Shumica e kineastëve shqiptarë patjetër i kanë kushtuar një film burrneshave. Një temë tërësisht shqiptare, e cila ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës, që nga televizionet e deri tek kinemaja.
Megjithëse këto tema, që nga gjakmarrja e deri tek burrneshat, e kanë plotësuar misionin e vet për ti rrëfyer shikuesit të huaj një pjesë të kulturës sonë, sërish vazhdojnë të riprodhohen e përsëriten.
Edhe filmi më i ri i regjisorit Andamion Murataj titulluar “Burri i shtëpisë”, frymëzohet nga disa burrnesha dhe historitë e tyre jetësore.
Murataj është larguar nga Shqipëria që në vitet ’90. Një gjë për të është pandryshueshme sa herë që kthehet, që vendi ynë është gjithmonë në ndryshim.
Për një artist duket se Tirana dhe Shqipëria ka shumë për të ofruar si një shoqëri në zhvillim, me drama dhe karaktere ëndërrimtarë dhe interesantë. Kjo pasyshim është lënda e duhur për një kinema të mirë./TopChannel/KultPlus.com
Në ditën e gjashtë të Festivalit FemArt do të ketë një shfaqje teatrale nga Kosova dhe një performancënga Serbia, shkruan KultPlus.
Shfaqja teatrore “Burrneshat” me autor, Jeton Neziraj dhe regji të Erson Zymberit shfaqet sonte në Teatrin ODA nga ora 20:00, ndërsa performanca “25 gota verë” me tekst dhe koncept të Dijana Miloševic shfaqet në Shtëpinë e Kulturës, Gustericë (Graçanicë) nga ora 20:00.
Gjithashtu, artistja Valentina Medda vazhdon me aktivitetin e mbyllur për publikun.
Ndërkaq, këtu mund të shihni orarin e plotë për ditët e tjera të festivalit “FemArt”. /KultPlus.com
”Burrneshat” kanë qenë pjesë e traditës sonë shqiptare me shekuj. Gra që sakrifikuan për familje e për hirë të mendësisë patriarkate.
Kristine Nrecaj dhe Birthe Templin, kanë realizuar një dokumentar që i kushtohet pikërisht Burrneshave tona, shkruan Kultplus
Për mbi 600 vjet, të ashtuquajturat ”Burrnesha”, kanë jetuar në Shqipëri: vajza që zgjedhin të jetojnë si burra dhe marrin rolin e kokës patriarkale të familjes. Bedrie Brahim Gosturani është njëri prej tyre. Ajo takohet me Adele, një shqiptare e re, e cila merret me këtë traditë në kërkim të identitetit të saj. Bedrie Brahim Gosturani (61) lindi një vajzë. Sot ajo jeton si burrë në malet veriore shqiptare. Ajo është një e ashtuquajtur ”Burrnesha”.
Tradita e Burrnesha-s e kishte origjinën më shumë se 600 vjet më parë në fshatrat malorë në veri të Shqipërisë: Nëse nuk do të kishte pasardhës mashkull, një vajzë u zgjodh të jetojë si burrë dhe të sigurojë familjen. Burrneshat betohen për virgjërinë e përjetshme, të mos martohen dhe të marrin rolin shoqëror të burrit. Por disa shërbyese të zeza zgjedhin të jetojnë një jetë tjetër përveç Burrnesha për arsye të tjera, të tilla si shmangia e martesës së detyruar, ose shpëtimi nga kufizimet dhe kufizimet që lidhen me modelin e roleve tradicionale të një gruaje në Shqipëri.
Kjo e fundit ishte e vërtetë edhe për Bedrien: ajo nuk mund ta imagjinonte martesën ose të pranonte kufizimet që lidhen me jetën e një gruaje në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse ajo vendosi të jetojë si burrë qysh në moshë të re. Adele (26) i njeh shumë mirë kufizimet shoqërore dhe pritjet ndaj grave në Shqipëri: rregullisht gruaja e re nga kryeqyteti Tiranë duhet të justifikojë që nuk është martuar akoma.
Në kërkim të identitetit dhe emancipimit të saj, Adele merret me traditën e Burrneshave. Prandaj, ajo takohet me Bedrie, nga i cili dëshiron të mësojë më shumë rreth jetës së tij si ”Burrnesha”. Bedrie është krenare për historinë e jetës së saj, të cilën pëlqen ta ndajë edhe me të tjerët.
Dokumentari tregon takimin e dy grave që vijnë nga botë shumë të ndryshme dhe megjithatë kanë shumë gjëra të përbashkëta.
Në dokumentar përpos tingujve të pianos, dëgjohen edhe ca tinuj çiftelie, për ti dhënë më shumë jetë e kuptim dokumentarit, që i dedikohet traditës së shqiptarëve. Tingujt e çiftelisë janë luajtur nga Hava Bekteshi.
Dokumentari është i realizuar nën regjinë e Kristine Nrecaj dhe Birthe Templin. Ky dokumentar për herë të parë është dhënë në Berlin si premierë. Kurse, kësaj radhe për herë të parë do të shfaqet në ArteTv.
Bashkangjitur gjeni linkun e trailerit të dokumentarit. /KultPlus.com
Ekspozita “Perceptime-Burrneshat” po vazhdon të sjell shumëçka nga puna artistike e grave në Kosovë.
Kjo ekspozitë është rezultat i një bashkëpunimi dy-vjeçar
midis pesë kuratorëve dhe institucioneve nga Ballkani Perëndimor, thjesht
titulluar Perceptimet. Kjo qasje unike dhe e pazakontë që nisëm dhe politikat e
tyre ndaj inovacionit në botën e artit po konsiderohet si mundësi e veçantë për
artistët lokalë të prezantojnë krah për krah me artistë britanik të njohur
botërisht.
Debati i tretë me radhë, në lidhje me ekspozitën Burrneshat
dhe çështjet sociale që ajo prek, është “A je ti valentini im? Romanticizmi i mbivlerësuar”.
Si debatet e tjera, do të jetë moderuar nga Zana Hoxha Krasniqi, e cila do të
ndajë përvojën e saj me Artpolisin, e njohur për organizimin e disa edicioneve
të festivalit FEMART, shkruan KultPlus.
Në këtë debat do të diskutojnë Eliza Hoxha, Haveit dhe Vjollca Krasniqi. Debati do të mbahet këtë të shtunë, duke filluar nga ora 12:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare sot është mbajtur paneli i dytë diskutues “Arti feminist në Kosovës-tabutë dhe sfidat” në kuadër të ekspozitës “Perceptime: Burrneshat”. Ky panel u moderua nga Zana Hoxha ndërsa në të morën pjesë artistja Arbana Hajredinaj, artisti Lorik Sylejmani si dhe themeluesja e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti.
Vepra
më e vjetër nga artistet kosovare e ekspozuar të “Burrneshat” është portreti
“INA” nga Alije Vokshi. Artisti Lorik Sylejmani i cili artisten Vokshi e ka
teze, solli për të pranishmit një histori të shkurtë të rrugëtimit të kësaj
artiste e cila për shkaqe shëndetësore nuk arriti që të ishte e pranishme.
Rrugëtimi i saj dëshmon rëndësinë që ka mbështetja e familjes, neglizhencën e
institucioneve ndaj kësaj artiste si edhe arsyet prapa mungesës së artisteve,
grave të përfaqësuara në art.
E lindur në një familje të shkolluar, Alije Vokshi njihet si artistja që merr rrugën për në Beograd për të përfunduar studimet, gruaja e parë që voziti makinë në Prishtinë, të cilën në protestat e 81-shit e vendosi para ushtrisë serbe si barrikadë për të mbrojtur studentët e saj dhe të tjerët që protestonin. “Një burrneshë e kohës së saj”, thekson Sylejmani. Një grua e cila nuk e kalonte kohën e mbyllur në atelienë e saj për të punuar, por që udhëtoi nëpër fshatra të Kosovës e veçanërisht në Dukagjin, për të portretizuar rrudhat dhe çdo pjesë të fizionomisë së shqiptarëve të asaj anë.
Sylejmani theksoi se artistja Alije Vokshi ka mbetur një emër i panjohur për shumë njerëz, pasi që ajo ka qenë e anatemume nga kolegët e saj në fakultet, por edhe jashtë këtij institucioni. E vetmja herë kur ajo ka pasur një përfaqësim të denjë ka qenë ekspozita me rastin e 50-të vjetorit të karrierës së saj, kuruar nga vet Sylejmani. Vokshi e cila ka pasur ekspozita jashtë vendit ku gëzoi respekt, e sidomos në Paris, në Kosovë ajo edhe në monografinë e parë nuk është paraqitur denjësisht, duke e shtuar pranë emrit të saj një fotografi bardh dhe zi.
“Ajo zgjedhet studente e dalluar në Beograd,
ndërsa specializimin e përfundon në Paris. Kur kthehet në Kosovë fillon punën
si asistente në Fakultetin e Arteve dhe aty fillojnë peripecitë nga ana e kolegëve.
Ajo me gjithë atë bagazh dhe punë të cilën e ka pasur, anatemohet deri në
skajshmëri, pasi që kishte mendime të kundërta dhe për 16 vite e lënë si
asistente për shkak të bindjeve të saj. Ajo ka qenë edhe është një nga personat
që veçohet si person shumë i drejtë dhe kjo edhe i ka kushtuar. Në fakultet ka
punuar deri 5 vite më parë kur edhe ka dalë në pension”, tregoi Sylejmani duke
theksuar se artistja edhe pas pensionimit ka vazhduar punën e saj deri së fundi,
kur i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
I rritur në një familje të shkolluar ku gratë ishin të shkolluara dhe kishin studiuar në fusha të ndryshme, përmendim këtu se nëna e artistit ka studiuar për gjuhën angleze, Sylejmani thekson se nuk e ka ndjerë dallimin gjinor në familje të tij dhe kjo e ka bërë që edhe të mos bëjë ndarje të tilla as në shoqëri. Sipas tij, në esencë të gjithë i kanë problemet e njëjta si gratë ashtu edhe burrat, mirëpo janë disa ura të cilat duhet që ti kalojnë për të arritur deri të një qëllim. Ai u shpreh se disa mund ti konsiderojnë gratë si më të brishta, mirëpo, sipas tij ai ka takuar gra që janë më burra sesa vet burrat në kuptimin intelektual, qasjes edhe shtytjes profesionale. Mirëpo, sa i përket grave dhe punës së tyre në art ai është shprehur se në Kosovë nuk ka ekzistuar një lëvizje e artit feminst, mirëpo ka artistë të cilat përmes punëve të tyre kanë prekur këtë aspekt, duke përfshirë këtu edhe artistet pjesëmarrëse të ekspozitës “Burrneshat”.
Në mesin e tyre është artistja Arbana
Hajredinaj e cila ishte e pranishme në panel. Ajo përmes videos “30%” paraqet
pozitën e grave, përfaqësimin e tyre në politikë, mirëpo shkon edhe përtej
kësaj. Një punë që ka ardhur pas rastit në Parlamentin e Kosovës ku një deputet
e ofendon një deputete.
“Vizatimi i fytyrave të ndryshme është e lidhur edhe me aspektin psikologjik por edhe politik sepse fatkeqësisht ajo fyerja në Parlament ka ndikuar negativisht në aspektin psikologjik të unë. Që nga ai momente nuk i kam dëgjuar seancat parlamentare deri sot, ku është në pyetje buxheti për institucionin ku unë punoj”, tregoi ajo duke theksuar se arti i saj është i fokusuar në tema sociale dhe në aspektin psikologjik. E tillë ka qenë edhe piktura e saj e parë e cila prek temën e braktisjes së fëmijëve të lindur nga gratë e dhunuara të Kosovës gjatë luftës, pikturë e cila akoma ngjallë emocione dhe e prek shumë artistën sa herë që diskuton për të.
Në anën tjetër themeluesja e KultPlus-it, gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti për të pranishmit tregoi se në fillim të punës së saj ajo ishte korrespondentja e vetme grua nga Gjilani, mirëpo kjo nuk e ka bërë që ta shoh këtë si pengesë, pasi që është bazuar çdo herë vetëm te puna. Madje, një ndarje të tillë ajo nuk e bënë edhe sot, duke theksuar se në KultPlus lexuesit do të gjejnë njerëz të suksesshëm dhe që japin shumë për artin, e të cilët nuk promovohen vetëm për shkak të gjinisë së tyre. Sipas saj, fakti që kultura zë vendin e fundit në lajme dhe vendoset në faqet e fundit të gazetave tregon më së miri për hapësirën që i jepet kulturës. “Konsiderojmë që KultPlus ka vendosë një standard të ri në mediet në Kosovë, pasi që profilizimi i KultPlus ka ndikuar në mënyrë direkte për një qasje tjetër ndaj artistëve dhe punës së tyre”, ka thënë ajo.
Pajaziti, duke iu referuar të kaluarës, atëherë kur edhe kishte pak gra nëpër medie, ka përmend faktin se tashti, për dallim prej atëherë, shumë prej medieve udhëhiqen nga gratë, por edhe numri i gazetareve nga vajzat dhe gratë është dukshëm i madh.
Në këtë panel është diskutuar edhe për mungesën e kritikës mbi artin, ku Pajaziti ka treguar edhe qasjen e saj mbi këtë cështje.
“Jemi
shumë të hapur për të pasur kritikë, mirëpo jo nga gazetarët, pasi që ata nuk mund të jetë kritik, përderisa nuk kanë një shkollim adekuat për këtë.
Kemi pasur herë pas herë interesim , mirëpo mungesa e financave e pamundëson
pagesën e kritikëve, për të cilët kemi shumë nevojë, pasi që kritika e bënë një
filtrim se çfarë është e mirë dhe çfarë jo. Ne jemi të hapur për të publikuar
kritika, mirëpo duhet të jenë emra kredibil e që e dëshmojnë punën, dhe jo për aso kritika që i përdorin vetëm për
inate personale e që sjellin konflikte, dhe të cilat nuk ndikojnë në të mirë të
kulturës. Mirëpo, pavarësisht faktit se në KultPlus nuk kemi të kontraktuar
ndodnjë kritik arti, vet promovimi i kulturës, prezantimi i emrave të
suksesshëm në art ka bërë diferencën,
dhe në të njëjtën kohë ka orientuar lexuesit rreth zhvillimeve në vend e
më gjerë” u shpreh Pajaziti.
Galeria Kombëtare e Kosovës sot ka mirëpritur ekspozitën “Burrneshat”. Kjo ekspozitë e cila ka bërë së bashku katërmbëdhjetë artiste nga Britania dhe gjashtë artiste nga Kosova si dhe kolektivin HAVEIT, është inicuar nga Këshilli Britanik, ndërsa veprat e artistëve britanike janë marrë nga koleksioni të cilin e posedon British Council.
Vjehrra e artistes Alije Vokshi qëndron përballë baroneshave të Madame Yevonde në hyrje të Galerisë Kombëtare. “INA”, piktura e cila është pjesë e koleksionit të Galerisë, paraqet një grua e cila mbanë një shami në kokë dhe duart njëra mbi tjetrën. Në anën tjetër një nga zonjat që i qëndron përballë është zonja e Michael Balkon, ajo me një armë në duar është portretizuar si hyjnesha romake Minerva.
Mirëpo, përderisa
këto piktura mund të vështrohen për bukurinë e tyre disa hapa më tutje prapa
bukurisë fshihet një gjendje e cila sjellë tension dhe reagim. Portretet e pesë
vajzave të reja e të grimosura të paraqitura si “Spice Girls” nga Clare Strand, portretizojnë situatën ku vajzat
e reja, edhe pse ndjehen të ngulfatura në mënyrë që të pranohen në shoqëri,
vishen dhe sillen si gra të rritura. Në anën tjetër modelja e realizuar nga Alketa
Xhafa –Mripa paraqitet si një kukull, të cilën duke e vënë në prizë mund ta
ndizesh dhe ta fikësh, ta lësh të flasë ose ta bësh të heshtë. Një vepër kjo e
cila erdhi si reagim nga artistja në vitin 2007, një ditë pas 8 marsit, Ditës
së Gruas.
“Me simbole të vogla jam munduar që të rrumbullakojë dhe të paraqes gruan shqiptare”, shprehet artistja derisa bisedon edhe me të pranishmit që afrohen për të parë punën e saj.
“Në ekspozitë ka emra për të cilat unë kam mësuar pasi që i kam pasur në literaturë si Tracy Emin apo Sarah Lucas. Prandaj të ekspozojë punën time se bashku me to, e sidomos në Kosovë është nder i madh. Njëkohësisht është kënaqësi edhe me artistët shqiptare, punët e të cilave i njoh dhe i çmoj”, u shpreh ajo për KultPlus duke cilësuar se akoma ka punë për tu bërë për emancipimin e gruas në shoqëri. Diçka që e kërkon edhe artistja Ann Elliot e cila përmes nallaneve na fton që të ecim në këpucët e saj, të cilat lënë gjurmët e dikujt tjetër, të një kuratoreje.
Kjo ekspozitë vë në pah më shumë sesa vetëm çështjen e pozitës së gruas e që vërehet qartë te artistja shqiptare Arbana Hajredinaj me videon “30 %” e që tregon përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës. Kjo ekspozitë tregon ofshamën e grave përmes Zake Prelvukaj e cila largon katranin nga lëkura. Ju mëson që të mos kërkoni falje shpesh, sepse atëherë ajo do të humb vlerën përmes Anetha Hamilton dhe karriges së saj, këmbët e të cilës janë kopje e këmbëve të artistes. Kjo ekspozitë tregon se diçka nuk është në rregull përmes gruas që sjellë Tracey Emin, prej vaginës së të cilës nuk kuptohet a po dalin apo po hyjnë monedhat por edhe përmes videos “Nuk dëgjojë asgjë” të Rudina Xhaferit në të cilën ajo çep veshin e saj.
Me një aranzhim që i ngjan një beteje, sipas drejtoreshës së Galerisë, Arta Aganit kjo ekspozitë synon të shfaq ndërrimet mes roleve, ku gruaja nuk është vetëm një formë dhe burri nuk është vetëm një funksion. Ajo tregon se kjo ekspozitë e fragmentuar në disa faza bënë që gratë artiste të ndërrojnë nga njëra fazë në tjetrën, nga forma deri të funksioni.
“Në pjesën e
titullar ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ e cila gjendet në katin e dytë të Galerisë,
artistet e shfaqura tashmë e kanë kuptuar rolin e tyre në shoqëri si gra artiste.
Ato me krenari ekspozojnë artin e tyre duke mos kritikuar dhe ankuar. Ato janë
në krye të muzeve dhe galerive dhe nuk janë të shqetësuara për barazinë gjinore
në art, sepse në këtë fazë ajo duket e parëndësishme”, theksoi Agani.
Tek ‘tejkalimi i kufirit gjinor’ hynë disa artiste pjesë e kësaj ekspozitë si kolektivi HAVEIT, të cilat edhe në këtë ekspozitë ishin të pranishme duke e rruar patriarkalitetin, pastaj Flaka Haliti me “Bolet e mia” apo artistja Sarah Lucas me vezët e fërguara.
Kjo ekspozitë nuk mund të kalojë vetëm me një shikim pasiv, theksoi ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell në hapje të kësaj ekspozite. Sipas tij, çështja për të cilën duhet të mendojmë e që e përcjellë edhe këtë ekspozitë është sesi trajtohet gjysma e shoqërisë sonë.
“Të gjithë ata që do të vijnë në këtë ekspozitë do të marrin nga një porosi të ndryshme. Porosia që unë mora, është ajo e guximit dhe e sfidës. Disa nga veprat janë shumë personale dhe disa janë shumë sfiduese. Unë jam i nderuar që i njoh edhe personalisht disa nga artistet dhe nuk me befason që punët e tyre janë reagim i guximit dhe sfidës. Ne duhet që të reagojmë ndaj kësaj, të sfidohemi nga to dhe të mendojmë më ndryshe kur të largohemi dhe jo njëlloj siç kemi menduar kur kemi ardhur”, theksoi ai.
Ekspozita “Burrneshat” do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt./ KultPlus.com
Burrneshat, përkthimi tekstual i cili mund të gjendet në fjalor do të ishte “Virgjëresha e betuar”, duke iu referuar disa grave në Malet e Shqipërisë që jetojnë jetën e një mashkulli. Megjithatë, kjo fjalë ka një kuptim tjetër në Kosovë. Fjala është pak a shumë e përdorur si një kompliment për një grua që tregon vendosmëri, besueshmëri, forcë, tipare të personalitetit që supozohet se u atribuohen meshkujve. Dhe nuk derdhin lot.
Ngjajshëm me Burrneshat, mund të vëzhgojmë gratë artiste, të cilat /mes punës së tyre po luftojnë për të jetuar të vërtetën e tyre dhe t’i dëgjohet zëri i tyre. Artistet në Kosovë ishin dhe ende janë në një masë, shembuj tipik të diskriminimit gjinor. Kudo, megjithëse rreth dy shekuj më parë, gratë ishin lënë jashtë institucioneve kulturore dhe duhej të luftonin që të hynin në shkollat e artit, në muze dhe galeri që të vinin në pah. Gruaja e parë e Kosovës u diplomua në një shkollë të artit në vitet 70-ta, në një kohë kur krijimtaria e grave ishte ende e kufizuar në qëndisje dhe thurje.
Tani, gratë janë mësuese të artit, artiste dhe të punësuara në institucionet e artit në një nivel të kënaqshëm drejt barazisë. Kështu, krahasuar me vendet e rajonit, situata është pak a shumë e njëjtë: artistet më në fund po v në një ritëm jashtëzakonisht të vonuar, por të vendosur. Megjithatë, sa më shumë që ky fenomen social të shqyrtohet, aq më shumë pyetje ngriten. Një gjë që nuk mund të shmanget është: Pse ka kaq shumë mospërputhje në mes numrit të studenteve të artit dhe numrit të artisteve të diplomuara aktive? Shifrat kanë rënie drastike, kur gratë artiste gjejnë veten duke bërë punë të tjera dhe ngritjen e familjeve. A është të qenit një artiste, kërkesë e madhe?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet që frymëzuan British Council dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës për të bashkëpunuar në një ekspozitë unike që do të ekspozohet në Prishtinë në janar. Kjo ekspozitë është pjesë e ekspozites “Perceptimet” si projekt rajonal i British Council, i cili diskuton çështjet kryesore sociale përmes artit dhe dialogut në mes artistëve. Burrneshat përmbanë një bashkëpunim të veçantë në mes artistëve britanikë dhe atyre kosovarë që eksplorojnë pozitën e grave në shoqëritë tona. Ekspozita do të hapet më 25 janar deri më 20 shkurt. / KultPlus.com