe reflektimin me atë çfarë ka ndodhur 20 vjet më parë në Bllacë të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa autori i shfaqjes Milazim Krasniqi, thotë se duke qenë dramaturg edhe para kohës së luftës, situatën e Bllacës e kishte preukopuar në nivel personal dhe  në nivelin e një tragjedie të popullit, e veçmas si një shëmbëllim i përvojave të hidhura të kampeve të përqendrimit në Evropë. Krasniqi për KultPlus tregoi se duke e kujtuar në retrospektivë atë skenë, ajo i ngjante si një skenë teatri e një tragjedie antike greke, e cila nëse do të vazhdonte shumë lehtë do të mund të shndërrohej në një kamp të vdekjes, pasi që mungonin kushtet elementare të jetesës.

Sipas njoftimit të shfaqjes, shpërfytyrimi, tjetërsimi si dhe përulja e qëllimshme e popullatës shqiptare do të paraqiten nëpërmes personazheve të portretizuara me shumë origjinalitet sikur ai i Fitimit, Ademit dhe Havës, Mentorit, Dritës si dhe vajzës së tyre të vogël. Drama është realizuar në atë mënyrë që në fund, tenton të japë një mesazh pothuajse mitik, që të kthen në kohën e krijimit të njerëzve të parë, andaj dhe personazhet kryesore mbajnë emrin Adami dhe Hava, dhe për dramaturgun Krasniqi rikthimi në Kosovën e lirë, ka qenë një përngjasim i fillimit të njerëzimit, të cilët përkundër që kanë lënë mbrapa një realitet plot vuajtje, e  kanë gjetur forcën për  të përqafuar jetën në një realitet të ri. Përveç vuajtjes, shfaqja tenton të prekë edhe një mesazh tjetër, atë të solidaritetit.

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu –Bokshi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Thana Deliu, Artiola Hamdija, Blerta Deliu, Afrim Muqa, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci dhe Adhurim Demi.

Kompozitor i muzikës do të jetë Florent Bishnjaku, Skenografia është e punuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia nga Albulena Borovci ndërsa koreografinë e shfaqjes e ka punuar Sinan Kajtazi.

“Bryma e vdekjes” vjen premierë sonte në ora 20:00 në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës / KultPlus.com

Burbuqe Berisha jep dorëheqje nga pozita në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Burbuqe Berisha e ka parashtruar dorëheqjen e saj nga pozita që zë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Për shkak të presionit nga Agjensioni Antikorrupsion, Burbuqe Berisha i ka shkruar Ministrit Kujtim Gashi duke treguar arsyet pse po largohet nga kjo pozitë, si kryetare e Bordit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Nuk po e shoh aspak të arsyeshme ku si një qytetare e ndërgjegjshme e Republikës së Kosovës dhe e ndershme njëkohësisht në veprimtarinë time duke i ikur çdo konflikti interesi, të më kërkohet një gjë e tillë. Unë asnjëherë nuk kam qenë përfituese e të mirave që ofron ky shtet” ka shkruar mes tjerash Burbuqe Berisha.

Ajo thotë se është kushtëzuar ta marrë një vendim të tillë, shkruan KultPlus.

“Çdoherë punën time artistike e kam punuar pothuajse vullnetarisht, por mund edhe ti ketë penguar dikujt fuqia ime artistike dhe profesionale. Gjithsesi dua ta respektoj deri në momentin e fundit ligjin dhe shtetin. Për momentin gjendja ime shëndetësore është e rëndë, prandaj nuk kam mundësi që këtë letër ta dorëzoj personalisht” shkruhet në letrën që i ka shkuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Burbuqe Berisha.

Berisha ka qenë e angazhuar edhe si regjisore brenda Teatrit “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB ndërsa më herët ka mbajtur poste të ndryshme vendimmarrëse në skenën kulturore dhe artistike në Kosovë, krahas punës si regjisore. / KultPlus.com

Filmi nga perspektiva e femrave

Shkruan Burbuqe Berisha

Regjisoret femra në film janë ende të rralla. Në Hollywood – studimi më i fundit i USC Annenberg për media, me temën ‘Diversiteti dhe ndryshimet sociale në lidhje me regjisoret femra në industrinë e filmit’ kohët e fundit dha rezultat si ‘Karrige e regjisorëve është e bardhë dhe vetëm për meshkuj’ duke e cilësuar si diçka jo e arritshme për femra.

Madje aftësitë e femrave e përshkruan si të limituara sa i përket këtij profesioni, duke e theksuar si papjekuri intelektuale kur femrat janë të reja, ndërsa kur kanë një moshë më të pjekur nuk kanë më fuqi fizike t’iu përballojnë sfidave të xhirimit. Regjja konsiderohet si profesion sa intelektual aq edhe fizik me kondicion krijues. Madje ky studim erdh me këtë konkludim: ‘Mundësitë për regjisoret femra janë të rralla’, por kjo nuk ka ndaluar të lansojë bindjen të krijueseve për të nxjerrë filma të shkëlqyer për sa kohë që forma e artit filmik ka ekzistuar.

Në vitin 2012, Instituti i filmit në Sundance dhe Women in Film, ne Los Angeles nisën iniciativën e festivalit për femra për të nxitur barazinë gjinore për gratë prapa kamerës për te fuqizuar pozitën e tyre . Hapi i parë është bërë të kuptojnë numrat e saktë të regjisoreve dhe shkaqet rrënjësore të mos përfshirjes së tyre në filmat amerikanë, në mënyrë që të mund ta trajtonim problemin. Hulumtimi i bërë historik gjatë tre viteve të fundit zbuloi barrierat dhe mundësitë kryesore të grave për punën në filmat, që informojnë punën kolektive dhe individuale të femrave ne film .

Do të thotë që edhe Hollywood-i ka sfidat e veta sa i përket barazisë gjinore në prodhimtarinë e filmit. Regjisoret femra janë te pakta edhe në ngjarjet më të rëndësishme për filmin ne botë .

Që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, regjisoret e saj kanë kërkuar gjithnjë e më shumë nxitje të dialogut publik për çështjet sociale. Pavarësisht nga pengesat financiare, regjisoret femra të shkathëta kanë përdorur teknika të ndryshme kinematografike për të prodhuar filma frymëzues që lënë audiencën me një kuptim më të thellë të vendit. Këto janë shembuj dhe te gjitha pas vetes kanë fuqi krijues në fushën e filmit. Së pari me filma të metrazhit të shkurtë dhe dokumentar së fundi edhe me filma artistik të metrazhit të gjatë.

Rrugëtimin i femrave në film në Kosovë është evident dhe nuk ka të ndalur. Profesion ky që deri pas vitit 1999 nuk ka pas një emër nga gjinia e bukur. Pas luftës në Kosovë emrat e regjisoreve femra veç janë shtuar duke ndërtuar një kulturë tjetër te trajtimit te filmit më inventiv, me një trajtim më social, një frymë që mund të thuhet e një neorealizmi kosovar, një shikim ndryshe për problemet e shoqërisë në ditët e sotme.

Po fillojmë nga Blerta Zeqiri me filmin “Martesa” një tabu temë e cila është trajtuar në mënyre shumë suptile. Në këtë film që shtjellohet dashuria nëpërmjet një trekëndëshi, e gjithë ngjarja shtjellohet, para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë Nolin. Një trekëndësh dramaturgjik i cilin nuk është trajtuar ndonjëherë në filmat kosovarë. Një guxim artistik po edhe estetik në mënyrën e trajtimit, një dialog i përsosur i personazheve më shumë me trajtim natyralist dhe dokumentar.
Kohëve të fundit janë punuar filmat e metrazhit të gjatë nga regjisoret femra që ende nuk e kanë pas premierën e tyre. Arzana Kraja me ‘Fusha e Mëllenjave’, ‘ Një tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha, ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, poashtu Antoneta Kastrati me filmin “Zana” i cili është në fazën e xhirimit, ‘Mbylle Derën’ me skenar dhe regji nga Parta Kelmendi në paraprodukcion, Blerata Basholli me filmin e saj, Kaltrina Krasniqi dhe Dorunitna Basha me projektin e tyre të ri…
Sa shumë emra femrash regjisore në një vend ku femra pak ka hapësirë. Në një mënyrë mundësia për to është e ngulfatur nga mosbesimi, mundësi kjo e munguar por në film për fat të mirë e përkrahur dhe me rezultat.

Burbuqe Berisha
Autorja është U.D. Dekane dhe Ligjëruese në Kolegjin AAB

Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues në TKK

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kujtim Gashi ditë më herët ka emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas mbledhjes së parë të këtij këshilli, tashmë është zgjedhur edhe kryetari i këtij këshilli, ku për këtë mandat kjo detyrë i është besuar, Burbuqe Berishës.

Këshilli Drejtues përbëhet nga: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva./KultPlus.com

Emërohet Këshilli Drejtues në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ka kohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka qenë funksional, si pasojë e dorëheqjes së disa anëtarëve , shkruan KultPlus.

Së fundi, ministri i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të këtij institucioni.

KultPlus merr vesh që emrat e rinj që përbëjnë këtë këshill janë: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva.
Pritet të mbahet shpejt mbledhja e parë e këtij Këshilli, në mënyrë që të zgjidhet edhe udhëheqësi i këtij organi./KultPlus.com

Pesë filma të Kosovës janë prezantuar para selektorëve të Berlinales

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar janë prezantuar para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Mbetet të shihet se nëse ndonjë nga këta filma mund të shfaqet edhe premierë në këtë festival prestigjioz./KultPlus.com

Pesë filma të Kosovës po synojnë Berlinalen

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar do të prezantohen para selektorëve të Berlinales, filma këta të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

Arben Zharku, drejtor i QKK-së ka thënë për KultPlus se filmat do të prezantohen para selektorëve në mes datave 15-17 nëntor në Shkup.

“Jemi shumë të lumtur që kemi kaq numër të madh të filmave të metrazhit të gjatë dhe me kualitet të lartë dhe poashtu me produksion të cilësisë së lartë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë rrugëtimin nëpër festivale ndërkombëtare”, ka thënë Zharku për këto projekte filmike.

Zharku ka njoftuar se filmat artistik të metrazhit të gjatë që po synojnë Berlinalen janë: “Fusha e Mëllenjave” nga Arzana Kraja, “Njeriu i Dosjeve” mga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar” nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet poashtu para selektorëve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj. /KultPlus.com

Shfaqja e princeshave nisë rrugëtimin e parë të PITF

“Dhe jetuan të lumtura…?”, është shfaqja e cila për herë të parë hap dyert e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” brenda hapësirave të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ vjen në PITF me prezantim nga ekipa e Kroacisë. Me produksion të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, shfaqja sjellë aktorët e shquar kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic.

Ilir Tafa, drejtor i festivalit në një konferencë për media lidhur me hapjen e këtij festivali ka thënë se ky organizim ka ardhur si pasojë e mungesës së festivaleve të teatrit në Kosovë.

“Më shumë kemi festivale për film apo festivale të ndryshme mirëpo për teatër momentalisht jemi të parët që do ta kemi një festival ndërkombëtar. Në këtë festival do të jenë 7 shfaqje, ku gjashtë do të jenë në sistemin garues dhe një shfaqje mysafire”, është shprehur Tafa.

Drejtoresha artistike Burbuqe Berisha, tregoj se ky festival do të vë në rend të parë aktorët dhe do të sjellë ballafaqimin me artet dhe kulturat e ndryshme teatrore nga rajoni dhe bota.

“Ne kemi mungesë të ballafaqimit me teatrin në botë dhe jemi mbyll në një oazë e cila sillet në një rreth vicioz vetëm brenda botës shqiptare. Jemi mundu që të sjellim shfaqje dhe produksione shumë të mira që të jenë sa më atraktive edhe për shikuesit kosovar dhe që nuk prodhohen aq shumë në teatrin tonë. Po ashtu në këtë festival jemi munduar që t’i sjellim të gjitha zhanret që shikuesit t’i sjellim diçka interesante”, ka thënë Berisha.

Ajo po ashtu tregoi se ky festival është i vetëfinancuar nga Teatri AAB “Faruk Begolli” dhe ka shpërblime më reprezentative të festivaleve në rajon, ku për rolin kryesor do të dhuroj një vlerë monetare prej dy mijë euro, për rolin episodik një mijë euro dhe shfaqja më e mirë 500 euro kurse regjia më e mirë po ashtu 500 euro. Çmimet do të ndahen nga juria qendrore, juria e medieve dhe juria e studentëve.

Mia Krajcer, performuesja nga Kroacia në shfaqjen e sotme ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ ka treguar se kjo shfaqje e princeshave, është e zhvendosur për botën e të rriturve ndërsa flet për marrëveshjet mes dy gjinive në ditët e sotme.

“Pavarësisht se janë realizuar filma të Disney që kanë personazhe kryesore “Të përhiturën”, “Të bukurën dhe bishën”, “Borëbardhën”, kjo shfaqje absolutisht nuk ka të bëjë më fëmijë, është shfaqje për të rritur. Ngjarja zhvillohet kur personazhi “E përhitura”, pas një qind vjetësh që ka rënë në gjumë zgjohet nga gjumi dhe gjithçka që ndodh në shfaqje, ndodh në natën e saj të beqarisë dhe mund të imagjinoni se çfarë mund të ndodh në një natë të beqarisë së femrave ku ka një sasi të alkoolit, pra vjen në shprehje diçka e bukur por jo edhe aq e këndshme në këtë shfaqje”, ka përfunduar Krajcer.

Ky festival do të jetë i hapur që nga sonte më 16 tetor deri më datë 21 tetor. Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, “Darka e Thërrimeve” – Maqedoni, “Armiku i Popullit” – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com

Shoqata e re e Regjisorëve përçan artistet, komente të ndryshme në rrjete sociale

Një shoqatë e re e cila dje iu shtua komunitetit kulturor në Kosovë duket se u bë sebep që një debat në rrjetet sociale shpesh edhe të eskalonte.

Jo rastësisht të përfshirë në debat, me komentet e tyre janë disa prej figurave që kanë disa projekte artistike dhe konsiderohen pjesë e artistëve në Kosovë.

Bëhet fjalë për një postim të Flutra Zymit – një regjisore e cila dje, pasi u formua Shoqata e Regjisorëve të Teatrit të Kosovës, shkroi një status në llogarinë e saj në Facebook me këtë mbishkrim:

“Bravo Teatrit Kombetar per ndryshimet qe i ka sjell kete vit……e shihni keta njerez kur dikur dy here ne vit merrnin te holla nga ju…..nuk kishin nevoje per shoqate po te njejtit regjisor……po pra duhet zingjirte nese jo mi kpute me i livrit kapak 😉 😜 ose po duhet me ateru a aderu qysh po i thojnë ”

Postimit më pas i ka pasuar një debat ku janë përfshirë aktorja Albulena Kryeziu Bokshi, regjisorja Burbuqe Berisha dhe regjisori Ilir Bokshi.

Në fotografitë poashtu mund të shihni pak nga debati i zhvilluar, ku nuk kanë munguar edhe fjalë që nuk i takojnë një diskursi artistik e as që duhet thënë nga personat që punojnë në botën e artit dhe kulturës.

Në këtë link mund të lexoni më shumë mbi Shoqatën në fjalë, e cila është nismë e re e krijuar nga disa artistë të teatrit nga vendi. / KultPlus.com