Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit tashmë është shndërruar në një hapësirë të komunitetit ku po organizohen aktivitete të shumta kulturore.
Mbrëmë aty u dha premierë shfaqja teatrore “Burgu Politik” në kujtim të shkrimtarit e politikanit, Adem Demaçi dhe filozofit e aktivistit, Ukshin Hoti, përkatësisht përndjekjes politike të tyre si rrjedhojë e jetës dhe veprës intelektuale.
Shfaqja ishte ndarë në pesë rrëfime të ndryshme të cilat janë të bazuara në ngjarje të vërteta, dhe krejt në fund përfundon me një pjesë të asocimit me Burgun e Dubravës dhe masakrës që ndodhi aty në vitin 1999.
E veçanta e saj ishte se edhe publiku ishin te burgosur brenda qelive duke parë shfaqjen.
“Burgu Politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” u zhvillua nga regjisorët, Kushtrim Mehmeti dhe Kaltërim Balaj, dramaturgët Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ndërsa luajtën aktorët/et: Fitore Jashari, Mikel Markaj, Shaban Behramaj, Art Pasha, Blendon Ahmeti dhe Lorent Pacolli.
Muzika erdhi e kompozuar nga Lulzim Lushtaku, ndriçimi, Skender Latifi, ndërsa u mundësua nga organizat Etea, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Të pranishëm në premierë ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ish të burgosur politik, profesorë, aktorë e artdashës.
Reprizës e shfaqjes mund ta ndiqni edhe sonte nga ora 21:00. / KultPlus.com