Së shpejti Galeria e Artit Tiranë (GAT) do të çelë ekspozitën vetjake të piktorit Buron Kaceli, titulluar “Dhoma e pasme”. Në faqen e saj online, GAT shkruan se ekspozita vjen në vazhdë të konceptit kuratorial “Si ishim, si jemi, si ndihemi-Vetëm, Bashkë”.
Veprat që piktori ka përzgjedhur për këtë ekspozitë vijnë si një hulumtim i fenomeneve të vetë qytetit, njerëzve, lagjeve, komunave, bashkëjetesës në realitetin e ri në përgjithësi, që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar kjo me rivizitimin e trashëgimisë kulturore dhe interpretimeve bashkëkohore.
Galeria e Arteve Tirane synon një program të qëndrueshëm duke krijuar ekspozitat dhe eventet e saj në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës.
“Dhoma e pasme” e Buron Kacelit vjen pas disa ekspozitave interesante që patën jehonë në jetën kulturore në Tiranë si, ekspozita e Kukullave Japoneze,“Ningyo & Na ishte Njëherë’, “Introspeksion” i artistit Toni Milaqi dhe së fundmi ekspozita fotografike “Lana-Tirana,Para-Pas Albania” e fotografit Roland Tasho./atsh/KultPlus.com