Të burgosurit politik nga vitet e 70’ta e deri në kohën e burgut të Dubravës mbrëmë “folën” në “Ora e Vdekjes”

Uranik Emini

Ndonjëherë, bota reale ofron narrativat më bindëse. “E vërteta është më e çuditshme se trillimi”, dhe skena mund të jetë vendi i përsosur për të treguar këto histori, pasi gjallëria shpesh shton një legjitimitet dhe element personal në shfaqje. Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i historive të vërteta kanë hyrë në botën e teatrit, si dhe histori që pyesin se çfarë do të thotë të imagjinosh të vërtetën. Shfaqja “Ora e vdekjes” i ofroi publikut të mbledhur në Burgun Muze të Prishtinës një realitet të trishtë të të burgosurve politikë nga Shqipëria dhe Kosova nga vitet e 70-ta, deri në kohën e burgut të Dubravës, nga torturat e përditshme deri në vrasjet masive të njerëzve, shkruan KultPlus.

Njerëzit po pritnin që për herë të parë të vizitonin e të shihnin nga afër një shfaqje në Burgun Muze të Prishtinës, për të cilin para dy viteve ishte marrë vendimi që të shndërrohet në një muze.

Errësira, rikthimi në kohë dhe emocionet e frikës, si të ngulitura në kokën e shqiptarëve pushtuan të gjithë të pranishmit në muze, kur edhe nga hyrja e burgut u dëgjuan zërat e aktorëve të vendosur në qeli që po kërkonin ujë, njëri kërkonte bukë dhe madje kishte nga ata që donin të goditeshin me grusht, sepse kishte mall të rrihej dhe i dukej e çuditshme të kalonte një kohë të gjatë pa u rrahur.

Dy botë, shumë burgje e akoma më shumë shqiptarë të vrarë.

Gjatë diktaturës në Shqipëri, burgjet janë cilësuar pa dyshim si “hyrje në portat e ferrit”, një realitet i trishtë, rrëqethës dhe plot tragjedi mizore që paraqet edhe krimet e mëdha të asaj kohe kundër njerëzimit. E këto histori, aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti nën regjin e Ilir Bokshit dhe dramaturgët Ulpianë Maloku dhe Agnesa Mehanolli i prezantuan në mënyrë brilante me humor që në brendësi prezantonte torturat më të çuditshme, por që në realitet ato ndodhën, tortura që në rend të parë lanë pasoja të pariparueshme, dhe plagë që dhembin edhe kur qëllimi juaj i vetëm është përkëdhelja e tyre.

Edhe në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit serb, në burgun e Dubravës vazhdimisht ideja parësore ishte transferimi i të burgosurve në burgjet e Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë (rreth viteve 1998, atëherë kur edhe NATO po bombardonte çarqet serbe). E gjitha kjo ndodhi pasi Serbia planifikonte gjithnjë që të burgoste sa më shumë të rinj shqiptarë nëpër burgje dhe të gjithë ata që ishin kundër regjimit, të vdisnin me pretekstin se nuk ishin të sjellshëm në burg, thyen rregullat ose edhe u lanë aty përgjithmonë, pasi ideali i tyre e lufta për liri përkonte në kundërshtim me atë që Serbia kishte në plan, e që ishte pikërisht pushtimi i Kosovës.

Pamja nga jashtë, e rrejshme nga brenda

Gjatë shfaqjes, Fatmiri nga Kosova (Adrian Morina) dhe Fatmiri nga Shqipëria (Arben Derhemi) gjenden në një situatë jetë a vdekje, në një urë që po gjuhej me armë nga pushtuesi serb, e Fatmiri nga Shqipëria kërkonte që të gjuhej në urë, ndërsa Fatmiri nga Kosova, i cili nuk dinte notë, i siguronte “homologut” të tij që kërcimi është ide e gabuar dhe në ujë është më lehtë të vdesësh.

Fatmiri nga Kosova dhe dashuria e pashtershme dhe shpesh herë e lindur natyrshëm për liderin e asaj kohe, Enver Hoxhën, e kishte detyruar atë që të vinte në Shqipëri vetëm e vetëm për të plotësuar ëndrrën e tij më të madhe, ta shihte nga afër dhe të besonte se figura e “ndritshme” e kombit shqiptar, Enver Hoxha ekziston në të vërtet.

Këtu fillon edhe polemika e madhe, kjo pasi Fatmiri nga Shqipëria ishte larguar nga ai vend, pasi aty po ndodhnin krime kundër njerëzimit për të gjithë ata që ishin kundër partisë së punës, madje edhe për ata që princip të jetës kishin punët e veta. Me shumë të shara, me shumë polemika, të dy u kapën nga regjimi serb, për të përfunduar në burg.

“Molla e ndaluar”

Një tjetër rast i pashpjegueshëm dhe ideja se ka ndodhur në të vërtet, të bën të çmendësh me atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët nëpër kohë, e sidomos torturat që kanë kaluar të burgosurit nëpër burgje të regjimit.

Tefta Tasi e luajtur mjeshtërisht nga Albulena Bokshi, paraqet historinë e vërtet të një mësuese shqiptare, e cila ishte dënuar për arsye se kishte sharë mollat e “shtetit”, mollat e “Enverit”, e ky paraqet një krim, që sipas trupit gjykues, duhet të dënohet me 45 vjet, 35 në qoftë se pranon “fajësinë”.

“Fakti që kemi ardhur në burg e ka bërë shumë të veçantë shfaqjen. Fillimisht ka qenë e vështirë për tu ambientuar, për shkak të ndjenjës që ta jepte burgu, teatri është i vështirë por kjo është tjetër nivel”, thotë aktorja Albulena Bokshi në një intervistë për KultPlus, derisa rrëfen edhe gjithë procesin e provave, kalimit nga “kutia e teatrit” te realiteti i burgut.

“Këtu të kap një far tmerri. Ditën e parë kur kemi ardhë ka qenë edhe z. Emin, i cili ishte gjithashtu një ish i burgosur politik dhe na tregonte rrëfimet që kishte përjetuar, jo vetëm ai, por edhe shokët. E kam pasur problem ta kapërcej këtë tmerr për të ardhur deri te loja që e kemi sjell sonte. Ndjenjë me të vërtet e veçantë të performosh e të merresh me tema tona që shumë shpesh i kemi lënë pas dore. Nuk mund të them që nuk janë bërë shfaqje, por është bërë pak në drejtimin e tmerreve e historive të shqiptarëve”, thotë ajo.

Tutje, Bokshi foli edhe për rolin e saj, atë të Tefta Sasit.

“Personazhi im është një mësuese në Shqipëri, e cila është dënuar për një mollë. Ky është një rol që e veçojë shumë, sepse është barrë e madhe kur e ke historinë e vërtetë. Ne, artistët, bëhemi zëra të atyre që kanë kaluar këto përjetime. Gjatë procesit të provave, kur flitej edhe për Dubravën, personalisht e kam humbur axhën atje, dhe ka qenë shumë e vështirë ta kaloj këtë gjë. Ka momente kur kam qarë, në një far forme, plaga hapej përsëri. Gjithçka për rreth këtij burgu, të krijonte idenë se ka shumë histori brenda, ka shumë shpirt brenda këtij burgu dhe po shpresoj që shumë shpejt të hapet për vizitorët, dhe ata të vijnë e të kuptojnë se çfarë  tmerre kanë ndodhur në qendër të Prishtinës”, shprehet ajo.

Bokshi thotë se ishte e kënaqur me audiencën, edhe pse ishin disa ndërhyrje nga lartë, ku u shpërthyen disa fishekzjarre nga stadiumi, të cilat nuk ishin të planifikuar. “Po besoj që edhe publiku e kuptoj këtë gjë, edhe pse disa në fillim kishin menduar se janë pjesë e shfaqjes, ajo zgjati bukur shumë, por prap publiku nuk e humbi durimin. Po besoj që është bërë një punë e mirë ekipore, është bërë një dramë e re që ndoshta i ka munguar dramaturgjisë kombëtare”, përfundon ajo.

Në anën tjetër, regjisori Ilir Bokshi tha se vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar, kanë qenë të mëdha, por dëshira për të sjellë te publiku këto histori të cilat kanë ndodhur, ishte gjithashtu shumë e madhe.

“Burgu i Prishtinës akoma nuk është akomoduar si muze, të gjitha këto që i shihni, nga pastërtia e burgut e deri te sjellja e ulëseve për t’u ulur sonte është dashur t’i bëjmë vetë, sigurisht me ndihmën e institucioneve në anën materiale. Gjërat në teatër bëhen më lehtë, sepse jemi të thirrur për ta bërë këtë punë. Tema e luftës dhe të burgosurve shqiptarë në periudha prej 1970 e tutje, e deri te burgu i Dubravës”, thotë ai, duke treguar se teksti është punuar me dy dramaturge të reja, me të cilat ai është shumë i kënaqur.

I pyetur nga KultPlus për vështirësitë dhe jetën jashtë habitatit normal, Bokshi tregon se profesionistët janë për këtë punë, duke shtuar se kishte shumë vështirësi nëpër të cilat kaluan.

“Jemi profesionistë dhe e përballojmë vështirësinë, por neve na ka ra shi çdo natë dhe e kemi pasur të vështirë këtë. Kemi qëndruar deri në 3 të mëngjesit dhe më të vërtet kishim frikë në qoftë se edhe mund të dështojë e gjithë shfaqja, kemi pritur edhe sot që të bie shi. Më (24 qershor) është premiera jonë, e sot e kemi quajtur si lloj para-premierë. Të gjitha ankesat që po i them, ose ato që munden me qenë vështirësi për ne, janë për faktin që kemi hyrë në një ambient të ri për ne. Kemi bërë punë fizike për tela, e shumë gjëra të tjera. Ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë më i lumtur, kjo për shkak të stresit që kemi pasur si ekip. Gjithashtu, me këtë kastë të aktorëve kam punuar edhe më herët, por për herë të parë jam duke punuar me kompozitorin Memli Kelmendi dhe është një ndjenjë shumë e veçantë, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë regjisori i shfaqjes “Ora e Vdekjes”.

Aktori tjetër, Adrian Morina, i cili vazhdon të jetë në skenë për një kohë të gjatë, rrëfen për KultPlus se emocionet janë gjithnjë të pranishme përkundër viteve që kalojnë.

“Përpara, kur më thoshin se Istref Begolli ka shumë tremë në premierë, thosha si student se është e pamundur, ai ka më shumë se 40 vite në skenë, hala me emocione! Tani pas sa kohe që merrem me këtë punë, e shoh që për shkak të përgjegjësisë e punës që e ke bërë, është rrezik i madh që me punën e ardhshme mundesh me i rrëzu gjitha ato se çfarë i ke ndërtuar deri tani. Gjithmonë rritet përgjegjësia, emocionet, e gjithashtu gjithmonë edhe eksperienca e bën të vetën. Ti duhet të mundohesh që t’i kanalizosh të gjitha këto dhe t’i rikthesh në favor të shfaqjes. Unë provoj që të kryej detyrën time, si aktor, me përgjegjësi dhe të prezantoj punën e gjithë ekipit në formën më të mirë të mundshme. Emocionet janë të njëjta si në premierë, si në reprizën e 100-të”, thotë Morina.

Ambienti ndryshe dhe kalimi nga teatri në një vend tjetër, nuk është punë të cilën Morina nuk e kishte bërë më herët.

“Ishim të vetëdijshëm për ambientin ku kemi dalë. Kemi punuar deri vonë gati për çdo natë dhe për pjesën e ambientit kemi qenë të vetëdijshëm. Teatri nuk ka lind, në teatrin kuti qysh e shohim. Teatër bëhet kudo, në rrugë, në sofër, e gjithçka që të duhet është ekipa e mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi bërë këtë shfaqje. Gjithashtu, ne jemi aktiviteti i parë që është bërë në këtë ambient, e për këtë gjë jam shumë i gëzuar. Në Prishtinë e Kosovë ka shumë hapësira të cilat mund të kthehen në të mirë të kulturës. Ministria dhe Komunat duhet të jenë më zemërgjerë, dhe t’i ofrojnë aktorëve hapësira të tilla”, thotë Morina, duke shpresuar se në të ardhmen ambienti i Burgut Muze të ofrojë edhe ekspozita e shfaqje të ndryshme për gjithë vizitorët.

Puna me njerëzit që i njeh për një kohë të gjatë, sipas Morinës, është një gjë e mirë pasi mund të komunikosh me vetëm një shikim.

“Ka qenë kënaqësi e madhe që të punojmë me Benin për herë të parë, bashkëpunimet tona mes Kosovës dhe Shqipërisë po mungojnë shumë në aspektin e teatrit. Unë preferoj të punoj me regjisorë të cilët ndjehem, pasi ata tentojnë që të shtyjnë më përpara rolin tënd dhe nuk të lënë të mërzitesh. Puna me dramaturget ka qenë kënaqësi e madhe, kjo pasi ne vazhdimisht kemi pasur ankesa për dramën shqipe dhe mungesën e teksteve. Sot, përpos kësaj shfaqje ne sot e kemi të shkruar një dramë të re shqipe që mund të inskenohet nga të tjerët. Nëse ankohemi vazhdimisht, edhe nuk investojmë absolutisht në dramën tonë shqipe, atëherë e ardhmja e teatrit do të jetë mjaft e varfër”, thotë Morina, duke lavdëruar edhe ai punën e Memli Kelmendit, që solli një muzikë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, vetë kompozitori Memli Kelmendi për KultPlus tha se ishte ndjenjë shumë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje, ku edhe na njoftoi me disa prej prapaskenave të shfaqjes.

“Puna që unë po e zhvilloj aktualisht sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në suksesin dhe zhvillimin e rrugëtimin tij profesional. Mbi të gjitha unë kam shkruar shumë muzika për teatër, janë mbi 30 shfaqje teatrale. Kam shkruar gjithashtu muzika për film të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Fillimisht kur më ka ftuar ekipi, kemi dalur e kemi diskutuar me Ilirin. E kam parë që është një shfaqje delikate dhe për këtë gjë duhet të mendoj, pasi është një gjë që nuk e kam bërë deri tani. Natyrisht që në fillim kam shkruar muzikën, pastaj disa skica të tjera, por në momenti kur kam ardhur këtu te Burgu Muze, e kam parë që duhet të shkruhet krejt diçka tjetër, atmosfera këtu ka ndikuar që të vihet deri te ky rezultat e kjo muzikë, që nuk ka qenë e lehtë. Jam munduar që si kompozitor t’i plotësoj siç duhet detyrat e mija, e bashkërisht e kemi ndërtuar gjithë shfaqjen”, thotë Kelmendi.

Ai gjithashtu pati një falënderim të veçantë për Donika Rushitin dhe gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të shkruaj muzikë, atë që realisht di ta bëjë më së miri.

“Dua ta falënderoj një person që më ka ndihmuar shumë, janë vokalet e Donika Rushitit, të cilës i falënderohem përzemërsisht që brenda një periudhe të shkurtër ka ndikuar që ato të jenë kryesoret brenda shfaqjes. Unë do të vazhdoj që të punoj, detyra ime si kompozitor i pavarur është që të shkruaj muzikë. Jam tepër i lumtur që më është besuar puna ime si kompozitor në këtë shfaqje dhe gjithashtu më është lejuar përdorimi dhe veprimi i elementeve kompozicionle që unë kam dashtë e i ndërtu në bashkëpunim me regjisorin, e besoj që audienca sonte e ata që do të vijnë më pas po besoj që do ta shohin punën tonë që kemi ndërtuar”.

Shumësia e këndvështrimeve në këtë shfaqje u trajtua me rëndësinë që kërkohet, ku të gjithë aktorët u bënë bashkë për skenën e fundit të mbrëmjes dhe sollën me delikatesën më të madhe të mundshme, realitetin e hidhur të shqiptarëve nëpër burgjet e ndryshme ku kanë qenë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. /KultPlus.com

22 vjet nga masakra e Burgut të Dubravës, kërkohet drejtësi për viktimat

22 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.

Me ç’rast Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”  thonë se edhe pas 22 vjetësh askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo edhe nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale. Kjo qendër kërkon që të vihet drejtësi për gjitha viktimat e masakrës në Burgun e Dubravës.

“Sot mbushen 22 vjet nga fillimi i këtij krimi monstruoz dhe askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale! Në dallim nga koha kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i propagandës gjenocidare të Serbisë, sot në cilësinë e presidentit të shtetit, vazhdon të mohojë përgjegjësinë për përgatitjen dhe zbatimin e këtij akti gjenocidar dhe për këtë fajëson forcat e NATO-s. Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit në Burgun e Dubravës”, thuhet në komunikatën për media nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”.

Shkrimi i plotë:

GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR

Masakra në Burgun e Dubravës – Akt i gjenocidit!

Gjatë javës së fundit të muajt prill 1999 dhe dy javëve të para të muajit maj 1999, në Burgun e Dubravës u bë grumbullimi i pengjeve shqiptare nga disa burgje serbe ku ishin mbajtur deri atëherë.

Përzgjedhja, transferimi dhe sistematizimi i tyre në pavijonet e Burgut të Dubravës u bë në funksion të kryerjes së një nga krimet më të shëmtuara në kuadër të zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë: vrasjen masive të pengjeve të luftës!

Më datë 19 maj 1999 aeroplanët e NATO-s bombarduan caqet ushtarako-policore serbe që ndodheshin jashtë mureve të burgut të Dubravës. Pas tërheqjes së tyre, aviacioni jugosllav sulmoi pavijonet e stërmbushura me shqiptarë, me ç’rast u vranë Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, ndërsa u plagosën 19 të tjerë.

Në përputhje me strategjinë për fshehjen e gjurmëve të krimit të gjenocidit, propaganda gebelsiane në krye me ministrin e atëhershëm të informatave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, krimet e aviacionit jugosllav ia atribuoi NATO-s.

Përkundër asaj se në konferencat për shtyp të datës 21 maj 1999, Pentagoni dhe NATO hodhën poshtë propagandën serbe dhe me prova të pakontestueshme të mbështetura në incizimet e aksioneve të bombardimeve të caqeve ushtarako-policore, dëshmuan se asnjë bombë e tyre nuk kishte rënë brenda mureve të burgut, propaganda e Aleksandar Vuçiqit vazhdoi me të njëjtin avaz.

Kjo propagandë serbe e fajësimit të NATO-s për krimet që kishte planifikuar t’i kryente vetë, vazhdoi me intensitetit të shtuar deri më 24 maj, kur përfundoi njëri nga krimet më makabre të gjenocidit në Kosovë. Gjatë gjenocidit në Burgun e Dubravës, forcat serbe vranë 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 400 të tjerë, 100 prej të cilëve ishin në gjendje tejet të rëndë.

Sot mbushen 22 vjet nga fillimi i këtij krimi monstruoz dhe askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale!

Në dallim nga koha kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i propagandës gjenocidare të Serbisë, sot në cilësinë e presidentit të shtetit, vazhdon të mohojë përgjegjësinë për përgatitjen dhe zbatimin e këtij akti gjenocidar dhe për këtë fajëson forcat e NATO-s.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit në Burgun e Dubravës. / KultPlus.com

Ja la emrin vajzës Republikë, u burgos dhe më pas u ekzekutua në Burgun e Dubravës nga forcat serbe

email sharing button
sharethis sharing button

Jeta Zymberi

Si popull, kosovarët në vitet e 90’ të gjithë kishin një dëshirë, Kosovën Republikë. Kjo dëshirë shumë prej tyre ju kushtoi me jetë, por kjo nuk kishte rëndësi përpara realizimit të qëllimit dhe dashurisë së madhe për atdheun, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999). Në këto rrethana të okupimit serb, qytetarët ishin të mobilizuar dhe më të gatshëm se kurrë që të luftojnë për të drejtat e tyre në secilën mënyrë.

Po atë vit kur Kosova u shpall republikë, lindi edhe një vajzë në familjen Tahiri, këtë gëzim familjar, babai i saj Abdullah Tahiri, vendosi ta pagëzoj me emrin Republikë.

Ndonëse në rrethana të rënda dhe duke rrezikuar jetën ai nuk hoqi dorë nga vendimi i tij dhe përkundër mundësisë së madhe që të ndëshkohej me jetë nga regjimi serb gjë që nuk vonoi dhe ndodhi.

Siç tregon edhe Republika, tashmë 28 vjeçare,  në atë kohë nëse vetëm inicialet KR (Kosova Republikë) i përdorte dikush, mund të dënohej deri më 20 vite burg, por babi i saj rrezikoi dhe i vendosi një emër të tillë vajzës.

“Emri Republikë më bënë shumë krenare, më zgjon emocione për faktin që babi im më la këtë emër në një kohë kur populli shqiptar i Kosovës e shpalli Kosovën Republikë të pavarur nga Serbia. Këtë akt e kundërshtoi fuqishëm Serbia dhe mbar Jugosllavia që ndërmorën një fushatë të egër të burgosjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve”, thotë Republika për KultPlus.

“Përkundër kundërshtimit të zyrtarëve shtetëror që të mos më regjistrojnë me këtë emër, babai im mori guximin dhe i vuri ata para aktit të kryer që të më regjistrojnë si Republikë. Baba im Abdullahu, ishte i bindur që Kosova do të bëhet Republikë sepse ai me shokët kishin punuar gjatë dhe ishin përgatitur edhe ushtarakisht që Kosovën ta çlirojnë nga Jugosllavia dhe Serbia si dhe ta bëjnë shtet të pavarur ashtu siç edhe u bë shumë shpejt”, thotë tutje ajo.

Në vitet në vazhdim shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan dhe po mbaheshin në burgun e Dubravës, në mesin e tyre edhe Abdullah Tahiri. Aty, paramilitarët serb provuan të gjitha format e torturave çnjerëzore. Të burgosurit, ekzekutoheshin, torturoheshin në forma të ndryshme të lidhur me pranga dhe kjo masakër konsiderohet nga më të mëdhatë në Kosovë nga regjimi serb.

Më datë 19 maj u bënë plot 20 vite nga masakra në Burgun e Dubravës, aty ku janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Në këtë masakër e cila zgjati deri më 24 maj, në mesin e të vrarëve ishte edhe Abdullah Tahiri, babai i vajzës që sot bart emrin Republikë.

Ai vdiq, por dëshira e tij jetësore të cilën e ‘skaliti’ edhe në vajzën e tij, u realizua disa vite më vonë dhe Republika sot ndihet krenare që bart këtë emër dhe që ëndrra e babait të saj është realizuar.

Republika, vajza e cila sot jeton në Malishevë të Gjilanit dhe studion psikologji, vazhdon të ketë emocione kur flet për emrin e saj të cilin thotë që e bart me shumë përgjegjësi e respekt.

Një respekt të veçantë ajo ka pasur edhe në shkollë.

“Kur e kam filluar shkollën shokët dhe shoqet më kanë pranuar shumë mirë me këtë emër dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Përkundrazi jam ndie mirë dhe krenare që bart këtë emër domethënës që është synim i popullit për liri dhe pavarësi. Të gjitha zhvillimet në atë kohë kanë qenë në favor të emrit tim Republikë. Dalëngadalë erdhi dita kur edhe me luftë të armatosur Kosova u çlirua nga Serbia dhe u bë definitivisht Republikë e pavarur dhe sovrane me 27 shkurt 2008. Kështu u vërtetua praktikisht vizioni i babait tim Abdullahut që më la këtë emër për çka jam shumë e lumtur dhe e barti me krenari të veçantë”, thotë Republika për KultPlus.

Në vendin tonë ndodhë shpesh që emrat të shkurtohen apo të vendosin pseudonime, por tek Republika, përkundër emrit të gjatë, kjo nuk ka ndodhur. Të gjithë e thërrasin me emrin e plotë.

Një tjetër emocion për Republikën ishte edhe data 17 shkurt 2008 kur edhe u shpall Kosova e pavarur, me këtë rast u plotësua edhe ëndrra e të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë ditë.

“Dita e shpalljes së pavarësisë është festë e të gjithë shqiptarëve por për mua festë e veçantë. Atë ditë e kam edhe ditëlindjen e gjyshes sime që përputhet me shpalljen e pavarësisë. Kjo ditë është realizim i ëndrrave tona për shtet të pavarur dhe sovran të cilin e arritëm me shumë përpjekje sakrifica dhe me gjakun e dëshmorëve”, u shpreh krejt për fund Republika. /KultPlus.com