Sot pasdite do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Muzeut të Burgut të Prishtinës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të ceremonisë së muzeut do të hapet ekspozita e përkohshme “Burgu i Idealit” e cila do të mbahet në ambientet e ish-ndërtesës së Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”.
Ngjarja do të organizohet sipas kësaj agjende:
17:00 Pritja e të ftuarve, hyrja nga rruga kryesore “Luan Haradinaj”
17:15 Ceremonia e hapjes në pjesën e oborrit
17:30 Vizitë burgut
17:45 Pjesa përmbyllese me një performance muzikore instrumentale nga një kuartet tek kulla e vrojtimit.
18:00 Përfundimi i organizimit zyrtar. /KultPlus.com
Aty e mëson rrapullimën e zinxhirëve deri në imtësi përcakton shkallët e tonalitetit nën presion dhe mprehtësinë e rrahjës së hekurit me hekur
Zinxhirët. Ata kur janë të shlirta lëshojnë zhurmërimë ma mbytëse kur ngrehen zhag ose kur hidhen tingëllojnë ndryshe Jo. Zinxhirët nuk tingëllojnë ato zinzinkërojnë!
kur këputën hallkat dëgjohet ni rënkim i shkurt si kërhatje e kur janë të nxeta lëshojnë tinguj mâ t’ashpër e në acar nihen mâ pak si të xhamtë bâhen
Zinxhirët, ata të shohin me sytë e gemtë dalun duç si nga thelbi i ni planeti p’ej hekuri
se si lëshojnë ata tinguj që flasin për vrazhdësinë e ni regjimi si gjâmë kuajsh apokalipsi se si dokën unaza t’thyeme dinosaurësh mekanizma primitivë që mbërThejnë
E âsht dashtë me u zhdukë shumë para së me ardhë epoka e hekurit para 65 milionë vjetësh në Cretaceous
T’burguemit nuk thyhen lëmohen
Shina bâhen mbi të cilët kalojnë trenat e pushtuesit ngarkue me urrejtje
–
Fotografi e disa burrave të Kabashit që t’lidhun me zinxhirë u dërguen në pushkatim.
Dëshmitë flasin për 98 burra të Kabashit dhe Korishës, t’vramë nga xhandarët serbë te Kisha e Sh’markut më 19 mars, 1913, përkatësisht më 1 prill, 1913. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një grup të ish-burgosurve politikë, në krye me Fetah Berishën, kanë vizituar ish-burgun e Prishtinës.
Ministrja Dumoshi i njoftoi ish të burgosurit për planet që ka MKRS-ja në shndërrimin e ish-burgut të Prishtinës në muze për ta dokumentuar të kaluarën e rëndë që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës si pasojë e trysnisë dhe dhunës së sistemit të kryesuar nga regjimi monist i kohës e më pas.
Ministrja e informoi z. Berisha dhe ish të burgosurit se ka themeluar grupin punues që do ta konceptojë objektin e ish-burgut për ta shndërruar në muze. Ministrja tha se do të grumbullohet i tërë dokumentacioni ekzistues dhe i mundshëm, rrëfimet e të burgosurve, të dhëna tjera materiale, dhe do të realizohen brenda objektit disa ndërhyrje, për ta kthyer burgun në formën origjinale.
“Është obligim dhe detyrim i institucioneve të Kosovës që të dokumentojnë vuajtjet, përjetimet dhe tmerret që kanë kaluar gjeneratat e mëparshme për të ardhur deri sot kur ne kemi shtetin dhe institucionet tona”, u tha ministrja Dumoshi.
Ish i burgosuri Fetah Berisha, e falënderoi ministren për këtë nismë dhe u shpreh se në këto ambiente ku po qëndron bashkë me shokë kanë përjetuar tmerre të paimagjinueshme.
“Prej ditës së burgosjes 22 korrik në vitin 1981, natën e parë më kanë dërguar në kufi me Shqipërinë, ku policë të asaj kohe, më kanë shkreh në dru, më pas më kanë sjellë në burgun e Prishtinës dhe më kanë mbajt 6 muaj për të zhvilluar hetimet deri sa janë kryer ato dhe gjykata e atëhershme e qarkut e Prishtinës më pati dënuar me dy vite burg”, rrëfeu i emocionuar ish i burgosuri rahovecas Fetah Berisha.
Berisha, por edhe të burgosurit e tjerë vizituan qelitë dhe pavijonet e ish-burgut dhe sollën në kujtesë tmerret që kanë përjetuar aty dhe vlerësuan se është një veprim shumë i duhur dhe i pritur, nisma për të shndërruar ish-burgun e Prishtinës në muze.
“Është mirë që gjeneratat që vijnë pas të dinë se çfarë ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës për të ardhur deri tek liria”, u shprehën ish të burgosurit, të cilët edhe e falënderuan ministren Dumoshi për këtë projekt.
Ministrja dhe ish të burgosurit vizituan ambientet e ish-burgut, qelitë ku kanë qëndruar të burgosurit, dhomën e hetuesisë, ku sipas rrëfimeve të ish-burgosurve asnjë i burgosur nuk dilte në këmbë të veta por sillej në qeli kapur nga persona tjerë i tërhequr zvarrë, nga tortura e nga të rrahurat. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit priti sot në takim konstituiv anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës.
Grupi punues me vendim të ministres ka këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses; Ndërkaq në rolin e anëtarëve: Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë; Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë; Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës; Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës; Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dhe Ajshe Kamberi, MPB.
Në takim Ministrja u shpreh e lumtur që në mandatin e saj si ministre ish-burgu i Prishtinës filloi procedurat e shndërrimit në muze.
Burgu i Prishtinës ishte vendi ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht, prandaj shndërrimi i tij në muze është i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive dhe për njohjen e kontributit të shumë njerëzve në Kosovë – tha Ministrja Dumoshi.
Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.
Gjatë takimit anëtarët e grupit punues thanë se do të angazhohen maksimalisht gjithmonë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, si dhe aspektin shoqëror dhe historik të saj.
Trashëgimia kulturore e shpirtërore dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë prioritet kyç i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot ka organizuar hapjen e Burgut të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Ky burg shpalos një histori të dhimbshme, historinë e popullit tonë, përmes të cilit kaluan shumë personalitete që u torturuan për kohë të gjatë në dhomat e atij burgu.
Hapjen zyrtare të burgut e bëri kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili e quajti një moment të veçantë hapjen e këtij burgu, duke thënë se me të drejt është quajtur ‘Burgu i ideve’, pasiqë aty edhe kanë nisur idetë për levizjet e rezistencës së Kosovës.
“Është ndjenjë e veçantë dhe e përjeton kur hyn nga një çeli në tjetrën. Ky është burgu i ideve. Le të jetë kjo një qendër që të gjithë qytetarët e Kosovës ta përjetojnë atë që kanë kaluar njerëzit gjatë kohës sa ishin të burgosur”, u shpreh tutje Hoti për të pranishmit.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi shprehej se të burgosurit e këtij burgu, në periudha të ndryshme kanë qenë dhe janë bazament i rezistencës.
“Ne e kemi paraparë që për këtë ditë ta ofrojmë për vizitorët ta hapim. Burgu është ndërtuar në vitin 1945 në kohën e Rankoviqit, është ndërtuar nga të burgosurit politikë. Kjo tregon për historinë e popullit tonë sa kemi qenë të fortë. Çka është specifike, burgu është i ndërtuar në formën harkore, sepse ka qenë urdhër Aleksandër Rankoviqit që me qenë bashkë me hetuesinë apo UDB-në. Kemi këtu individë që me vjet kanë qëndruar në çeli. Kjo do të jetë pjesë integrale e historisë tonë”, deklaroi Dumoshi.
Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës, është ndërtuar në fund të viteve 1940-50, në kohën kur është ndërtuar edhe ndërtesa e Komunës së Prishtinës dhe ndërtesa e ish-Komitetit në Sheshin Nënë Tereza. Disa shënime të tjera tregojnë se në këtë zonë para ndërtimit të burgut ka ekzistuar një shkollë e vjetër e muzikës, e cila më pas është transformuar në administratë policore.
Në rastin e burgut, tema që trajtohet është shumë e rëndësishme, por edhe komplekse sepse ngërthen burgimet politike, përndjekjet, rezistencën por edhe gjithë organizimin politik për liri të shqiptarëve në Kosovë.
Ndërkaq në një pjesë të murit, jashtë burgut, qytetarët dhe personalitete të njohur, vendosën mbishkrime të ndryshme dedikuar të gjithë atyre që dikur kanë vuajtur tortura të mëdha në dhomat e këtij burgu.
Në muret e këtij burgu vareshin disa nga fotografitë e figurave më të mëdha që Kosova ka pasur përgjatë historisë së saj në luftën për liri e pavarësi, Ukshin Hoti, Rexhep Mala e Adem Demaçi ishin disa nga këto figura. Në ato mure akoma gjendeshin lutje e gëvishtje të të burgosurve të atëhershëm, të cilët përjetuan tortura nga më të rëndat, disa prej të cilëve përfunduan edhe fatalisht e disa të tjerë nuk u gjetën më kurrë.
Ish-burgu i Prishtinës planifikohet që në të ardhmen të shndërrohet në muze. / KultPlus.com
Qeveria në detyrë ka marrë vendim që ish-bugu i Prishtinës në rrugën “Luan Haradinaj” të shpallet muze, shkruan KultPlus.
Vendimi u mor në një mbledhje që u mbajt online nga qeveria në detyrë.
Ndërsa lajmin e dha edhe Yll Rugova, zëvendësministër i Kulturës i cili ka njoftuar që tashmë është duke u analizuar mënyra e trajtimit të hapësirës drejt transformimit në muze.
“Ky burg, i ndërtuar në fund të të dyzetave, që ndodhet në rrugën Luan Haradinaj, në qendër të qytetit, është objekt historik ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht. Sot e vizituam burgun me zyrtarë të trashëgimisë kulturore për të analizuar mënyrat e trajtimit të hapësirës drejt transformimit në muze.
Me 23 maj është lëshuar edhe vendimi i Qeverisë për inicimin e këtij transformimi, pra shndërrimit prej burgut të njerëzve, në mbrojtës të kujtimeve”, ka shkruar Rugova. / KultPlus.com