Presidentja Osmani: Përmes kujtesës, refuzojmë të zbehet historia e të rënëve

Presidentja e vendit,  Vjosa Osmani ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani është shprehur se “përmes kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.

“Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, thuhet në njoftim.

“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil”.

Fshatrat Pastasellë dhe Burim shënojnë 24 vjetorin e masakrave

Fshati Pastasellë, i Komunës së Rahovecit, sot shënon 24 vjetorin e masakrës, nga e cila mbetën të vrarë 106 persona, shkruan KultPlus.com.

Pas vrasjes së 106 cilvilëve të këtij fshati dhe fshatrave të tjera përreth, trupat e tyre u dogjën, sikurse ka ndodhur edhe në masakra të tjera, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit të luftës së vitit 1999, të kryer nga forcat serbe.

Nga kjo masakër arritën të shpëtonin 13 persona, kurse një pjesë tjetër e të vrarëve figurojnë ende të zhdukur.

Po ashtu 24 vjetorin e masakrës, sot e shënon edhe fshati Burim i Komunës së Malishevës në të cilin mbetën të vrarë 42 persona.

Masakra e fshatit Burim konsiderohet si më e madhja e Komunën e Malishevës.

Në vendin e quajtur Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 u vranë dhe u masakruan 42 civilë, shumica prej tyre ishin nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Suharekës. Vrasje të civilëve shqipëtarë, në po këtë ditë ka pasur edhe në fshatrat tjera të Malishevës.

Në fund të marsit shënohen përvjetorët e masakrave të Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Familjes Berisha, dhe Izbicës, të cilat së bashku me masakrën e Pastasellës janë më të mëdhatë të kryera nga forcat serbe në vitin 1999./KultPlus.com