Në kuadër të gjetjes së varreve të të ekzekutuarve nga diktatura komuniste, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur sot gërmimet në burgun e Burrelit për gjetjen e eshtrave të të humburve.
Këto gërmime në rrethinat e burgut të Burrelit nisën në zbatim të urdhrit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Lajmin e bëri të ditur kryetarja e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.
“Nën drejtimin e Taskforcës së posaçme, po gërmohet në oborrin e Burgut të Burrelit për të gjetur gjurmë të varreve të humbur në komunizëm. Do të jetë një proces shumë i gjatë, dhe mbase i pasuksesshëm në disa raste, por i domosdoshëm dhe i përgjegjshëm”, thekson Sula.

Sula inkurajoi familjarët e lënduar nga dhimbja që të kenë durim për vënien e dinjitetit në vend.
“I uroj familjarëve kurajo, durim dhe forcë për të vënë në vend dinjitetin njerëzor të të dashurve të tyre”, shprehet ajo.
Burgu i Burrelit mendohet të ketë një nga varrezat më të mëdha të të burgosurve politikë vrarë në kohë të diktaturës komuniste, apo siç njihet ndryshe vendi te “Qershia”. /atsh/ KultPlus.com
